Berisha zotohet: Zero TVSH për të gjitha ushqimet! Ligji i parë që do votohet do jetë minimumi jetik 220 euro për çdo shqiptar

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur mbrëmjen e sotme gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar te ‘Rruga e Shpresës’, denoncoi se Rama plaçkiti pensionistët, ku zhduku 19 milionë euro të parashikuara për ta në buxhetin e shtetit.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ua ka bërë jetën sterrë pensionistëve në Shqipëri. ‘Ua ke bërë jetën sterrë pensionistëve që u shkrinë për vendin dhe ti i detyron të numërojnë kafshatën’, u shpreh Berisha gjatë tubimit qytetar.

Kryedemokrati Sali Berisha ka premtuar se me programin ekonomik, shqiptarët do paguajnë zero TVSH për të gjitha ushqimet. Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, Berisha theksoi se me ardhjen në pushtet të demokratëve, ligji i parë që do të votohet do të jetë minimumi jetik prej 220 euro për çdo shqiptar. 

Kryetari i PD-së, Sali Berisha është ndalur edhe te deklaratat përçarëse të kryeministrit Edi Rama në lidhje me krijimin e ‘Sovranitetit të Urdhërit Bektashi’. ‘Rama ka vetëm një qëllim, të ndezë në Shqipëri flakët e përçarjes me diskriminim krahinor, fetar dhe të gjithëanshëm’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha gjatë deklaratës së tij.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohje të pakufishme demokrate dhe demokratë, qëndrestare dhe qëndrestarë të kauzës së drejtë të çdo qytetari, të çdo shqiptari.

Një përshëndetje të përzemërt gjithashtu oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë që përcjellin çdo natë te shqiptarët të vërtetat që ky regjim censuron me mediat e tij.

Të dashur miq, do rikthehem edhe njëherë sonte tek një mashtrimet më të ulëta, më të pashpirta, te një nga aktet më cinike të fundit të Edi Ramës ndaj pensionistëve shqiptarë, ndaj njerëzve më të varfër midis të varfërve në mbarë Europën.

Të dashur miq, ju lutem dëgjojeni një moment pabesinë, poshtërsinë, cinizmin e Edi Ramës ndaj këtyre qindra mijëra burrave dhe grave që shkrinë jetën e tyre për një Shqipëri të drejtë, një Shqipëri normale.

Nga fundi i vitit të kaluar, Edi Rama kalonte nga takimi në takim, premtonte rritjen e rrogave aq dhe kaq dhe premtonte rritjen e pensioneve.

Edi Rama u premtoi pensionistëve se pensionet do rriten në muajin mars dhe prill.

Dhe natyrisht ky përbënte një lajm shumë të mirë për të gjithë ata që me 100, 130 mijë lekë të vjetra, që marrin në muaj, nuk blejnë absolutisht dot asnjë ilaç për mjekimin e tyre.

Nuk marrin dot një kafe me miqtë dhe shokët e tyre jashtë.

Numërojnë kafshatat, numërojnë vaktet.

Por, marsi dhe prilli erdhën dhe shkuan. Pensionet nuk lëvizën një qindarkë.

Gjatë muajve në vazhdim, ky njeri që meriton çdo epitet, nuk foli më për rritje, por foli për indeksim.

Ju lutem, mbajeni shënim, në buxhetin e vitit 2024 u përcaktua fondi prej 34 milionë euro pikërisht për pensionistët.

Por Edi Rama, në mënyrë cinike me një ndjenjë çnjerëzore, nuk ua dha atyre as në mars, as në prill, as në maj, as në qershor, as në korrik, as në gusht, as në shtator, por deklaroi se rriti pensionet në tetor, duke plaçkitur, duke grabitur nga fondi i buxhetit të shtetit, të caktuar për pensionistët, për indeksim, më shumë se gjysmën e tij, duke shpërndarë për 730 mijë pensionistë gjoja si rritje, në të vërtetë as indeksim, gjithsej 16.7 milionë euro.

Kurse restin prej 19 milionë, e zhduku!

A ka pashpirtësi më të madhe se kjo?

Çfarë u dha edhe këtyre nga këto 16 milionë euro që shpërndau për 730 mijë pensionistë?

Një pensionist me pension të ulët mori gjithsej 4 kafe në muaj.

Një pensionist me pension të lartë mori diku tek 10 kafe.

Kjo ishte rritja e pensioneve, në një kohë kur më shumë se gjysma e tyre, me pensione të ulëta dhe të mesme, numërojnë kafshatat, nuk blejnë ndonjëherë bukën, nuk blejnë dot fruta, nuk blejnë dot bulmet, nuk blejnë dot ushqimet.

Ky është një skandal, ky është një akt çnjerëzor i turpshëm.

Po ti mor, kur ua bën nënave dhe baballarëve, ti nuk je njeri.

Po këtë nuk mund ta bësh kurrë ti.

Sot ata marrin një pension, ju lutem, nga 32 përqind i rrogës minimale, sot pensioni ka zbritur në 26 përqind. 150 përqind më i ulët në proporcion se në Serbi, Maqedoni, Bosnje, Mal të Zi.

Si mund të sillesh ti në këtë mënyrë ndaj këtyre njerëzve?

Ç’është kjo çnjerëzi ndaj tyre?

I lë të vdesin pa ilaçe, nuk i blejnë dot. Pyesni, i dëgjon çdo ditë. Jo ilaçe nuk marrin.

I detyron të flasin me vete, se ndonjëherë kanë një ndihmë nga dikush, por ndonjëherë nuk i ndihmon njeri.

Ua ke bërë jetën sterrë burrave dhe grave fisnikë, që u shkrinë për vendin dhe ti i detyron të numërojnë kafshatën mor hajdut që nuk ke moral, as nder as gjë prej gjeje.

Ti je një racë antishqiptari që nuk ka ekzistuar kurrë një pushtues i egër ndaj shqiptarëve si ti.

Sot, unë zotohem para mbarë shqiptarëve se ligji i parë që do votohet do jetë minimumi jetik për çdo shqiptar.

Minimumi jetik prej 220 euro, aq sa e ka përllogaritur Avokati i Popullit me agjencinë ndërkombëtare të punës.

Por nga ana tjetër, miqtë e mi, nuk mund të tolerohet më tej kurrë që shqiptarët të kenë problemin e ushqimit sot.

Ndaj zotohem para tyre, zero TVSH për të gjitha ushqimet.

Zero TVSH!

Zotohem për pensionistet nuk do mund të jenë kurrë më pak se 120-130 përqind e minimumit jetik.

Jo dhe jo!

Si mund ta shndërrojmë vendin ne në një laborator dhimbjesh dhe vuajtjesh njerëzore në një kohë kur vendi ka pasuritë më përrallore, por vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen?

Unë u them shqiptarëve se përsëri do nisim marshin tonë për të dalë në krye të vendeve të rajonit për rrogat dhe pensionet.

Asnjë vend nuk ka pasuritë e Shqipërisë, ja pse shqiptarëve u takon të jenë më të mirëshpërblyerit në rajon.

Po shqiptarët janë më të keqshpërblyerit sepse vidhen nga një bandë kriminale.

Po si mund t’ua bësh ti një akt të tillë, t’u premtosh rritjen në mars dhe prill dhe t’ua bësh vetëm në tetor për tre muaj?

Dhe të rrëmbesh paratë e tyre.

Dhe pse? Se do u jap unë një bonus atyre për vota, siç bëri.

Në këmbë shqiptarë të mos lejojmë këtë njeri të shkelmojë në këtë mënyrë mbi njerëzit e vuajtur.

Të mos lejojmë më këtë njeri të plaçkisë në mënyrë kaq të egër, kaq të pashpirt, kaq të pangopshme!

Të ndërtojë rrugët me çmime 10 herë më të larta se Kroacia.

Të ndërtojë shkollat me çmime 10 herë më të larta se Europa.

Të rrisë çmimet me politikat e tij njëlloj dhe më shumë se në Itali, Greqi, Gjermani, vende me rroga 6, 8 herë më të larta se shqiptarët.

U bëj thirrje pensionistëve të bashkohen me ne se këtë që ka bërë Edi Rama, nuk e bënte kurrë një qeveritar, një shtetar i vërtetë.

Këtë e bën vetëm një hajdut i pashpirt që vjedhjet ia kanë rrëmbyer shpirtin dhe nuk e kanë

lënë më të jetë njeri.

Të bashkohemi, t’u japim fund këtyre vuajtjeve, t’i japim fund këtij poshtërimi.

Të ndahemi nga ky armik që ka një qëllim dhe vetëm një qëllim, t’i përzejë shqiptarët, të përçajë shqiptarët, të ndezë në Shqipëri flakët e përçarjes me diskriminim krahinor, fetar dhe të gjithanshëm.

Të dashur miq, koha nuk pret, koha na thërret.

Të gjithë së bashku, të nisim betejën e pandalshme dhe ju do e shihni se si këta hajdutë do kërkojnë të gjejnë vrimën e miut ku të futen.

Nuk ka hajdut trim kurrën e kurrës.

Hajduti është hije nate që kërkon të fshihet dhe vetëm të fshihet.

Prandaj dhe thirrje guximit tonë, ndërgjegjes tonë, të ngrihemi për të ecur drejt qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, fitores së opozitës.

Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë.

Ndryshim, ndryshim, ndryshim.

O sot, o kurrë!

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale