Diaspora braktis samitin, Rama mbush sallën me patronazhistë duke i shfaqur si delegatë të diasporës.

DEKLARATË E SEKRETARIT PËR EMIGRACIONIN DHE DIASPORËN, INDRIT HOXHA

Samiti i Diasporës, që po mbahet në Tiranë është braktisur në masë nga shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Shqiptarët e emigracionit e kanë kuptuar se Edi Rama e përdor Diasporën vetëm si makijazh të brendshëm, dhe nuk i janë përgjigjur kortezhit që qeveria quan Samit, një aktiviteti që prodhon fjalime dhe mashtrime.
Të rënë në këtë hall qeveria ka angazhuar patronazhistët. Të njëjtët personazhe që ndihmuan Ramën të vidhte zgjedhjet e14 majit, i shihje sot në sallën e Samitit si delegatë të Diasporës. Ata nuk kanë fajin e Ramës, por janë bashkëpërgjegjës në ikjen në masë të shqiptarëve jashtë.
Qindra mësues të shkollave të Tiranës dhe të rrethinave, nga Petro Nini në qendër e deri te Ahmet Zogu në Kamëz, nga Elbasani në Durrës, janë urdhëruar të braktisin mësimin dhe të paraqiten si manekinë për të mbushur vendet në samitin e diasporës.
Disa prej tyre, me qëllimin për të treguar se cfarë janë gati të bëjnë për nënën parti, kanë hedhur edhe foto në rrjete sociale nga mjediset ku po zhvillohet samiti, sic dëshmojnë fotot që po bëjmë publike.
Bashkë me ta janë punonjës të bashkive dhe të administratës lokale e qendrore, nëpunës të shtetit, që përdoren si mish për tryezë për të mbushur ceremonitë e dështimit të një qeverie që ha me biftek Nusreti çdo turp.
Partia Demokratike, së pari përshendet braktisjen që i ka bërë Diaspora këtij takimi. Shqiptarët e lirë të Diasporës e kanë kuptuar se një qeveri që prej 10 vitesh fshihet para premtimit të saj për votën e emigrantëve, duhet t’i hiqet mbështetja.
Së dyti, ne e garantojmë diasporën se vota e emigrantëve shqiptarë, kudo janë në botë, është një prej angazhimeve tona solemne, dhe ne do ti qëndrojmë deri në fund, duke e kryer menjëherë kur të marrim në dorë fatet e vendit.
Ndihma e Diasporës për rrëzimin e një qeverie që ka zbrazur Shqipërinë dhe përpiqet të mbushë sallat me patronazhistë, mercenarë dhe hallexhinj për bukën e gojës, është thelbësore.
I ftojmë shqiptarët e mërgatës t’i bashkohen aksionit opozitar. Për shpëtimin e një Shqipërie që meriton lirinë që Diaspora ka.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale