Berisha uron Ditën e Verës: Kjo është hera e parë që dyert e Europës mbyllen për ne! Rama dhe Lubia nuk kanë të ardhme

PRONONCIM PËR MEDIA KRYETARI I PD, SALI BERISHA NË ELBASAN

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga Elbasani uroi qytetarët shqiptarë për festën tradicionale të Ditës së Verës, duke e cilësuar si një nga festat më të lashta që simbolizon shpresën dhe ripërtëritjen.

Gjatë prononcimit për mediat, Berisha akuzoi qeverinë, duke deklaruar se kryeministri Rama dhe Belinda Balluku po pengojnë rrugën europiane të vendit.

Lideri demokrat tha se, kjo është hera e parë në 34 vite që “dyert e Europës mbyllen për shqiptarët”, duke shtuar se shpreson që festa e ardhshme e Ditës së Verës ta gjejë Shqipërinë më pranë ëndrrës europiane.

PRONONCIMI I PLOTË

Së pari, qytetarëve, banorëve të Elbasanit, sot si kryeqyteti i festës për mbarë kombin, u uroj gëzuar Ditën e Verës, festën më të lashtë jo vetëm të shqiptarëve ç’është e vërteta, por edhe të kombeve të tjera, një ditë që ngjall shpresë, frymëzon ripërtëritje, një ditë pra gëzimi.
Dhe sot këtë festë shqiptarët e festojnë më të bindur se kurrë se festën tjetër të keqen ia lanë dimrit dhe Rama me Lubinë të ardhme nuk kanë më.
Kjo është dita e fundit e verës që ata i gjen me karrige të thyer ashtu siç janë.
Nuk e meritojnë!
Ndaj dhe le të urojmë që ditën e ardhshme të verës, qytetarët e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë ta festojnë siç ua do zemra, ta festojnë me dyer të hapura drejt të ardhmes dhe drejt Europës.
Është e trishtë dhe e dhimbshme se në 34 vite kjo është dita e parë e verës në të cilën dyert e Europës u mbyllën për shqiptarët për shkak të veprimeve të pashembullta në historinë e vendeve që shkojnë drejt integrimit nga dyshja Rama-Balluku.
Ndaj dhe le të urojmë dhe të punojmë që dita tjetër e verës të na gjejë sa më afër ëndrrës tonë evropiane.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale