Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Vuçiç ishte kukull e Putinit, bashkë me Ramën bëri gjithçka për ndarjen e Kosovës! Populli serb rrëzoi një nga figurat më të zeza politike në Ballkan

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur humbjen e Aleksandër Vuçiçit në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të errëta të politikës në Ballkan dhe aleat të Vladimir Putinit. Sipas rezultateve paraprake të bëra publike nga vetë Vuçiçi, lista e studentëve fitoi zgjedhjet, duke i dhënë një goditje të fortë pushtetit të tij.   ‘Dje, populli serb, me votën e tij nxori nga pushteti njërin nga figurat më të zeza të politikës në Ballkan pas Sllobodan Millosheviçit’, deklaroi Berisha.

Kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi Vuçiçin se e shndërroi Serbinë në një mbështetje të fuqishme të Rusisë në rajon pas agresionit ndaj Ukrainës. ‘Aleksandër Vuçiç ishte një kukull e Vladimir Putinit në Ballkan’, u shpreh ai.  

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha deklaroi se, Vuçiçi dhe Edi Rama bashkëpunuan për ndarjen e Kosovës, duke përmendur edhe nismën e Ballkanit të Hapur. ‘Ai, me gangsterin tjetër të Ballkanit, narkodiktatorin e Tiranës, Edi Rama, bëri gjithçka për ndarjen e Kosovës’, deklaroi kryedemokrati. Sipas tij , humbja e Vuçiçit përbën një goditje të rëndë politike edhe për Ramën, të cilin e cilësoi si aleatin e tij në Tiranë. Ai i bëri thirrje kryeministrit shqiptar të nxjerrë mësime nga zhvillimet në Serbi.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha përshëndeti edhe rezultatin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët, pas bashkimit në një koalicion, fituan dy mandate në parlamentin serb, me mundësinë për një mandat të tretë. ‘Përfaqësimi i shqiptarëve, qytetarët më të shtypur në Evropë, me dy apo tre deputetë në parlament, është një ogur i bardhë për ta dhe për të gjithë shqiptarët’, tha lideri i demokratëve Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:

Dje, populli serb, me votën e tij nxori nga pushteti njërin nga figurat më të zeza të politikës në Ballkan pas Sllobodan Millosheviçit, njeriun që prej vitesh duhej të ishte në burgun ndërkombëtar të Hagës, Aleksandër Vuçiç, ish-badigardin e Sheshelit, birin e tij shpirtëror, pasardhësin e tij.

Pjesëmarrës aktiv në gjenocidin serb në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci.

Një nga organizatorët e safarit vrasës të myslimanëve në Sarajevë.

Iniciatorin e nismës fatkeqe për t’i dhënë strehë dhe për të fshehur gjatë viteve në kërkim nga drejtësia ndërkombëtare kasapit të Bosnjes, Ratko Mlladiç.

Organizatorin e vrasjeve politike të udhëheqësve të serbëve në Kosovë, Oliver Jovanoviçin.

Serbomadhin që edhe dy vite më parë deklaronte në Zubin Patok dhe Zveçan se Serbia do të bëhet më e madhe dhe që dërgonte grupe terroriste në Kosovë.

Në zgjedhjet që sapo humbi, ai pasi varrosi në Beograd me ceremoni shtetërore Ratko Mlladiç, kasapin e Srebrenicës dhe Vukovarit, duke vrarë për së dyti viktimat e gjenocidit dhe duke lënduar rëndë ndërgjegjen e njerëzve të lirë në mbarë botën, brodhi me fantazmën e Ratkos së tij nga fshati në fshat, nga qyteti në qytet të Serbisë për të mbledhur vota.

Aleksandër Vuçiç ishte një kukull e Vladimir Putinit në Ballkan, i cili pas agresionit rus ndaj Ukrainës, e shndërroi Serbinë në prapavijë të fuqishme të Rusisë në rajon.

Ai, me gangsterin tjetër të Ballkanit, narkodiktatorin e Tiranës, Edi Rama, bëri gjithçka për ndarjen e Kosovës, organizuan atentate ndaj udhëheqësve politikë në Kosovë dhe Shqipëri, ndërmorën nisma të porositura nga Kremlini si Ballkani i Hapur, u akuzuan se bashkëpunonin ngushtë në trafiqe kriminale drogë e të tjera ndërkombëtare në komunat në veri të Kosovës.

Por dje, atë që për dekada nuk e bëri komuniteti ndërkombëtar, e bëri me një meritë të pamohueshme rinia dhe kombi serb, që mençurisht përmbysi nga froni bajlozin e krimit dhe de facto e dorëzoi në Hagë.

Përveç kësaj, dje serbët në meritën e tyre të pamohueshme me votën e tyre realizuan funeralin e partisë simotër të partisë së krimit në Shqipëri, partisë së Sllobodan Millosheviçit të kryesuar nga Ivica Daçiç, të cilën e lanë jashtë parlamentit.

Gjithashtu, theksoj se Aleksandër Vuçiç i thirri mendjes dhe zgjodhi jo rrugën e Çausheskut, por humbjen e thellë dhe burgun për krimet e tij.

Studentët, kauza e tyre fitoi.

Uroj që zoti Stradanoviç në interesin më të mirë të zgjedhësve dhe vendit të tij të ndjekë një politikë të fqinjësisë së mirë, pro-perëndimore dhe të shkëputet nga politika vasale ndaj Kremlinit.

Së fundi, rrëzimi i autokratit të Beogradit nga pushteti prej qytetarëve të Serbisë është një goditje e rëndë në brez për argatin e tij në Tiranë, narkodiktatorin Edi Rama, Padrinon e Shqipërisë që qeveris i bazuar në lidhjet e krimit, kartelet e drogës dhe vjedhjen e shqiptarëve si dhe duke shtypur me metoda policore terroriste studentët dhe qytetarët shqiptarë.

Uroj që Edi Rama të mësojë nga padroni i tij dhe të zgjedhë sa më shpejt midis fatit të padronit të tij në Beograd dhe Çaushit të Beogradit.

Por unë sot kam një urim shumë të përzemërt në emër të PD dhe në emrin tim për shqiptarët e Luginës së Preshevës, rezultatin e tyre historik në zgjedhjet e djeshme në parlamentin e republikës së Serbisë.

Ata, pas bashkimit në një koalicion të vetëm, fituan dy mandate dhe kanë të tretin të mundshëm.

Përfaqësimi i tyre, përfaqësimi i shqiptarëve, qytetarët më të shtypur në Evropë, me dy apo tre deputetë në parlament, është një ogur i bardhë për ta dhe për të gjithë shqiptarët.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale