FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN E PËRJAVSHME ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët, është shprehur se zgjedhjet e 14 majit nuk mund të njihen. Deklaratat e tij, ai i bazoi në pamjet e kamerave që kanë qenë të vendosura në vend votimet, ku shikohen manipulime të mëdha nga komisionerët socialistë dhe nga operatorët e pajisjeve PEI.
‘Ju garantoj se mbi 70-80% e qendrave në mbarë Shqipërinë kanë qenë të këtij karakteri, kaosi. Kudo punonjësi i pajisjes së identifikimit ka luajtur rolin e xhandarit të votës dhe të zgjedhësit. Aty ku ka pasur makineri votimi kanë votuar për ta. Ndaj dhe këto zgjedhje nuk mund të njihen. Këto zgjedhje janë dëshmia më e fortë, më flagrante e domosdoshmërisë jetike, për tu ngritur shqiptarët në protestë dhe për të rikthyer votën e lirë’, tha Berisha.
Gjatë pyetjeve të gazetarëve, kryedemokrati, Sali Berisha kërkoi nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Kongresi i SHBA, që të bëhet një hetim në lidhje me pasuritë e Yuri Kim në Shqipëri.
‘Ftoj përsëri Inspektorin e Përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, Kongresin e SHBA dhe FBI-në, të hetojnë për pronat e saj në Shqipëri’, tha gjatë fjalës së tij në konferencën e përjavshme për mediat, kryetari i PD-së, Sali Berisha.
FJALA E PLOTË
E them përsëri, që përsëritja e të njëjtës temë nuk është ndonjëherë atraksion për mediat, por kur është një gjë themelore, shmangia e saj përbën një gabim të pafalshëm.
Pikërisht kjo më detyron mua të paraqes për të shumtën herë tek ju, fakte dokumente të cilët demaskojnë dhe rrëzojnë në mënyrë përfundimtare, zgjedhjet e 14 majit si procesi më i shëmtuar, më i pabarabartë, si procesi në të cilin u ushtruan të gjitha format e presionit mbi zgjedhësit shqiptarë, si procesi në të cilin ditën e zgjedhjeve në qendrën e votimit me kaosin e qëllimshëm të krijuar, me pushtimin e tyre nga një lukuni e tërë punonjës administrate që u sollën si polici elektorale, politike, proces zgjedhor nuk ka pasur.
Ne po finalizojmë raportin në të cilin faktojmë të gjitha aspektet e rënda të dhunimit të këtyre zgjedhjeve. Ndaj dhe këtë bisedë me ju do ta filloj me këtë çështje.
Janë përdorur të gjitha teknikat për të maskuar, për të manipuluar zgjedhjet, faktikisht nuk ka pasur zgjedhje. Këto video i ka vlerësuar, parë KAS-i dhe i ka quajtur normale. A mund të imagjinoni ju një institucion. Kam konstatuar se armiqtë më të këqij të ligjit, janë juristët e korruptuar. Mos e harroni këtë që ju thashë.
Ligji nuk ka armiq më të egër se juristin e korruptuar. Qoftë ai gjykatës, prokuror, nëpunës, ministër, qoftë çfarë do qoftë, ai është armiku më i egër i ligjit. Këto ishin disa qendra, por ju garantoj se mbi 70-80% e qendrave në mbarë Shqipërinë kanë qenë të këtij karakteri, kaosi.
Kudo punonjësi i pajisjes së identifikimit ka luajtur rolin e xhandarit të votës dhe të zgjedhësit. Aty ku ka pasur makineri votimi kanë votuar për ta.
Ndaj dhe këto zgjedhje nuk mund të njihen. Këto zgjedhje janë dëshmia më e fortë, më flagrante e domosdoshmërisë jetike, për tu ngritur shqiptarët në protestë dhe për të rikthyer votën e lirë.
Këto kisha unë në lidhje me zgjedhjet.
Tani ju jeni informuar, Gjykata Kushtetuese dhe ajo është shndërruar në një aneks të PS-së. Ka marrë vendimet më antikushtetuese dhe ka shkelmuar në mënyrë të tmerrshme interesin publik. Duhet bërë një hetim nëse ata gjykatës kanë marrë ndonjë apartament në Dubai City të Edi Ramës, me vendimin që morën.
Të miratosh një marrëveshje e cila shkel në mënyrë flagrante marrëveshjen e stabilizim asoccimit. Ndalem këtu, sepse në kushtetutën tonë dhe jo vetëm në të, marrëveshja ndërkombëtare prevalon mbi ligjin e vendit, predominon mbi ligjin e vendit.
Të përdorësh klauzolën e Kushtetutës që thotë se marrëveshja shqyrtohet para se të votohet në parlament, është një spekulim. Sepse ka një nen tjetër Kushtetuta që zgjat afatin e shqyrtimit të ligjit në dy vite dhe marrëveshja shkon si ligj, marrëveshja thotë ligj, aq më tepër kur kjo marrëveshje është në kundërshtim të hapur me marrëveshjen e stabilizim-asoccimit dhe gjykata Kushtetuese është e detyruar ti japë përparësi marrëveshjes së stabilizim-asoccimit përpara marrëveshjes së Durrësit.
E treta, siç e dini është një marrëveshje pa garë, e cila në vetvete është në shkelje të Kushtetutës, e cila garanton në nenet dhe frymën e saj garën e hapur dhe të lirë, kjo është bërë pa garë. Dhe këto nuk janë motive për gjykatën Kushtetuese, por njëlloj si të kenë marrë ndonjë apartament në Dubai City, duke treguar një qëndrim korruptim, antiligjor të pashembullt.
Ne do ta çojmë në Strasburg marrëveshjen e portit të Durrësit.
Po kështu, kanë shtyre dhe përpiqen ta kalojnë çështjen e Butrinit. Ajo do të bëhet një çështje botërore, ndërkombëtare, dhe nuk do të pranohet kurrë një vendim i korruptuar i kësaj gjykate, sepse janë shkelur të gjitha nenet. Është gjithçka në konflikt interesi në procesin e këtij koncesioni. Në konflikt interesi.
Është një nga mega aferat më korrutive. Është shkatërrimi i një nga pasurive më të mëdha publike të shqiptarëve, që është parku kombëtar i Butrintit.
PYETJE PËRGJIGJET ME GAZETARËT
Pyetje: Përmendët pak çështjen e protestave, kur paraqitët faktet për shkeljet zgjedhore. A e keni konsultuar skenarin e protestave edhe me Ilir Metën, pasi një ditë më parë kur u shfaq në media, Meta nuk u duk shumë entuziast, sepse ai tha se duhet të reagojmë dhe qytetarët?
Berisha: Po të garantoj se po bashkëpunoj dhe Ilir Meta është jashtëzakonisht entuziast për detyrimin që ka opozita për rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve. Mbetet i palëkundur dhe Partia e Lirisë mbetet e palëkundur në këto parime. Dhe ju garantoj se jo vetëm ai, por ju garantoj se do të krijojmë frontin më të gjerë opozitar dhe do ta kryejmë këtë mision.
Pyetje: Kur do të votëbesoheni zoti Berisha?
Berisha: Sapo të përfundojë procesi i mbrojtjes së votës dhe janë afër përfundimit, do të mblidhet kryesia dhe do të përcaktojë analizën që do të bëjë PD dhe modalitetet e procedimit për këtë analizë dhe do të ju komunikohet po në këtë sallë. Ne nuk jemi, ai është skenari i Edi Ramës, mos e thuaj atë, ai është një skenar i Edi Ramës që vazhdon e vazhdon dhe siç ka dështuar do të dështojë.
Pyetje: Thatë se do të formoni koalicionin më të madh opozitar për mbrojtjen e votës. Si do të mbrohet vota, sepse i njëjti refren u dëgjua edhe para 14 majit dhe tani jemi në fazën që ju thoni, vota është vjedhur. Çfarë e bën PD që në 2025 të shkojë në zgjedhje dhe pas zgjedhjeve të mos përmendim këto që po themi tani?
Berisha: Në pamje të parë është ashtu siç thoni ju, në brendi është krejt tjetër. E vërteta është se ai premtim që ne bëmë për mbrojtjen e votës, ai po mbahet pikë për pikë. E kam shpjeguar edhe parazgjedhjeve, me mbrojtje të votës nuk nënkuptoj mbrojtjen e saj me armë. Nënkuptoj me aq mundësi sa kemi, vëzhgimin e plotë dhe nënkuptoj verifikimin, identifikimin e të gjitha shkeljeve. Evidentimin e tyre, paraqitjen e tyre në një raport para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Mbrojtja e votës është proces, nuk është një moment. Atëherë çfarë do të thotë kjo. Mbi bazën e këtyre konkluzioneve do të bëhet plani i veprimit. Plani i veprimit nuk vendoset vetëm nga unë, por vendoset nga kryesia, Këshilli Kombëtar, aleatët, i cili duhet të ketë vetëm një qëllim, që shqiptarët të votojnë të lirë. A ka votë të lirë me Edi Ramën? Votë të lirë me Edi Ramën nuk ka. Por të kthehem prap tek pyetja juaj. Është shumë e vërtetë që ka sot plot njerëz të cilët thonë, zotëri; dy gjëra kam.
E para thonë se, na premtove se do të mbrohet vota. Këtu ka një keqkuptim, cili është. Keqkuptimi është se mbase kanë menduar se do të mbrohet me forcë, por unë e kam bërë të qartë për mbrojtjen e votës si një proces dhe ky është koncepti im për mbrojtjen e votës dhe arritjen që shqiptarët të votojnë të lirë. Kjo kërkon një punë të fortë, sqaruese dhe shpjeguese me qytetarët. E dyta që është edhe kjo jo pa baza, po përsëri kërkon shpjegim të fortë. Cila është? Ju, më thonë demokratët mua; ne jemi mërzitur duke thënë në çdo zgjedhje, na i vodhën, na i vodhën. Dhe kanë të drejtë. Në pamje të parë ashtu është, por problemi është këtu se, kësaj here ne po faktojmë çdo gjë. Dhe po i faktojmë këto për të shkuar tek demokrati për ti thënë, tani këto ndodhën, hajde të arsyetojmë bashkë.
A ka mundësi opozita që të ndalojë qeverinë të dërgojë zarfin e pensionit. Jo nuk ka mundësi, vetëm në qoftëse fillon përleshjet në mes të fushatës, ose bojkoton zgjedhjet. Pra a ka mundësi opozita që të ndalojë qeverinë të rrisë rrogat në mes të fushatës, nuk ka mundësi, përderisa është qeveri ajo mund të vendosë. Për ta penguar ti do të shkosh ta përmbysësh me dhunë, por me dhunë nuk është rruga në mes të fushatës. Pra janë një seri çështjes që do të diskutohen dhe do të nxirret konkluzioni se cila është rruga. Rruga është se me këtë qeveri nuk ka zgjedhje. Atëherë nëse do ti qëndrojmë besnik misionit tonë, duhet të organizojmë lëvizjen më të fuqishme të protestave, më të qëndrueshme, që ka njohur vendi. Kjo është lëvizje për jetën ose vdekjen e demokracisë. Këtu siç e shikoni nuk ka zgjedhje, por zhvillohet vetëm farsë elektorale. Atëherë hajde të kthehemi të bëjmë betejë për të rikthyer zgjedhjet. Edhe demokratëve do të shkoj e ti takoj, se këta janë njerëz idealistë, votuan bënë, por tani duhet të vazhdojmë betejën.
Pyetje: Ambasadorja Yuri Kim tashmë është duke u larguar dhe përfundoi misionin e saj diplomatik në Shqipëri. Do të vijë një ambasador i ri amerikan në Tiranë. Cili do të jetë qëndrimi juaj ndaj tij, nëse ambasadori i ri që do të vijë do të ketë po të njëjtat qëndrime që ka pasur ambasadorja Yuri Kim që është larguar nga vendi. A do të jetë edhe ai një guvernator nëse ju për Amerikën jeni non grata?
Berisha: Së pari unë nga largimi i saj është një zhvillim shumë pozitiv. Zgjatja e qëndrimit të saj ishte një akt, një hile e neveritshme që ajo me Olta Xhaçkën dhe Edi Ramën, i bëri vendit të vet, haptas. Ajo për të zgjatur qëndrimin, për ti bërë shërbimet e fundit në këto zgjedhje dhe kundër opozitës, i kërkoi Ramës dhe Xhaçkës, që të thonë se po ikën. Shefat e saj pastaj thanë se nuk mund të na diktojnë se kur ikën, e kur rrinë, etj. Së dyti, meqenëse ajo po ikën, i thashë në parlament mesazhin që kisha. Por një gjë që nuk mu kujtua në atë moment, po ja them tani. Ftoj përsëri Inspektorin e Përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, Kongresin e SHBA dhe FBI-në, të hetojnë për pronat e saj në Shqipëri. Sikundër theksoj se, zëdhënësi i saj Edi Rama, aludoi se unë e kisha fjalën për Yuri Kim polakun. Unë nuk ngatërroj një polak me një amerikane kurrë. Nuk e kam patur kurrë fjalën për Yuri Kim polak. Por me të u dekonspirua një gjë, u tregua komunikimi që kanë ata të dy kundër meje. Tani nuk doli kush tjetër me më përgënjeshtruar mua veç Edi Ramës. Tani vetëkuptohet kjo, por unë nuk e kisha fjalën për një Yuri Kim polak. E them me përgjegjësi të plotë.
Përsa i përket ambasadorit ai është i mirëseardhur. Unë nuk pres që ai të ketë politikë të ndryshme nga ato që e udhëzon vendi i tij, ai përfaqëson këtu interesat e vendit të tij. Por natyrisht është shumë pozitive që ai nuk ka lidhje me McGonigal, nuk ka asnjë lidhje dhe kjo është një gjë pozitive për mua. Unë jam person që kam deklaruar se nuk bëj lobing, pra nuk mund të kem asnjë pretendim ndaj ambasadorit të ri të SHBA. E vërteta është se 3 muajt e parë nuk kam thënë asnjë fjalë të vetme kundër zonjës për çështjen time, sepse DASH me zëdhënësin e tij bëri të qartë burimet se nga i kishte marrë gënjeshtrat dhe mashtrimet për sanksionimin tim. Më vonë ajo u angazhua në mënyrën më fanatike, më të korruptuar kundër opozitës dhe unë ja kam kthyer ashtu siç kam gjykuar unë në mënyrë të përshtatshme në të gjitha rastet. Ajo gjeti terren këtu, një qeveri të inkriminuar deri në palcë, ajo gjeti terren njerëz që i kishte me dosje gjer në qiell si Edi Rama dhe të tjerë, ndaj dhe mori ato role që nuk i përkisnin kurrë. Erdhi puna në fund, përfundoi zëdhënësi i saj, Edi Rama thoshte që, ai Yuri Kim është polak. Ku e di ai se për cilin Yuri Kim e kisha fjalën unë, ç’punë kisha unë me polakun. E hapi fare çështjen. Vetëm tregoi se konspirojnë njëri me tjetrin.
Pyetje: Ju keni deklaruar se në Korrik do të ketë zhvillime nga drejtësia amerikane për çështjen McGonigal. Çfarë pritet të ndodhë, sipas informacioneve që ju keni.
Berisha: Nuk kam asnjë të dhënë konkrete, përveç atyre që janë publike dhe atyre që kanë thënë zyrtarët e lartë të SHBA, që çështja Mcgonigal është një hetim penal i hapur. Çështja McGonigal ka dy dosje, ka dosjen shqiptare dhe dosjen ruse. Thuhet tani se, ka një bashkim të këtyre dy dosjeve dhe fijet e saj çojnë përtej korrupsionit dhe fijet e saj çojnë në lidhje krejt të tjera. Të presim, kemi drejtësi të plotë te drejtësia e SHBA. Ajo që bie në sy janë qëndrimet totalisht të dezekulibruara të Edi Ramës, me të cilat përpiqet të kapet pas çdo gjëje që të mund të bëhet i rëndësishëm. Druaj shumë se edhe prapa sulmit që u bë në kampin e Ashraf 3, të ketë një peshë të veçantë specifike, dosja e tij McGonigal. Druaj shumë, po e ndjekim.
Pyetje: Z. Berisha. Në fjalën tuaj, thatë se do të krijojmë frontin më të gjerë opozitar që është krijua. A mund të jetë pjesë e këtij fronti edhe Lulzim Basha që nuk ka dyshim se do të marrë PD dhe një bashkëpunëtorja juaj në nisje të Foltores, Evi Kokalari, që ka thënë se do të bëjë parti?
Berisha: Tani ti po më pyet mua a do të jetë Taulant Balla në frontin opozitar. Po leje atë punë, mos bëj shaka, ç’punë ka Lulzim Brava me opozitën. Ai gjithë kohën ishte në Roterdam, votat i mori kali i Timurlegut, i mori logoja. Ai është akuzë e tmerrshme për Edi Ramën.
Pyetje: Po Evi Kokalari …
Berisha: Tani unë jam këtu për të komentuar për realitet aktuale. Unë nuk paragjykoj, por marr realitet aktuale. E vërteta është se ajo aktualisht nuk është më një bashkëpunëtore sepse zgjodhi vetë të mos jetë bashkëpunëtore dhe unë respektoj çdo vendim që merr kush.
Pyetje: Ju deklaruat se armiku më i keq i ligjit është juristi i korruptuar përsa i takon çështjes së KAS. Kush janë këta juristë të korruptuar dhe sa i takon vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Deklaruat se duhet një hetim nëse ata anëtarë mos kanë marrë ndonjë apartament sa i takon këtij projekti. Keni ju informacione?
Berisha: Tani, lidhur me juristë, në gjithë memorien time shkeljet më të tmerrshme pas vrasësve, pengmarrësve, përdhunuesve të ligjit, e bëjnë prokurorët, gjykatësit apo zyrtarët e tjerë. Pse? Sepse unë di gjykatës që kanë liruar tjetrin pasi ka vrarë djalin e ri në shkallët e veta. Di prokurorë që nuk ka mbyllur dosjen se ka marrë 200 mijë euro dhe ka shpëtuar vrasësin nga dënimi. Ka të tjerë siç i lexoni dhe ju që shesin dosjen. Shitja e dosjes, sekretit hetimor është absolutisht akt ndër më kriminalet. Dhe do të them një gjë, nga eksperienca. Nëse do të gjykosh për perfomancën e një institucioni akuze, në radhë të parë gjykon nga ajo që quhet rrjedhje. Rrjedhja nuk është gjë tjetër veç se shitje dosje në bashkëpunim me krimin. Mirëpo këta janë njerëz të ligjit dhe këta duhet të jenë guardianë kryesorë të tij. Për këtë sektor. Tani marrim tjetrën. A e pe këtë të KAS. Është jurist ai. Nëse ka një armik të egër ligji, ka këtë që i thotë të, zezës të bardhë dhe të bardhës të zezë. I jepet fleta e votimit, në të cilën shkruhet ‘bravo fitove’ është socialiste, normale thotë e vlefshme. Fleta tjetër ka një vizë këtu, ka një pikë që është bërë për tu prishë. E pavlefshme, se është demokrate. Po duhet të kesh ndërgjegjen blozë, të jesh pa asnjë lloj personaliteti që të sillesh në këtë mënyrë. Ndaj dhe unë them se armiqtë më të egër të ligjit, janë juristët të cilët kanë humbur çdo element të ndërgjegjis profesionale. Unë nuk them se janë të gjithë juristët, jo, por ata juristë që vendosin ta përdorin ligjin për interesa të tyre, ata janë armiqtë më të egër sepse kanë në dorë më shumë se të tjerët.
Berisha: Gjithçka është në diskutim dhe vendimet do të merren në javët e ardhshme. Si problem që e shtroni ju qëndron, por do të vendoset në javët e ardhshme.
Pyetje: Pasi z. Boçi kandidoi në Elbasan dhe la mandatin e tij, ju nuk keni më një drejtues grupi parlamentar. Ju po punoni për të zgjedhur një të ri, apo ka bisedime, negociata me deputetë të tjerë që nuk ju kanë mbështetur në shtator, dhe do të ketë një grup parlamentar më të madh?
Pyetje: Keni ndonjë ofertë z. Berisha për 17 deputetët që nuk mbështetësin zgjedhjen e Bashës.
Berisha: Për mendimin tim, nuk është se nuk mbështetën kandidimin e Bashës, por nuk mbështetën skenarin e Ramës. Ti themi gjërat me emrin që kanë Anisa, dhe ata konfirmuan opozitarizmin e tyre ndaj skenarit të Edi Ramës. Nuk ka si të mos vlerësohet kjo, padiskutim.
Pyetje: Bardhi, sekretari i Përgjithshëm i PD zyrtare, deklaroi se me Sali Berishën kandidat për kryeministër në vitin 2025, ai nuk do ti bashkohej, afrohej me ju. Do të jeni kandidat në 2025, apo do të shikoni dhe mundësinë për të nxjerrë një kandidat tjetër për kryeministër.
Berisha: Nuk jemi larg me Gazin në këtë rast, se çfarë kam deklaruar unë. Unë kam deklaruar se, edhe pasi të fitojë zgjedhjet PD, do të ketë një votim primare për kryeministër. Atëherë nëse shqiptarët votojnë masivisht Sali Berishën për kryeministër, unë besoj se çdo demokrat do ti nënshtrohet votës. Por, këtë detyrim e ka Sali Berisha. E kam thënë që në fillim, që në dy vitet e para, do të ketë një votë për kryeministër, dhe këtu jemi afër. Asnjë njeri nuk mund të kundërshtoj, ta zëmë, po të jetë masive për mua.