Cami: Një pushtet i zhytur në skandale dhe korrupsion nuk mund të vazhdojë të qeverisë pa dhënë llogari

FJALA E PROFESORIT DHE PËRKTHYESIT EDVIN CAMI NË PROTESTËN KOMBËTARE TË OPOZITËS

Zonja dhe zotërinj, të nderuar qytetarë, të dashur miq, mirëmbrëma. Ja ku jemi sot sërish këtu përballë zyrës së një pushteti që nuk njeh turp dhe, si i paturp, bën gjithçka. Një pushtet që, edhe pse i zhytur në skandale, ka pafytyrësinë të vazhdojë të qeverisë, madje të shpallë se në zgjedhjet e ardhshme do të fitojë në të gjitha bashkitë. Si në kohën e sloganeve “i gjithë pushteti i sovjetëve” apo “të gjitha votat për frontin”.

Edhe pse përballë kësaj gjendjeje, çdo njeri i arsyeshëm e i kthjellët mund të ndihet i tronditur dhe të pyesë veten: “Ç’mall janë këta, nga ç’planet na kanë rënë për pjesë?”. Duhet pohuar se kjo sjellje është më se e kuptueshme për një pushtet si ky.

Partia tashmë 85-vjeçare Socialiste, e lindur në ilegalitet si parti komuniste, nuk ka ditur kurrë të qeverisë ndryshe. Në mendësinë e saj, pushteti nuk mund të jetë kurrsesi shërbim, por vetëm sundim. Ndaj edhe sot vazhdojnë t’u premtojnë shqiptarëve lugën e floririt, si 85 vjet më parë.

Premtuan shtet, mirëqenie, premtuan integrim në Bashkimin Evropian, premtuan drejtësi të re dhe të reformuar, ndërsa ajo që çdo qytetar sot sheh janë çmimet dhe korrupsioni që rriten; drejtësia që përndjek, si dikur, vetëm armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të partisë e të udhëheqësit, ndërsa ndalet dhe stepet përballë pushtetit të udhëheqësit.

Por unë e di, dhe ju e dini, dhe ata e dinë, se sundimi nuk zgjat kurrë përgjithmonë. Ata e dinë se, ashtu sikurse ata vetë janë trashëgimtarë të etërve dhe të pushtetit të vjetër, edhe ne jemi trashëgimtarë të qëndresës së atyre shqiptarëve që ushtruan opozitë të heshtur në dekadat e regjimit komunist, derisa erdhi dita dhe e rrëzuan atë regjim.

Dhe ata e dinë se korrupsioni dhe ofertat e pushtetit mund t’u mjaftojnë për të blerë disa karrieristë, por kurrsesi për të na blerë të gjithëve, sepse trashëgimia jonë morale nuk është në shitje.

Shumëkush e mban mend se deri para një viti, pushteti kishte nisur të ushtronte trysni nëpërmjet analistëve të vet për nevojën e shpërndarjes së Partisë Demokratike dhe për ribërjen e opozitës sipas modelit të “opozitës që duan”.

Por sot, edhe njerëz dikur pranë tyre kanë shprehur publikisht domosdoshmërinë e marrjes së nismës për nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë Socialiste.

Ndaj, mirë është ta kuptojnë se fundi i tyre është afër. Le ta dinë se Shqipëria nuk është pronë e tyre dhe e partisë së tyre 85-vjeçare, e as dekor për pushtetarë paturp si ata. Shqipëria është e shqiptarëve dhe shqiptarët nuk dorëzohen kurrë. Fitore!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale