KRYETARI I PD, PROF. DR. SALI BERISHA BASHKËBISEDIM ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në bashkëbisedimin e përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale ditën e sotme, u ndal te protestat opozitare, situata politike dhe ekonomike në vend, zjarret, korrupsioni, krimi i organizuar, ndërtimet, reforma territoriale dhe zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Berisha e cilësoi protestën qytetare si një “uragan të lirisë” dhe tha se qëndrueshmëria e saj është me rëndësi të jashtëzakonshme. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje më të gjerë qytetare dhe deklaroi se opozita duhet të bashkohet në një front të përbashkët për të synuar ndryshimin e qeverisë.
Një pjesë të rëndësishme të deklaratave e zuri akuzat ndaj qeverisë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Berisha premtoi se, në rast të rikthimit të PD-së në qeverisje, do të zbatohet “zero tolerancë” ndaj krimit dhe korrupsionit, ndërsa deklaroi se do të krijohet një agjenci e posaçme për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme.
Duke komentuar zjarret e ditëve të fundit në vend, Berisha ngriti dyshime për lidhjen e tyre me interesat e ndërtimit dhe betonizimit, ndërsa kritikoi qeverinë për menaxhimin e situatës dhe për trajtimin e zjarrfikësve.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për abuzime në sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtimin, energjinë, shëndetësinë dhe prokurimet publike, duke përmendur koncesionin e hemodializës, TEC-et lundruese, importin e ilaçeve dhe tenderat e AKSHI-t. Berisha kritikoi edhe SPAK-un dhe Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se ato nuk po hetojnë përgjegjësit e nivelit të lartë të qeverisë.
Për situatën demografike, kreu i PD-së tha se reforma territoriale duhet të synojë ripopullimin e vendit dhe kundërshtoi propozimin për 46 bashki. Sipas Berishës, PD propozon një model me 101 bashki, me synimin për të rikthyer shërbimet dhe investimet në zonat rurale.
Berisha foli edhe për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke deklaruar se PD ka nisur përgatitjet për programet lokale dhe përzgjedhjen e kandidatëve, me synimin për të paraqitur oferta konkurruese në çdo bashki.
Në përmbyllje të fjalës së tij, lideri demokrat tha se PD po vijon procesin e ripërtëritjes, modernizimit dhe përsosjes së vizionit të saj dhe përsëriti thirrjen për mbështetjen e protestave opozitare në Tiranë dhe në qarqet e tjera të vendit.

FJALA PËRSHËNDETËSE
Java ishte një javë tejet e nxehtë, e dominuar nga protesta në mbarë vendin, në Tiranë dhe në një seri qarqesh të Shqipërisë kundër korrupsionit, arbitraritetit të kreut të Meduzës, Edi Rama dhe organizatës së tij kriminale.
Java ishte javë e zjarreve, e dhjetëra e dhjetëra zjarreve të shumta, të cilat kërcënuan jo në një, por në disa zona të banuara të vendit banesa dhe jetën e qytetarëve.
Përballë këtyre zjarreve, narkoqeveria vazhdonte vakancat. Edi Rama dhe ministrat e tij rreziteshin në diell, duke luajtur kumbar dhe në indiferencë të plotë të kësaj që ndodh.
Prej mbi 2 javësh, me dhjetëra e qindra punonjës heroikë të zjarrfikësve dhe të tjerë janë përballur me guxim me zjarret në katër anët e vendit.
Asnjë qindarkë shtesë gjer sot nuk kanë marrë, përveç mashtrimeve të Edi Ramës.
Pamjet e ushqimit të tyre janë mjerim.
Është një injorim, një mosmirënjohje e thellë, e turpshme për sakrificën dhe djersën që derdhin, rrezikun me të cilin përballen këta burra, por edhe qytetarët.
Ndërkohë, protesta rinore qytetare, uragani i lirisë vazhdon i pamposhtur.
Ka dështuar me turp e gjithë përpjekja e Edi Ramës për ta përçarë, të gjitha format e përdorura për kërcënim, miklim, etj., ndaj tyre.
Ajo protestë është sot zëri i Shqipërisë në Evropë dhe në botë.
Pavarësisht nga indiferenca kriminale që qeveria dhe Edi Rama dëshmojnë ndaj saj.
Pavarësisht nga metodat e terrorizmit politik dhe psikologjik që përdoren ndaj protestuesve, asgjë nuk do ndalë uraganin e lirisë pa triumfuar.
Vjeshta është vjeshta e shqiptarëve, është vjeshta e lirisë, është vjeshta në të cilën qytetarët marrin në dorë fatin e tyre.
Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat të marrë pjesë në protestë, të mbështesë protestën me pjesëmarrjen e tij ose të saj, si një kontribut historik për vendin, si një kontribut historik për të ardhmen e Shqipërisë.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME QYTETARËT
Prishila Sterkaj: Korrupsion galopant, borxh deri në fyt, institucione të shkatërruara, arsimi dhe kultura të shkatërruara. Si mund t’ia dalë qeveria e ardhshme me këtë katastrofë shtetërore, pas gjithë këtyre viteve të qeverisjes së Edi Ramës?
Sali Berisha: Gjendja është vërtet dramatike. Por, ju siguroj se ka absolutisht zgjidhje. Dhe kjo zgjidhje qëndron në zero tolerancën ndaj krimit të organizuar dhe lidhjeve të krimit me politikën.
PD e ka faktuar, dhe duhet t’u rikujtoj se në atë periudhë, të shumtë ishin ata që më pyesnin se ku do i gjeni ju njerëzit për zero tolerancë.
Atëherë kam pasur një përgjigje dhue sot kam po atë përgjigje: njerëzit që do zbatojnë zero tolerancë ndaj bandave, klrimit, karteleve të drogës, organizatave kriminale, gjenden përsëri brenda policisë së shtetit, e cila ndonëse ka një shkallë ndër më të lartat të inkriminimit, ka prapëseprapë burra dhe gra të ndershëm, trima dhe guximtarë, që mezi presin urdhrin për zbatimin e ligjit. Që janë të gatshëm në një kohë rekord t’i vendosin banditët dhe trafikantët para ligjit, me një kusht, që politikanët të mos i pengojnë.
Ju garantoj se zero tolerancë do jetë qëndrimi ndaj korrupsionit.
Çdo shtet, në luftën kundër korrupsionit ka një ligj themelor dhe ky ligj quhet ligji i konfliktit të interesit.
Ligji i konfliktit të interesit ndalon çdo pushtetar të përdorë pushtetin për qëllime të pasurimit të tij dhe familjarëve të tij.
Ka shumë kritika të ndryshme, por të garantoj se ky ligj është zbatuar nga qeveria e mëparshme me rigorozitetin më absolut.
Dhe zbatimi i këtij ligji ka bërë të mundur të respektohet gara e hapur, të respektohet konkurrenca e ndershme.
Se cili ka qenë zbatimi i këtij ligji, unë duhet t’u rikujtoj se nga një kontroll 4-vjeçar që Skapi i partisë ka bërë për Sali Berishën kryeministër, pas këtij kontrolli kanë gjetur se ai kurrë nuk ka firmosur një vendim nominal përveçse në rastin e të ndjerit Ismail Kadare për një banesë e cila në njëfarë mënyrë vinte si shkëmbim për banesën e tij në Gjirokastër që do bëhej muze.
Ky veting nuk ka gjetur në tërë vitet se familjarët e Sali Berishës kanë përfituar qoftë dhe një qindarkë të vetme nga fonde publike.
Dhe u siguroj se kjo që ka ndodhur me Sali Berishën, ka qenë një standard edhe për zyrtarët e tjerë. Unë nuk them se nuk ka pasur përjashtime, por sot përdorimi i pushtetit për pasurimin e familjarëve është bërë ligj.
Në qoftë se ju merrni Edi Ramën, ai ka tre vendime nominale për Olsi Ramën, me të cilin i jep 38 mijë metër katrorë tokë të privatëve tek Rrapi i Treshit.
Thjeshtra e tij, për të cilën njëherë thotë është vajza e shtëpisë, dhe me ligj ajo është vajza e familjes, ligji i konfliktit të interesit përfshin fëmijët e bashkëshortëve, duket ditur që mund të jenë të dy me fëmijë të tjerë, me ligj nuk mund të përfitojë, dora e saj është në kushedi sa e sa tendera siç është për shembull Porto Romano, etj.
Dosjet në prokurori dhe jashtë saj, tregojnë se balozi i zi i vërtetë i AKSHI-t, ku janë plaçkitur të paktën 600 milionë euro, është Armand Frangu, është baxhanaku i Edi Ramës, për të cilin në kodin e Omertas, në kodin e mafias, mediat heshtin.
Nuk ka diskutim se anëtarë kryesorë të grupit kriminal të AKSHI-t janë Ermal Beqiri, është Ergys Agasi, janë dhe të tjerë, por dora e zezë, por bajlozi i zi është Armand Frangu dhe kunata e tij, Linda e Surrelit e cila ka drejtuar çdo tender.
Pra, zbatimi i këtij ligji, përdorimi i metodave që garantojnë transparencë të plotë dhe ruajnë barazinë para ligjit në konkurrencë, vendosja online e të gjitha procedurave në mënyrë që t’i kontrollojë cilido, janë mjetet për të krijuar transparencën dhe luftuar korrupsionin.
Natyrisht shpallja e korrupsionit si krim i rëndë është e domosdoshme.
Pra, PD ka një platformë shumë serioze të hartuar me dy fondacionet më të fuqishme të botës, Heritage Foundation dhe Adenauer Foundation, si për luftën kundër krimit të organizuar, ashtu edhe për luftën kundër korrupsionit.
Mirsad Hallunaj: Protesta duket se nuk po ndryshon asgjë. Rama nuk dorëhiqet sepse sipas meje, edhe po të dojë ai, nuk e lënë ata që e mbajnë në pushtet dhe as ata që kanë vjedhur bashkë me të, si Lubia përshembull. Mos vallë ka ardhur koha për mosbindje civile? Mendoj se është forma e vetme për të rrëzuar nga pushteti Edi Ramën.
Sali Berisha: Qëndrimi i Ramës ndaj protestës është kriminal. Por ajo çka ka një rëndësi të jashtëzakonshme, ka se protesta po persiston.
Dhe unë kam vlerësuar me interes deklaratat e tyre se ata në momentin e duhur do marrin vendime të tjera të duhura.
Vetëm se një gjë z. Halluni. Kjo protestë qytetare, kërkon mbështetje nga çdo qytetar.
Ndaj dhe, është në detyrën tonë të mendojmë dhe të bëjmë gjithçka si të afrojmë suksesin e saj.
Ajo është një protestë epike.
Djem dhe vajza, burra dhe gra të pamposhtur çdo ditë, është radha e çdo qytetari të mendojë si të kontribuojë për të.
Shkëlzen Mustafa: Doktor, a mendoni se zjarret janë të qëllimshme për interesa klienteliste të Ramës, për t’i hapur rrugë investimeve për resorte?
Sali Berisha: Në fakt, në tërësi zjarret po i shkakton betoni dhe padyshim që ato kanë vetëm një synim të hapin troje për beton.
Nuk e di, a e morët vesh apo jo, por dy-tre net zjarri ra edhe te televizioni shtetëror, duket se edhe aty do ndërtohet ndonjë kullë dhe ajo ndërtesë duhet të zhduket.
Barbari.
Nuk ka dyshim se zjarret janë të diktuara nga betoni.
Klevis Haziraj: Doktor, si e komendoni faktin që një gazetë prestigjioze zvicerane e lidh drejtpërdrejt Edi Ramën me bumin e ndërtimeve në Shqipëri dhe ngre pikëpyetje serioze mbi burimin e parave që financojnë këtë bum. A mendoni se pas këtyre 500 projekteve të përfshira në Albanian Files fshihet një skemë e madhe e pastrimit të parave të drogës përmes pasurive të paluajtshme dhe përse SPAK nuk e heton rolin e kryeministrit në këtë sektor?
Sali Berisha: Mendoj se shqetësimi juaj është shumë i drejtë dhe konstatimi i medias zvicerane, gjithashtu.
Në Shqipëri, si narkoshteti i parë dhe i vetëm në Evropë, raporti drogë-beton, beton-drogë është raporti shkatërrimtar për këtë vend.
I nderuar mik, studime të shumta kanë treguar se vetëm 20% e fondeve që përdoren për betonin, kullat, ndërtimet, vijnë nga bankat.
80% janë paratë që futen me kontejnerë, autobusa, mikrobusa dhe mjete të tjera dhe që faktikisht euron, monedhën më të fuqishme të Evropës dhe ndër më të fuqishmet në botë, e kanë rrëzuar përdhe.
Leku shqiptar, për shkak të kontejnerëve me drogë është forcuar dy herë më shumë se franga e Zvicrës me buxhet trilioner.
A mund të imagjinoni ju? Këtu gjithçka e dikton narkoeuro dhe droga.
Fatmir Myrta: Doktor, si është e mundur që një koncesion 10-vjeçar i hemodializës me vlerë rreth 75 milionë euro të fitohet nga një kompani, që sipas denoncimeve të PD, nuk kishte ofertën me të ulët dhe mori pikët maksimale për eksperiencën, ndërsa KLSH ka konstatuar edhe pagesa për shërbime të pakryera. A nuk kemi edhe këtu një shembull tjetër të një modeli klientelist, ku paratë publike përdoren për të garantuar fitime private?
Sali Berisha: Kryekëput kjo është.
Para se të shpallet tenderi, çohet valixhja me miliona apo bëhen transfertat në kontot offshore të tyre.
Dhe ky është një krim.
Dhe monopolizimi i dializës është një goditje e rëndë edhe për spitalet e tjera.
Aq më tepër, kur oferta nuk është më e lirë, është qartësisht flagrante si akt korruptiv.
Por ju keni dëgjuar besoj se, Edi Rama kërkon të ‘shtetëzojë’ të gjithë tregtinë e ilaçeve në Shqipëri, por burime të mirëinformuara njoftojnë se pas krijimit të ndërmarrjes shtetërore për importin e ilaçeve, atëherë do përdoret modeli KAYO apo modeli i punëve të pista të qeverisë.
Rama ka përzgjedhur KAYO-n e radhës për t’ia kaluar importin e ilaçeve, natyrisht për të ndarë paratë me të.
Kështu që, kemi të bëjmë me një hap tjetër, akt tjetër madhor të duarve të zeza mbi qindra e qindra milionë euro importe të ilaçeve për shqiptarët
Arbesa Prifti: Çfarë mendimi keni për protestën e banorëve të zonës naftëmbajtës të Patos-Marinzës që Bankers nuk i njeh kontratat dhe presionin që po u bën për përgjysmimin e çmimit të qirasë së tokave?
Sali Berisha: Mendoj se banorët kanë absolutisht të drejtë dhe Bankers duhet të zhdëmtojë për të gjitha pasojat e krijuara nga metodat teknologjike që përdoren për nxjerrjen e naftës në atë zonë.
Së dyti, nuk dua të përhap panik tek banorët, por disa studime tregojnë se aty ka një rritje të ndjeshme të të sëmurëve me kancer.
Dhe ata janë njerëz të pambrojtur, pa shtet, se çdo vend të botës, studimi do zyrtarizohej dhe do bëhej përgjegjës cilido për rritjen, siç thuhet, këto janë studime, por askush nuk mund t’i hedhë poshtë pa një studim serioz.
Ndaj dhe banorët e asaj zone, që është fusha e naftës më e madhe në Evropë në tokë, meritojnë dëmshpërblim të plotë.
Meritojnë ligjërisht një kontroll shëndetësor shumë serioz dhe mbështetje kundër pasojave që mund të jenë krijuar në atë zonë nga gazrat dhe probleme të tjera.
Linord Gërmenji: Në media është raportuar ditët e fundit se përmes Thesarit të Shtetit, Edi Rama ka paguar rreth 31 milionë euro mikun e tij të ngushtë, Ron Yeffet, përmes kompanisë Timak Defence. Si e shpjegoni ju se edhe pas gjithë këtyre denoncimeve publike nga PD dhe mediat, Rama sërish vijon i pashqetësuar të paguajë me të paktën 3 milionë euro në muaj mikun e tij të ngushtë?
Sali Berisha: Rama, për dijeni, përdor mikun e tij të ngushtë për vjedhur nga 3 milionë euro në muaj, përdor emrin e tij për të vjedhur bashkërisht.
Rama, me Ron Yeffet, siç kanë zbuluar emisione investigative shumë serioze, merret me kontrabandë të rrezikshme armësh dhe e ka shndërruar Shqipërinë në një plasdarmë të kontrabandës së armëve.
Rama do bëhet përgjegjës për këtë, por edhe Ron Yeffet duhet ta dijë mirë se përdorimi i një vendi tjetër për pasurimin e tij në kontrabandë të paligjshme është shkelje e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Dhe për këto do mbaji përgjegjësi të plotë.
Hamdi Barçi: Doktor, do ta pranoni reformën territoriale që ka propozuar PS me 46 bashki?
Sali Berisha: Përshëndetje, Hamdi! Kur e keqja rrokullis, mendoj se është detyrë të përpiqesh ta ndalosh rrokullisjen dhe jo ta ndihmosh, ta mbështetësh atë. Në qoftë se kemi arritur tek ato shifra të pashembullta që nga viti 1300 në kohën e ‘Murtajës së Zezë’ si pakësim demografik, në qoftë se shqiptarët me politikat e Edi Ramës u zbuan dy herë më shumë në Shqipëri se sa shqiptarët në Kosovë me politikat e Çubrilloviçit, një nga mekanizmat më madhorë ishte reforma territoriale e tij.
Reforma territoriale, që zhduku qindra komuna dhe bashki, faktikisht zhduku shërbimet pikërisht atë që ka nen kryesor memorandumi i Çubrilloviçit.
Zhdukja e shërbimeve bëri që ata të kenë të vështirë jetën, më të kushtueshme.
Të bëjnë rrugë më shumë, të paguajnë më shumë për të fituar një vërtetim, një të drejtë të tyre dhe i nxiti ata të largohen nga vendi i tyre.
Por tani le të shohim pak çështjen madhore që ju thoni lidhur me rrogat e punonjësve. Shqipëria me 410 bashki dhe komuna kishte në vitin 2013, 18-19 mijë rrogëtarë.
Pasi këto u hoqën, u zhdukën, dhe ramë tek 61 bashki, numri i këtyre punonjësve u dyfishua. Rrogat që merreshin në ato që këta i quajnë njësi administrative të pazgjedhura fare, u rritën nga 1 në 8 herë, mesatarja u dyfishuan me rreth 39 mijë punonjës.
Por çfarë ndodhi tjetër?
U përjashtuan tërësisht investimet nga Shqipëria rurale, në rrugë, në ujësjellësa, në kanalizime, gjë që diktonte largimin masiv të banorëve nga vendet e tyre.
Ndaj dhe ne nuk mund të aprovojmë këtë platformë të Edi Ramës me 46 parti.
Ne kemi shpallur platformën tonë me 101 bashki me potencial për shtimin e një numri tjetër mbi bazën e diskutimeve.
Ne besojmë se reforma territoriale duhet të jetë në funksion dhe të ripopullimit të Shqipërisë.
Ripopullimi, për ata që mendojnë se ky komb duhet të ekzistojë, është kushti i të gjitha kushteve për ekzistencën e kombit tonë.
Përndryshe, në qoftë se vazhdohet me këto ritme, të garantoj që në Shqipëri, shqiptarët do jenë stërpakicë, toka mbetet se është e përjetshme, por banorët e saj do jenë pakica e pakicës.
Eda Grimci: Doktor, si e shpjegoni faktin që dy TEC-et lundruese të cilat gjatë vitit 2026 thuajse nuk janë vënë fare në punë, tani kërkohet të paguhen 23 milionë dollarë për operimin dhe mirëmbajtjen e tyre për dy vitet e ardhshme? Mbi të gjitha si mund të hapet një tender i tillë kur qarkullojnë pretendime se kompania fituese, RENKO, është e paracaktuar? E kemi të bëjmë me një tjetër aferë korruptive ku shqiptarët paguajnë miliona për një aset që nuk prodhon energji? Si mundet SPAK nuk e sheh, nuk e heton?
Sali Berisha: Lubia e korrupsionit është autorja e Tigrave, që u quajtën, bashkë me Edi Ramën.
Nga ato monstra të vendosura një brigjet e Vlorës, Edi Rama dhe Lubi Balluku përfitojnë dhjetëra e dhjetëra milionë euro.
Nuk kanë si t’i heqin ata, i kanë nguluar aty dhe hajde të vazhdojmë të vjedhim sa më shumë bashkërisht.
Dora e Ramës dhe Lubisë janë vetëm ato dhe askush tjetër.
SPAK është faktuar instrument ose organizatë e PS. Nuk mund të hetojë.
Një prokuror i guximshëm bëri një përpjekje me Lubinë dhe ai u bllokua në mënyrën më trishtuese.
Nuk ka hetim për Ramën dhe Lubinë dhe rrethin e tyre.
Avokate Violeta Parruca: I nderuar, nëse qëllimi është rotacioni politik, si do i bindni qytetarët që janë kundër qeverisë, por që njëkohësisht nuk e shohin PD aktuale si alternativën e tyre? A jeni i gatshëm të bashkëpunoni me çdo forcë opozitare, edhe me ato që u kritikojnë personalisht, nëse kjo është e nevojshme për të krijuar një alternativë më të gjerë ndaj qeverisë?
Sali Berisha: Së pari, faleminderit për pyetjen. Por duhet të theksoj zonja avokate dy gjëra.
Shqipëria sot është faktuar, falë qëndresës së PD, luftës së saj, përpjekjeve të mëdha ndërkombëtare të saj, është faktuar një diktaturë autoritare apo autokraci elektorale që nuk bën zgjedhje. Kjo është kryesorja. Plus miliardat e drogës për të mbajtur pushtetin.
PD, me gjithë këto, ka marrë disa vendime jashtëzakonisht të rëndësishme, ripërtëritjen e saj dhe është shumë e vendosur ta shtrijë këtë në të gjitha nivelet.
Ajo po modernizohet vërtet duke përdorur teknologjinë më të mirë në organizimin e saj.
Ka vizionin më të shkëlqyer të përgatitur nga dy fondacionet e mëdha.
Rikthehem në një moment, zonja avokate. Në qoftë se në një analizë matematike, do të analizoje ndikimin në zgjedhjet e 11 majit të 4530 eventeve të paligjshme për të ndikuar në votën e qytetarit, në qoftë se përllogarit ndikimin e 100 eurove për 760 mijë pensionistë, në qoftë se përllogarit ndikimin e 2.1 miliardë eurove për gjoba dhe kamata të falura dy ditë para zgjedhjeve, në qoftë se përllogarit arrestimin e dy liderëve të partive kryesore opozitare si persona nën hetim, pa akuzë, ju jeni avokate, dhe ndjekjen penale të tjetrit për një gjë të parashkruar prej vitesh, në qoftë se përllogarit 29 mijë hektarë kanabis të licencuar për t’u mbjellë në të katër anët e vendit, në qoftë se përllogarit kartelet e drogës dhe listën e 28 deputetëve të dorëzuar nga Edi Rama këtyre karteleve për t’i futur në parlament, atëherë të garantoj se zgjedhjet kurrë nuk i fitoi PS, në asnjë rrethanë.
Tani, vij tek mendimi juaj.
Mendimi juaj është shumë i drejtë.
Në kushtet e një narkodiktature, në kushtet e një regjimi të tillë, mendoj dhe besoj se është detyrim absolut madhor moral i forcave opozitare të krijojnë një front të përbashkët për përmbysjen e kësaj qeverie.
Ne, ju siguroj, kemi qenë, jemi dhe do mbetemi të hapur për këtë.
Nuk kemi asnjë pengesë ne.
Ne besojmë fort se vetëm një front i zgjeruar opozitar i të gjitha forcave dhe kauzave antiqeveritare mund të bëjë të mundur përmbysjen e kësaj qeverie.
Elton Ruçi: Doktor, a do ta dërgojë PD në Kushtetuese ‘Reformën Territoriale’?
Sali Berisha: Elton, PD sigurisht do marrë masat ligjore të nevojshme, por ju e dini mirë që Gjykata Kushtetuese nuk është gjë tjetër vetëm notere e qeverisë.
Absolutisht, është organi i vendimeve më absurde, së bashku me SPAK-un dhe Irena Gjokën.
Arsen Dushku: Doktor, si mund të pretendojë qeveria që Shqipëria po bëhet një destinacion evropian turistik kur të dhënat tregojnë se 15.9% e ujërave bregdetare klasifikohen të shkëlqyera, ndërkohë 26 pika rezultojnë me cilësi të keqe? Kush mban përgjegjësi që shqiptarët dhe turistët lahen në det pranë derdhjeve të ujërave të zeza dhe pse pas 13 viteve qeverisje, premtimi për zerimin e ujërave problematikë ka dështuar?
Sali Berisha: Kjo është një çështje e rëndësishme.
Turizmi dhe ujërat e zeza nuk pajtohen njëra me tjetrën dhe e vërteta është se, nga Velipoja në Ksamil janë me qindra e qindra mjedise bosh pa turistë.
Dhe se ajo që bëhet fjalë është një mashtrim.
Dhe shkak ndër më madhorët përveç çmimeve dhe rënies dramatike të euros janë ujërat e zeza.
Por ju duhet të dini një gjë, qeveria e mëparshme, duke pasur përparësi absolute, ndërtoi nga Shëngjini gjer në Ksamil 11 impiante të mëdha të përpunimit të ujërave të zeza.
Por këto impiante, kryetarët socialistë të bashkive me në krye Edi Ramën, i lanë të mbyllura për shkak të energjisë që konsumojnë.
Në qoftë se qeveria ishte e interesuar, ju diktonte me të gjitha ligjet e vendit kryetarëve funksionimin e impianteve, të cilat për hir të së vërtetës, përveç ujërave të Tiranës, në tërësi të gjitha ujërat e zeza i derdhin të pastra në detin Adriatik.
Edhe për Tiranën, gjatë vizitës në Japoni, qeveria japoneze me bujari dhuroi kredi të butë 120 milionë dollarë për impiantin e përpunimit të ujërave të zeza në Tiranë.
Punimet filluan në Mëzez, shkoni dhe shihni, njëlloj si djegësi i Tiranës, nuk ka nam, as nishan. 120 milionë dollarë janë zhdukur.
Kjo është qeveri e pisit, e ujërave të zeza, ta përmbledh, kjo është qeveri e turpshme, qeveri e gjirizeve në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Si mund t’i lësh, kur 13 vite më parë u ndërtuan impiantet, tani impiantet janë të mbyllura për shkak se konsumojnë energji dhe nuk duan të paguajnë bashkitë.
Petrit Matia: Përshëndetje Doktor, kur pritet që të vijë ambasadori i ri i SHBA në Tiranë dhe a ka pritshmëri që do ta godasë krimin e organizuar dhe narkoshtetin e Ramaduros?
Sali Berisha: Tani, se ku pritet të vijë, nuk mund të them, nuk e di.
Por ajo që mund të them është se administrata e presidentit Trump ka shpallur një përparësi madhore kudo në botë, por me një akt të veçantë edhe në rajonin e Ballkanit, luftën kundër krimit të organizuar dhe karteleve të drogës.
Unë jam i bindur se mbështetja e këtij vendi do jetë shumë e rëndësishme dhe e dobishme për Shqipërinë.
Piter Vukman: Doktor, a do të ketë një ripozicionim të PD ndaj oligarkëve miq të Ramës, me të cilët ndan si plaçkë personale pasurinë e shqiptarëve?
Sali Berisha: PD, të garantoj se do jetë parti e ligjit. E ligjit dhe vetëm e ligjit.
PD zotohet se do krijojë një agjenci të veçantë për identifikimin dhe konfiskimin e çdo prone të paligjshme nga cilido në Shqipëri.
Barazia para ligjit do jetë ligji i parë i qeverisjes së PD.
Serxhi Qama: Z. Berisha, duke qenë se zgjedhjet vendore të vitit 2027 janë një pikë kyçe për rikthimin e opozitës në qeverisjen lokale, cila është strategjia juaj për ndërtimin e një oferte të besueshme dhe konkurruese në çdo bashki për ta kthyer rezultatin vendor në një hap vendimtar drejt fitores?
Sali Berisha: Ne faktikisht, në njëfarë mënyrë, kemi filluar punën për zgjedhjet e ardhshme.
Së pari, do ecet në disa drejtime. Në drejtim të programit, departamenti Brain Gain bashkë me departamente të tjera do angazhohen në hartimin e programeve lokale më të mira në çdo qytet dhe bashki të vendit.
Ata kanë filluar punën dhe po punojnë në këtë drejtim.
Ne do përpiqemi të paraqesim programet më të mira për t’u përgjigjur në mënyrën më të vendosur nevojave dhe kërkesave lokale të qytetarëve.
Do bëjmë gjithçka të përzgjedhim kandidatët më të pëlqyer, më të votuar nga qytetarët.
Pra, në shkojmë në këtë fushatë me përpjekje shumë të mëdha për të ndryshuar qeverisjen vendore.
FJALA PËRMBYLLËSE
Ju falënderoj përzemërsisht për pyetjet, komentet dhe u ftoj edhe njëherë të bëjmë gjithçka për të mbështetur protestat në Tiranë dhe në të katër anët e vendit.
Këto protesta janë një zë i fuqishëm kundër arbitraritetit, narkodiktaturës.
Injorimi që u bën Edi Rama atyre është injorim për secilin qytetar të ndershëm, shqiptar të ndershëm në Shqipëri dhe jashtë saj.
Ndaj dhe le të bëjmë gjithçka së bashku për suksesin e tyre.
Ndërkohë, u siguroj se PD po vazhdon përpjekjet e saj në të gjitha drejtimet e përcaktuara të ripërtëritjes, modernizimit dhe përsosjes së vizionit të saj


