Berisha voton: Ripërtëritje do të thotë vizioni, do të thotë një modernitet i PD dhe një organizim shumë më i fuqishëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur për gazetarët pasi votoi për anëtarët e Këshillit Kombëtar, theksoi se ‘ripërtëritja’ e PD përfaqëson një vizion të ri politik, modernizim të strukturave dhe forcim të organizimit të partisë.

Ai vlerësoi listat e kandidatëve si përfaqësuese të një elite të re politike dhe nënvizoi se procesi i ndryshimeve do të shtrihet në të gjitha nivelet e partisë, nga baza deri te drejtimi qendror, duke e konsideruar votën si elementin vendimtar të këtij procesi transformimi.

Prononcimi për gazetarët:

Vazhdon Kuvendi i gërshetuar me fjalimet dhe votimet, të cilat janë të domosdoshme si procese.

Por unë jam i bindur se këto lista përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike të Shqipërisë, përfaqësojnë një ripërtëritje në frymën e këtij Kuvendi si Kuvendi i ripërtëritjes.

Listat pra janë nga më dinjitozet. Natyrisht shumësia e kandidaturave e bën të vështirë zgjedhjen, të jemi realistë sepse ka kandidatura të shkëlqyera.

Pyetje: Se u vonuat…

Sali Berisha: U vonova se i kanë ndarë kësaj here, edhe mirë kanë bërë, i kanë ndarë në votimin veçmas për burrat, veçmas për zonjat dhe veçmas për të rinjtë.

Besoj se kanë vepruar drejt në mënyrë që përqindjet e tyre dhe kuotat e tyre të respektohen. Uroj që gratë të arrijnë në 40% edhe është një detyrim statutor të rinjtë të jenë sa më të pranishëm. Pra dhe kaq, unë do shkoj të vazhdoj të dëgjoj fjalimet.

Pyetje: Një ripërtëritje çfarë do të thotë? Do të prekë kjo të gjitha strukturat dhe forumet e Partisë Demokratike apo vetëm Këshillin Kombëtar?

Sali Berisha: Ripërtëritje do të thotë vizioni, do të thotë një modernitet i Partisë Demokratike dhe një organizim krejt, shumë më i fuqishëm.

Pyetje: Do të thotë njerëz të rinj në strukturat? Ripërtëritjet edhe me emra të rinj?

Sali Berisha: Ripërtëritje pa diskutim, nga seksioni i gjerë…

Pyetje: Deri te majat e saj? Deri te majat domethënë, në kryesi, nënkryetarët, e të gjithë…

Sali Berisha: Tani ato i përcakton vota…por sensi i ripërtëritjes është një fill i kuq që përshkon gjithçka. Jo, vota i përcakton natyrisht, të jemi të hapur.

Pyetje: Nëse ju propozoni emra të rinj?

Sali Berisha: Unë do propozoj pa diskutim. Ajo s’ka diskutim ajo.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale