DEKLARATË PËR MEDIA DEPUTETJA E PD, INA ZHUPA
Sot ndodhem ne zonën e Kepit të Rodonit, është një zonë e mbrojtur që deri tani i ka shpëtuar masakrës mjedisore pikërisht nga mbrojtja që i vjen nga “Ligji i Zonave të Mbrojtura”.
Deputetë socialist pikërisht këtë gjë duan të shkatërrojnë, duan të ndryshojnë ligjin “Për Zona e Mbrojtura” duke i hapur rrugë ndërtimit, veprimtarive ekonomike në këto zona.
Para disa ditësh unë kam denoncuar nga Parku Kombëtar i Butrintit dhe gjithashtu do të denoncoj zona të tjera për të kuptuar të gjithë qytetarët se kush janë targetët që kanë vendosur për të ndërtuar oligarkët dhe për të përfituar klientët e pushtetit.
Shkatërrimi i zonave të mbrojtura është i sigurtë me projektligjin që kanë sjellë në Kuvend 12 deputetë socialist sepse heq çdo barrierë për të ndërtuar apo për të bërë veprimtari të ndryshme ekonomike fitimprurëse brenda këtyre zonave.
Kepi i Rodonit përbën një nga pikat më të rëndësishme turistike, mjedisore, kulturore, historike të Shqipërisë dhe rrezikon shumë nëse ai ligj kalon.
Deputetët socialist nuk janë konsultuar me asnjë grup interesi, me shoqërinë civile, nuk janë konsultuar as me qytetarët pasi ky është një ligj që prek drejtëpërdrejt interesat e qytetarëve sepse bëhet fjalë për zonat e mbrojtura në të gjithë Shqipërinë.
Po ashtu ky projektligj i deputetëve socialist shkon ndesh me standartet e Bashkimit Europian, ndërkohë që ne jemi një vend që aspirojmë anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe kemi detyrimin përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian.
Diskutimet mediokre që janë zhvilluar në komisionet online na kanë treguar që nuk kanë arritur dot deputetët socialist që të tregojnë një arsye të vetme se pse duhet të bëhen këto ndryshime në ligjin e zonave të mbrojtura. Dhe e vetmja arsye sipas tyre është sepse nuk janë shfrytëzuar këto zona për të ndërtuar në to dhe për të bërë veprimtari ekonomike, kjo gjë bie ndesh me interesin e qytetarëve shqiptar dhe interesin e Shqipërisë.
Ne do të bëjmë gjithçka për të sensibilizuar opinionin publik edhe për ta kundërshtuar në të gjitha format ligjore dhe gjyqësore brenda dhe jashtë vendit këtë projektligj që bën një dëm të madh në zonat e mbrojtura të Shqipërisë dhe në mushkritë e Shqipërisë.
Faleminderit!