Berisha vendos bufin në tavolinë: Simbol i mençurisë dhe vendimit, injoranca e Ramës nuk është argument. Të jesh 1-sh është detyrim, privilegj, është një detyrë të qëndrosh në lartësi

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARET

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është përgjigjur Edi Ramës, duke vendosur në tavolinën e tij bufin, një simbol që siç theksoi lideri demokrat personifikon mençurinë. Duke folur në konferencën me gazetarët, tashmë një traditë e vendosur nga kryedemokrati, Berisha tha se vendimi për të vendosur bufin në tavolinë, bëhet me qëllim që të gjithë ta dinë se çfarë varfërie kulturore ka Rama që e citon, duke shtuar se injoranca e tij nuk është argument.  ‘Edi Rama mendon se mund të më fyeje mua duke më quajtur mua buf, sa kohë që bufi është  simbol i fuqisë mendore’, theksoi Berisha.

Lideri i demokratëve Sali Berisha u shpreh në konferencë se, ‘një Shqipëri madhështore drejt BE është Shqipëria në të cilën qytetarët kanë të garantuara liritë dhe të drejtat e tyre themelore. Shqipëria në të cilën shteti ligjor i barazisë para ligjit dhe ku asnjë njeri nuk është mbi ligjin. Shqipëria në të cilën të drejtat dhe liritë e individit respektohen në të gjitha rrethanat dhe janë moto e pandryshueshme e qeverisë. Shqipëria Madhështore është Shqipëria e garës së barabartë në të gjitha fushat’.

Krydemokrati PD, Sali Berisha thotë se Shqipëria është larguar nga Evropa, ndërsa prodhimi vendas është një tregues i qartë për këtë. Në konferencën e së premtes me gazetarët, Berisha tha se Shqipëria ka humbur nga viti në vit gjatë kësaj periudhe pozicionin e saj në rajon për prodhimin, në raport me prodhimin mesatar të BE. Sipas Berishës, shndërrimi i Shqipërisë në një epiqendër të fuqishme të prodhimit të energjisë është projekti që çel dyert e Europës.

Gjatë konferencës për mediat, lideri i opozitës Sali Berisha ka prezantuar logon e fushatës së ‘PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore’, me të cilën do të shkohet të sigurt në fitore për zgjedhjet e 11 majit. Teksa komentoi numrin 1 që i përket këtij koalicioni në fletën e votimit, ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë 1-shin. “Nuk ka dhuratë më të madhe se sa kjo. Në të gjitha librat, përshkruhet si më i miri, si i pari.  Kur fati që është sa hyjnor dhe tokësor, i ra PD-së të ketë këtë numër, entuziazmi i demokratëve dhe mbështetësve të PD-së, por në tërësi i shqiptarëve ishte dhe është jashtëzakonisht i madh. Pra ata që votojnë për Partinë Demokratike dhe Aleancën Shqipëria Madhështore votojnë 1-shin. Defakto janë 1-sha. Nuk mohohet, të jesh 1-sh, t’u përkasësh 1-shave është një nder, një privilegj, është një detyrë të qëndrosh në lartësi. Po kjo do të jetë e gjithë, por nuk po ndalem tek flamuri që ka bukurinë e tij mahnitëse. Logoja, pra çdo gjë, siç e shihni është logoja e betejës, logoja me të cilën demokratët shkojnë drejt fitores së 11 majit”.

Lideri i demokratëve, Sali Berisha ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe fjalimin që do të mbajë në Kongrësin e Partive Popullore Evropiane në Valencia të Spanjës. Interesimit të gazetarëve rreth fokusit të fjalimit në PPE, Berisha tha se do të paraqesë të vërtetat e Shqipërisë dhe shqiptarëve. ‘Ajo është një ngjarje shumë e madhe, për jetën e Partisë Popullore dhe Partisë Demokratike, si anëtare e asociuar që është e kësaj organizate’, u shpreh kryedemokrati Sali Berisha.

Ndërkaq e ka cilësuar si një ngjarje madhore për vendin dhe mbështetje e madhe për votën e  lirë, seancën dëgjimore në Parlamentin Europian që do të zhvillohet në 8 Prill në Bruksel. Në konferencën me gazetarët në selinë blu, Berisha tha se kjo seancë, presim që PE do qëndrojë fuqishëm për standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve në Shqipëri dhe zbatimin e tyre. ‘Sigurisht ne informojmë parlamentin për të gjitha zhvillimet antiligjore, për të gjitha shkeljet e tmerrshme madhore që ndodhin këtu me Kodin Zgjedhor, për të gjithë aktivizimin e bandave’, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë konferencës për mediat.

FJALA E PLOTE:

Filmojeni pak, ju lutem mos harroni.

Pra kjo nuk mund të them se është një dhuratë për Edi Ramën, sepse ky është një simbol i mençurisë, i diturisë dhe i vendimit jo në shekuj, po në mijëvjeçarë.

Dhe vendosa ta sjell këtu para medieve dhe para publikut shqiptar se çfarë varfërie dhe shkretie kulturore ka njeriu që e citon, që e quan Sali Berishën çdo ditë, me emrin e simbolit më të arrirë të dijes, mençurisë dhe vendimit të Greqisë së Lashtë, të Romës së Lashtë.

Athina dhe Minerva, dy perëndeshat e njohura, njëra e grekëve, perëndeshë e diturisë, dhe e Minerva e romakëve, e njëjtë, nuk zgjodhën asnjë shpend tjetër si simbol të fuqisë së tyre mendore, por zgjodhën pikërisht bufin që u bë një personazh i dashur për të gjithë njerëzit e civilizuar.

Dhe Edi Rama mendon se mund të më fyeje mua duke më quajtur mua buf.

Injoranca nuk është argument, thotë Latini.

Me kaq e mbyllim këtë pjesë të konferencës për shtyp.

Shqipëria Madhështore është Shqipëria e cila shkon si zonjë e vërtetë drejt BE-së.

Një Shqipëri madhështore drejt BE është Shqipëria në të cilën qytetarët kanë të garantuara liritë dhe të drejtat e tyre themelore.

Shqipëria në të cilën shteti ligjor i barazisë para ligjit dhe ku asnjë njeri nuk është mbi ligjin.

Shqipëria në të cilën të drejtat dhe liritë e individit respektohen në të gjitha rrethanat dhe janë moto e pandryshueshme e qeverisë.

Shqipëria Madhështore është Shqipëria e garës së barabartë në të gjitha fushat.

Unë dje isha në takim me bizneset dhe ju e ndoqët.

Ata shprehën një problem në pamje të parë, burokratik, por e vërteta është shumë thelbësor për këtë sistem.

Ata thanë se ne si grupe interesi nuk na përfill kush. Kjo është e vërtetë.

Kjo ndodh se grupet e interesit janë zëvendësuar me grupet e interesave familjare.

Pra nuk ka më interesa grupesh, ka interesa familjesh.

Nuk mund të flasin siç e shihni ju pronarët e bregut, sepse Edi Rama do të gllabërojë 224 mijë metër katrorë. E tha ndonjë fjalë ai për këtë vjedhje të madhe që u dokumentua? Asnjë fjalë.

E dëgjuat që heshti. Nuk dha asnjë shpjegim për të gjitha ato falsifikime që u denoncuan këtu.

Pra, është Shqipëria në të cilën qytetarët nuk plaçkiten, nuk grabiten.

Në të cilën interesat e tyre nuk rrëmbehen nga interesat familjare.

Pasuritë publike nuk shpërndahen tek familjarët dhe prestanomet e qeveritarëve.

Nuk përfundojnë në kontot offshore.

Nuk konvertohen në saraje të Surrelit me park 8500 metër katrorë.

Jo, Shqipëria zonjë shkon drejt BE me një shpërndarje të drejtë dhe të ndershme të buxhetit.

Jo si një Shqipëri ku rroga më e lartë është më e madhe se 10 rroga mesatare.

Nuk është vend demokratik ky, ky është vend tipik autokratik.

Ndaj dhe ne kemi përparësuar në mënyrë absolute zbatimin e ligjit dhe shtetin ligjor. Luftën me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit. Ngushtimin sa më të shpejtë të hendekut të madh mes atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë në Shqipëri.

Unë kam kuptuar se nuk është realizuar akoma pasoja pozitive e vendimit të kalimit tek rroga mesatare 1200 euro.

Kalimi me rrogën mesatare 1200 euro përbën një nga rritjet më të mëdha të rrogave.

Kalimi në rrogën minimale 500 euro, edhe kjo.

Pra këto janë hapa gjigante drejt ngushtimit të atij hendeku të tmerrshëm që krijoi me rrogat kjo qeveri.

Shqipëria Madhështore është Shqipëria që ecën drejt BE e sigurt me realizimin e standardeve të vendeve anëtare.

Dhe ato realizohen me një Shqipëri prodhuese.

A e dini ju se Shqipëria ka humbur nga viti në vit gjatë kësaj periudhe pozicionin e saj në rajon për prodhimin në raport me prodhimin mesatar të BE?

Pra, në qoftë se ka pasur Bosnjen prapa, tani Bosnja ka dalë para.

Shqipëria ka si prodhim mesatar 34 përqind të prodhimit mesatar të BE.

Kjo do të thotë se Shqipëria do largohet, jo po afrohet siç mashtron Edi Rama me një pasaportë të prodhuar nga qeveria e mëparshme.

Ajo është shumë e mirë ajo pasaportë, për kohën ishte ndër më modernet.

Por nuk të çon ajo. Nuk mjafton ajo për të shkuar në Europë.

Është kollaj të dalësh dhe të mashtrosh qytetarët.

Po kush të pranon në Europë me rrogat ndër më të ulëtat në planet?

Kush të pranon në Europë me këtë pabarazi të tmerrshme?

Askush nuk të pranon në Europë në këtë mënyrë.

Ndaj Made in Albania, rritja e shpejtë e prodhimit të vendit, është rruga drejt Europës.

Shndërrimi i Shqipërisë në një epiqendër të fuqishme të prodhimit të energjisë është projekti që çel dyert e Europës.

Që e bën Shqipërinë vend të rëndësishëm në fushën e energjisë. Që tërheq investitorët më të mëdhenj të fushës së energjisë.

Pra, a mund të jetë një letër? Pyeteni bufin e Minervës në inteligjencës artificiale, jo do u thotë. Nuk ndodh kurrë pa këto. Me një pasaportë nuk shkon dot atje.

Pra, e nxjerr gënjeshtar 100 përqind Edi Ramën.

U ndala tek kjo çështje sepse vokacioni evropian i PD është tashmë vokacioni kryesor i saj i faktuar në akte madhore në rrugën e integrimit, nga anëtarësimi në KiE, në anëtarësimin në NATO, heqjen e vizave dhe marrjen e rekomandimit për statusin e vendit kandidat.

Të gjitha këto janë një trashëgimi që shërben thjesht për të dëshmuar seriozitetin tonë në rrugën e integrimit.

Por ato që kemi arritur nuk mjaftojnë.

Duhen arritje të tjera të mëdha që ne ua kemi premtuar shqiptarëve.

Nga paketa e dhembshurisë tek Shqipëria epiqendër e teknologjisë së lartë, rruga më serioze dhe më e sigurt që Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE.

PYETJE-PERGJIGJE ME GAZETARET:

Andon Kello, AbcNews: Shohim një fasadë të re, në sallën e konferencave. A është ky slogani i PD për fushatën e zgjedhjeve.

Sali Berisha: Të nderuar miq! Nuk ka dhuratë më të madhe se sa kjo. Në të gjitha librat, përshkruhet si më i miri, si i pari.

Kur fati që është sa hyjnor dhe tokësor, i ra PD-së të ketë këtë numër, entuziazmi i demokratëve dhe mbështetësve të PD-së, por në tërësi i shqiptarëve ishte dhe është jashtëzakonisht i madh.

Pra ata që votojnë për Partinë Demokratike dhe Aleancën Shqipëria Madhështore votojnë  1-shin.

Defakto janë 1-sha.

Nuk mohohet, të jesh 1-sh, tu përkasësh 1-shave është një nder, një privilegj, është një detyrë të qëndrosh në lartësi.

Po kjo do të jetë e gjithë, por nuk po ndalem tek flamuri që ka bukurinë e tij mahnitëse. Logoja, pra çdo gjë, siç e shihni është logoja e betejës, logoja me të cilën demokratët shkojnë drejt fitores së 11 majit.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Në datën 29-30 prill keni një ftesë nga PPE-ja, do e pranoni këtë ftesë, do të merrni pjesë në 29-30 prill, duke qenë se është edhe kulmi i fushatës për zgjedhjet e 11 majit.

Sali Berisha: Është kongresi i Partive Popullore, ku marrin pjesë 13 kryeministra dhe gjithë kryetarët dhe unë jam e do të mbaj një fjalë, më është përcaktuar koha, më është dhënë koha të mbaj dhe unë fjalën e time e do të shkoj. Do të përpiqem ta ekonomizoj kohën në mënyrën sa më racionale.

Ajo është një ngjarje shumë e madhe, për jetën e Partisë Popullore dhe Partisë Demokratike, si anëtare e asociuar që është e kësaj organizate.

Jam i nderuar që do të shkoj dhe të paraqes Shqipërinë, të vërtetat siç  i ka Shqipëria dhe u them unë ju, që kjo paraqitje e të vërtetave të Shqipërisë, do të ndihmojë shumë, Shqipërinë dhe shqiptarët.

Isa Myzyraj, OraNews: Bufin që keni marrë sot në tavolinë, a është jë strategji për të ja djegur Ramës të gjithë komunikimin publik deri më tani, pasi ka prej muajsh që del e përdor bufin, ka marrë dhe ai buf në zyrën e kryeministrit. A ishte ky qëllimi i lëvizjes tuaj sot.

Sali Berisha: Kur e sheh të rrokulliset tjetri, edhe mund ta lësh të rrokulliset gjer në fund, ose mund të ja ndalësh rrugën që të mos përfundojë në humnerë.

Dhe unë ja paraqita për ti thënë se, ke një deficit kulturor të tmerrshëm dhe kundërshtarin po e bën simbol të mençurisë, diturisë dhe të vendimit, por nuk është kjo detyra jote të lavdërosh kundërshtarin.

Kjo ishte gjithçka.

Osman Stafa, News24: Në datën 8 Prill, Parlamenti Europian do të organizojë një seancë dëgjimore për zgjedhjet e 11 majit. Çfarë shqetësimesh do të çojë PD në këtë mbledhje?

Sali Berisha: Së pari, unë dua të shpreh mirënjohje të thellë ndaj drejtuesve të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, deputetëve dhe drejtuesve të PE për këtë vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Hearing-u në praktikën e atij parlamenti përbën ngjarjen më madhore që mund t’i përkushtohet një çështje apo një vendi.

Në historinë e hearing-ut që janë të rralla, është bërë një hearing për Shqipërinë në vitin 2002.

Hearing-u i parë është për Ahmet Masudin, komandantin legjendar të Afganistanit, i dyti për Sali Berishën dhe ky i treti po bëhet po për zgjedhjet. Një nder shumë i veçantë, një mirënjohje shumë të veçantë atyre që kanë rënë dakord.

Sigurisht ne nga kjo seancë dhe ky hearing presim dhe jemi të sigurt se PE do qëndrojë fuqishëm për standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve në Shqipëri dhe zbatimin e tyre.

Por kjo është një ngjarje shumë e veçantë.

Shumë e veçantë si hearing, por po kaq e veçantë për kohën që mbahet.

Seanca është ngjarja më madhore që mund t’i kushtohet një çështje nga PE, por këtu është edhe hearing, edhe koha e zgjedhur për hearing.

Është një mbështetje e madhe për votën e lirë.

Është një mbështetje shumë e çmuar që shqiptarët të votojnë të lirë.

Sigurisht ne informojmë parlamentin për të gjitha zhvillimet antiligjore, për të gjitha shkeljet e tmerrshme madhore që ndodhin këtu me Kodin Zgjedhor, për të gjithë aktivizimin e bandave.

Për shembull, në Shkodër, unë nuk e thashë kot që deputetët e PS janë deputetët e Dobraçit. Faktikisht koordinatorë të PS janë Enver Bajri dhe Ilir Bajri me dy-tre të tjerë. Edhe banda e Pëllumb Gjokës me të tjerë. Udhëzimet dhe mjetet e shantazhit i marrin në Dobraç.

Ne po i ndjekim dhe unë garantoj këta kriminelë elektoralë se kurrë nuk do t’u ndahemi pa bërë ligjin për këto krime të shëmtuara që marrin përsipër.

Për të mbrojtur krimet e tyre, marrin përsipër krimet e tjera.

Kjo ndodh në Elbasan. Suel Proda haptas bën ligjin nëpër Elbasan, gjoja në kërkim. Por unë i them atij dhe atyre që bashkëpunojnë me të, toka po u rrëshqet nën këmbë.

Krimi elektoral nuk do amnistohet.

Ne nuk jemi si Edi Rama që thotë hani kokat tuaja, por absolutisht dënimet më të rënda do u rezervohen.

I tillë është edhe ky Poja me Altin Hajrin. A e dini ju që Altin Hajri është i lirë, qarkullon kudo, mund të shkoni të pini kafe me të?

Poja po e po.

Pra, këto të gjitha ne i dërgojmë dhe do dërgohen.

Do bëhet çështje e madhe ndërkombëtare se këta po bëhen krahu i armatosur elektoral i Edi Ramës, me firmën e Altin Dumanit. Po.

Kur unë denoncoja amnistinë e krimit elektoral, unë këto kisha parasysh.

Prandaj dhe ne sigurisht që do informojmë edhe Parlamentin Europian, do informojmë edhe Kongresin e SHBA, do informojmë qeveritë e vendeve mike kudo. Ishte koha kur kontrollonte Eid Rama informacionet. Mori fund ajo kohë.

Kështu që unë kam vetëm mirënjohje dhe ne do informojmë me gjithë mundësitë tona anëtarët e PE.

Por do përpiqemi të informojmë edhe anëtarët e Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan dhe administratën aktuale.

Osman Stafa, News24: Në fakt ka disa ditë që qytetarë dhe mjekë, po deklarojnë se në onkologjik ka nisur përsëri mungesa e medikamenteve kimio, medikament jete shpëtues për ata që lutojnë me kancerin. Pse PD edhe pse këto lajme bëhen publike, nuk reagon dhe nuk bën presion ndaj qeverisë, sepse ju e keni bërë premtim elektoral, por kanceri nuk është se pret zgjedhje apo tendera që bëhen.

Sali Berisha: E drejtë është vërejtja juaj, partia duhet të reagojë dhe ka reaguar. Por duhet të reagojë më shumë. Por një gjë themi ne, në mënyrë absolute ky problem merr zgjidhje pas 11 majit.

Sepse me këta është i pashpresë korrigjimi.

Shpesh ndodh se njerëzit thonë, të gjitha nuk i ka Edi Rama, i kanë ata përreth.

Por Edi Rama e di se një i sëmurë me kancer nuk mund të rrijë kurrë pa ilaç.

Ta zëmë se nuk ka gisht në ato vjedhje, po atëherë si e toleron, si e pranon një gjë të tillë, si ka shpirt ai të blejë një vazo 4-5 milionë në oborr të kryeministrisë dhe të mos i çojë ilaçet për të sëmurët në Spitalin Onkologjik, si mundet ai që të hapë një shishe 36 mijë euro dhe të mos e lërë atë për kurën e të sëmurëve?

Këto janë krime, këto futen te krime kundër njerëzimit. Dhe ky është korrupsioni. Edhe Beqja, edhe Manastirliu, këta kanë vjedhur gjithçka me Ramën ose nën mbrojtjen e tij.

Si mundet një kryeministër kur dëgjon, siç është rasti që keni paraqitur, që është pa ilaç, po detyra e tij më e parë është të marrë atë ilaç kudo që ndodhet në botë dhe ta sjellë me urgjence për të sëmurin.

Po nuk ka shpirt. Ky njeri nga arsye komplekse ka krijuar një shpërfillje absolute për njerëzit. Si ka mundësi ky në 8 miliardë euro buxhet, të lërë vetëm 16 milionë për pensionistët?

Po ku shkon? Çfarë të thotë mendja ty? Ti nuk i konsideron ata. I shumëzon me zero.

Edhe kjo me të sëmurët.

Ai duhet të të falenderojë ty për njoftimin që jep dhe të urdhërojë sjelljen brenda 24 orësh të ilaçit. Por nuk e bën, nuk ka shpirt. Por këto punë me 11 maj marrin përgjigjen përfundimtare.

***

Edhe ky është me mermer Athine, është me mermer të famshëm. Është i shkëlqyer.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale