DEKLARATË PËR MEDIA SEKRETARI PËR TË DREJTAT E NJERIUT NË PD, FRANC NURI
Të nderuar qytetarë,
Përgjigjja e pushtetit të Edi Ramës kundër protestës është tronditëse: dhunë e egër, brutale dhe shtazarake ndaj gjimnazistëve, studentëve dhe qytetarëve që protestojnë!
Kemi parë skena që nuk duhet të ndodhin kurrë në një shtet demokratik!
Policë që godasin me shkopinj gome dhe shqelma të rinj të rrëzuar përtokë. Efektivë që mbledhin gurë nga rruga dhe i hedhin drejt protestuesve. Adoleshentë që kapen nga fyti, protestues që tërhiqen zvarrë, goditen nga pas dhe dhunohen edhe pasi janë neutralizuar, kur nuk përbëjnë më asnjë rrezik!
Edhe më tronditëse janë denoncimet për dhunë ndaj personave të pambrojtur, që nuk sulmonin askënd, ndaj qytetarëve që qëndronin në rrugë apo kalimtarëve që thjesht gjendeshin në vendin e gabuar, në momentin e gabuar!
Familjarët e Muhamet Skanës denoncojnë dëmtime të rënda në kafkë dhe shtyllën kurrizore pas dhunës policore.
Çfarë është kjo polici që godet një njeri të rrëzuar? Çfarë shteti përdor gurët dhe shkopinjtë e gomës kundër rinisë së vet?
Por skandali nuk përfundon këtu!
Në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza”, sipas denoncimeve, mbahen dhjetëra protestues, mes tyre shumë të mitur, në kushte të rënda! Raportohet për të rinj të rrahur e të dhunuar, si dhe për autoambulanca që hyjnë e dalin nga ambientet e ndalimit.
Çfarë po ndodh brenda atyre dyerve të mbyllura? Çfarë po u bëjnë fëmijëve, gjimnazistëve dhe studentëve tanë?!
Përse kjo dhunë? Për një rrogë? Për një urdhër? Apo për të mbajtur në pushtet Edi Ramën dhe sistemin e tij?
Por kjo dhunë nuk ka kursyer as gazetarët!
Gazetari Elkier Bushkolaj dhe fotoreporteri Feliks Bilani janë përballur me ndërhyrje të dhunshme policore. Një reporter i një mediaje të huaj, sipas pamjeve të publikuara, është rrëzuar përtokë dhe goditur me shkopinj gome!
Madje, as turistët e huaj nuk janë kursyer nga ndërhyrjet arbitrare. Një turist amerikan ka denoncuar se është ndaluar dhe frikësuar në qendër të Tiranës nga persona me veshje të zeza, pa shenja të dukshme identifikimi.
Kjo është fytyra e pushtetit që denoncojmë sot: studentë të goditur, gazetarë të penguar, qytetarë të pambrojtur të keqtrajtuar dhe turistë të huaj të frikësuar!
I drejtohem sot publikisht Policisë së Shtetit dhe drejtuesve të saj:
Uniforma nuk ju jep të drejtën të dhunoni qytetarët! Asnjë urdhër politik apo administrativ nuk ju përjashton nga përgjegjësia ligjore!
Çdo efektiv që ka ushtruar dhunë të paligjshme, çdo drejtues që e ka urdhëruar, lejuar apo mbuluar atë, duhet të hetohet dhe të mbajë përgjegjësi deri në fund!
Asnjë shkop gome, asnjë goditje pas shpine, asnjë akt arbitrar nuk duhet të mbetet pa hetuar dhe pa ndëshkimin që parashikon ligji!
Partia Demokratike kërkon hetim penal të menjëhershëm, të pavarur dhe të plotë, identifikimin e përgjegjësve në çdo nivel të zinxhirit komandues, hetimin e kushteve të mbajtjes së të miturve dhe ruajtjen e të gjitha provave filmike.
Partia Demokratike, do t’ua përcjellë që këto pamje dhe dëshmi organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, organizatave për mbrojtjen e gazetarëve dhe institucioneve europiane.
Edi Rama dhe qeveria e tij duhet të japin llogari për dhunën ndaj rinisë shqiptare! Policia e Shtetit dhe përgjegjësit individualë duhet të japin llogari për çdo shkelje të ligjit!


