Boçi: Rama i është sulur vijës liqenore të Pogradecit, zona të tilla nuk pranojnë ndërtime të larta dhe betonizim

Jemi këtu për të denoncuar një tjetër aferë korruptive, rasti i kafshimit dhe rrëmbimit të hapësirës publike për pazare dhe allishverishe të pista.

Për t’ia dhënë atë klientëve të zgjedhur, të cilët shërbejnë pas edhe si arka nga ku dalin një pjesë e parave të pista për të devijuar votën dhe manipuluar proceset zgjedhore.

Rama, pasi lau duart me jugun, kreu punë atje. E ndau copa-copa, duke ia dhënë ‘investitorëve strategjikë’, familjarëve të qeveritareve, klientëve të tij, tani i është sulur vijës liqenore të Pogradecit, për ta bërë Pogradecin rastin tipik të dytë suksesiv, viktimë të kombinimit të korrupsionit ekonomik me korrupsion politik, duke transferuar pasuritë publike në duart e investitorëve, të cilët në fakt janë ajo pjesa familjare e bashkëpunimit të Ramës në korrupsionin politik dhe ekonomik, për të gllabëruar dhe rrëmbyer pasurinë tonë të përbashkët që konsiderohet publike që na takon të gjithëve, sidomos në zona të veçanta, siç është bregdeti apo siç është zona e mbrojtur e liqenit të Pogradecit, por edhe në zona tjera siç e kemi parë, duke ua dhënë këto prona njerëzve të targetuar dhe të faktuar si anëtarë të bandave kriminale, siç ka ndodhur sot me Velipojën.

Ky është një model që e kemi hasur në fakt, e kemi hasur në Tiranë dhe që fatkeqësisht po aplikohet në qytete të vogla turistike me vlerë shumë të madhe. Një gjë e pandodhur jo vetëm në rajon, por edhe në Europë.

Qytetet e vogla, zakonisht sidomos ato që janë turistike pranë liqeneve, nuk pranojnë ndërtime të larta në formën e kullave sepse humbasin anën e tyre turistike dhe më pas edhe fashinon e tyre nuk tërheqin më atë pjesë që ne duam shumë, pjesën e turizmit.

Por Rama e ka parë betonizimin si një model ekonomik suksesi, por në fakt e ka model ekonomik korrupsioni. Edhe kur ka qenë vetë kryetar bashkie ka prodhuar para pafund, dhe tani po e përdor për të prodhuar sërish para për veten e tij dhe klientët e tij pafund, por duke e shtrirë tani këtë betonizim në të gjithë Shqipërinë. Dhe ai që dëmtohet më shumë dhe që unë e thashë, është pikërisht turizmi. Është një nga degët kryesore të ekonomisë shqiptare, madje në retorikën e kryeministrit promovohet shumë, por ja që në vendimet e tij ekonomike dhe politike është ai që goditet dhe dëmtohet me qëllime përfitimi më shumë se sa gjitha degët e tjera në atë teorinë e famshme që e ka shpikur vetë, KÇK, sepse është një vrapim marramendës.

Mos harrojmë se jemi në Pogradec, në perlën e Shqipërisë, të dashuruar shumë nga shqiptarët, që ka një mbrojtje të veçantë nga UNESCO. Dhe ky vendim shkel jo vetëm marrëveshjen dypalëshe me Maqedoninë fqinje, por nuk konsideron as vendimet e UNESCO-s për zonat e mbrojtura.

Madje Shqipëria ka marrë edhe kërcënime të hapura, në rastin e zonës së Tushemishtit, për përjashtim nga UNESCO, por kryeministri nuk tutet para përfitimeve dhe korrupsionit ekonomik. Është i gatshëm të përjashtojë Pogradecin nga zonë e mbrojtur vetëm që të realizojë qëllimet e tij korruptive.

Mos harrojmë se zoti Rama ka nisur një hetim për zotin Berisha dhe dhëndrin e tij, zotin Malltezi, pse ky i fundit mori pronën dhe e zhvilloi atë. Ndërsa Rama për të disatën herë rrëmben prona publike, prona private me VKM dhe ua jep klientëve. Kjo është vepër korruptive, kjo është vepër penale.

Pyetja ime është kur SPAK do veprojë ndaj këtij korrupsioni të Edi Ramës?

Po sjell edhe dy fakte interesante për mediat sepse duhet të bëjmë edhe sqarimet përkatëse.

Ndoshta na akuzojnë ndonjëherë se jemi kundër biznesit, nuk bëjmë denoncime reale. Jo, aspak, PD është parti e djathtë e përkrahjes dhe mbështetjes së biznesit, por biznesit të ndershëm dhe jo klientelës pranë kryeministrit që abuzon me hapësirat publike dhe ndikimin e kryeministrit.

Investitori në fjalë që ka projektuar ndërtimin e këtyre kullave është i kallëzuar në SPAK për 7 katet pa leje në sheshin Skënderbej dhe për kullën në godinën e ish-Policisë Bashkiake të Tiranës, të marrë në kundërshtim me të gjitha ligjet si leje ndërtimi po nga ky ndërtues.

Dhe për këtë rast është i kallëzuar nga SPAK nga zoti Belind Këlliçi. Pra ka dy kallëzime në SPAK.

Këta janë këta investitorët strategjikë që Rama i stimulon dhe që Rama i përdor dhe me të cilët bashkëpunon për të rrëmbyer pikërisht hapësirën publike dhe për ta përdorur në ato forma që unë i parashtrova.

PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET

Marsi Korreshi, SYRI TV: Një koment tuajin për ndryshimin që bëri në qeveri Edi Rama një ditë më parë, ku bashkoi ekonominë, kulturën dhe inovacionin. Cili është qëndrimi i PD për këtë dhe pyetja e dytë, meqenëse javën tjetër nuk dhe sesioni i ri parlamentar, cili do të jetë qëndrimi i opozitës, a do të vijojë beteja pa kthim dhe mosbindja civile në parlament.
Luçiano Boçi:
Këto ministritë që Rama i nxjerr herë pas here nga xhepi i tij, janë miksime me synime të qarta siç është synimi i rrëmbimit të kësaj hapësire publike. Me synime korruptive për të ua dhënë superministritë, njerëzve më të afërt, shërbyesit më të mirë, më të devotshëm në korrupsionin e tij, por dhe në pastrimin e këtij korrupsioni. Sikurse janë ministri që lindin gjithmonë kur afrohen situata zgjedhore. Një pushtet ekonomik i vënë në duar të njerëzve të tillë do të thotë, shfrytëzim i të ardhurave ekonomike për të manipuluar proceset zgjedhore. Se çfarë lidhje ekonomike mund të ketë kjo ministri me ndarjet e veta, ekonomia, kultura, inovacioni, vetëm një mendje jo planetare mund ta gjejë. Zakonisht ministritë kanë linjat tradicionale, dhe është Këshilli i Ministrave që rakordon punën e ministrive. Nuk mund të jetë një ministri që rakordon punët e disa ministriave dhe tejkalon punën e Këshillit të Ministrave. Qëllimi i tij është politik, korruptiv dhe ekonomik. Nuk shoh asnjë arsye, se të gjitha kanë ngecur, se si këto ministri do të japin një shtysë në të gjithë këtë krizë që ka pllakosur ekonominë dhe kulturën. Trashëgimni kulturore për hapësirën e Pogradecit dhe ja ku e kemi dhe ndoshta kjo ministri që ka ndërtuar, për të avancuar pikërisht këto projekte, sepse tani janë bashkë, nuk ka nevojë të shkojë në disa ministri. Është kanakari i tij që e ka pasur që në Bashki, që hapi portat e liqenit, por që po mbyll vijën liqenore të liqenit të Pogradecit. Për aksionin politik nuk ka ndryshim axhende. Aksioni politik është shpallur para ngjarjeve të fundit dhe mosbindja civile do të vazhdojë dhe në parlament, madje më e fortë, më shprehëse me qëllim që të transmetojë edhe frymëzim në pjesën e qytetarëve, demokratëve. Sikurse çdo mosbindje qytetare në sallën e zarlamentit do të shoqërohet me mosbindje qytetare në hapësirën shqiptare.

Mariglen Kume, MCNTV: Për ta kuptuar më shumë në lidhje me denoncimin që bëtë sot. Ndërtimi do të bëhet në zonë të mbrojtur. Prona ku do të ndërtohet është pronë publike, apo private. Në denoncimin tuaj thatë që lejet jepen për kompanil, pas të cilëve qëndrojë politikanë apo deputet. Kush qëndron pas kësaj kompanie?
Luçiano Boçi:
Hapësira është publike, sepse është parashikuar si lulishte. E gjithë vija bregdetare e liqenit të Pogradecit është zonë e mbrojtur se është shpallur nga UNESCO dhe jo vetëm nga shtetit shqiptar. Po shteti shqiptar e ka goditur, duke lejuar ndërtimin e kullave. Jo vetëm këtë zonë, por ka goditur shumë hapësira të zonave të mbrojtura. Tani cilët janë politikanë pas kësaj. E para është Rama vetë. Të dytët pas Ramës nuk besoj se kanë shumë rëndësi mediatike, përderisa personi në fjalë është mik shumë i ngushtë, klient politik i tij. Përderisa bën 7 kate pa leje në mes të Tiranës, përderisa merr një leje korruptive, abuzime për të ndërtuar një kullë në një ambient publik që është ish-policia bashkiake e Tiranës.
Investitori është Armand Lilo dhe është personi i denoncuar në SPAK. Deputetët e Pogradecit dhe kryetari i Bashkisë janë njohur publikisht.


Osman Stafa, News24:
Përtej aksionit të opozitës që po zhvillohet në parlament dhe vazhdon dhe në terren. Një tjetër pikë është edhe bashkimi. Kryetari i grupit parlamentar Gazment Bardhi tha se po punohet për bashkimin e të gjithë frontit opozitar të gjerë që të përballet në zgjedhjet e 2025 me PS.
Luçiano Boçi: Po punohet për një proces bashkimi jo vetëm brenda PD, por edhe në pjesën e partive të opozitës, që janë të gatshme të bëhen pjesë e këtij fronti dhe të aksioni opozitar, jo thjeshtë zgjedhor, por edhe aksionit që pararend situatën zgjedhore. Bisedimet dhe procesi vazhdon. Aktet e bashkimit do të zbardhen dhe do të bëhen të ditura në ditët në vijim. Ky bashkim është konkret, fillimisht brenda nesh dhe më pas edhe për të ftuar të gjitha partitë opozitare me të cilët përfaqësuesit e PD-së janë bisedime intensive.

-Kur vjen çështja te bashkimi dhe koalicioni i gjerë, a përfshihet në këtë lloj grupimi, a do të ketë ndonjë ftesë ndaj deputetët të tjerë të PD-së të cilët njohin për kryetar të PD, Lulzim Bashën.
Luçiano Boçi:
Ftesa për ata demokratë që mendojnë ndryshe nga të tjerët që kanë opsione e tyre të aksioneve politike, por kundër mazhorancës, janë gjithmonë të ftuar të jenë pjesë e kësaj opozite. Thirrja ka qenë jo vetëm për demokratët, por për të gjithë deputetët dhe ata deputetë që sot janë te pjesa e Bashës janë të ftuar bëhen pjesë e PD-së dhe e kësaj iniciative bashkuese që e parashtruam dhe që duhet të jetë zgjidhja kryesore e një opozite që të dalë e përbashkët në pjesën e betejës.
Basha është deputet dhe në momentin që do të fillojë të bëjë opozitë, dhe do e dëshmojë këtë me aksion opozitar, me bashkim me PD, ai gjithmonë është i ftuar. Ne momentet që vazhdon të jetë patericë e qeverisë, duke i shërbyer totalisht asaj me qëndrime dhe propozime ligjore, siç është ligji për shpifjen nuk besoj se ka dëshirë të jetë pjesë e frontit opozitar. Ftesa është e hapur për çdo demokrat dhe deputet që ti bashkohet PD-së në aksionin opozitar.

Kristi Kongo, TCH; Si do vazhdojë drejtimi i PD, meqenëse z. Berisha është në arrest shtëpiak dhe ju po përpiqeni të bashkoni PD.

Luçiano Boçi: Duke qenë pjesë organike e PD dhe e drejtimit të PD, nuk shoh ndonjë cedencë në drejtimin e PD-së. PD-ja vazhdon punën e saj politike, të shtrirë në të gjitha përmasat që ekziston, organizative, aksionit, komunikimit politik me qytetarët, denoncimet dhe kryetari i PD është në punë të plotë duke na dhënë orientimet përkatëse dhe ne duke vazhduar atë punë politike që ai tashmë e ka deleguar si përgjegjësi tek ne. Të gjitha orientimet dhe konferencat janë pjesë organike dhe e drejtimit që del pikërisht nga kryetari i PD. Ne jemi në veprimtari politike gjithmonë, çdo ditë me denoncime, deklarata, grumbullime dhe nuk shoh se ka ndonjë rënie të intensitetit të PD. Kryetari është në punë dhe strukturat e tjera janë në punë të plotë.

-Pra do të jetë Sali Berisha edhe kryetar i bashkimit.
Luçiano Boçi:
Është kryetar i PD, është iniciues kryesor i bashkimit dhe përderisa është drejtuesi kryesor është pjesë e procesit të bashkimit të PD.

Anesti Bajramemaj: Në qëndrimin tuaj patët një qëndrim më të zbutur nga Sali Berisha përsa i përket ftesës ndaj Lulzim Bashës. Në kuadër të bashkimit të frontit opozitar a ka ndonjë hap pas nga Rithemelimi edhe ndaj Bashës.
Luçiano Boçi:
Unë nuk isha më i butë, isha më i hidhur ndoshta. Është gjetje ligjërimi që është personale. Në mënyrë kategorike thashë se personat që shërbejnë si patericë e qeverisë, nuk kanë vend as tek PD, as tek demokratët dhe as tek fronti opozitar, çfarë do emri të kenë ato. E kanë Lulzim Basha apo Enkelejd Alibeaj. Nëse kanë reflektim për ato gjëra, gabime që kanë bërë, ne jemi njerëzor, parti e djathtë, parti që pranon dhe fraksionin brenda saj nëse duan të bëjnë luftë ndaj Ramës. Zemërgjerësia e demokratëve është e tillë që ti pranojë dhe të bëhen edhe ata pjesë e aksionit politik. I ftojmë të vijnë edhe tek pjesa, kemi ftesën publike tek pelegrinazhi që bëjmë çdo natë aty në mbështetje të pluralizmit dhe demokracisë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale