Bardhi i publikon eurodeputetëve vendimin e ndaluar të gjykatës së posaçme ku provohet sesi një ministër në detyrë dhe deputet i PS ndihmon që të çlirohen pasuritë e sekuestruara të një organizate kriminale në Elbasan
- Tre muaj më parë deputetët e mazhorancës votuan kundër zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur deputeten dhe ish-ministren Olta Xhaçka, bashkëpunëtore e ngushtë e Edi Ramës. Me votim politik, mazhoranca, e urdhëruar nga Edi Rama, refuzoi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dy herë.
- Mazhoranca socialiste ka fuqizuar krimin e organizuar sipas të dhënave të organeve gjyqësore dhe mediave të pavarura. Para dy ditësh, INA Media, një media investigative e financuar nga Ambasada e SHBA-së, ka publikuar një investigim sipas të cilit rezulton se një kompani e drejtuar nga një trafikant droge ka përfituar plot 170 milionë euro nga buxheti i shtetit. Ligji për prokurimin publik parashikon ndalimin e përfitimit të tenderave nga personat e dënuar për trafik droge.
- Sipas një dosje të SPAK, të publikuar 11 ditë më parë, krimi i organizuar ka arritur t’i diktojë Edi Ramës përbërjen dhe renditjen e kandidatëve për deputetë. Sipas përgjimeve zyrtare të Prokurorisë, dy banda kriminale konkurronin se cila do ta rendiste më lart përfaqësuesin e saj. Dhe dy deputetët nr. 3 dhe nr. 5, përfaqësues të krimit të organizuar, janë në listën zyrtare të kandidatëve për deputetë të firmosur nga Edi Rama.
- Kam këtu një tjetër dosje të SPAK, nga e cila rezulton se një deputet dhe ministër në detyrë i Edi Ramës ka ndërhyrë në Prokurori dhe Polici për të çliruar pasuritë e sekuestruara të një grupi kriminal në Elbasan. Mjafton të lexoni 7 faqe të vendimit nr. 87, datë 28 korrik 2024 të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion për ta kuptuar se kjo që po them është e vërteta. Ne do të presim edhe disa ditë që Prokuroria të veprojë, dhe më pas ne kemi për detyrë që publikut dhe miqve tanë ndërkombëtarë t’ua themi të vërtetën, nëse këtë nuk bën prokuroria.
- Në përgjigje të pyetjes tuaj, absolutisht procesi i vettingut ishte i nevojshëm, por ashtu sikur rezulton nga vendimmarrja e Gjykatës së Strasburgut, në këtë proces kishte selektime politike. Po të lexoni këtë vendim do të kuptoni që ka edhe gjyqtarë dhe prokurorë të posaçëm që vazhdojnë aktivitetin e tyre kriminal dhe korruptiv, edhe pse kanë kaluar vettingun. Por, në parim ne e kemi mbështetur procesin e vettingut, si një domosdoshmëri për pastrimin e gjyqësorit nga prokurorë dhe gjyqtarë të paaftë, të korruptuar apo të lidhur me krimin e organizuar.