Denoncimi i Vangjelit: Qytetari pagoi detyrimin, por Bashkia e Tiranës i bllokoi llogaritë dhe i mori paratë edhe një herë

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Partia Demokratike sjell sot në vëmendje një tjetër rast shqetësues të trajtimit të qytetarëve nga Bashkia e Tiranës, bazuar në një denoncim të mbërritur pranë nesh nga z. Lush Vukaj.

Sipas denoncimit dhe dokumentacionit të paraqitur, gjatë këtij viti Bashkia e Tiranës ka lëshuar një urdhër ekzekutimi për llogarinë bankare të qytetarit Gentian Lush Vukaj, duke kërkuar shlyerjen e detyrimeve tatimore, përfshirë detyrimet e prapambetura dhe kamatëvonesat.

Qytetari deklaron se ka kryer pagesën e plotë të detyrimit sipas shumës së kërkuar nga Bashkia e Tiranës.

Megjithatë, pavarësisht këtij likuidimi, e njëjta shumë është mbajtur edhe nëpërmjet bllokimit dhe ekzekutimit të fondeve në llogarinë e tij bankare, duke e detyruar praktikisht të paguajë dy herë për të njëjtin detyrim.

Pasi konstatoi këtë situatë, qytetari iu drejtua bankës së nivelit të dytë, e cila e orientoi të ndiqte procedurat pranë Bashkisë së Tiranës. Por, edhe pas disa paraqitjeve në këtë institucion, ai theksoi se jo vetëm që problemi nuk është zgjidhur, por ai është përballur edhe me mungesë korrektësie dhe arrogancë nga administrata.

Ky është një rast që ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si administrohen procedurat e mbledhjes së detyrimeve dhe mbi respektimin e të drejtave të qytetarëve.

Partia Demokratike i kërkon Bashkisë së Tiranës të verifikojë menjëherë këtë rast, të sqarojë përgjegjësitë administrative që kanë çuar në këtë situatë dhe, nëse pretendimet e qytetarit rezultojnë të vërteta, të kryejë pa asnjë vonesë rimbursimin e shumës së mbajtur padrejtësisht, në bashkëpunim me institucionin bankar përkatës.

Njëkohësisht, u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten më.

Bashkia e Tiranës duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe bankat duhet të garantojnë siguri juridike për çdo veprim që prek pasurinë e klientëve. Shteti i së drejtës fillon me respektimin e të drejtave më elementare të qytetarëve.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale