FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME KRYESINË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e kryesisë se opozita ndodhet në një moment vendimtar përballë, regjimit autokratik, duke theksuar se qëndresa e demokratëve ka bërë që zëri i saj të dëgjohet më fort se kurrë në arenën ndërkombëtare. Në fjalën e tij, ai u shpreh se Shqipëria po përjeton një realitet të deformuar nga propaganda dhe kontrolli i informacionit. ‘Mblidhemi në një moment kur, në kushtet e një regjimi autokratik dhe një presioni të gjithanshëm ndaj qytetarëve, bëhet gjithçka për një Shqipëri pa opozitë,’ tha ai, duke shtuar se ‘bëhet gjithçka për të maskuar dramën e vërtetë në të cilën kalon demokracia dhe e tërë shoqëria shqiptare’.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati akuzoi drejtpërdrejt qeverinë dhe Edi Ramën për kontroll mbi institucionet dhe mediat, duke e cilësuar situatën si ‘narkoshtet’ dhe ‘mafie e fjalës së lirë’. Sipas tij, përpjekjeve të opozitës ‘për t’iu përgjigjur dhëmb për dhëmb kësaj situate, u kundërvihet narkoshteti me të gjithë institucionet e tij’. Berisha vlerësoi qëndresën e mbështetësve të PD-së, 0duke theksuar se kjo ka sjellë një mbështetje të fortë ndërkombëtare. ‘Kjo qëndresë ka bërë që zëri i opozitës të dëgjohet sot më shumë se kurrë. Ky zë ka marrë mbështetjen më të fuqishme ndërkombëtare,’ u shpreh ai, duke përmendur miratimin e tetë rezolutave nga partnerët europianë që, sipas tij, denoncojnë problematikat në Shqipëri.
Duke iu referuar raportit të PE-së për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se raportet e Parlamenti Europian konfirmojnë shqetësimet e opozitës mbi proceset zgjedhore dhe funksionimin e shtetit ligjor. ‘Vota e plaçkitur ka marrë ndëshkimin më epror në tempullin e demokracisë evropiane,’ tha ai, duke shtuar se raporti evidenton ‘fushë të pabarabartë, keqpërdorim të administratës dhe ndërthurje të partisë me shtetin’. Ai e cilësoi Edi Ramën si ‘një bishë të plagosur’. ‘Edi Rama është një bishë e plagosur, nuk e merr më veten kurrë. Kjo sepse Shqipëria ka opozitë të vërtetë,’ deklaroi ai, duke shtuar se ndryshimi politik është i pashmangshëm nëse opozita vazhdon qëndresën.
Kreu i PD-së Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim maksimal në protestën e 8 Majit, duke e cilësuar atë si një moment kyç. ‘Kryengritja paqësore e datës 8 duhet të jetë më madhështorja dhe më e fuqishmja që kanë parë shqiptarët,’ u shpreh ai, duke ftuar mbështetësit ‘të ngrihen fuqishëm sepse zëri i tyre jehon në mbarë Europën’. Ai u ndal edhe te organizimi i brendshëm i partisë, duke kërkuar intensifikimin e përpjekjeve për anëtarësime të reja dhe përgatitjen e Kuvendit Kombëtar. Ai theksoi rëndësinë e modernizimit dhe hapjes së PD-së, duke e cilësuar atë si ‘parti e anëtarëve të saj’.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli edhe për garën brenda partisë. Ai theksoi se PD mbetet e përkushtuar ndaj parimit ‘një anëtar, një votë’, duke e cilësuar atë si mënyrën më dinjitoze për të respektuar anëtarësinë. ‘Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet parti e hapur ndaj garës më eprore… parti e votës së lirë të anëtarëve të saj,’ deklaroi ai. Në fund, Berisha nënvizoi se nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në krijimin e kandidaturave. ‘Kurrë në jetën time nuk kam tentuar dhe nuk do të tentoj të krijoj kandidaturë. Refuzoj në mënyrë kategorike praktikën që kandidati të përpiqet të zgjedhë rivalin,’ u shpreh krydemokrati Sali Berisha, duke shtuar se PD nuk do të krijojë ‘kandidatura kallpe’, por do të mbështesë gara të lira dhe të ndershme.

FJALA E PLOTE
Mirëdita dhe përshëndetje.
Mblidhemi në një moment të veçantë, mblidhemi në një moment kur PD në kushtet e një regjimi autokratik, në kushtet e një presioni dhe terrori të gjithanshëm ndaj qytetarëve shqiptarë, bëhet gjithçka për një Shqipëri pa opozitë.
Bëhet gjithçka për konsolidimin në mendjen e qytetarëve nga mafia e fjalës së lirë, mafia qeveritare e fjalës së lirë, një realiteti që nuk ekziston në Shqipëri.
Bëhet gjithçka për të maskuar, për të sfumuar dramën e vërtetë në të cilën kalon jo vetëm demokracia e shndërruar tashmë në autokraci, por e tërë shoqëria shqiptare.
Përpjekjeve të PD për t’iu përgjigjur kësaj situate dhëmb për dhëmb, i kundërvihet narkoshteti me të gjithë institucionet e tij.
U kundërvihen mediat e kontrolluara nga qeveria, mafie e fjalës së lirë dhe e të vërtetës.
Por, mendoj se është në meritën më të madhe të demokratëve, të PD-së, simpatizantëve dhe mbështetësve të saj, që kanë zgjedhur qëndresën.
Kanë zgjedhur kryengritjen paqësore.
Kanë zgjedhur të qëndrojnë të pamposhtur ndaj këtij regjimi.
Dhe e vërteta është se është kjo qëndresë, kjo platformë që kemi zgjedhur, e cila ka bërë që zëri i opozitës të dëgjohet sot më shumë se kurrë në ekzistencën e saj.
Ky zë ka marrë mbështetjen më të fuqishme ndërkombëtare. Natyrisht në partitë e spektrit tonë, por si për asnjë forcë tjetër politike në Europë janë 8 rezoluta, të cilat denoncojnë të këqijat e mëdha që ne denoncojmë çdo ditë dhe përballemi çdo ditë.
Janë 8 rezoluta si për asnjë forcë tjetër politike që kanë zbërthyer në mënyrë të plotë dhe përfundimtare diktaturën autokratike të Edi Ramës në Shqipëri, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, farsat zgjedhore, terrorin politik, arrestimet politiket dhe bashkëpunimet në të gjitha nivelet, në nivelet më të larta të pushtetit duke nënkuptuar Edi Ramën, Bajram Begajn, Niko Peleshin me organizatat më të rrezikshme të krimit të organizuar.
Të gjitha këto do të ishin të pamundura pa zërin tonë, pa qëndresën tonë.
Do ishin inekzistente në qoftë se ne pranonim një rol fasadë.
Të gjitha këto faktojnë që ne jemi shpresa e vetme për këtë vend.
Të gjitha këto janë një frymëzim dhe obligim për ne për të vazhduar me vendosmërinë më të madhe qëndresën tonë.
Për të qëndruar të pamposhtur.
Po vij tani nga konferenca e shtypit me gazetarët dhe bisha është plagosur, këtë mund t’u them.
Edi Rama është një bishë e plagosur, nuk e merr më veten kurrë.
Dhe kjo sepse Shqipëria ka opozitë të vërtetë.
Kjo nuk do ndodhte kurrë pa një opozitë të vërtetë në Shqipëri.
Pa një opozitë të vërtetë në Shqipëri, mospëlqimet do shpreheshin se këtë moral kanë shqiptarët.
Do triumfonin se pengmarrja është morali i shqiptarëve.
Se imuniteti është interpretim alla-shqiptar dhe jo detyrim kushtetues.
Se korrupsioni është mjedisi i tyre.
Pra, po ndalem këtu për të theksuar se çfarë rëndësie të jashtëzakonshme ka pasur qëndresa jonë, kanë pasur protestat tona. Dhe do kenë.
Kjo rëndësi është shprehur në mënyrën më të vendosur nga komuniteti ndërkombëtar.
Ju jeni dëshmitarë se si kurrë ndonjëherë më parë në këtë vend në një hark kohor tremujor erdhën dy misione faktmbledhëse nga më të rëndësishmet.
Erdhi misioni i Parlamentit Europian, i përbërë nga deputetë të gjithë spektrit politik, i kryesuar nga kryetari i komisionit të jashtëm.
Pra, një mision faktmbledhës, iu dha pesha dhe rëndësia maksimale.
Erdhën, verifikuan, konstatuan me objektivitet problematikat e mëdha të Shqipërisë, të denoncuara prej nesh, por ne prapë ne përfaqësojmë spektrin politik që përfaqësojmë.
Por ajo që është e rëndësishme, se ato u përqafuan nga i tëri spektri politik i Parlamentit Evropian.
Dhe kjo është një arritje e madhe për ne.
Pas një pune shumë këmbëngulëse, shumë serioze, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian ka diskutuar sot raportin.
Edi Rama nxin në çdo paragraf pothuaj të këtij raporti.
Dhe ne kemi një mirënjohje të pakufishme ndaj këtij komisioni, ndaj misionit faktmbledhës për seriozitetin dhe objektivitetin që kanë treguar.
Edi Rama është i plagosur, nuk shërohet më kurrë.
Shqiptarët duhet ta dinë mirë.
Ai mbijeton vetëm në qoftë se ne e falim dhe e kursejmë.
Por ne nuk do e bëjmë këtë kurrë.
E lexova më parë, por po ua lexoj edhe ju këtu, vetëm dy paragrafë.
Paragrafi i zgjedhjeve thekson, mban shënim se Komisioni dhe raporti i OSBE/ODIHR vlerësojnë se kuadri ligjor elektoral i Shqipërisë si gjerësisht si të përshtatshëm për të zhvilluar zgjedhje kompetitive.
Ndërkohë theksojnë shqetësimet e lidhura me fushën e pabarabartë, keqpërdimin e burimeve të administratës, shuarjen e vijës midis institucioneve shtetërore dhe strukturave të partisë.
Raporti konfirmon partinë-shtet. Monstër. Partia-shtet është monstra e një regjimi, është monstra elektorale, është monstra e lirisë së qytetarëve.
Në qoftë se kërkohet një monstër në kuptimin e vërtetë të fjalës, ajo e ka emrin parti-shtet dhe ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për diagnozën, për konstatimin që i gjithë spektri politik i Parlamentit Europian i ka bërë situatës.
Theksohen akuzat për blerjen e votës, presionin mbi zgjedhësit dhe kërkon që mazhoranca dhe opozita të ndjekin në mënyrë konstruktive dhe inkluzive reformën elektorale, çka ne po e bëjmë me seriozitetin më të madh.
Por për ne si opozitë, për shqiptarët kjo është një arritje e madhe.
Vota e tyre, e plaçkitur, ka marrë ndëshkimin më epror që mund të marrë në tempullin e demokracisë evropiane.
Nuk janë këto fjalë të Sali Berishës apo të bashkëpunëtorëve të tij, por këto janë fjalë të parlamentit evropian të të gjithë spektrit.
Sepse të gjithë bashkohen në atë që quhet shtet ligjor.
Dhe pa votë të lirë, nuk ka shtet ligjor.
Por gjithashtu nxin në raport Lubi Balluku, Olta Xhaçka dhe kriminelë të tjerë në parlament, përveç Edi Ramës, ai po e po.
Raporti thotë, rikujton se imuniteti parlamentar është pjesë e rrjetit kushtetues të përcaktuar që të sigurojë funksionimin e mirë të institucioneve demokratike, por thekson se çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret strikt në përputhje me përcaktimet e Kushtetutës dhe procedurat e vendosura ligjore pa ndërhyrje politike.
Ja ku del Edi Rama këtu me Lubi Ballukun.
Pa ndërhyrje politike dhe pa vonesa.
Dhe atëherë këta mashtrues ordinerë dalin dhe u thonë shqiptarët se po padisin opozitarët në Bruksel e këndej dhe andej.
Ja ku janë.
Nuk është padi kjo.
Ata ishin në Shqipëri. I kërkuan zyrtarisht Edi Ramës, u ul në gjunjë si lëngaraq, bëri figurën më poshtëruese për veten e tij që t’i heqë këto.
Por nuk ka, nuk lëvizin.
Këto janë të vërteta që nuk mund t’i fshehë kush kurrë.
Dhe unë mendoj se këto duhet të frymëzojnë sot çdo shqiptar të qëndrojmë, të qëndrojmë, të qëndrojmë.
Edi Rama dhe njëherë është i plagosur. Nuk e merr më veten.
Ngado që të shkojë, çfarëdo që të bëjë.
Ndaj dhe të dashur anëtare dhe anëtarë të kryesisë, këto pak ditë që kanë mbetur duhet ta bëjmë natën ditë për të organizuar kryengritjen më madhështore që kanë parë shqiptarët.
Ju e patë vetë, unë sot zgjodha për të folur këtë, se këtu flet i gjithë spektri politik i Europës.
Por rezoluta e IDU dhe miqtë tanë që takuam, ndajnë një për një të gjitha mendimet dhe qëndrimet tona ndaj këtij regjimi.
Kështu që kjo periudhë që na ka mbetur, është e domosdoshme që kryengritja paqësore e datës 8 të jetë më madhështorja, më e fuqishmja.
Dhe ftoj të gjithë demokratët, të gjithë mbështetësit tanë të ngrihen fuqishëm sepse zëri i tyre dëgjohet absolutisht më fort se kurrë sot dhe nuk është më një zë i vetmuar në shkretëtirë, por është një zë që jehon në mbarë Europën dhe tek njerëzit e lirë kudo në botë.
Tani, siç e dimë, jemi në muajin elektoral.
Zgjedhjet në tërësi kanë ecur, ka pasur probleme në ndonjë vend, të cilat po zgjidhen në mënyrën më demokratike dhe më të drejtë.
Por duhet të ngremë një grup për përgatitjen e Kuvendit Kombëtar të PD, i cili u avancua një javë për shkak të sallës, që ta dini.
Nuk kishte mundësi në asnjë sallë atë datë që caktuam, përveçse ta bënim jashtë, por besoj se ai vendim është bërë i ditur.
Natyrisht duhet tani një grup pune për përgatitjet.
Dhe grupet e punës që punojnë me statutin.
Grupet e punës që punojnë me të gjitha problematikat tani duhet t’i finalizojnë punët e tyre.
Duhet të vazhdojmë me të gjithë përpjekjet tona për anëtarësime të reja, për hapjen e PD.
Duhet të vazhdojmë me të gjithë përpjekjet tona modernizimin e PD.
Dy fjalë do të them para se ju të nisni punën.
Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet në mënyrë absolute parti e hapur ndaj garës më eprore.
Partitë që zgjedhin kryetarët me një anëtar, një votë, nuk janë shumicë, por janë pakicë. Janë një pakicë që po rritet. Kanë qenë shumë pak, po bëhen më shumë, përsëri janë pakicë.
Por natyrisht, nuk ka mënyrë më dinjitoze të përfilljes së anëtarësisë sesa t’i ftosh ata të votojnë për kryetarin e degës, për kryetarin e partisë e me radhë.
Kështu që në këtë, në këtë kuadër ne kemi instaluar me kohë, jemi dhe do mbetemi në mënyrë të hekurt partia e garës së lirë, partia e garës së ndershme, por themelore, partia e anëtarëve të saj.
Të qëndrosh partia e anëtarëve të saj do të thotë t’u japësh të drejtë atyre të shprehen dhe do të thotë të votohen ata që mbrojnë interesat e tyre dhe që i zgjedhin ata dhe jo t’ia caktojë kush të tjerë. Kjo nuk mund të ndodhë. Kjo nuk ndodh.
Ndaj dhe në përputhje me këtë parim, ne mbetemi të vendosur.
Partia tjetër, siç e shihni ju, nga viti 2009 e deri sot nuk ka votuar asnjëherë. Në statut e ka si ne. E ka si ne. Një anëtar, një votë. Po, Edi Rama ka alergji absolute nga vota.
Nga vota.
Ndaj dhe ai nuk bën votë. E ka përjashtuar votën nga partia. Partia jonë nuk e përjashton kurrë votën.
Por një gjë do t’ju them të dashur miq. Kurrë në jetën time nuk kam tentuar dhe nuk do të tentoj kurrë të krijoj kandidaturë.
Atë te Sali Berisha mos e prisni kurrë dhe jua them prapë këtu. Në mënyrë absolute, gjerë sot, nuk i kam thënë njeriut të kandidojë. Asnjëherë.
Nuk i kam thënë kurrë Lulzim Bashës të kandidojë.
S’i kam thënë kurrë Sokol Olldashit të kandidojë, të ndjerit Olldashit të kandidojë.
S’i kam kërkuar kurrë Uran Butkës të kandidojë me mua. Jo.
S’i kam kërkuar kurrë Ibsen Elezit të kandidojë.
Refuzoj në mënyrën më kategorike praktikën që kandidati të përpiqet të zgjedhë rivalin. Nuk ka gjë më të papranueshme. Dhe cilido që i ndjek këto gara, shumë thjesht, le të shohim, janë me një, janë me dy kandidatë, por e vërteta shumica, të themi atë që është, shumica dërrmuese e atyre që janë një anëtar një votë, nuk janë me shumë kandidatë.
Pse? Sepse personalitetet që do të donin të kandidonin, vlerësojnë shanset e fitores. Dhe kjo ata i frenon për të marrë përsipër një rezultat të dytë. Asnjë arsye tjetër nuk ka. Asnjë arsye tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë. Por kandidatë falso s’mund të krijoj. Kjo besoj jemi dakord.
Në përzgjedhjen e kandidatëve ka kritere. Madje ka forca politike që kanë kritere edhe të forta. Ne jo, nuk kemi kritere të forta. Ne kemi kritere, ato që janë përcaktuar. Dhe ju do t’i vlerësoni, do të bëni vlerësimin e tyre.
Pra, Partia Demokratike ka qenë, është dhe do jetë partia e garës, parti e anëtarëve të saj, e votës së tyre. Cilido.
Por nuk do jetë kurrë parti e kandidaturave kallpe. Nuk krijojmë ne kandidatura. Nuk i kam thënë, nuk i kam thënë kurrë Ibsen Elezit, kandido, por rival, ka kandiduar vetë.
Dhe e dëgjoj, pavarësisht çfarë thotë, po ai vetë ka kandiduar dhe ka qenë, ju e dini, ka qenë me funksione jo të vogla.
Pra, kaq kisha për të thënë.


