Denoncon PD/ Genta Vangjeli: Ministri Blendi Gonxhe shkel ligjin, vazhdon të jetë pronar i kompanisë së tij private. Të japë menjëherë dorëheqjen

DEKLARATË E ZËDHËNËSES PËR ANTIKORRUPSION, GENTA VANGJELI:

Blendi Gonxhja, ministri i ri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e ka marrë dhe qëndron në detyrë në shkelje të ligjit.

Në datën 12 janar 2024, presidenti i Republikës e dekretoi Blendi Gonxhen ministër duke begenisur Kryeministrin, por duke shpërfillur ligjin. Sipas ekstraktit të lëshuar nga QKB më datë 19 janar 2024 subjekti tregtar Albarent shpk me status aktiv, vazhdon të ketë ka si pronar me 100% të kapitalit shtetasin ministër Blendi Gonxhja.

Ajo që, si ministri, si shefi i tij Rama, por edhe Presidenti shpërfillin apo bëjnë sikur nuk e dine, është ligji i cili e thotë qartë në nenin 27, pika B dhe C. Bëhet fjalë për ligjin Nr.9367 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESAVE NË USHTRIMIN E FUNKSIONEVE PUBLIKE. Shprehimisht ky ligj lexon:

Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministri dhe zëvendësministri: b) nuk mund të ushtrojnë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme c) nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj.

Në këto kushte Partia Demokratike dhe besoj çdo qytetar i përgjegjshëm bën pyetjen:

Si mundet të ushtrojë detyrën e lartë shtetërore të ministrit pronari i shoqërisë tregtare Albarent shpk?

A është ai në konflikt interesi?

A do ta përdorë postin për të favorizuar firmën e tij nëpërmjet koncesionesh, tenderash etj?

Pse është shpërfillur ligji nga kryeministri, presidenti dhe vetë ministri? Ku e gjejnë këtë arrogancë dhe forcë që i bën ta shohin ligjin si të ishte mobilje zyre?

Blendi Gonxhja, përpara marrjes së detyrës së ministrit duhej, ose të ishte vetëpërjashtuar nga shoqëria tregtare ose të refuzonte detyrën shtetërore…

Njërën ose tjetrën.

Por zoti Gonxhja dhe ministrat e Ramës janë mësuar me një dorë në kek dhe tjetrën në byrek.

U duhen të vjedhin para që me to më pas të vjedhin zgjedhjet dhe madje të dalin e të thonë se kanë fituar me votë.

Blendi Gonxhja nuk duhet të ishte emëruar nga Kryeministri, nuk duhet të ishte dekretuar nga Presidenti.

Blendi Gonxhja, duhet të japë menjëherë dorëheqjen nga funksioni publik ….

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale