Berisha: Vlora Hyseni ka zbatuar çdo porosi dhe urdhër të Ramës! Ergys Agasi është mafiozi më i rrezikshëm i Evropës. PD do të përdorë të gjitha mjetet kundër kësaj qeverie dhe do japë përgjigjet e merituara

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT JASHTË KUVENDIT

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vazhduar akuzat e tij ndaj qeverisë pas seancës parlamentare, duke e cilësuar çështjen e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe drejtueses së tij, Vlora Hyseni, si një goditje të rëndë ndaj sigurisë kombëtare.

Në një prononcim për gazetarët jashtë parlamentit, Berisha deklaroi se Edi Rama nuk është më, sipas tij, ‘kryeministri i Shqipërisë’, por ‘Padrino i Shqipërisë’, ndërsa akuzoi qeverinë se ka lejuar ndikimin e grupeve kriminale në institucionet e sigurisë.  

Berisha pretendoi se Vlora Hyseni ka zbatuar ‘çdo porosi dhe urdhër të Ramës’ dhe se lidhjet e saj me Ergys Agasin kanë qenë të njohura nga kryeministria dhe SHISH. Ai e cilësoi Agasin si ‘mafiozin më të rrezikshëm të Evropës’, duke pretenduar se ai kishte kontroll mbi segmente të shërbimeve të sigurisë, policisë dhe drejtësisë.

Kreu i PD-së ngriti gjithashtu akuza për përdorim të të dhënave sekrete të SHISH dhe të informacionit që, sipas tij, Shqipëria ka marrë nga partnerët e NATO-s.

I pyetur për kërcënimet që Vlora Hyseni i ka bërë gazetares Klodiana Lala, Berisha e akuzoi atë për shantazh ndaj gazetarëve dhe deklaroi se SHISH ka pasur gazetarë në përgjim. Ai përmendi edhe gazetarët Baton Haxhiu, Berat Buzhala dhe Albatros Rexha, duke pretenduar se ata kanë shkelur ligjin në Kosovë dhe duke kërkuar që çështja e tyre t’u dërgohet organeve të drejtësisë.

Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se opozita do të përdorë ‘të gjitha mjetet’ kundër qeverisë dhe se po përgatitet për të dhënë ‘përgjigjet e merituara’.  

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA JASHTË KUVENDIT:

Seanca e sotme është dëshmi tjetër flagrante se ky parlament përfaqëson krimin e organizuar, përfaqëson interesat më kriminale të Padrinos së vendit dhe nuk besoj se mund të gjendet një i dytë në planet që para një superskandali të rrallë në mbarë botën, bën avokatinë e regjimit, avokatinë e krimit dhe nuk shprehin as dhe qëndrimin më të vogël kritik.

Natyrisht Edi Rama nuk është më kryeministri i Shqipërisë, por është Padrino i Shqipërisë.

Fajktohet në mënyrë përfundimtare si kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Evropë.

Me superskandalin e Vlora Hysenit, e emëruar jashtë çdo lloj kriteri në pozicionin më të rëndësishëm në raport me sigurinë kombëtare, e cila qëndroi aty si shërbëtore e dy zotërinjve, e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit, u vu e tëra në shërbim të organizatës kriminale.

Nuk ka në historinë e shtetit shqiptar një akt më të rëndë, dhe e vërteta është që në çdo lloj analize në raport me sigurinë kombëtare, kjo përbën një akt madhor të asgjësimit të saj dhe të tradhtisë ndaj sigurisë kombëtare.

Por, Vlora Hyseni ka zbatuar në çdo veprimtari të saj porositë, urdhrat e Edi Ramës.

Lidhjet e saj me Ergys Agasin i ka ditur e gjithë kryeministria dhe SHISH.

Nuk ka asnjë risi në ato lidhje.

Por problemi është se përdorimi i të dhënave sekrete të SHISH në funksion të karteleve, në funksion të grupit të strukturuar kriminal, është goditje e tmerrshme për sigurinë kombëtare, për besueshmërinë e Shqipërisë tek partnerët ndërkombëtarë.

Dhe duhet ta dini se në ato që janë marrëdhënie besimi, shërbimet inteligjente kanë një vend jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Dhe absolutisht SHISH që nga themelimi gjer sot ka një trashëgimi shumë të çmuar bashkëpunimi me shërbimet më të mëdha të vendeve partnere, por edhe shërbime të vendeve të tjera dhe bashkëpunim të suksesshëm.

Nuk ka lajm më të keq se sa lajmi se njeriu kryesor me të cilën ata bashkëpunonin ishte një kriminele që shiste sekretet e shtetit dhe shërbente si mburojë e anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal.

Por mes të gjithë anëtarëve dhe të gjithë emrave që ju mund të keni dëgjuar, Ergys Agasi është absolutisht mafiozi më i rrezikshëm i Evropës.

Pse kjo? Se ky është i vetmi bos i krimit që kishte në kontroll të plotë, dhe unë e kisha denoncuar me kohë këtë, shërbimin informativ të shtetit.

Në kontroll të plotë ministrinë e rendit dhe policinë e shtetit.

Në kontroll të plotë segmente të sistemit të drejtësisë.

Ishte faktikisht zëdhënësi më i fuqishëm i Padrinos së Shqipërisë.

Përveç kësaj, përmes SHISH, ai kontrollonte të gjitha sekretet që NATO i ka besuar Shqipërisë.

Dhe akoma më shumë, ky grup i strukturuar kriminal kanë kontrolluar internetin dhe komunikimet me internet të shqiptarëve dhe të huajve në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Për të gjitha këto, Ergys Agasi është krimineli më i rrezikshëm që ekziston.

Dhe ai kishte një shërbëtore, kishte nën urdhrat e tij kryetaren e SHISH.

Në fakt, e them dhe njëherë, çdo veprim dhe akt i tyre, i Vlora Hysenit, i Ergys Agasit, i Ermal Beqirit, Karçanajt, drejtorit të përgjithshëm të policisë, Proda, etj, janë bërë absolutisht me urdhër dhe dijeni të plotë të Edi Ramës.

Këta persona, në raste të caktuara, po flasin dhe do të flasin.

Skandali, afera është e një rrezikshmërie të lartë dhe e përmasave tepër të mëdha.

Asnjë reflektim.

A i patë deputetët? Jo më kot u thashë se janë deputetët e Kodrës së Kuajve.

Gjatë gjithë fushatës elektorale, çdo dy-tre net, Ergys Agasi, klanet e Elbasanit, klanet e Durrësit, Vangjush Dako mblidheshin tek lokali që menaxhonte ky Embro Sulejmani, menaxher se pronar është dikush tjetër, edhe ai është i kësaj bote, dhe bënin projektin e grabitjes së mandateve.

Ndaj dhe sot këtu, deputetët e Kodrës së Kuajve ishin deputetët më aktivë në mbrojtje të Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit.

Kjo e tëra dëshmon se Shqipëria është në krahët e krimit.

Se PS është themeluar mbi krimin dhe vrasjet.

Ka sunduar mbi krimin monstruoz të diktaturës komuniste dhe sundon sot mbi krimin, kartelet e drogës dhe vjedhjet e shqiptarëve.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET

Zoti Berisha, ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni, ka tentuar të intimidojë dhe shantazhojë gazetaren Klodiana Lala duke pretenduar për takimet e saj me agjentë serbë. A e dënoni këtë akt dhe a mendoni se ose a keni informacion që SHISH ka pasur në përgjim edhe gazetarë?

Sali Berisha: Që SHISH ka pasur në përgjim gazetarë, e kam denoncuar para jush shumë herë. Por unë e konstatova se kjo nuk u pëlqeu gazetarëve.

Që ish-shefja e shërbimit, që tani është një kriminele ordinere, dhe jo vetëm ordinere, t’i përgjigjet gazetares në atë mënyrë, së pari dëshmon veten se është një hakmarrëse e verbër.

Së dyti, shpif për një gazetare që sulmon atë dhe padronin e saj.

Por në rast ka pasur takime, takime se kë takon ti e cila është axhenda përderisa s’di gjë, se kjo nuk do të thotë se ka lidhje me bashkëpunimin. Pra, në rast se shërbimi ka pasur një operacion, çka tregon që s’ka pasur, vetë demaskimi, vetë denoncimi.

Por kjo, në këtë rast përdor postin për të bërë një shantazh ndaj gazetarëve dhe ky është një problem i madh, mbasi kjo do shantazhojë dhe prokurorët dhe gjykatësit.

Dhe druaj shumë se ky është një proces në zhvillim. Pse? A ka gjë më absurde se të mos e kualifikosh këtë eksponent madhor si pjesë të grupit të strukturuar kriminal?

E akuzon për mbrojtje të kriminelit dhe për nxjerrje të sekretit. Akuzat se si e si të lehtësohet në një kohë kur ajo ka kryer veprat më të rënda.

Po këtu është Edi Rama mbrapa sajdhe gjithçka është e rakorduar. Tani jemi te gazetarët. Do të them këtu, tre gazetarë edhe një tjetër shqiptar, katër. Tre gazetarët: Baton Haxhiu, Berat Buzhala dhe Albatros Rexha, të cilët në përputhje me ligjin e Republikës së Kosovës kanë takuar Vlora Hysenin, kanë shkelur ligjin dhe janë të dënueshëm. I ftoj shoqatat e gazetarëve t’u bëjnë gati dosjen, se secili prej tyre i ka të sakta 5 vite burg.

E patë ju se si dolën këta nga ekrani në ekran. Njëri thoshte e kam mikeshë…

Ndoshta nuk duhet t’ju japin hapësirë ekranet, që të dalin të flasin?

Sali Berisha: Absolutisht, po çfarë t’u thuash? Kjo është komplekse. Po njëri thoshte e kam mikeshë, thoshte Berati, paçka se një ditë parë ishte takuar me të. Batoni, që është edhe një nga rekomanduesit kryesorë ose dorëzani i saj, shkruante shkrimin se Vlora e kishte dashurinë në funksion të shërbimit, e dëgjoni se çfarë marrëzirash?

Në mënyrë që ta kanalizojë te historia rozë.

Edhe Albatrosi po në këto ujëra, po ftoj shoqatat e gazetarëve t’ua çojnë dosjet në gjykatë në Prishtinë dhe t’i marrin në hetim.

Opozita a do të ketë ndonjë ndryshim të aksionit tani në Parlament, duke qenë se ju thoni që kjo është shumë e rëndë dhe a ka kuptim të vijohet me një situatë në Parlament normale?

Sali Berisha: Tani nuk besoj se ishte normale sot, sot ne e shfrytëzuam gjithë seancën siç e patë ju për të bërë transparencën e këtij akti të paprecedentë. Shikoni, ky është i paprecedentë, ky është më i rëndë se çdo akt tjetër.

Për shembull, Edi Rama kanë vjedhur me qindra milionë, kanë vjedhur miliarda, por të shembësh sigurinë kombëtare siç ka ndodhur kjo, nuk ka ndodhur. Ka ndodhur në Guine Bisau, kur këto klanet e Amerikës Latine shkuan dhe ndërtuan narkoshtetin atje, dhe ka ndodhur në Venezuelë me El Polo, i cili ishte shef shërbimi dhe punonte me kartelin e drogës.

Zoti Berisha, duke qenë se ju thoni që ka rënë siguria kombëtare, a nuk mjaftoi kjo që Partia Demokratike të thërriste dje nga mbledhja e Kryesisë një protestë kombëtare?

Sali Berisha: Partia Demokratike të jesh e sigurt që do të përdorë të gjitha mjetet kundër kësaj qeverie dhe po përgatitet për të dhënë përgjigjet e merituara. Kjo është… jam dakord me ju, ky zhvillim është për çdo lloj përgjigje.

Kam edhe një pyetje. Gjatë seancës plenare ra në sy një bashkëbisedim i juaji me Ulsi Manjën. A mund të na thoni se çfarë biseduat me njëri-tjetrin sepse është deklaruar që në dosje mos u merrni me të sepse në dosje del edhe djali juaj. E konfirmoni këtë dhe…

Sali Berisha: Prit një minutë. Oh kjo është një problem i madh. Prit tani. Ulsiut i del emri aty. I del emri. Tani i del emri, një gjë që të jemi të sinqertë se duhet thënë.

A i del emri se Ulsiu është një vasal i Lubisë apo për arsye tjera, do ta sqarojë ai. Po emri i del. I nxin.

Edhe ky tani kur i thashë për këtë tha: po ta publikojmë menjëherë. Në qoftë se është emri, le ta publikojnë që nesër. S’ka absolutisht… emrin e kujtdo.

Po emri i Ulsiut del aty duket si shërbëtor i Lubisë. Prandaj ju lutem mediave, atë mos bëni lojë se bini në kurthin e Edi Ramës. Se ai e nxori atë rozë, ato historitë rozë, të cilat janë bajate.

Ato histori të vjetra s’kanë asnjë vlerë. Zero vlerë. Vlerë ka dhënia e sekreteve shtetërore organizatave të karteleve të drogës, kjo është gjithçka.

Sekrete të NATO-s. Dhe të mendohet, ju duhet të dini që bashkëpunimi më i ndjeshëm midis vendeve është bashkëpunimi midis shërbimeve të fshehta.

A duhet ta kishin ngritur alarmin në fakt këto vende, a mendoni se e kanë ngritur?

Sali Berisha: Unë mendoj se ato kanë bërë detyrën e tyre. Unë mendoj se në këtë zhvillim besoj dhe mendoj ato kanë luajtur rolin e tyre.

Për shiko, është një gjë jashtëzakonisht e rëndë për to. Ke parasysh që në këto operacione, në këto shërbime janë edhe jetë njerëzish, janë operacione të besimeve maksimale e të tjerë e të tjerë, dhe kur marrin vesh se me kë kanë bashkëpunuar ata, nuk mund të ketë zhgënjim më absolut.

Nuk mund të ketë turp më të madh. Dhe më fal, dhe tjetra, që ajo aty nuk ka qenë vetëm.

Jo, ka patur bashkëpunëtorë të cilët duhet të ikin menjëherë. Nuk duhet që të qëndrojnë asnjë minutë më në shërbim.

Të gjithë. Këto që thoni ju i kanë politikë, këta të politikës kështu janë, janë më keq.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale