‘Edi Rama duhet të largohet përfundimisht’ dhe ‘nuk ka zgjidhje tjetër përveç Partisë Demokratike dhe frontit të përbashkët opozitar’.
Me këto mesazhe, deputeti i PD-së, njëkohësisht i deleguari në Berat Eno Bozdo, iu drejtua demokratëve dhe qytetarëve në ‘Foltoren e Ripërtëritjes’ në Berat, ku kërkoi bashkimin e opozitës për largimin e qeverisë dhe rikthimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Bozdo deklaroi se Shqipëria po përballet me një model qeverisës që, sipas tij, kujton brutalitetin e regjimit komunist, ndërsa theksoi se përgjegjësia historike e demokratëve është të udhëheqin procesin e rithemelimit dhe të bashkimit të frontit opozitar.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për largimin e të rinjve, rëndimin e biznesit me taksa, braktisjen e bujqësisë dhe vështirësitë ekonomike në qarkun e Beratit.
Fjala e deputetit Eno Bozdo:
Përshëndetje të gjithëve! Përshëndetje, doktor Berisha, lider i opozitës! Mirë se erdhët në Beratin tonë!
Të nderuar zoti Ismaili, deputet; të nderuar zotërinj drejtues të degëve, zoti Asimetaj, zoti Pasho, zonja Protoduari, zoti Osmani, zoti Xhaferraj; të nderuar qytetarë dhe qytetare që na ndiqni, zonja dhe zotërinj!
Prej muajsh tashmë, shoqëria shqiptare është ngritur kundër jo vetëm një qeverisjeje të korruptuar dhe të kriminalizuar, por mbi të gjitha kundër një modeli qeverisës që, në shumë aspekte, të kujton brutalitetin e regjimit përpara vitit ’90. Ku qytetari shtypet, nuk gëzon më të drejta, ku partia komandon gjithçka, ku, po të mos jesh i lidhur me partinë, jo vetëm që nuk mund të kesh sukses, por goditesh si element kundërshtar. Ku, po të shprehësh indinjatën, masakrohesh nga policia, gjobitesh dhe arrestohesh. Ku, po të votosh për opozitën, je armik i shpallur dhe persekutohesh jo vetëm ti, por edhe familjarët e tu. Ku vota merret me trysni, me joshje, me blerje dhe, kur këto nuk mjaftojnë, kërcënon edhe krimi i organizuar.
Muajt e fundit, Shqipëria është çuar në këmbë kundër kësaj të keqeje, të keqes më të madhe që e ka zënë prej fyti vendin tonë prej kaq e kaq vitesh tashmë.
Muajt e fundit, të gjithë jemi ndjerë krenarë për të rinjtë dhe të rejat, për studentët dhe qytetarët, të cilët tashmë po përsërisin atë që Partia Demokratike ka thënë dhe ka deklaruar prej vitesh: që Edi Rama duhet të largohet përfundimisht; që një qeveri kujdestare duhet ta normalizojë vendin dhe më pas të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku qytetarët të zgjedhin të lirë dhe vullneti i tyre të respektohet deri në fund.
Prandaj, ne demokratët duhet dhe jemi krenarë për veten tonë dhe për forcën tonë. Pa qëndresën ekstreme, rezistencën epike të demokratëve, të cilët u ngritën, rezistuan dhe qëndruan edhe kur askush nuk fliste, edhe kur shumëkush ishte dorëzuar ndaj kësaj të keqeje, kjo situatë e sotme nuk do të kishte ndodhur dhe nuk do të ishte e mundur.
Ka shumë shqiptarë që, në mirëbesim, e kishin mbështetur dhe votuar këtë person që qeveris sot, por që, fatmirësisht, sot kanë hapur sytë dhe kanë dalë të protestojnë kundër regjimit, në një front të vetëm me opozitën shqiptare.
Këto vite nuk ishin aspak të lehta. Shumë mendonin se lufta ishte e humbur dhe se Shqipëria ishte kthyer në një pronë private të Edi Ramës, ku ai mund të bënte çfarë dhe si të donte. Demokratët mendonin të kundërtën: që lufta duhej luftuar deri në fund dhe që e ardhmja u takonte shqiptarëve të ndershëm. Dhe demokratët patën të drejtë.
Nuk do të kishte asnjë zhvillim të tillë pozitiv në shoqërinë shqiptare, as revolucion flamengosh apo revoltë studentore, në qoftë se Partia Demokratike nuk do të kishte qëndruar, rezistuar (me kosto të madhe madje) dhe nuk do t’ia kishte dalë në betejat e saj.
Nga ana tjetër, asnjë ndryshim real nuk mund të vijë në Shqipëri në qoftë se opozita dhe të gjithë zërat opozitarë nuk bashkohen. Regjimi që kemi përballë, edhe pasi i është zhveshur lakuriq përpara opinionit, veçanërisht atij ndërkombëtar, zotëron ende të njëjtat mekanizma me të cilët vodhi zgjedhjet. Administrata e tyre me patronazhistë është po aty, paratë e korrupsionit janë po aty, krimi është po aty dhe është më i gatshëm se kurrë për ta ndihmuar këtë qeveri.
Në këtë situatë, demokratët dhe demokratet kanë përgjegjësi maksimale t’i japin zgjidhje këtij ngërçi politik dhe shoqëror, të një Shqipërie që tashmë zvarritet, pa asnjë busull, që pret zgjidhje nga ne, sepse askush tjetër përveç Partisë Demokratike dhe doktor Berishës nuk mund ta ofrojë këtë zgjidhje.
Nuk ka zgjidhje tjetër përveç Partisë Demokratike dhe frontit të përbashkët opozitar. Ata që flasin dhe propagandojnë të kundërtën janë ose naivë, ose i shërbejnë tjetërkujt.
Jo më kot kjo foltore quhet ‘Foltorja e Rithemelimit’. Dhe rithemelimi nuk është vetëm me të rinj dhe të reja, të cilët janë dhe do të jenë tek ne të mirëpritur. Rithemelimi vjen edhe nga idetë e reja frymëzuese, ashtu siç është frymëzues shembulli i të rinjve dhe të rejave që protestojnë prej qindra ditësh tashmë.
Është detyra jonë, madje më shumë se kaq, është detyrimi ynë historik, të bëjmë gjithçka për rithemelimin tonë dhe bashkimin e të gjithë frontit opozitar.
Së fundi, dy fjalë për Beratin. Doktor Berisha, ju keni ardhur sot në një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë, me një histori unike dhe me njerëz të mrekullueshëm. Por, përveç kësaj, realiteti është i vështirë dhe jeta është edhe më e vështirë në Berat, ashtu siç është e vështirë tashmë në gjithë Shqipërinë.
Të rinjtë, siç edhe vetë ju e dëgjuat, po ikin sepse nuk ka asnjë të ardhme. Ekonomia është e bazuar te biznesi i vogël dhe, pak, te ai i mesëm, të cilin vetëm e rëndojnë gjithmonë e më shumë me taksa, derisa t’i marrin shpirtin. Ndërsa sektori bujqësor, ai kryesor, pra bujqësia, është lënë me qëllim në harresë.
Shkrirja e dy nga pesë bashkive në qark do t’i bëjë shërbimet e përditshme edhe më të vështira dhe zonat rurale edhe më të pajetueshme. E vërteta është që këtu të gjithë kanë nga një plan për t’u larguar. Kështu nuk jetohet më dhe të gjithë banorët e qarkut Berat tashmë e dinë këtë gjë.
Prandaj, të flasim sot për hallet dhe problemet tona, për hallet dhe problemet e tyre dhe për rolin e pazëvendësueshëm të Partisë Demokratike në zgjidhjet që meritojnë Berati dhe gjithë Shqipëria.


