Berisha: Vendi është totalisht në duart e krimit! Lamallari mashtron qytetarët, Ylli Zalla u dorëzua vetë

KRYETARI I PD, SALI BERISHA KONFERENCË ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në konferencën me gazetarët ditën e sotme, akuzoi qeverinë Rama se ka humbur kontrollin mbi situatën e rendit dhe sigurisë në vend, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend “në duart e krimit”.

Berisha u ndal te ngjarjet e fundit në Sarandë dhe Elbasan, duke akuzuar Policinë dhe Ministrinë e Brendshme për menaxhim të dobët të situatës. Ai kritikoi edhe mënyrën e trajtimit të rastit të Ylli Zallës, duke theksuar se ai nuk ishte arrestuar, por ishte dorëzuar vetë.

Një pjesë të rëndësishme të deklaratës së tij lideri demokrat ia kushtoi zjarreve në vend dhe gjendjes së zjarrfikësve. Berisha akuzoi qeverinë për mungesë mbështetjeje ndaj punonjësve që përballen me flakët, ndërsa kritikoi ministrat dhe kryeministrin Rama për qëndrimin e tyre gjatë sezonit të zjarreve.

Kryedemokrati, Sali Berisha denoncoi gjithashtu sulmet ndaj protestuesve, duke akuzuar qeverinë dhe Tom Doshin për ndërhyrje ndaj lëvizjes qytetare. Ai u bëri thirrje demokratëve të marrin pjesë në protestat qytetare jashtë strukturave partiake.

Në konferencë, Berisha foli edhe për çështjen e Arubës, duke akuzuar qeverinë dhe institucionet e drejtësisë për fshehjen e emrave të zyrtarëve që kanë qenë të pranishëm atje. Ai theksoi akuzat ndaj SPAK-ut, të cilin e cilësoi si bashkëpunëtor të karteleve të drogës.

Kryetari i PD, Sali Berisha kritikoi gjithashtu projektin për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke e konsideruar atë një përpjekje për centralizimin e pushtetit. Ai akuzoi kryeministrin Rama për trajtim diskriminues ndaj kryetares së Bashkisë Dimal dhe e cilësoi këtë si një akt “mizogen”.

Në fund, lidhur me përgatitjet për zgjedhjet lokale dhe mundësinë e zhvillimit të primareve, Berisha tha se vendimet do të merren në kohën e duhur, ndërsa theksoi se përcaktimet statutore të PD-së mbeten në fuqi dhe forma e procesit do të vendoset nga forumet e partisë.

FJALA HYRËSE

Këto ditë u provuan shqiptarëve se vendi është totalisht në duart e krimit.
Në Sarandë, ai që duhet të luftojë krimin, shkon në diskotekë dhe në akte të palejueshme shqetëson qytetarët në lokal, detyron badigardët ta nxjerrin si një rrugaç jashtë lokalit dhe pastaj vërsulet policia kundër tyre.
Në Elbasan, siç e patë ju, ditën për drekë, para kamerave, para gjithë qytetarëve, vrasësi i vendos pas kokën tytën e revoles viktimës, pa asnjë lloj hezitimi apo shqetësimi.
Pas arrestimit, fillon përbaltja edhe e kriminelit, edhe e viktimës, në përputhje me doktrinën ‘kokën t’i hanë njëri-tjetrit’.
Një i shumëkërkuar, Ylli Zalla, i vendosin tritol në banesë dhe bën konferencë shtypi para shtëpisë së rrënuar nga tritoli. Akuzon policinë si autore e mundshme e tritolit.
Lamallari mashtron qytetarët, thotë se e arrestuan, ndërkohë Zalla u dorëzua vetë. Se si mund të ketë dorëzim tjetër se sa të dalë në konferencë shtypi, vetëm mendja bosh e Lamallarit mund ta cilësojë arrestim. Ai u dorëzua.

Ndërkohë, zjarret në të katër anët, në tërësi janë jashtë kontrollit.
Trajtimi i zjarrfikësve dhe punonjësve të angazhuar në shuarjen e flakëve të zjarrit, është cinik, i pashpirt.
Asnjë qindarkë nga premtimet, dhe që i meritojnë, të shtesave për vështirësitë e mëdha përballë zjarrit, atyre gjer sot nuk u është dhënë.
Asnjë prapavijë mbështetëse për punën tmerrësisht të vështirë dhe të rrezikshme që bëjnë, nuk kanë.
Ndërkohë, Rama dhe ministrat e tij bronzohen në diell, në plazhet më turistike të vendit.
Pra, një shtet mafioz pa ligje, që funksionon i tëri në duart e krimit.

Së dyti, duhet të dënoj me forcën më të madhe bandat e Edi Ramës, që nëpërmjet Tom Doshit, sulmojnë flamingot, sulmojnë protestuesit paqësorë.
I rikujtoj Tom Doshit se ai është përdorur si mish për top me 21 janar dhe të heqë dorë nga keqpërdorimi si mercenar i Edi Ramës.
PD dënon me forcën më të madhe çdo ndërhyrje të Edi Ramës ndaj lëvizjes paqësore rinore qytetare më të fuqishme që vendi ka njohur që nga vitet ’90 dhe u bën thirrje demokratëve të bëjnë çdo përpjekje për të marrë pjesë në këtë lëvizje si qytetarë jashtë logove partiake në interesin më të mirë të vendit.

Ndërkohë, panik, tmerr, frikë në kampin e qeverisë.
Krijohet Komisioni Balla.
Komisioni Balla është komisioni që po kontrollon statuset në mediat sociale të nomenklaturës, për të identifikuar ata, të cilët nuk kanë bërë statuse kundër lëvizjes rinore qytetare dhe flamingove pra.
Viktima e parë e Komisionit Balla do jetë Niko Peleshi, i cili sipas Ballës, është treguar sylesh ndaj lëvizjes rinore qytetare dhe nuk ka statuse në mediat e tij kundër tyre.
Pritet zëvendësimi i shpejtë i Peleshit me Ballën, laj e thaj, Balla i ka mbetur atij.
Me kryetarin e komisionit të vëzhgimit të rrjeteve sociale të nomenklaturës socialiste.
A do ketë viktima të tjera? Do ketë, por ato janë pa emër, pa pasojë, ndaj dhe nuk ia vlen fare t’i përmendësh.

SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT

Marsi Korreshi, SYRI TV: Ju e nisët këtë konferencë duke denoncuar situatën e krimit në vend. Por a mendoni se duhet të ketë përgjegjësi, qoftë edhe morale, nga Ministri i Brendshëm? A e kërkoni dorëheqjen e tij?

Sali Berisha: Kjo situatë dëshmon bashkëpunimin e shtetit me krimin, për të cilin hiq çdo ministër dhe vë çdo ministër, ai nuk ndryshon se është direkt i drejtuar nga Edi Rama.
Por, se sa merret me krimin institucioni që duhet të merret, jap një shembull të fundit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, i emëruar nga bandat aty, me drejtorin e Përgjithshëm të IKMT, shfaqen në Karaburun për të shkatërruar një barakë dërrasash, pra si e si t’i servilosen, t’i pështirosen publikut dhe t’i servilosen Edi Ramës, ndërkohë kur krimi ka marrë dhenë.
Lamallari nuk duhet të ishte kurrë aty, por asgjë nuk zëvendëson dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës nga detyra.
Edi Rama është kreu i Meduzës.
Është padrinoja i mafies shqiptare.
A e lexuat se çfarë thoshte? Kur gazetari i nderuar i UnHerd i thoshte na thuaj pak për Arubën, që sot çdo shqiptar e di që në Aruba ishin përfaqësuesit e karteleve shqiptare më të fuqishme të drogës, ishin biznesmenët dhe qeveritarët e dërguar nga Edi Rama, kjo është e njohur, dhe ky paturpësisht i thoshte gazetarit ku janë fotot, ku janë dokumentet. Ky i thotë se Berisha më foli për Arubën.
Sigurisht që, i fola për Arubën dhe do flas për Arubën në të gjithë arenën, sepse Aruba është dëshmia më flagrante e narkoshtetit, i shtrirë në të gjitha nivelet.
Dhe ky i thotë ku janë fotografitë, duhet t’i gjejë fotografitë Sali Berisha. I ke në dosje.
Ndaj dhe, unë kam denoncuar para jush në mënyrën më të përsëritur Skapin si bashkëpunëtor me kartelet e drogës.
Pse? Sepse mban sekret emrat e qeveritarëve që ishin në Aruba dhe kjo është tradhti e vërtetë e ligjit.
Kjo është një mbrojtje e narkoshtetit, një krim i shëmtuar.
Kanë nxjerrë, me të drejtë, emrat e trafikantëve që ishin në Aruba.
Kanë nxjerrë emrat e biznesmenëve të dërguar nga Edi Rama në Aruba.
Nuk nxjerrin emrat e ministrave qëishin në Aruba sepse kjo do të ishte colpo di grazia, goditja e mëshirës përfundimtare për padrinon dhe narkoshtetin e tij.

Elda Menga, TCH: Këto kohë, pothuajse në të gjithë këshillat bashkiakë kemi parë një bashkëpunim të këshilltarëve të majtë dhe të djathtë kundër reformës territoriale të propozuar nga PS. Në rast se mazhoranca ecën e vetme dhe miraton krahas kundërshtive reformën e propozuar me 46 bashki, a do e shohë PD, a do e vlerësojë skenarin për dorëheqjen e këshilltarëve të djathtë në mënyrë që në ato bashki që refuzojnë shkrirjen, apo bashkimin me bashki më të mëdha, të bllokojë punën në këto bashki?

Sali Berisha: PD është kundërshtarja e parë, siç e dini ju, e projektit të Edi Ramës me të cilin ai nga 61 bashki, kalon në 46 bashki.
Ne e kemi denoncuar me forcën më të madhe këtë akt të njëanshëm për dy arsye kryesore.
Së pari, kjo vjen në kundërshtim flagrant me interesat e qytetarëve të këtyre bashkive dhe ka si qëllim madhor Shqipërinë në pëllëmbë të dorës së Edi Ramës, përqendrimin më maksimal të kompetencave të qeverisjes qendrore.
Së dyti, kjo është platformë e shpopullimit të Shqipërisë, më e fuqishme disa herë se ajo e Çubrilloviçit në Kosovë, sepse kjo de facto privon qytetarët nga shërbimet e domosdoshme për komunitetet në zonat e tyre.
Ne, natyrisht, po e ndjekim.
Kemi dhe do vazhdojmë një dialog me qytetarët, do ndërmarrim të gjitha hapat e duhura për kundërshtimin e saj.
Një reagim pozitiv vjen nga Kongresi i Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës, i cili nuk mund të konceptojë që të merren vendime pa u pyetur komuniteti.
Pa le më të nxirren jashtë, se ky është një mizogen i pashembullt.
Në një akt ekstrem mizogenie, ky nxjerr nga mbledhja kryetaren e bashkisë së Dimalit vetëm se guxon, dhe nuk nxjerr ata kryetarët që thanë të njëjtat gjëra.
E kuptoni ju, çfarë mizogeni është ky? Që nuk mund ta nxirrte kurrë.
Në një anë ky filloi të flasë për besën, por është i pabesë. Po nëse ecën në rrugën e besës dhe kanunit, në kuvend që të gjithë pa përjashtim janë të barabartë. Dhe jo të nxjerrësh një zonjë nga mbledhja, pavarësisht se ajo është socialiste, por ky është një ofendim, një lëndim për të gjitha gratë e Shqipërisë.
Është mizogen!

Elda Menga, TCH: Gjatë fundjavës ju pohuat se PD ka nisur punën për përgatitjen e zgjedhjeve lokale. Pyetja ime konsiston, a do ketë përgatitje edhe për primaret? A ka nisur puna për përgatitjen e tyre apo këtë herë në këtë betejë lokale PD do bëjë një përjashtim duke parë edhe situatën politike?

Sali Berisha: Mendoj se vendimet do merren në kohën e duhur, por përcaktimet statutore janë përcaktime statutore.
Zbatimi i tyre është një detyrim për PD, sidoqoftë forma, rruga që do ndiqet, do përcaktohet nga forumet.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale