DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË SELI
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Sali Berisha dënoi aktin barbar të dhunës ndaj punonjësit të Bashkisë së Patosit, Bato Dalipajt nga një përgjegjës i kësaj bashkie që drejtohet nga PS vetëm pse ai nuk pranoi të siguronte vota për PS.
Berisha tha se, ky është një akt i rëndë, dëshmi flagrante e përdorimit të makinerisë shtetërore si makineri dhune ndaj qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 14 majit. Berisha e konsideroi punonjësin e Bashkisë që nuk ju nënshtrua dhunës si një “hero të votës së lirë”. Kryetari i PD, Sali Berisha u bëri thirrje mediave që të mos pranojnë në studio asnjë kandidat që refuzon ballafaqimin me kundërshtarin. Në një deklaratë për shtyp, Berisha tha se, ballafaqimi me kundërshtarin është detyrim madhor moral përpara qytetarëve.
Lideri i PD, Sali Berisha iu përgjigj pyetjes së një gazetari për posterin e Belind Këlliçit, ku tregon gishtin e mesit për zyrtarët e korruptuar. Ai tha se, ata që vjedhin qytetarët, meritojnë jo gishtin, por shumë herë më tepër. Berisha deklaroi se Rama ka frikë nga debati dhe përballja. “Nuk ia mban të vijë në studio të përballet me mua”, u shpreh Berisha.
Berisha dënoi ndërhyrjen e Sorosit dhe mafiozëve që hiqen si myftinj.
DEKLARATA E PLOTË
Mirëdita!
Falangat e krimit elektoral të administratës së narkoshtetit kanë dhunuar fizikisht, keqtrajtuar kafshërisht qytetarin Bato Dalipaj, sepse kanë dashur t’i imponojnë me detyrim paraqitjen e listës së votuesve të cilën ai duhet të kompromentonte për PS.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe krimin e shëmtuar të Petrit Pëllumbit, drejtorit të ndërmarrjes komunale të Bashkisë Patos, ndaj punonjësit, Bato Dalipaj. Ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë, një dëshmi flagrante të përdorimit të makinerisë shtetërore, si makineri dhune terrori ndaj qytetarëve dhe votës së tyre të lirë.
Nga ana tjetër, jam këtu për t’i shprehur nderimin më të thellë, solidaritetin më të madh z.Bato Dalipaj, një hero i votës së lirë për qëndresën e tij të pamposhtur ndaj gangsterëve dhe kriminelëve elektoralë të pushtetit. E garantoj Baton, se akti i tij është një akt frymëzues për mbarë qytetarët shqiptarë, për t’u treguar vendin armiqve të votës së lirë më Shqipëri, falangave të Edi Ramës.
Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë kudo që ndodhen, të denoncojnë në portalin e tranparencës së PD, sikundër edhe si qytetarë digjitalë, çdolloj akti dhe presioni dhe kriminelëve elektoralë, duke filluar nga krimineli Edi Rama, dhe due përfunduar te falangat e tij në nivele lokale.
I garantoj se, opozita shqiptare dhe PD do bëjnë gjithçka që këta kriminelë elektoralë të marrin ndëshkimin e merituar. Njëkohësisht, i ftoj të mbajnë parasysh se entuziazmi, elektrizimi i krijuar sot në shoqërinë shqiptare nga kandidaturat e Primareve në mbarë vendin, ka kallur tmerr shpirtëror, si tek kandidatët e bodrumit, mafies kriminale e bodrumit të Edi Ramës, ashtu edhe tek vetë Edi Rama. I cili në një akt të paprecedent 32 vjeçar të zgjedhjeve, me vetëdijen se kandidatët e tij janë njerëzit më të diskretituar të shoqërisë.
Ka pushtuar vetë të gjitha hapësirat komerciale të reklamave vetëm e vetëm që t’i vendosë në errësirë ata. Ai e di se dalja e fytyrës së Erion Veliajt në Tiranë u kujton qytetarëve të Tiranës, sipas polleve serioze, shumicës së tyre tre tipare fatale: hajdutin, gënjeshtarin, falsin.
Zonja e zotërinj!
Për herë të parë në 32 vite qytetarët shpallin falsin, një politikan më shumë se 65% e tyre. Të njëjtin politikan e shpallin vjedhës, të korruptuar 67% të tyre. E shpallin gënjeshtar 64% e tyre. Edi Rama, pikërisht duke e ditur se votohet për të dhe nuk votohet për Ramën, zë hapësirat e reklamave me shpresë se do të mund të largojë këto mendime nga mendjet e qytetarëve.
E vërteta është që me këtë akt të papërgjegjshëm, të paligjshëm, ai vetëm sa rëndon me mëkatet e tij mëkatarët e bodrumit të tij. Njerëz të bërë të njohur si hajdutë të pamëshirë të komunitetit ku ata kanë qeverisur për 4 vite.
Zonja dhe zotërinj!
Jam këtu gjithashtu, për t’u bërë thirrje mediave, të mos pranojnë në studio asnjë kandidat për qeveritar vendor që refuzon ballafaqimin me kundërshtarin. Ballafaqimi me kundërshtarin është detyrim madhor moral përpara qytetarëve. Ky ballafaqim, jo që nuk ka njohur zhvillime pozitive, por është zhdukur nga ekranet tona.
Njeriu që vrau ballafaqimin në studio është Edi Rama. Atij nuk ia mban të ballafaqohet me Sali Berishën, se e di sesi del nga ai ballafaqim. Atij nuk ia mban të vijë në studio dhe t’ia rreshtoj një nga një të gjitha vjedhjet e mëdha, veprat e rënda penale që ka kryer me kontrata që ka firmosur për xhepin e tij.
Atij nuk ia mban të vijë në studio dhe t’ia numëroj një nga një të gjitha vendimet me të cilën po e gjobit Shqipërinë në gjykatat ndërkombëtare me gjobat e tmerrshme të cilat do të arrijnë në 1.6 miliardë euro minimumi deri më sot.
Atij nuk ia mban të vijë në studio dhe t’ia rendis një nga një të gjitha tenderat dhe aferat e familjes së tij, të vëllait, thjeshtrës, të minstrit të familjes dhe baxhanakut të tij. Nuk ia mban!
Unë iu bëj thirrje mediave të mos pranojnë asnjë njeri në studio që nuk është i gatshëm për ballafaqim. Unë e kuptoj se kjo fillimisht do ketë ndikim në aktivitetin e studiove, por kjo do i nderojë studiot dhe do i lartësojë ato shumë më tepër. Sepse studiot me këtë, qendrojnë së pari në anën e publikut dhe të qytetarit, në anën e profesionit të tyre.
Sikundër kërkoj nga të gjithë kandidatët e PD-së, që të jenë të hapur ndaj medieve, cilitdo që të dojë të ndjekë veprimtarinë e tyre elektorale. Personalisht, kam qenë dhe do të jem i hapur. Në qoftë se ka një regjim, kjo nuk e përjashton kurrë mirëpritjen e cilitdo që do të ndjekë veprimtarinë time nga mëngjesi deri në darkë haptas, dhe publikisht.
Ftoj kandidatët e PD të përgatiten për debate, qoftë në sheshet e qyteteve, qoftë në sallat e qyteteve ku ndodhen, qoftë në studio televizive me rivalët e tyre. Ftoj shoqërinë civile të ndikojë me të gjithë potencialin e saj në inkurajimin e debateve midis rivalëve.
Edi Rama, të duket se është në lojën e fundit të tij politike dhe ka mbyllur çdo lloj transparence. E pret fundi që meriton.
Këto kisha unë.
Pyetje: Z.Berisha, sa i takon fushatës, një ditë më parë kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Tiranën, Belind Këlliçi ka publikuar një poster ku i tregon gishtin e mesit korrupsionit. Ndërkohë për këtë gjest ka patur debate dhe akuza nga rivalët. Ju si e shihni këtë?
Berisha: Ata që vjedhin qytetarët, ata meritojnë jo gishtin, por shumë herë më tepër. Ata që vjedhin qytetarët, ata meritojnë çdo formë diskreditimi. Ata që vjedhin qytetarët dhe mbrohen nga Edi Rama dhe drejtësia e tij, atë e kanë pak.
Meritojnë çdo gjë tjetër!
Çdo njeri duhet të marrë parasysh. Një njeri ka imagjinatën e vet dhe shprehjen e vet. Po të isha unë, ku e di ti ç’mund të zgjidhja unë. Ajo më duket pak bile, të them të vërtetën.
Pyetje: Z.Berisha, kryeministri Rama dhe pak minuta më parë ka deklaruar se nuk do të bashkëpunojë me kandidatët e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, në rast se ata fitojnë bashkitë. Keni koment?
Berisha: Të garantoj që pas 14 majit, Rama në këtë rast po thotë të vërtetën. Se pas 14 majit nuk do t’i mbetet kohë Ramës të bashkëpunojë me njeri, përveçse të dorëzojë pushtetin dhe të shikojë punën e tij. Ky është fundi, Rama po e ndien po e kupton.
Kurse, për atë pyetjen e parë do të bëj edhe një shtesë.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe manipulimin e turpshëm mediatik të atyre mafiozëve që flasin në emër të myftive, anonimë. Dënoj ndërhyrjen e George Soros dhe parave të tij në fushatë, sepse rrjeti i organizatave të Sorosit, pasi e sheh se Erion Veliaj po përfundon aty ku e meriton, po hiqet si i revoltuar.
Erion Veliaj është i përfunduar.
Një njeri që mashtron qytetarët e Tiranës se ka mbjellë 1 milionë pemë, dhe ka vjedhur shumën e 1 milionë fidanëve. Një njeri që krenohet me qendrimet e tij të papërgjegjshme, duke 8-fishuar, 10-fishuar taksën e ndërtimit, ka dyfishuar çmimet e ndërtimit, dhe i ka bërë apartamentet ‘mollë të ndaluar’ për të rinjtë shqiptarë, dhe të rinjtë detyrohen të marrin rrugët e të shkojnë të martohen, sepse sistemohen shumë më kollaj në Bruksel. Blejnë më lirë apartamente se në Tiranë. Një mashtrues ordiner që betohej e stërbetohej që nukdo të ketë më kulla në Tiranë, ndërtime. Një hajdut që gjobit qytetarët e Tiranës me 17 euro për ton plehra, duke kaluar në xhepin e vet dhe duke i dërguar offshore, apo në Iran. Nuk ka asnjë lloj shansi. Është pa shans.
Përdorimi i parave të Sorosit nga këto organizata, nga ndërhyrja e tyre kriminale në fushatë elektorale, është e dënueshme. Revoltë e madhe! Ku ishin këta kur Edi Rama përdori fjalorin më të paimagjinueshëm në parlamentin shqiptar para gjithë atyre grave dhe para gjithë shqiptarëve?
Pra, është e tëra një zhurmë e turpshme elektorale. Ata që vjedhin qytetarët, meritojnë shumë më tepër se aq.
Ju falënderoj!