Bllokimi i integrimit/ Berisha: Rama dhe lobistët e tij të korruptuar po fshehin faktin se sot duhej të ishte mbajtur konferenca ndërqeveritare me BE-në

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË GRUPIN PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar ka ashpërsuar tonet ndaj Edi Ramës, duke e akuzuar këtë të fundit për dhunë ndaj opozitës, korrupsion dhe bllokim të procesit të integrimit europian. Në fjalën e tij, Berisha u ndal fillimisht te protesta e 17 prillit, duke e cilësuar reagimin e policisë si një ‘sulm të organizuar’ ndaj opozitës. ‘Sulmi brutal ndaj deputetëve tanë është një akt primitiv i Edi Ramës ndaj kundërshtarëve politikë’, deklaroi ai, duke shtuar se ndaj protestuesve dhe deputetëve ‘u përdorën të gjitha mjetet e dhunës, granata, spraj toksik, plumba gome dhe pompa uji’. Ai përgëzoi protestuesit e arrestuar, të cilët i quajti ‘heronj të protestës’, ndërsa theksoi se ‘burgosja e tyre politike do kthehet në një ndëshkim të padiskutueshëm ndaj regjimit’.

Kryedemokrati Sali Berisha bëri thirrje për përshkallëzim të aksionit opozitar, duke e konsideruar situatën si kritike për vendin. ‘Duhet të pranojmë se në kushtet aktuale, kurrë ndonjëherë protesta nuk ka qenë më e domosdoshme dhe më jetike për vendin’, u shpreh ai. Sipas tij, opozita duhet të organizojë një reagim më të fortë: ‘Të përgatitemi për kryengritjen e radhës më të fuqishme që ka njohur Shqipëria’. Ai paralajmëroi se menjëherë pas mbledhjes do të nisin përgatitjet për protestën e ardhshme, data e së cilës do të shpallet së shpejti.

Lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi sërish Edi Ramën se, ‘e mbylli dosjen e tij me Ballukun’, duke shtuar se kjo është bërë në bashkëpunim me organet e drejtësisë. ‘Edi Rama e nxori veten mbi ligjin, nuk pyet më për Kushtetutë, nuk pyet më për drejtësi’, deklaroi Berisha, duke e cilësuar situatën si një devijim të rëndë nga shteti ligjor. Ai solli në vëmendje edhe çështje konkrete, si inceneratori i Tiranës dhe aeroporti i Vlorës, për të cilat pretendoi se janë abuzuar fonde të mëdha publike. ‘130 milionë euro janë vjedhur në djegësin e Tiranës, 130 milionë euro u vodhën edhe në aeroportin e Vlorës’, tha ai.

Duke u ndalur te procesi i integrimit europian, kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe përpjekje për të fshehur zhvillimet nga publiku. Ai deklaroi se ‘shqiptarëve u fshihet fakti se sot duhej të ishte mbajtur konferenca ndërqeveritare me BE-në’. Sipas tij, në takimet e zhvilluara në Bruksel, është diskutuar për ‘shkarjen e rëndë mbrapa’ të Shqipërisë në raport me standardet europiane, ndërsa kërkesat ndaj vendit janë shtuar. ‘Ne jemi për një proces të bazuar në meritë dhe jo kurrë për një proces të bazuar në lobim korruptiv’, theksoi Berisha, duke kërkuar më shumë transparencë nga institucionet europiane dhe autoritetet shqiptare.

Kreu i PD-së, Sali Berisha publikoi një sërë pretendimesh për pasuri të zyrtarëve dhe personave të lidhur me qeverinë. Ai përmendi raste konkrete, duke ironizuar deklarimet për mungesë pasurie. ‘Kjo është e varfëra e Edi Ramës’, u shpreh ai në lidhje me një prej rasteve, ndërsa për persona të tjerë deklaroi se zotërojnë prona të shumta, llogari bankare dhe mjete luksoze. Berisha e cilësoi situatën si alarmante dhe një arsye më shumë për reagim qytetar: ‘Çdo ditë aferat korruptive të kësaj qeverie janë flagrante dhe kjo është një kushtrim i madh për qytetarët shqiptarë’.

Gjatë fjalës së tij me deputetët, kryetari i PD-së Sali Berisha ngriti edhe shqetësimin për rritjen e çmimeve dhe ndikimin te qytetarët, duke akuzuar qeverinë për përfitime nga kriza. ‘Qeveria ka mbledhur 2.4 miliardë lekë më shumë nga xhepat tuaj… Nuk është kompensuar një qindarkë asnjë qytetar’, deklaroi ai. Në përmbyllje, Berisha ritheksoi se opozita do të vijojë aksionin e saj politik dhe protestat, duke i konsideruar ato si rrugën e vetme për ndryshim.

FJALA E PLOTE:

Zonja deputete, zotërinj deputetë, të nderuar qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë mbledhje të grupit parlamentar të opozitës.

Së pari, dua të përshëndes edhe njëherë ata dhjetëra mijëra qytetarë që të premten e kaluar me pjesëmarrjen e tyre në kryengritjen paqësore u bënë zëri i qytetarëve në Shqipëri, në Europë dhe në botë.

Një përshëndetje të veçantë kam për heronjtë e kësaj proteste, të cilët sot ndodhen në burgjet e narkodiktaturës dhe i garantoj ata se burgosja e tyre politike do kthehet në një ndëshkim të padiskutueshëm ndaj regjimit të Edi Ramës.

I përgëzoj për qëndrimin burrëror të pathyeshëm në qelitë e narkoshtetit dhe u shpreh edhe mirënjohjen dhe solidaritetin tonë të plotë.

Unë gjithashtu shpreh revoltën më të madhe, denoncimin më të ashpër për sulmin brutal që u bë ndaj deputetëve tanë në protestën e 17 prillit.

Sulm i planifikuar.

Sulm i organizuar në të cilin u përdorën ndaj deputetëve dhe protestuesve të gjitha mjetet e dhunës, granata, spraj ariu, spraj toksik, plumba gome, pompa uji dhe shishe molotov.

Goditja e deputetëve, të cilët janë një faktor madhor në garantimin e karakterit paqësore të kryengritjes tonë, përbën aktin më primitiv të Edi Ramës ndaj kundërshtarëve politikë.

Frikacak dhe i paburrë, gjen banditë me uniformë për të goditur deputetët e opozitës.

Të gjitha këto janë një detyrim i ri madhor i yni për të vazhduar protestat e fuqishme, për të vazhduar kryengritjen tonë paqësore.

Të dashur miq, sot ata që guxojnë të ngrihen për dinjitet, të ngrihen kundër këtij regjimi, mbrojnë jo vetëm idealet e tyre, por mbrojnë dinjitetin dhe idealet demokratike të çdo shqiptari.

Dhe duhet të pranojmë se në kushtet aktuale, kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi, protesta nuk ka qenë, kryengritja nuk ka qenë më e domosdoshme dhe më jetike për vendin.

Edi Rama mendoi se mbylli aferat që shkoi 1.2 miliardë të tij me Lubi Ballukun.

Dhe e vërteta është, duhet të pranojmë, pas tre muajsh, ai i mbylli dyert përfundimisht organit të akuzës.

Dhe e mbylli dosjen e tij me Ballukun, kjo është e pamohueshme.

E mbylli me prokurorët.

E mbylli, pavarësisht se një seri vendesh të BE kërkuan që prokuroria e vendit të mos pengohej në funksionimin e saj.

Kështu që sot ai mendon dhe ndjehet më i fortë se kurrë bazuar në aktet antikushtetuese dhe antikriminale që ka ndërmarrë.

Ndaj dhe sot është më e domosdoshme se kurrë protesta jonë.

Ndaj dhe sot beteja jonë është më jetike se kurrë për këtë vend.

Në ndërgjegjen e çdo shqiptari duhet të jetë e qartë thellë se rruga e vetme për të ndaluar këtë të keqe të madhe është protesta.

Edhe njëherë, Edi Rama e nxori veten mbi ligjin, nuk pyet më për Kushtetutë, nuk pyet më për drejtësi, nuk pyet më as për partnerët ndërkombëtare.

Ose të themi nuk pyet për ata që kërkojnë që në Shqipëri të funksionojë shteti ligjor, të funksionojë Kushtetuta, të garantohet barazia para ligjit.

Për këta ai nuk pyet më.

Atëherë çfarë do bëjmë ne në këto rrethana? Në këto kushte?

Ne do ngrihemi edhe më fuqishëm.

Ky është misioni ynë.

Dhe ky mision sot është më i rëndësishëm se në çdo kohë.

Nuk mund të mbyllë ai kurrsesi afera të cilat i kanë kushtuar dhe u kushtojnë miliarda qytetarëve shqiptarë.

Ndaj dhe qytetarë dhe qytetare, të përgatitemi për kryengritjen e radhës më të fuqishme që ka njohur Shqipëria për t’i treguar kreut të organizatës kriminale se kurrë nuk pajtohemi ne me këtë veprimtari.

Duhet të ngrihemi në emër të të gjithë atyre shqiptarëve që nuk ngrihen dot nga frika.

Kështu është, historinë e bëjnë guximtarët, kjo është e vërteta në të gjitha rastet.

Ndaj dhe kryengritja tjetër duhet të jetë më fuqishmja që ka njohur Shqipëria.

Kjo do jetë përgjigja jonë ndaj dhunës shtazore që përdori Edi Rama me 17 prill.

Kjo duhet të jetë përgjigja jonë e vetme ndaj aktit të tij antikushtetues, ndaj mburojës që krijoi ai për vjedhjet e tij dhe të enturazhit të tij.

Ne nuk mund të pajtohemi kurrë ndaj dhe pas kësaj mbledhje, fillojmë menjëherë përgatitjet për protestën e ardhshme, datën e të cilës do e shpallim shumë shpejt.

Nuk kemi të ndalur ne.

Nuk na mposht askush.

Por jo vetëm kaq.

Jo vetëm këto.

Asnjëherë nga viti 1991 gjer sot nuk ka qenë më në rrezik e ardhmja e vendit aq sa është integrimi i Shqipërisë në BE.

Duhet të falënderoj përzemërsisht të gjithë ato vende, të cilat nuk u pajtuan me aktin antikushtetues, me mburojën që krijoi Edi Rama për vete dhe për Lubi Ballukun, por qëndruan në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë.

Qëndruan sepse Shqipëria pa luftën kundër korrupsionit dhe pa funksionimin e shtetit ligjor, nuk ka të ardhme.

Mirënjohje për ta.

Tani, në këtë rast, deklaroj këtu dhe konfirmoj se kjo forcë politike dhe ky grup parlamentar, objektiv më madhor të projektit për Shqipërinë, ka integrimin e saj në BE.

PD ka qenë lokomotivë e këtij procesi që në vitet e para gjer në vazhdim.

Por në këtë moment, duhet të sqarojmë se jemi dhe do jemi për një proces të bazuar në meritë dhe jo kurrë për një proces të bazuar në lobim korruptiv.

Procesi i bazuar në meritë është procesi që jetëson në Shqipëri normat, standardet, kriteret, të drejtat që gëzojnë qytetarët e vendeve anëtare të BE.

E vërteta është, një tërësi normash, ligjesh, standardesh, të cilat i bëjnë qytetarët shqiptarë më të lirë, më të sigurt dhe më të mëkëmbur.

Ndaj dhe ne qëndrojmë të palëkundur në mbështetje të një procesi që bazohet në meritë.

Por ne dënojmë me forcën më të madhe praktikën lobiste mafioze të Edi Ramës në procesin e integrimit.

Hermetizmin e turpshëm sikur ky është një proces i tij, i familjes së tij dhe banditëve rreth tij dhe jo i qytetarëve shqiptarë.

Për ta shpjeguar më qartë, u them qytetarëve ta dinë se nga fillimi i muajit mars gjer sot, për procesin e integrimit të Shqipërisë janë organizuar në Bruksel një seri takimesh dhe mbledhjesh.

Të gjitha të mbajtura fshehurazi nga qeveria, ndonëse përfaqësuesi i saj ka qenë aty.

Të gjitha të mbajtura fshehurazi ndaj opozitës, ndaj qytetarëve.

Në të gjitha, pa përjashtim, është debatuar gjerësisht për shkarjen e rëndë mbrapa, për aferën Balluku, AKSHI dhe afera të tjera.

Kjo është e vërteta.

Në të gjitha këto takime nuk është arritur ujdia apo konsensusi që të kalojë raporti IBAR, një raport i ndërmjetëm, jo përfundimtar.

Jo, po këto nuk mund t’u thuhen shqiptarëve, u mbahen sekret, paçka se ka të bëjë direkt me ta.

Shqiptarëve nuk u thuhet se në 6 mbledhje gjer tani, të atij institucioni që vlerëson pikërisht këtë raport, kërkesat ndaj Shqipërisë kanë ardhur në rritje.

Dhe nuk është votuar, nuk është rënë dakord të votohet raporti që u votua për Malin e Zi që në fillim të marsit, të dyja ishin në të njëjtën mbledhje.

Shqiptarëve u fshihet nga qeveria dhe lobistët e saj të korruptuar, fakti se vendet anëtare kundërshtuese të votimit të raportit erdhën gjithnjë duke u shtuar.

Shqiptarëve u fshihet fakti se- që përbën një zhvillim pozitiv për mua, presidenca ndryshoi raportin dhe kërkesat, pikërisht për t’u përshtatur me kërkesat që paraqitën vendet anëtare ndaj Shqipërisë.

Po, po, u ndryshua raporti.

Këto u fshihen nga Edi Rama dhe lobistët korruptivë të tij.

Shqiptarëve u fshihet fakti se sot me kalendar ishte përcaktuar konferenca ndërqeveritare, e cila nuk u mbajt.

Dhe preokupimi i lobistëve nuk është se shqiptarët nuk dinë asgjë për këto, por përkundrazi se nuk duhet të dinë për këto sepse do të sulmojnë Edi Ramën.

Unë u bëj thirrje vendeve anëtare të BE, i bëj thirrje Komisionit Europian dhe Presidencës, të marrin çdo masë që procesi i integrimit të jetë transparent për shqiptarët.

Shqiptarët meritojnë transparencë dhe vetëm transparencë.

Për hir të të vërtetës, që ta dinë shqiptarët, qeveritë përreth publikojnë fill mbrapa të gjitha zhvillimet që ndodhin në Bruksel për vendet e tyre, nuk i fshehin.

Por dhe lobistët e korruptuar  kanë preokupimin e madh se mos keqpërdoren, nuk është problem se shkelmohen normat dhe të gjitha, po se mos keqpërdoren kundër kryekorruptorit Edi Rama.

Ne jemi këtu për transparencë.

Ne si opozitë qëndrojmë të palëkundur absolutisht në objektivin tonë në integrimin e Shqipërisë në BE.

Por ne theksojmë edhe njëherë, dhe do insistojmë dhe zërin tonë do ta ngremë në të gjitha instancat që ky duhet të jetë një proces transparent i bazuar në meritë dhe jo në lobim korruptiv.

Unë i bëj thirrje Komisionit Europian të vendosë si kusht bashkëpunimin e Shqipërisë me Prokurorinë Publike Europiane.

Si një kusht i domosdoshëm për transparencën e përdorimit të parave të BE në Shqipëri.

Unë e di se ajo prokurori funksionon për vendet anëtare, por mendoj se në rtaste të tilla kur prokuroria e vendit bllokohet, është e domosdoshme që të paktën për fondet e BE, Shqipëria të jetë e detyruar për t’i dhënë akses të plotë Prokurorisë Publike Europiane.

Heton njeri në Shqipëri skandalin Mogerini? Jo, katër herë më i madh se i Bryzhit, mikesha e Edi Ramës, lobistja e Edi Ramës.

Dhe gjëra të tjera plot.

Ndaj dhe u ndala në këtë sepse askush nuk ka të drejtë t’u fshehë shqiptarëve një proces që duhet të jetë transparent në çdo hap të tij.

Dy ditë më parë është bërë mbledhja tjetër, është sjellë raport i ri.

Janë shtuar ndjeshëm kërkesat për Shqipërinë.

Shqiptarët nuk dinë asgjë.

Nuk shkon kjo.

Pse? Sepse qeveria i fsheh. I fsheh një herë, i fsheh dy herë, i fsheh tre herë, por unë gjykoj se përfaqësia e BE nuk duhet të pajtohet me këtë fshehtësi dhe këtë fshehje.

Duhet të informojë.

Duhet të dalë jashtë kimisë që ka për këtë apo atë person.

Interesat e shqiptarëve janë që të informohen plotësisht për procesin.

Përndryshe, siç jeni dëshmitarë, përmasat e aferave korruptive të qeverisë bëhen çdo ditë e më të mëdha.

Ju e dëgjuat, dhe dua të falënderoj me përzemërsi gazetarët investigativë, çfarë gjetën?

Gjetën që aeroporti i Vlorës është identik me djegësin e Tiranës.

Është firmosur kontrata në prill, në një kohë kur sipërmarrja është krijuar në maj.

Dhe kjo me direktivë dhe firmë të Edi Ramës dhe Lubi Ballukut.

E kuptoni? Është firmosur kontrata me kompanitë e ndërtimit dhe projektimit në prill, ndërkohë që kompania fituese e garës është regjistruar dhe themeluar në maj.

Imagjinoni çfarë gare ka pasur.

Po çfarë janë aty?

E ka edhe ajo një ngjashme me djegësin e Tiranës.

130 milionë janë paratë e vjedhura në djegësin e Tiranës, 130 milionë janë paratë e vjedhura në aeroportin e Vlorës.

Çdo vit, sipas kontratës, koncesionarit do t’i paguhen nga taksat e shqiptarëve 10 milionë euro për 13 vite rresht biletat e munguara.

Po nuk ka toka horra si këta që të vjedhin popullin në këtë mënyrë.

Firmosin tani 10 milionë euro në vit.

Pra aeroporti që është kontraktuar për 120 apo 110 milionë euro, do të shfrytëzohej nga koncesionari për 35 vite, do merrte paratë e të gjithë biletave përveç 10 milionëshit shtesë nga qeveria.

Prandaj ndodh kjo që shihni ju, kjo që shohin shqiptarët, që njëherë del vëllai i Taulantit, Valon Ademi. Klonim.

Njëherë kapin Bexhetin.

Çfarë është ajo?

Aty është gjithçka se Edi Rama, Lubi Balluku, Taulant Balla duan të marrin 130 milionë euro që kanë firmosur në mënyrën më kriminale, më korruptive.

Po si mund të japësh 10 milionë euro për bileta të munguara?

Po zvogëloje aeroportin, kjo ka ndodhur. Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj kanë thënë jo, aeroporti të ndërtohet me 30 milionë dhe të shtohet me shtimin e punës edhe kapaciteti.

Këta jo, më i madhi në Ballkan, dilte Lubia, e keni parasysh apo jo.

Po këta vjedhin.

Këta vjedhin 100 fishin e Enver Hoxhës.

Ai i kishte pa tjetër pa problem, po të marrësh shpenzimet e tij dhe të gjithë Byrosë Politike në 45 vite nuk bëhen as gjysma e vjedhjeve të Lubi Ballukut.

Do ta bëj Aleksandri edhe këtë, aeroporti më i madh në Ballkan, thoshte, se më duheshin 10

milionë euro në vit.

Dhe tani në gjyq, Skapi në një anë, Taulanti në anën tjetër, Lubia në anën tjetër, gjykata në anën tjetër.

Atëherë çfarë duhet të bëjnë qytetarët?

Duhet të pranojmë të vidhemi në këtë mënyrë të poshtërohemi në këtë mënyrë apo të ngrihemi?

Urdhëroni se çfarë ndodh.

Pas kaq muajsh u kujtuan, u kujtuan se duhej bërë sekuestrimi i pronave të Ergys Agasit dhe të grupit kriminal. Dhe do më falni, po unë dua të lexoj ca gjëra këtu. Duhet të lexoj për shqiptarët, për qytetarët shqiptarë. se është shumë e rëndësishme të të mësojnë pak për pasurinë e të gjorës Mirlinda Kaçanaj, e cila sipas avokatit të saj Edi Rama, as makinë nuk ka dhe as nuk din t’i japë, i jep një shoferi për të, dhe se jeton diku në një apartament me qera.

Sipas hetimit paraprak se s’është përfundimtar, rezulton se Mirlinda apo prestanomi i Lindës së Surrelit, ka apartament në rrugën ‘Dervish Hima’, kati i tetë, ka apartament, ka pasuri në rrugën e Kavajës, 73 m katror, tjetër apartament. Ka në Qerret vilë, një tjetër s’po e gjejnë se kujt është ajo e Palasës, ka dhe një ullishte 1500 m katror, ka dhe autoveturë, se nuk kishte as  veturë, thoshte Rama për të. Ishte e gjora ajo.

Ka autoveturë, po këtë duhet t’ia ka dhuruar Rama, e ka dhuratë nga Rama këtë autoveturë, prandaj s’ka, e quan si, pse ku e di ti që s’ka? Pra, modeli Tiguan, ka llogari bankare në BKT   dhe një seri llogarish bankare në OTP Bank.

Kjo është o të dashur pensionistë, o të dashur qytetarë, e varfëra e Edi Ramës, e gjora.

Tani dua t’i dëgjoni pak edhe listën e pasurive të Edi Ramës apo prestanomes së Edi Ramës, Ergys Agasit.

26.690 m katror pyll me një ndërtesë 3400, më falni, 346 m katror në Petrelë, Tiranë.

Pyll me sipërfaqe 5288 m katror, ndërtesa 182 m katror me vendndodhje Petrelë, Tiranë.

Pyll me sipërfaqe 5288 m nga kjo ndërtesë një katëshe, e thamë.

Pasuri e llojit pyll me sipërfaqe 8959 m katror dhe ndërtesë me sipërfaqe 568 m katror në Qehaj, Tepelenë, Petrelë.  

Pasuri e llojit pyll me sipërfaqe 8260 m katror. Kë ka vila ky, ka shpërndarë ky, është do marrë pyll ndoshta vila, ky për vete si pasuri e llojit truall 406 m katror me ndërtesë në Lundër.

Pasuri e llojit arë, 10.300 m katror, me vendndodhje në zonën kadastrale 8518 dhe sipërfaqe 400 m katror banesë.

Pasuri e llojit ndërtesë me vendosje në zonën kadastrale 8518 me sipërfaqe totale 165 m katror.  Pasuri e llojit, apartament Durrës, pasuri e llojit, garazh Tiranë, apartament Tiranë, apartament Tiranë, apartament Tiranë, garazh, garazh.

Shikoni nëpunësit funksionarët e Edi Ramës qytetarë.

Prisni.

Garazh, pasuri e llojit truall, truall, apartament, garazh, garazh, apartament, garazh, pasuri e llojit truall në ndërtesë Gjik, Vlorë.

Automjet Land Rover Defender 2023.

Subjekti EAS, llogari bankare në OTP, Credins dhe BKT.

Tani, këto janë pra, pasuritë, një pjesë e pasurive, se këtu s’kanë futur fabrikën e duhanit të blerë prej tij e shumë e shumë gjëra të tjera i kanë kursyer, të Ergys Agasit, i cili me datën 19 prill, shëtiste i shoqëruar nga dy makina policie, jo nga një.

Dhe pasuritë e tij, pasuritë e tij hetohen, konfiskohen tre katër muaj. Ky vetë tre katër muaj pasi është shpallur në kërkim.

Tani, Ermal Beqiri, kriminel i damkosur, njeriu i përdorur nga Edi Rama për të vjedhur 20 milionë deklarata tatimore të shqiptarëve nga viti 92 deri në datën e vjedhjes në vitin 2014.

Truall me vendndodhje në Green Coast, Vlorë, truall me vendndodhje në Hoxha Tasim, Tiranë.

Ndërtesë me truall numër pesë, fraksion tre.

Truall dhe ndërtesë numër 38, 36, Rolling Hills, Tiranë.

Apartament në Golem, Kavajë.

Jaht, kishte dhe jahtin e që e staciononte tek vila qeveritare në Vlorë dhe shpesh njoftonin qytetarët që është bërë Rama me jaht. Ai në fakt paska qenë jahti i Ermal Beqirit. E lidhte aty se është një port i vogël, një kështu, është një liman i vogël për këto jahtet aty.

Mjet lundrues jaht.

Subjekti ESS SHPK, subjekti HSHPK, njësi shërbimi në rrugën Çerçis Topulli, automjete dhe motomjete sipas regjistrave, të gjitha llogaritë bankare në emër ti dhe subjekteve.

I ka rënë shkurt këtu se nuk shkon gjatë e di kupton.

Në ngarkim të personit në hetim janë edhe dy anëtarë të tjerë të grupit kriminal, mungon njëshi.

Mungon numri një. Numri një i këtij grupi është Linda Rama. Asnjë fjalë, asnjë fjalë për Armand Frangun.

Pengjet nuk janë marrë, janë marrë kryekëput për familjen Rama, në mënyrë që askush të mos guxojë t’i përzihet Edi Ramës në kopshtin e tij privat.

Kam lexuar para shqiptarëve dokumentin në të cilin Geron Meçe denonconte dhe është i regjistruar, Linda Ramën si përcaktuese të fitimit të tenderave në tendave në AKSH, dhe dosja nuk u zhduk siç donte Rama, mbeti, është aty, por këtu nuk është bërë asnjë veprim.

Del se është, është gjobitë dhe një shtetase shqiptaro-gjermane po e kanë pa emër, 2 milion i kanë marrë asaj.

Dhe harrova t’ju them, Mirlinda e gjora e varfra e Ramës, vetëm në një shishe ka marrë të futurat 200.000 euro, sipas dokumenteve, rryshfet.

Pra, siç e shihni, çdo ditë aferat korruptive të kësaj qeverie janë flagrante dhe kjo është një kushtrim i madh për qytetarët shqiptarë.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, çfarë po pësoni ju gjatë kësaj krize nafte dhe ekonomike?

Dhe çfarë po pëson qeveria?

Edi Rama dhe qeveria e tij, me bordin e naftës dhe me këto që ka bërë, kanë inkasuar gjerë tani 2.4 miliardë lekë më shumë nga xhepat tuaj.

Kanë marrë nga xhepat tuaj dhe janë paguar si TVSH, që ju keni paguar si TVSH.

Pra, i keni paguar me çmimin e naftës, me çmimin e domateve, me biletat e transportit dhe po të shihni të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur me 14 për të njëjtën sasi malli, për shkak të rritjes së çmimeve nga kriza.

Nuk është kompensuar një qindarkë asnjë qytetar.

Edhe kjo është një motiv për të vazhduar betejën tonë më të motivuar se kurrë.

Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale