Berisha: Votuam për ngritjen e komisioneve për dy arsye themelore, edhe pse me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira

Duke folur në sallën e parlamentit, pas votimit për ngritjen e dy komisioneve parlamentare, kryetari i Partisë Demoratike, Sali Berisha sqaroi arsyet pse opozita mbështeti nismën, ndonëse, sipas tij, me Edi Ramën ‘nuk ka zgjedhje të lira’.

Ai theksoi se vendimi u mor për dy arsye kryesore:

Së pari, për të reflektuar në ligj rekomandimet e OSBE/ODIHR, të cilat ai i cilësoi ‘të drejta dhe të rëndësishme’. Berisha kujtoi se raporti i fundit i këtij institucioni e dënoi procesin zgjedhor të 11 majit si ‘farsë e shëmtuar’, ndaj opozita ndjehet e detyruar t’i marrë seriozisht sugjerimet e tij.

Së dyti, Berisha kritikoi ashpër reformën territoriale të qeverisë, të cilën e quajti ‘antireformë’ që ka krijuar ‘pabarazi maksimale’ mes qarqeve, duke sjellë shembullin e Tiranës me 1 milion banorë e vetëm 4 njësi, krahasuar me Gjirokastrën që ka 7. Ai paralajmëroi se opozita do të kërkojë rishikimin e plotë të kësaj reforme, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare.

FJALA E PLOTE:

Ne sot votuam ngritjen e këtyre dy komisioneve për dy arsye themelore.

Së pari janë një seri e pafundme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të cilat ne i kemi pranuar dhe besojmë se janë të rëndësishme.

OSBE/ODIHR ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi në mënyrë përfundimtare si një farsë e shëmtuar zgjedhore, zgjedhjet e 11 majit.

Në këtë kontekst, ne ndjehemi të detyruar ndaj tyre që orientimet e drejta dhe rekomandimet e drejta, t’i kthejmë në ligj, ndonëse deklarojmë se në mënyrë absolute me Edi Ramën, shqiptarët nuk do votojnë kurrë si qytetarë të lirë.

Kjo është e vërteta.

Së dyti, reforma territoriale ishte një antireformë, në të cilën u vendosën standardet e pabarazisë maksimale.

Mjafton të rikujtoj këtu se qarku i Gjirokastrës me 120 mijë banorë ka 7 njësi, qarku i Tiranës me mbi 1 milion banorë ka 4 njësi.

Sigurisht që ne do bëjmë gjithçka që këto padrejtësi maksimale të largohen, të anulohen dhe kjo me ndihmën e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Pra, kjo është arsyeja se pse ne i votuam këto dy komisione, ndonëse me bindjen më të thellë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, me Edi Ramën nuk ka votë të lirë.

Është vetëm vendimi i qytetarëve ai që do u rikthejë shqiptarëve votën.

Është përpjekja e opozitës ajo që do u rikthejë shqiptarëve votën.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale