Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Sot dështoi në mënyrë përfundimtare përpjekja e Edi Ramës, me anë të jagove të tij, për të përçarë protestën. Ftoj qytetarët dhe forcat politike të bashkohen në revoltën studentore

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediat, këtë të shtunë, ka akuzuar Edi Ramën se, po dhunon studentët dhe protestuesit me anë të falangat e narkoshtetit. Gjatë fjalës së tij, Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve, forcave politike, të bashkohen në mbështetje të revoltës studentore.  ‘Në këtë kuadër unë ftoj çdo qytetar të këtij vendi, ftoj të gjitha forcat politike të bashkohen në mbështetje të revoltës studentore. Të bashkohen në mbështetje të kësaj revolte me qëllimin e largimit të padrinos dhe rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve.’, theksoi Berisha.

Gjatë konferencës, lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se sot ka dështuar në mënyrë përfundimtare përpjekja e Edi Ramës për të përçarë protestën e studentëve dhe të rinjve. ‘Ata të cilët, si punë e Qorrit të tij, që deklarojnë se protestojnë për të përmirësuar Ramën, ata janë Jago të revoltës studentore’, tha Berisha.

Kryetari i PD-së Sali Berisha tha se, studentët dhe gjimnazistët nuk besojnë se kryeministri mund të ndryshojë dhe janë të bindur se ai duhet të largohet menjëherë nga pushteti. ‘Studentët e revoltuar, gjimnazistët i kanë prerë biletën Edi Ramës. Nuk besojnë kurrë se ai mund të përmirësohet. Janë të bindur se ka kryer krime të rënda dhe duhet të largohet menjëherë nga pushteti’, deklaroi në konferencën me mediat, lideri i demokratëve Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Tirana po jeton sot një ditë tjetër terrori, dhune të falangave të narkoshtetit në mbrojtje të kreut të organizatës kriminale, padrinos dhe zyrtarëve të tij.

Trimëria, guximi dhe vendosmëria e studentëve të revoltuar dhe gjimnazistëve mposhti në të gjitha rastet sulmet e egra të narkobanditëve që u përpoqën të shtypin me dhunë protestën.

Ndaj dhe unë kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë gjimnazistët dhe gjimnazistet, studentet dhe studentët, që me guximin, kurajon, vendosmërinë e tyre arritën sot të jenë defakto zotërit e vërtetë të Tiranës.

I treguan sot regjimit se dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve për një kapitull të ri në paqen sociale të vendit. Është kushti i të gjitha kushteve për krijimin e një qeverie kujdestare, në mënyrë që shqiptarët të shkojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në këtë kuadër unë ftoj çdo qytetar të këtij vendi, ftoj të gjitha forcat politike të bashkohen në mbështetje të revoltës studentore.

Të bashkohen në mbështetje të kësaj revolte me qëllimin e largimit të padrinos dhe rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve.

Me qëllim të bëjnë të mundur shqiptarëve të zgjedhin me votën e tyre më të mirët që ata mendojnë.

Sot dështoi në mënyrën më të turpshme përpjekja e Edi Ramës për të përçarë protestën në mënyrën më të neveritshme.

Ata të cilët, si punë e qorrit të tij, që deklarojnë se protestojnë për të përmirësuar Ramën, ata janë Jago të revoltës studentore.

Studentët e revoltuar, gjimnazistët i kanë prerë biletën Edi Ramës. Nuk besojnë kurrë se ai mund të përmirësohet.

Janë të bindur se ka kryer krime të rënda dhe duhet të largohet menjëherë nga pushteti. Dhe kjo pikërisht është arsyeja e përpjekjes së dëshpëruar të tyre, për t’i izoluar studentët nga mbështetësit e vërtetë dhe të fuqishëm të tyre. Po kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Në këtë përpjekje pati dhe mjeranë të angazhuar nga policia kriminale, por që të gjithë morën përgjigjen e merituar.

Pra, mund të themi se sot Edi Rama, me puthadorët e tij, dështoi në mënyrë përfundimtare të përçajë protestën.

Protesta studentore edhe njëherë ka nevojë jetike, të madhe, të mbështetet nga të gjithë ata që besojnë se Edi Rama është një e keqe e madhe në këtë vend, që duhet të largohet menjëherë.

Pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kenë njëri me tjetrin, pavarësisht nga programet e ndryshme që mund të kenë. Rëndësi kapitale ka që shqiptarët të mund të votojnë të lirë dhe me votën e tyre të zgjedhin më të mirët e të mirëve që ata besojnë.

Dënoj me forcën më të madhe dhunën e egër policore. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të studentëve të ndaluar në komisariatet e policisë. Dhe ftoj të gjithë ata policë që kanë minimumin e ndërgjegjes kombëtare dhe njerëzore, të hedhin kapelat, të bashkohen me studentët, se studentët po bëjnë një betejë për çdo shqiptar, edhe për policët dhe fëmijët e tyre, që ata të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri.

Dhuna e tyre kundër studentëve do t’u rëndojë gjithë jetën në ndërgjegjen e tyre. Ndaj të braktisin narkoshtetin dhe të bashkohen me studentët.

Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale