Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Mesazhi më i rëndësishëm i uraganit popullor në shesh ishte bashkimi kundër këtij regjimi. Nuk përjashtoj as Qorin dhe askënd nga ky bashkim, kush ngurron ka një problem të madh me veten e tij

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN E RIPËRTËRITJES NË BERAT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në foltoren e ‘Ripërtëritjes’ në Berat, deklaroi se paratë e drogës dhe të krimit po shkaktojnë pasoja të rënda në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, duke akuzuar qeverinë Rama se ka krijuar një narkoshtet. Berisha e cilësoi situatën politike në Shqipëri si një ‘narkodiktaturë autoritare’, duke e krahasuar pushtetin e Edi Ramës me diktaturën komuniste. Sipas tij, ndryshimi qëndron te burimi i fuqisë së regjimit: në kohën e Enver Hoxhës ishte ideologjia marksiste-leniniste, ndërsa sot janë droga dhe krimi. ‘Edi Rama ka sot satrin e drogës dhe krimit, të cilat janë një fuqi e të keqes. Droga është fuqi e të keqes, miqtë e mi, sepse zhvlerësimin me 35 për qind të euros nga vagonat dhe kontejnerët e narkoeurove që futen në Shqipëri, zhvlerësojnë të gjitha remitencat që familjarët dërgojnë në Shqipëri. Kanë zhvlerësuar kursimet në euro me 250 miliardë lekë’, deklaroi Berisha.

Duke folur në foltoren e ‘Ripërtëritjes’ në Berat, lideri i demokratëve, Sali Berisha, deklaroi se mesazhi kryesor i protestave të zhvilluara në Tiranë ishte bashkimi i shqiptarëve kundër qeverisë së Edi Ramës. Ai vlerësoi qëndrueshmërinë e anëtarëve të PD-së, duke thënë se ata penguan përpjekjet për ta kthyer partinë në një shtojcë të Partisë Socialiste dhe për të zhdukur opozitën sovrane në vend. Berisha i cilësoi protestat e zhvilluara si ‘uragani popullor më i madh që ka njohur Shqipëria’. Sipas tij, lëvizja bashkoi demokratë, socialistë, qytetarë pa parti dhe përfaqësues të të gjitha rrymave politike. ‘Mesazhi më i madh i saj ishte bashkimi i shqiptarëve’, u shpreh Berisha, duke theksuar se në shesh dhe në bulevard qytetarët u bashkuan kundër regjimit, pavarësisht përkatësisë së tyre politike.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, u bëri thirrje shqiptarëve për bashkim kundër qeverisë, duke e vlerësuar situatën në vend si një rrezik ekzistencial për kombin. Gjatë takimit me demokratët në Berat, ai solli si shembull aleancën e Uinston Churchill me Stalinin gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër Hitlerit, duke u shprehur se, përballë kundërshtive të mëdha, bashkimi është i domosdoshëm për të përballuar një kërcënim të përbashkët.

‘Mesazhi është bashkimi. Dhe në çdo rrezik ekzistencial ka vetëm një mesazh, bashkimi’, deklaroi Berisha.

Në fjalën e tij, Berisha renditi disa prej arritjeve që ia atribuoi qeverisjes së demokratëve, si firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Ai përmendi gjithashtu ndryshimet në javën e punës, lejen e lindjes dhe lejet e pushimit.

Gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e ‘Ripërtëritjes’ në Berat, lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha, deklaroi se në frontin e përbashkët kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij, nuk përjashton asnjë forcë apo përfaqësues politik, përfshirë edhe Arlind Qorin e lëvisjes ‘Bashkë’. Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që e konsiderojnë narkoregjimin si të keqen më të madhe të vendit, të bashkohen për largimin e tij dhe garantimin e zgjedhjeve të lira. ‘Po, po me të gjithë, asnjë nuk përjashtoj unë në këtë bashkim’, u shpreh Berisha. Ai theksoi se bashkimi nuk kërkon që partitë e tjera të ndryshojnë platformat apo qëndrimet e tyre politike, edhe nëse ato janë kundër PD-së, pasi interesi kombëtar duhet të vendoset mbi interesat partiake.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri sërish thirrje forcave politike opozitare që të mos hezitojnë për t’u bashkuar në një front të përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës.

Gjatë foltores së ‘Ripërtëritjes’ me demokratët në Berat, Berisha e cilësoi bashkimin si të vetmen përgjigje përballë asaj që e konsideron rrezik ekzistencial për Shqipërinë, duke paralajmëruar se ata që qëndrojnë larg kësaj nisme duhet të reflektojnë. ‘Cilido që ngurron, ka një problem të madh me veten e tij. Nuk mund të ngurrohet, lexoni para historisë, para rreziqeve ekzistenciale ka pasur vetëm një qëndrim: bashkim, bashkim dhe vetëm bashkim’, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së Sali Berisha komentoi edhe Asamblenë e Partisë Socialiste, duke ironizuar pjesëmarrjen dhe mënyrën e organizimit të saj. Ai paralajmëroi se Edi Rama i ka ditët e numëruara në politikë dhe se, sipas tij, është më mirë që largimi i tij të vijë përmes bashkimit të opozitës.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju demokratet e demokratët, qytetaret dhe qytetarët e Beratit në këtë sallë, në qytet, në qark dhe kudo që jeni sonte.

Shpreh nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme për qytetarët, banorët e këtij qyteti, të këtij qarku, trashëgiminë e tyre të jashtëzakonshme në shekuj, në mijëravjeçarë, trashëgimi që bën krenar çdo shqiptar, por trashëgimi që bën krenar çdo njeri të civilizuar në të katër anët e globit.

Të dashur drejtues të degëve të PD të qarkut, të dashur deputetë, zoti kryetar i partisë, drejtues të PD, vij sot tek ju në këtë bashkëbisedim në një situatë e cila pa diskutim është kritike, por në një situatë e cila është shpresëplotë, e cila është shpresëdhënëse.

Sot Shqipëria ka në pushtet si asnjë vend tjetër në Evropë dhe më të paktit në botë, një narkodiktaturë autoritare.

Për ne që kemi njohur diktaturën komuniste, ajo është diktaturë që nuk toleronte asnjë formë pluralizmi, ndaj dhe quhet totalitare.

Por kjo e sotmja është autoritare, ku afërsisht njëlloj si në të parën, diktatori ka të gjitha pushtetet në një dorë.

Enver Hoxha kishte në duart e tij satrin e ideologjisë terroriste marksiste leniniste, Edi Rama ka sot satrin e drogës dhe krimit, të cilat janë një fuqi e të keqes.

E një të keqe, që në disa aspekte, kombi kurrë nuk e ka njohur.

Gjashtë ditë më parë bisedoja me një profesor të shquar, një nga studiuesit më të shquar në politikën evropiane, dhe i paraqita gjendjen në vend.

E informova se si pasojë e narkoshtetit të këtij regjimi, për shkak të zhvlerësimit të euros më të

madh në botë, eksportet kanë pësuar rënien më dramatike, 28 përqind në 3-4 vite.

Prodhimi industrial ka pësuar rënie 15.3 përqind.

Prodhimi bujqësor edhe më shumë.

Por ai shtangu kur i thashë se sot lindshmëria si komb në Shqipëri është e njëjtë me atë që ishte 100 vite më parë.

E mbylli bisedën me mua duke më thënë, zoti Berisha, ky është një rrezik ekzistence.

Dhe në fakt nuk kemi qenë në memorien e historisë së shumë shekujve në një rrezik të tillë ekzistence siç jemi sot.

Statistikat tregojnë, disa thonë 47, të tjera thonë 54 përqind e shqiptarëve nuk janë më në Shqipëri.

Pra, u ndala vetëm në njërin nga aspektet, ndoshta edhe më tragjikun, më kërcënuesin për ekzistencën tonë, që është aspekti demografik, të këtij regjimi.

Pa ndaluar pastaj se ku u rrokullisëm ne nga një ngjitje dhe largim nga varfëria, u kthyem përsëri më të varfrit e rajonit dhe të Evropës.

Droga është fuqi e të keqes miqtë e mi sepse zhvlerësimin me 35 përqind të euros nga vagonat dhe kontejnerë e narkoeurove që futen në Shqipëri, zhvlerësojnë të gjitha remitencat që familjarët dërgojnë në Shqipëri.

Kanë zhvlerësuar kursimet në euro me 250 miliardë lekë.

Jo vetëm kaq. Ju duhet ta dini se Banka e Shqipërisë nga 250 milionë euro që blinte katër vite më parë, tani blen mbi 1 miliardë dhe hedh në treg me thasë kartëmonedhën.

Po, ajo rrit çmimet, rrit inflacionin.

Dhe këtu qëndron arsyeja pse çmimet në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi janë 60, 70 përqind të çmimeve mesatare të BE për ushqimet dhe gjërat bazë.

Po në Shqipëri sa janë? 110 përqind.

Pra jemi para këtij faktori dhe ju demokrate e demokratë keni një meritë historike se qëndruat.

Qëndruat në një kohë kur e vërteta është se u përpoqën me çdo kusht të vendosin kontrollin mbi këtë parti.

U përpoqën me çdo kusht ta shndërrojnë këtë parti në shtojcë të PS.

U përpoqën me çdo kusht që një opozitë sovrane kundër kësaj diktature të mos ekzistonte në Shqipëri.

Mirëpo ju qëndruat, qëndruat në një meritë historike.

Qëndruat ju dhe sot ne jemi në një situatë krejtësisht tjetër shpresëplotë.

Pas një seri protestash të fuqishme nga dhjetori në maj, shpërtheu në Tiranë uragani popullor më i madh që ka njohur Shqipëria.

Lëvizja që tronditi themelet e narkodiktaturës, lëvizje e cila jehoi në mbarë botën.

Shpesh dëgjoni në studiot televizive analistë dhe banalistë t’i shtrojnë pyetjet: cili ishte leksioni i uraganit të lirisë?

Thonë çdo gjë, por të vërtetën jo.

Cili ishte leksioni më i madh, të dashur miq, i asaj lëvizje gjigante, më madhështorja, më e bukura që ka parë Shqipëria?

Mesazhi më i madh i saj ishte bashkimi i shqiptarëve.

Në atë lëvizje, në një mrekulli të vërtetë kombëtare, u bashkuan kundër regjimit demokratë, socialistë, pa parti, të gjitha rrymat.

Dhe në këtë aspekt, mesazhi i parë dhe më kryesor, cilido që do t’i qëndrojë besnik qytetarit, idealeve të tij, aspiratave të tij, nxjerr se mesazhi më i rëndësishëm ishte bashkimi.

Në atë shesh, në atë bulevard, në ato rrugë u bashkuan shqiptarët, realisht të të gjitha partive politike.

Dhe unë ua them ju këtu, ditët e para dominonte e majta se unë i ndiqja shumë. Shtatë-tetë ditët e para kanë qenë të majtë më shumë, pastaj gjer në fund kemi qenë ne më shumë.

Ka mesazhe të tjera, ju e patë, në atë uragan mesazhi i vërtetë ishte bashkimi, kurse mesazhi i çirakëve të qeverisë dhe armiqve të PD, ishte krahasimi i PD me partinë e krimit apo ishte krahasimi i Berishës me Edi Ramën me shpresën dhe mendimin se do mund të krijonin skenarin serb.

Tani, unë nuk kam ndonjë tendencë të veçantë këtu të lavdëroj dhe të himnizoj PD-në, por përpjekjet ishin donkishoteske.

Nuk është parti që thyhet kjo, se në fakt parti për interesin e parë kombëtar që nga java e parë e themelimit gjer sot, ka paguar çdo çmim.

Një javë parti ishim ne kur deklaruam se çështja kombëtare është ylli ynë polar.

Dhe çështjen kombëtare, të gjithë ata që e kishin krijuar, e pritën me drithma këtë deklaratë të partisë njëjavore.

Në i qëndruam.

Ne kemi bërë gabime, pa diskutim, por ama historia jonë, cilitdo që nuk ka frikë ta lexojë, do gjejë se është historia e lirisë së shqiptarëve.

Historia jonë, cilitdo që nuk ka frikë ta lexojë, do të gjejë se është historia e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar.

Çfarë kanë shqiptarët evropiane të standardeve të sotme, të gjitha janë vepër e PD.

Ishte kjo parti që i nxori nga honet e varfërisë dhe mjerimit dhe i renditi në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.

Që i shndërroi në qytetarët më të paguar të rajonit.

Ishte kjo parti që vendosi javën e punës si në Evropë, pesëditore.

Që zgjati lejen e lindjes një vit njëlloj si në Evropë.

Që zgjati lejet nga dy javë në një muaj.

Pra ishte kjo parti që firmosi MSA-në, që liberalizoi vizat, anëtarësoi Shqipërinë në NATO.

Dhe ishte kjo parti që kaloi një kalvar për dinjitetin dhe luftoi për dinjitetin e çdo demokrati, qëndroi e pamposhtur dhe tani të mendosh se mund ta sikterisësh është njëlloj si të besosh Shpiragun nga vendi.

Por tani unë kthehem prapë tek mesazhi.

Mesazhi është bashkimi.

Dhe në çdo rrezik ekzistencial ka vetëm një mesazh, bashkimi.

Uinston Çërçill thotë se qytetërimi mund të jetojë gjatë, se liria mund të mbrohet, se paqja mund të ruhet, me kusht vetëm bashkimin.

Me këto parime ai u bashkua me Josif Stalinin, që është pa diskutim krimineli më i madh i shekullit. Por u bashkua për të përballuar një makineri të tmerrshme lufte që po mbillte vrasje, djegie e shkatërrime në mbarë Evropën dhe ia doli.

Dhe të themi ne shqiptarët të mos bashkohemi sot? Kurrë.

Ne kemi një rrezik ekzistencial, kemi një rrezik që po na përzë nga Shqipëria.

Kemi një rrezik që ka shndërruar pasuritë tona në mallkim për shqiptarët.

Kemi një rrezik që për ne vendos droga në të gjitha nivelet.

Atëherë hajt të bashkohemi.

Të gjithë ata që e konsiderojnë narkoregjimin të keqen më të madhe të kombit tonë, unë i ftoj: bëhuni liderë, ngrihuni, mos mendoni se humbisni vota po të afroheni me PD-në.

Por edhe sikur të humbisni vota, në emër të interesit kombëtar duhet ta pranoni.

Jo të paktë ishin ata që më kërkonin mua të ndërmarrim protestat tona. Jo, ishte përgjigja ime e prerë.

Po pse? Po në rast se Flamingot do ta shpëtonin Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe, po ne do festonim me gjithë shpirt.

Po ne jemi patriotë, ne vërtet e duam PD-në, por e duam Shqipërinë pakrahasimisht më shumë.

Dhe po të shihnim ne se Shqipëria po shpëton prej këtij regjimi, ne do duartrokisnim.

Ne shkuam dhe u futëm të gjithë në atë lëvizje, me mijëra e mijëra demokratë për suksesin e saj.

Ndaj dhe sot është koha e bashkimit para këtij rreziku të madh ekzistencial.

Më pyesin mua, po si thua ti, edhe me Qorin do bashkohemi? Po, po me të gjithë, asnjë nuk përjashtoj unë në këtë bashkim.

Jo.

Dhe nuk të them ndrysho platformën tënde politike, jo, mbaje zotëri. E ke kundër PD, mbaje kundër PD, por hajde njëherë të heqim këtë të keqe, ta kërrejmë këtë të keqe të madhe.

Dhe çfarë? Të votojmë të lirë.

Të votojmë jo duke përdorur qindra e qindra milionë euro në aktivitete për të ndikuar votën e qytetarëve.

4530 aktivitetet të kundërligjshme, thonë raportet ndërkombëtare, organizoi Edi Rama për të ndikuar qytetarët në votë, gjer tek Giro D’Italia ditën e votimit 7 milionë euro, në mënyrë që qytetarët të thonë ja e ka edhe këtë me vete.

Pra, të bashkohemi.

Të mos ndodhë që të falen dy ditë para zgjedhjeve 2 miliard e 100 milionë euro gjoba dhe kamata për të blerë vota.

Të mos ndodhë të dekretohen 29 mijë hektarë për të mbjellë kanabis në vit elektoral.

Të arrestohen liderët e opozitës në vit elektoral.

Hajde të votojmë si qytetarë evropianë, të zgjedhim ata që duam.

Të respektojmë vullnetin e qytetarëve.

Cilido që ngurron, ka një problem të madh me veten e tij.

Nuk mund të ngurrohet, lexoni para historisë, para rreziqeve ekzistenciale ka pasur vetëm një qëndrim: bashkim, bashkim dhe vetëm bashkim.

Ne qëndrojmë të dashur demokratë e demokratë, ne kemi nisur dhe jemi në procesin e ripërtëritjes.

Do të bëjmë gjithçka për të bashkuar rreth vetes tonë vlerat më të mëdha, sikundër mbetemi të betuar se gjer në rrëzimin e Edi Ramës kurrë nuk do rreshtim përpjekjen tonë, të shpëtojmë shqiptarët.

E patë vetë se si ishte Asambleja.

Shiheni këtë sallë me asambleistët e lirë qytetarë, krahasoni sallën e tyre.

Krahasojeni.

Netflix është lule, nuk keni për ta gjetur kurrë se ku janë.

Ndaj dhe ai i ka kohërat e numëruara.

Por është mirë të bashkohemi dhe ta nxjerrim nga skena politike.

T’i japim atë që meriton.

Unë nuk do hyj këtu të ndalem në krimet e tij, por u garantoj se asnjëri këtu, as unë, nuk mund të imagjinojmë përmasat e tyre.

Por së pari duhet të votojmë, duhet qytetarë të krijojmë një qeveri kujdestare për votën, të votojmë të lirë dhe mësimet e nxjerra t’i sanksionojmë në ligj e Kushtetutë që kjo që ndodhi me shqiptarët, të mos mund të ndodhë më.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale