FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TRYEZËN E PËRBASHKËT MBI PROJEKT-BUXHETIN 2025
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në tryezën e përbashkët me deputetë dhe ekspertë të fushës, rreth projekt-buxhetit 2025, iu referua situatës së rënduar ekonomike dhe sociale në Shqipëri, të cilën e cilësoi si një emergjencë kombëtare.
Sipas liderit të PD-së, Sali Berisha, varfëria dhe mjerimi kanë prekur 46% të shqiptarëve, ndërsa pensionistët janë grupi më i goditur nga inflacioni, me fuqinë e tyre blerëse të reduktuar ndjeshëm krahasuar me 2013. Shumë prej tyre nuk arrijnë të sigurojnë ushqimin bazë, për shkak të çmimeve të larta që janë shpesh më të shtrenjta se ato në disa vende të BE-së.
Berisha theksoi se, 12 vite më parë, Shqipëria ishte ndër vendet me shpërndarjen më të mirë të të ardhurave në rajon, falë rritjes së pagave, pensioneve, uljes së taksave dhe investimeve në infrastrukturë. Ndërkohë, sot, vendi renditet i fundit në rajon për paga dhe pensione. Sipas Berishës, pabarazia ka arritur nivele ekstreme, me diferenca të theksuara mes rrogave të larta dhe pensioneve minimale.
PD angazhohet të përmbysë këtë model të shpërndarjes së të ardhurave, duke synuar drejtësi dhe barazi më të madhe ekonomike, në përpjekje për të adresuar varfërinë dhe për të rikthyer kohezionin social.
Kryetari i PD, Sali Berisha trajtoi angazhimet e PD-së për të përmirësuar jetesën e shqiptarëve. Kryedemokrati premtoi vendosjen e një minimumi jetik prej 200 eurosh për ata që marrin më pak ose asgjë, dhe një rrogë minimale prej 500 eurosh, si dhe rritjen e pensioneve me 20%, me synimin për dyfishimin e tyre. Ai theksoi gjithashtu rritjen e rrogës mesatare në 1200 euro.
Berisha kritikoi shpërdorimet aktuale, duke përmendur shpenzimet e larta për projekte publike dhe ndërtimin e rrugëve, krahasuar me vendet e rajonit si Kroacia. Kryedemokrati tha se Shqipëria ka pasuri të pafundme dhe burime të mjaftueshme për të përmbushur këto premtime, duke u zotuar për një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave dhe një filozofi ekonomike humane, duke i dhënë përparësi mirëqenies së qytetarëve.
Lideri opozitar, Sali Berisha kritikoi ashpër keqmenaxhimin aktual ekonomik dhe buxhetor, duke theksuar korrupsionin dhe shpërdorimin në projekte infrastrukturore si Unaza e Tiranës dhe tuneli i Llogarasë. Ai premtoi një fokus të ri tek qytetarët, bujqësia dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Berisha shpalosi planet e PD-së për rikthimin e subvencioneve të fuqishme për fermerët, mbështetjen e prodhimeve bujqësore dhe orientimin drejt kultivimit të druve frutorë e ullinjve. Ai premtoi një politikë të taksave të ulëta për të rritur mirëqenien dhe për të stimuluar zhvillimin ekonomik.
Kryetari i PD, Sali Berisha, foli mbi nismën e “Ballkanit të Hapur,” duke e quajtur një kapitull të zi që dëmtoi mijëra ferma shqiptare për shkak të mungesës së mbrojtjes dhe kuotave për prodhimet vendase. Berisha garantoi një mbështetje të re për bujqësinë, duke arkivuar këtë projekt dhe duke i dhënë përparësi zhvillimit të sektorit rural në Shqipëri.
Berisha kritikoi menaxhimin e pronave nga qeveria, duke akuzuar Ramën për rikthimin e praktikave të konfiskimit të vitit 1946, ku denoncoi edhe shpërdorimin e tokave publike, përfitimet e individëve të lidhur me qeverinë dhe shkatërrimin e potencialeve të jugut të Shqipërisë.
Kreu i PD, Sali Berisha premtoi rikthimin e pronës dhe kompensimin e pronarëve përmes tokës publike dhe kompensimit financiar. Po ashtu, garantoi zgjidhjen e përfundimtare të dëmshpërblimeve për të përndjekurit politikë.
Berisha nënvizoi arsimin dhe shëndetësinë si përparësi absolute dhe prezantoi amendamente të PD-së si bazë për ndryshimet ligjore emergjente pas fitores së ardhshme.
Kryedemokrati, Sali Berisha e konsideron PD të gatshme për të përballuar sfidat dhe për të përmbysur “12 vitet e humbura.”
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju këtu të pranishëm, drejtues të PD, deputetë, kryesues dhe drejtues, anëtarë të departamenteve të saj.
Dhe një përshëndetje për të gjithë ata që na ndjekin ne.
Të dashur miq, ne e shfrytëzuam analizën dhe studimin e buxhetit për të paraqitur para shqiptarëve programin tonë ekonomik në tërësi, por para së gjithash konceptin tonë për shpërndarjen e të ardhurave buxhetore, i cili ka qenë i kundërt me parimet në të cialt ky buxhet u shpërnda në 12 vite.
Cilido që dëshiron, le të shohë studimin e Grupit të Bostonit të vitit 2012. Ky grup, ndër më prestigjozët në botë në rrafshin e studimeve, gjen Shqipërinë në pozicionin e katërt më të mirë në shpërndarjen e të ardhurave buxhetore.
Një qeveri në rast se do të ruajë kohezionin social, të vendit, të shoqërisë, një nga levat më të fuqishme që ajo ka për të konkretizuar përpjkjet për këtë kohezion është shpërndarja për të ardhurat buxhetore.
Aso kohe, Shqipëria u rendit në atë pozicion nga ai grup prestigjioz për faktin se Shqipëria në mënyrën më të vendosur kishte rritur rrogat dhe pensionet e qytetarëve, kishte ulur taksat dhe kishte investuar në infrastrukturën e dobishme për komunitetet.
Këto tre ishin faktorët që bënë të mundur që Shqipëria të ketë atë pozicion. 12 vite kaluan, Shqipëria në raport me shpërndarjen e të ardhurave u rrokullis me një shpejtësi të rrufeshme, të dhimbshme edhe më të madhe, se sa rrokullisja në testin e PISA-s.
Në 12 vite, ne humbëm një pozicion që përbënte një ‘quantum leap’ për shqiptarët, dhe ky ishte pozicionin i qytetarëve më të paguar në rajon. Më të paguar edhe se qytetarët e dy vendeve anëtarë të BE-së, bullgarët dhe rumunët.
Me gjithë këtë përpjekje, ne, siç janë të dokumentuara, investuam sa kurrë ndonjëherë më parë në infrastrukturën e vendit. 12 vite, nga në krye, nga pozicioni i parë, në rrogat dhe pensionet, ne u rrokullisëm në pozicionin e fundit.
Edhe pas rritjeve të rrogave, se pensionet nuk janë rrit, përsëri ne rreshtohemi të fundit në rajon, por jo vetëm rreshtohemi të fundit, por e vërteta është se, sirenat e dhimbjes së varfërisë dhe mjerimit ulërijnë sot për mbi 46% të shqiptarëve.
Në situatën më katasrofale, më çnjerëzore, më të pamëshirë janë pensionistët.
Pensionisti shqiptar për shkak të inflacionit, sot me gjithë të ashtuquajturin indeksim, sot ai blen me pensionin e tij 30-40% më pak, se sa blinte me pensionin e tij në vitin 2013.
Është shumë e dhimbshme të imagjinosh që, çmimet në Greqi dhe Itali të ushqimeve bazë dhe produkteve bazë janë qartësisht më të ulëta se në Shqipëri. Në raport me mesataren e BE, çmimet e produkteve bazë janë 10-250% më lirë, kurse pensionisti, në qoftë se ia proporcionojnë pjesën e pa indeksuar, në qoftë se ia proporcionojnë rreth 450 mijë lekë që, sipas ekspertëve iu mbahen me tvsh-në atyre, del e vërtetë që ata tri vakte nuk i marrin dot.
Në një kohë kur u mbaj ky qendrim me rrogat e larta. Ata u rritën 2 dhe 3 herë. Imagjinoni ju, merr Edi Rama, Bajram Begaj, Altin Dumani, marrin sa 50 gjer në 70 pensionistë, në një shkallë pabarazie ekstreme.
Plus të tjerë, që marrin si ndihmë ekonomike dhe janë mbi 60 mijë e sa familje që marrin nga 60 mijë lekë të vjetra.
Pra, varfëria dhe mjerimi janë një emergjencë kombëtare në Shqipëri sot. Një emergjencë, së cilës PD duhet dhe do ti përgjigjet duke përmbysur plotësisht këtë model shpërndarjes së të ardhurave dhe në mënyrë përfundimtare.
Në qoftë se, kemi të ardhura të supozojmë 100 lekë, ato do përdoren për realizimin e të gjitha objektivave tona për investimin tek njeriu, tek jeta e tij, tek përballimi i saj, etk begatimi i tij dhe pastaj do kenë destinacion tjetër.
Jam mirënjohës të gjithë atyre që kanë pregatitur programin, por mirënjohës edhe deputetëve dhe departamentet për amendamentet që kanë pregatitur. Sigurisht, këto amendamente nuk votohen, por këto amendamente janë hipoteka jonë, janë zotimi ynë solemn për t’i votuar në buxhetin e parë të PD.
Për të vendosur në buxhetin e parë të PD, minumin jetin, 200 si fillim dhe është 3 herë më i vogël se në Itali. Atje, i kanë më lirë ushqimet se sa këtu.
Pra, të mos mendojmë se, pensionisti shqiptar ka të drejtë 100 herë, 1000 herë të krahasohet, sepse bashkëmoshatari i tij i blen më lirë ushqimet në Itali se sa këtu, apo në Greqi, dhe ky është hapi i parë.
Ky minimum jetik do të shtrihet për çdo shqiptar që merr më pak se kaq, ose nuk merr. Mbi këtë minimum jetik, do të rriten pensionet me 20% me objektiv, dyfishimin e tyre, do të rriten rrogat minimale. Rroga minimale do të jetë 500 euro, dhe nuk do të ketë rrogë minimale nën 500 euro, pavarësisht nga efektet që mund të më thotë kush se do ketë në punësime e të tjera me radhë.
Sigurisht, që, po të punosh me skllevër, fiton më shumë. Po ne nuk jemi e asaj filozofie. Njerëzit që punojnë duhet të paguhen të paktën 500 euro, është minimum.
Rroga mesatare do të jetë 1200 euro, rroga maksimale nuk do të lëvizë, jo. Nuk ka për të lëvizur. Sepse, rroga maksimale që ta dini ju, të nderuar miq, i kemi më të larta se në Kroaci, se në Slloveni, se në vende të tjera.
Sigurisht, në konceptin e vjetër kjo ndodh, kur nuk ke asnjë lloj karakteri human as njerëzor, i lejon vetes një gjë të tillë.
Duhet të ritheksoj këtu, nuk premtohet dhe nuk premtoj kategorikisht lugë të artë, por në mënyrë absolute shqiptarët do të dalin në krye për rrogat e tyre dhe pensionet, në krye të rajonit, sepse nuk ka asnjë vend tjetër me pasuritë që ka Shqipëria, asnjë tjetër. Pasuritë e saj janë të pafundme.
Kështu që, i gjithë programi ynë do të ketë këtë objektiv kryesor, e gjithë shpërndarja e të ardhurave këtë objektiv kryesor.
Normale është, që çdo shqiptar do shtrojë pyetjen: ku do gjejnë këta paratë?
Së pari, me përgjegjësi të plotë u them qytetarëve shqitparë se, paratë janë dhe se nuk do mbetet asnjë kilometër rrugë pa ndërtuar. Jo, asnjë punë publike pa bërë. Jo.
Po nuk ndërtohen kurrë rrugë dhe punë publike me çmim të dhjetëfishtë krahasuar me Kroacinë që e kemi ngjitur, vend anëtar i BE.
Shiko se çfarë janë këta? Ua indeksojnë pensionet pensionistëve po të marrësh rreth 30% në 12 vite, dhe iu thonë se kaq janë rritur. Po indeksi i materialeve të ndërtimit sa është rritur?
Është rritur më shumë se kaq. Jo, jo mund të jetë edhe më pak. Po sa paguhen shqiptarët për punë, pavarësisht nga kjo rritje, ta zemë 30 apo 35%?
Shqiptarët paguajnë 10 fishin. Praktikat më të padëgjuara ndonjëherë, kurrë. Kanë instaluar në këtë vend një grup hajdutësh që u transferuan nga Bashkia Tiranës në qeveri.
A mund të imagjinojë kush që, një rrugë, konkretisht gjysma e Unazës së Tiranës, 13 kilometra të Unazës së Tiranës, të copëtohen në 14 lote, 14 kontrata për të vjedhur, për të gjobitur 14 herë. Është skema klasike që përdorte Edi Rama me lejet e ndërtimit.
Edi Rama jepte leje, do ndërtonte ndërtuesi një pallat, leja ishte për në shkallë, për shkallën tjetër lejen tjetër, për shkallën tjetër lejen tjetër që ta vilte tri herë.
Dhe këta, sollën këtë skemë. Sollën këtë skemë, dhe sot nga 57 miliardë euro buxhete të përbashkëta në 11 vite. Më thoni, çfarë kanë ndërtuar? Ku janë?
Një pjesë e mirë të rrugëve të nisura në atë kohë nuk kanë përfunduar. Nuk ka përfunduar Unaza, janë ndërtuar tre lote në atë periudhë. Nuk ka përfunduar rruga Qukës- Qafë Plloç, akoma vazhdohet dhe punohet në Bajpasin e Vlorës. Rruga e Arbërit është bërë tërkuz, nuk përfundon kurrë.
Kurse miliardat zhduken.
Ndaj dhe, nuk mund të ketë asnjë lloj dyshimi se, ne do ndërtojmë, jo, ne do të ndërtojmë.
Natyrisht, ne do iu kthehemi ujërave. Kemi patur dhe kemi objektiv 24 orë ujë për shqiptarët. Shqipëria është vendi më i pasur me ujë. Me paratë e tunelit të Llogarasë, i cili shkurton gjithësej 13 minuta dhe përjashton qafën më panoramike të Shqipërisë. Ia lidh sytë Llogarasë tuneli. Me atë tunel sistemoje ujërat e zeza nga Semani gjer në Ksamil. Që të gjitha derdhen në det sot, dhe ato që ndërtuam ne, dhe ato i kanë jashtë funksionit.
Dhashë këtë shembull.
Ne do ndërtojmë, do ndërtojmë fuqishëm, por ne fondet, përparësi absolute ne do të kemi qytetarin.
Jo vetëm qytetarin në nevojë, jo. Ne rikthehemi parti konservatore, parti e taksave të ulëta. Ne jemi për begatimin e shqiptarëve.
Dhe besojmë se rruga për të rritur të ardhurat dhe për të rritur mirëqënien kalon nëpërmjet uljes së taksave. Iu rikthehemi taksave të ulëta, siç kemi qenë, edhe më shumë mund t’i studiojmë, mund t’i ndjekim.
Rikthehemi fuqishëm mbështetjes së bujqësisë. Nuk ka vend të zhvilluar pa bujqësi të zhvilluar. E përsërisin shpesh fermerët këtë, por e përsërisin me shumë të drejtë.
Edhe sikur 3% prodhim kontribut të kenë në prodhimin e brendshëm kombëtar, ata duhet të jenë një sektor i zhvilluar, jo i braktisur si është sot.
A ka gjë më absurde se të përcaktosh 44 milionë euro për 20% të popullatës në Shqipëri që kontribuon me 20% të PBB.
Jo, ne u rikthehemi fuqishëm subvencionimit të fermerëve. I rikthehemi orientimit të fruti kulturës. Ne nuk diktojmë, por nxisim, dhe do nxisim ne. Krahas prodhimeve të fushës, ne do nxisim fuqishëm mbjelljen e kodrave dhe maleve me dru frutorë.
Faik Konica, e quajti Shqipërinë në meritën e tij më të madhe: kopështi shkëmbor.
Shkëmbor, se shkëmbore është Shqipëria, të jemi realistë. Shkëmbore, por është kopësht. Bëhet kopësht, ne do ta bëjmë. Do iu rikthehemi projekteve. Iu rikthehemi ullirit, iu rikthehemi arrorëve, iu rikthehemi druve frutorë.
Nga ana tjetër, absolutisht do të subvencionojmë çdo kokë bagëti, çdo njesi prodhimi. I japim fund taksimit armiqësor ndaj fermerëve. Armiqësor ndaj tyre!
Ballkani i hapur merr fund. Arkivohet si nga kapitujt më të zinj që shkatërroi me mijëra e mijëra ferma në Shqipëri.
Nuk shkatërrohen fermat në BE, jo, sepse kanë rregulla, i kanë kuotat.
Nuk pranon kush, të hapë kufirin për fermerët e tjerë që të shkatërrojë fermerët e tij.
Jo, jo, nuk është e vërtetë. Ëstë e vërtetë siç ka funksionuar me kuota, funksionin me rregulla.
Dhe siç keni parë ju, nuk keni dëgjuar ju, të ankohet fermeri gjerman për fermerin francez, apo fermerin italian. Kurse ky shkoi i hapi në një akt antikombëtar me mashtrimin se kamioni vonon 1300 ditë në dogana. Hapi kufijtë.
Natyrisht, fermerët që marrin subvencione 8 herë më shumë se sa fermeri ynë. Fermerë të cilët kanë në tokat e tyre investime miliarda e miliarda edhe gjatë Jugosllavisë së Titos.
Ata janë më prodhues, janë më kompetitivë.
Kështu që, ne do t’i bëjmë një mbështetje të fuqishme bujqësisë.
Prona, është shtyllë kryesore e programit tonë. Me pronën Edi Rama riktheu ligjet e ’46. Riktheu ligjin e vlerësimit me çmimet e konfiskimit në ’46.
Me pronat, Edi Rama lumturoi personalisht veten, familjarët e tij. Mori pa asnjë dokument pronësie njërin nga 20 kanionet më të bukura të botës, Gjipenë.
Pa asnjë dokument pronësie, pa asnjë dokument shpronësimi, e mori me emrin e nënës së vet dhe thotë: nuk e mora unë, por e mori nëna dhe vëllai.
Vëllai, po me prona, 38 mijë m2 tokë të dy famlijeve tiranase tek Rrapi i Treshit. Solla këto shembuj.
Imagjinoni ju. 6 milionë m2 tokë janë dhënë. Kujt? Trafikantëve ia dhënë. Kur erdhi në pushtet iu tha shqiptarëve se gjeta një Gjon, Gjon, Gjon me 60 mijë hektarë. Ai ishte Gjon Poçari. Ata ishin pasardhësit e Gjon Poçarit, dhe ky e mori Gjon Poçarin sikur kishte zbritur nga veriu.
Tani, në fakt nuk ka trafikantë nga veriu që nuk janë ul në jug, dhe jugu po shkretohet, po shfaroset. Ua them unë ju.
Në qoftë se, doni të shihni shfarosjen e kombit tonë, shkoni në jug, përveç bregdetit. Por në jug është krejt tjetër, jugu është një territor i bekuar me ujëra plotë, me potenciale turistike kudo.
E ktheu, shkojnë me strajca me para, i çrrenjosi.
Tani, nuk flet më për Gjonin, nuk e tregon më historinë e Gjonit ai. Jo, jo. Se Gjoni me drogë është fisnik.
Kështu që, kjo merr fund. Ne i rikthehemi rikthimit të pronës, kompensimit të pronës. Askush nuk duhet të jetë skeptik për këtë.
Ne lamë 75 mijë hektarë tokë për të kompensuar pronarët krahas kompensimit financiar. I mori ato, i dha në të katërta anët. Përsëri do i marrë, përsëri do krijojmë fondin. Me tokë publike do krijojmë fondin e kompensimit të pronarëve, do e zgjidhim ne atë, sikundër do zgjidhim nëmënyrë përfundimtare dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë.
Arsimi dhe shëndetësia janë përparësia më absolute për të dhënë cilësinë më të mirë të shërbimit të shqiptarëve.
Pra, në këto 34 amendamente, departamente dhe grupi i deputetëve kanë bërë një punë shumë të mirë. Kanë krijuar kuadrin ligjor të ardhshëm të emergjencës i cili do votohet në muajt e parë të qeverisjes së PD.
Do jemi, dhe do vazhdojmë pregatisim për çdo fushë kuadrin ligjor në mënyrë që mënyrë që të bëjmë gjithçka për të kapur 12 vitet e humbura. 12 vitet më të dhimbshme, 12 vite rrokullisje.
Por edhe të qajmë e të vajtojmë nuk na takon më tutje, na takon të veprojmë.
Tani jemi parti jo vetëm në këmbë, por parti e sigurtë drejt fitores. Ecim të sigurtë drejt fitores.
Secili nga ju, dhe çdo shqiptar duhet ta dijë, se PD sot është parti e fitores në zgjedhjet e ardhshme. Dhe çdo shqiptar duhet ta dijë se ne kemi të gjithë vullnetin, por kemi dhe kuadrin e nevojshëm ligjor për t’i dhënë përgjigjen më të shkëlqyer situatës së rëndë me të cilën përballen sot 46-50% e shqiptarëve.
Faleminderit!