Deklarata/ Berisha i përgjigjet Ramës: Blinken është sot non-grata në vendin e tij, skandali McGonigal nuk mbyllet kurrë

DEKLARATA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur një deklaratë për mediat, pas takimeve entuziaste të mbajtura në tregun industrial të Tiranës. Berisha u shpreh se, biznesi i vogël është gjeneratori kryesor i punësimit në vend, dhe qeverisja e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore, do të bëjë gjithçka për suksesin e tij.

Gjithashtu, lideri i opozitës, Sali Berisha i është përgjigjur dhe interesit të gazetarëve, të cilët kanë kërkuar një qëndrim pas deklaratës së Edi Ramës, në lidhje me ‘non gratën’. Ai u shpreh se, Rama duhet të kujtojë se Antony Blinken tani është ‘non grata’ në vendin e tij, ndërsa mund të përfundojë dhe në gjyq.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha i kujtoi Edi Ramës edhe skandalin ‘McGonigal’. ‘I them gjithashtu (Ramës) se nëqoftëse Blinkeni bëri një vizitë blic në Shqipëri, i paguar apo i papaguar, nuk di gjë, për ti mbuluar skandalin e tmerrshëm McGonigal, kazani po zien’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha gjatë deklaratës për mediat.

DEKLARATA E PLOTE:

Në takimin me biznesin e vogël, gjeta aty një situatë dëshpëruese.

Gjeta njerëz të cilët kishin shitjet më minimale.

Gjeta shitës që më informonin se pothuaj nuk shes asgjë.

Gjeta të tjerë që më thanë se më i riu jam unë këtu, nuk ka ët rinj, nuk ka kush blen.

Gjeta biznesmenë, gra dhe burra, me gjoba nga më absurdet të skuadrave plaçkitëse të bashkisë.

Pra, gjeta një situatë të dëshpëruar për këta njerëz.

Por nga ana tjetër konstatova me kënaqësi se programin e PD për biznesin e vogël, domethënë rritjen e tavanit për biznesin pa taksa nga 140 mijë euro në 180 mijë euro, ishte pritur shumë mirë.

Se ulja e çmimit të energjisë nga 18 lekë në 6 lekë, përgjysmimi i çmimit të ujit, linjat e kreditit të butë për biznesin e vogël, ulja e tarifave sipërfaqet publike nga 1500 në 120 lekë, amnistia e të gjitha gjobave të vendosura ndaj këtij biznesi dhe vendosja e kufirit te thana për bashkitë që të mos taksojnë këtë biznes më shumë se 1 përqind të xhiros, unë këto gjeta.

Aty pashë një optimizëm.

Aty pashë një mbështetje transversale, pavarësisht nga bindjet politike të paketës së PD për biznesin e vogël, të përpjekjes së saj Made in Albania.

Meqenëse aty fola vetëm me biznesin, desha që me këtë deklaratë, t’ua afirmoj edhe atyre fjalë për fjalë ato që premtova dhe që do jenë realitet tre muajt e parë të qeverisjes së PD.

Për ne, biznesi i vogël është gjeneratori kryesor i punësimit. Ne do bëjmë gjithçka për suksesin e tij.

Andon Kello, AbcNews: Sot kryeministri Rama ka deklaruar se ai vetë mund ta kalojë sado herë oqeanin dhe pret edhe një ftesë nga SHBA, për një vizitë, qoftë takim edhe me presidentin Trump. Ndërsa ka ironizuar ‘non gratën’ tuaj, ka thënë se u bënë disa muaj që imponohet heqja e saj, por do ta shohim, thotë.

Sali Berisha: Tani që të më bësh mua të komentoj deklaratat e një njeriu të ndryrë që ka frikë dhe tmerr nga gazetari, nuk e di sa është etike ti përgjigjem atij. Sepse unë ai dhe çdo politikan, kemi detyrim elementar ndaj qytetarëve shqiptarë të paraqiten para gazetarëve.

Pardje lexova një artikull. Presidenti Donald Trump ishte paraqitur para gazetarëve dhe kishte komunikuar me gazetarët në këtë hark kohor, nga 20 janari gjer tani, 20 herë më shumë se paraardhësi i tij në 4 vite.

E kuptoni ju se me këtë qëndrim antitransparencë, antimedia nuk ja vlen ta konsiderosh për asgjë.

Përsa i përket asaj që tha ai, unë i them dy fjalë; se, Antony Blinken sot është non grata në vendin e tij, dhe uroj të paraqitet para drejtësisë amerikane.

I them gjithashtu se nëqoftëse Blinkeni bëri një vizitë blic në Shqipëri, i paguar apo i papaguar, nuk di gjë, për ti mbuluar skandalin e tmerrshëm McGonigal, kazani po zien.

Ai skandal nuk mbyllet kurrë.

Kjo është përgjigja ime, për sa thatë.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale