BASHKËBISEDIMI I KREUT TË PD-së, SALI BERISHA ME NDJEKËSIT ONLINE
EKSTRAKT
Në bashkëbisedimin të sotëm me ndjekësit online kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi sulmin policor të shtetit ndaj protestuesve një dite më parë, duke e cilësuar atë si një moment kyç në përballjen e opozitës me qeverinë e Edi Rama. Që në nisje të fjalës së tij, Berisha falënderoi protestuesit, duke theksuar përmasën dhe ndikimin e protestës: ‘Dëshiroj të përshëndes ata dhjetëra mijëra qytetarë, që dje me uraganin e fuqishëm në kryengritjen tonë paqësore i kallën datën dhe tmerrin narkoregjimit të Edi Ramës.’
Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi policinë për mënyrën e ndërhyrjes gjatë protestës, duke e cilësuar atë si të dhunshme dhe të organizuar: ‘Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe dhunën e hapur dhe të programuar ndaj drejtuesve kryesorë të PD dhe deputetëve të kësaj partie.’ Sipas tij, janë përdorur mjete të ndaluara ndaj qytetarëve: ‘Është përdorur spraj i ariut, i cili është dhjetëra herë më i fuqishëm se spraji që përdoret kundër njeriut, përdorimi i këtij spraji përbën një krim.’ Ai shtoi se kjo përbën një precedent të paprecedentë: ‘Kjo është policia e parë në botë që përdor sprajin e ariut kundër qytetarëve dhe protestuesve.’
Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha foli edhe për keqtrajtimin e të arrestuarve, duke lëshuar akuza të rënda ndaj policisë: ‘Të përshëndes heronjtë tanë në qelitë e komisariateve, të cilët përballë torturave çnjerëzore, qëndruan të pamposhtur dhe nuk pranuan të japin asnjë deklaratë.’ Ai përmendi edhe raste konkrete të dhunës ndaj figurave të opozitës dhe aktivistëve, duke veçuar rastin e Aulon Kalaja: ‘Pasi u verbua me spraj ariu, u godit në një hakmarrje të verbër me shkop prapa koke, duke e lënë pa ndjenja.’
Në përgjigje të pyetjeve të qytetarëve, Berisha e bëri të qartë se protestat do të mbeten mjeti kryesor i opozitës: ‘Protestat janë dëshmia më e fuqishme e ekzistencës së një opozite të pavarur, janë një mision që synon largimin e Edi Ramës nga pushteti.’ Ai theksoi se veprimi në terren është i pazëvendësueshëm: ‘Imagjino pak nëse opozita do rrinte duke vrapuar nga një studio televizive në tjetër, kjo nuk mund të jetë aspekti kryesor i veprimtarisë së opozitës. Veprimi është aspekti kryesor.’ Berisha shtoi se, sipas tij, institucionet janë të bllokuara: ‘Ju e dini që pasi ka bllokuar hetimet e SPAK-ut, nuk lejon asnjë komision hetimor në parlament Edi Rama.’
Gjatë bashkëbisedimit, kryetari i PD-së Sali Berisha u bëri thirrje grupeve të ndryshme shoqërore që t’i bashkohen protestave: ‘Është koha të veprojmë së bashku, i bëj thirrje intelektualëve, studentëve, pensionistëve dhe fermerëve të bashkohen në këtë betejë.’
Ai kritikoi ashpër kushtet ekonomike dhe sociale, duke përmendur veçanërisht pensionet dhe bujqësinë: ‘8 euro, 2 kile domate bonusi i pensioneve për në vit. A ka gjë më qesharake se kjo?’ Për fermerët, shtoi se: ‘Fermat tuaja falimentojnë, sepse sistemi fiskal i qeverisë i falimenton ato.’
I pyetur për ndryshimin e strategjisë së protestave, lideri i demokratëve Sali Berisha nuk e përjashtoi, por u shpreh se, ‘çdo variant do studiohet, në këtë betejë do konsiderojmë të gjitha format e protestave.’ Megjithatë, ai këmbënguli se karakteri paqësor do të ruhet: ‘Ne jemi kundër dhunës, kryengritja paqësore është rruga më e sigurt drejt realizimit të qëllimit tonë. Kërkon durim dhe persistencë, por është forcë e madhe, i tmerron ata.’, theksoi kreut i PD-së Sali Berisha.
Në fund të bashkëbisedimit, kryetari i Partisë Demokratike Berisha përsëriti se opozita nuk do të tërhiqet nga rruga e saj. ‘Ne nuk pajtohemi kurrë, nuk trembemi dhe nuk mposhtemi.’ Duke e konsideruar protestën si rrugën e vetme për ndryshim, ai përfundoi me një thirrje për vazhdim të mobilizimit: ‘Të vazhdojmë këtë kryengritje si rruga e vetme më e sigurt për të shpëtuar Shqipërinë, për të rikthyer shpresën dhe besimin tek Shqipëria.’, theksoi gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:
Para së gjithash dëshiroj të përshëndes ata dhjetëra mijëra qytetare e qytetarë, opozitare e opozitarë, që dje me uraganin e fuqishëm në kryengritjen tonë paqësore i kallën datën dhe tmerrin narkoregjimit të Edi Ramës.
Të përshëndes përzemërsisht heronjtë tanë në qelitë e komisariateve, të cilët përballë torturave çnjerëzore, goditjeve shtazore që morën nga narkopolicë të droguar, qëndruan të pamposhtur dhe nuk pranuan të japin asnjë deklaratë siç donin banditët që i arrestuan.
Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe dhunën e hapur dhe të programuar ndaj drejtuesve kryesorë të PD dhe deputetëve të kësaj partie, të cilët ishin absolutisht që të gjithë në protestën më paqësore dhe po jepnin kontributin më të madh për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës, të cilën banditë me uniformë, narkokomisarë të tipit Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, Enton Allushi dhe Dashi i operacionales bënë gjithçka për ta shndërruar aët në një protestë të dhunshme.
Për këtë qëllim, në mënyrë të programuar ata përdorën një armë me fuqi të njohur letale siç është spraji kundër ariut, i cili është dhjetëra herë më i fuqishëm se spraji që përdoret kundër njeriut.
Përdorimi i këtij spraji përbën një krim, një vepër të rëndë penale dhe është i ndaluar në të gjithë konventat.
Kjo është policia e parë në botë që përdor sprajin e ariut kundër qytetarëve dhe protestuesve.
Në mënyrë selektive janë goditur dhe shënjuar me spraj drejtuesit kryesorë të PD dhe deputetët e saj Flamur Noka, Luçiano Boçi, Klevis Balliu, Ivi Kaso, Blendi Himçi, Aulon Kalaja dhe shumë të tjerë.
Me këtë rast dënoj me forcën më të madhe shtazërinë e treguar ndaj demonstruesve.
Dënoj torturat e ushtruara ndaj tyre në komisariat. Edhe sot në komisariat ka demonstrues të torturuar me shenja të hapura tortura.
Aulon Kalaja, pasi u verbua me spraj ariu, u godit në një hakmarrje të verbër me shkop prapa koke, duke e lënë pa ndjenja.
Po kështu janë një seri demonstruesish paqësorë.
Për të maskuar aktet e tyre shtazarake, sollën policë gjoja të plagosur, por asnjëri prej tyre nuk kishte asnjë lloj plage dhe u bënë qesharakë para personelit shëndetësor të Spitalit të Traumës dhe spitaleve të tjera.
Edhe njëherë, shpreh nderimin tim më të madh për protestuesit trima dhe guximtarë, të cilët me qëndresën, guximin e tyre i thanë dje Edi Ramës se çështjen Balluku, që është çështja Rama, vërtet i mbylle dyert prokurorisë, i mbylle dyert gjykatës, por çështjen nuk do mund ta mbyllësh kurrë sa të ketë Shqipëria opozitë gjer në ditën e fundit të ndëshkimit tuaj.
Të dashur miq, sot PD është forca politike e vetme në rrugë.
Qëndron e fuqishme përballë dhunës, terrorit policor.
Qëndron e fuqishme përballë mafies shtetërore më të rrezikshme në Europë.
Qëndron e fuqishme përballë mafies së fjalës së lirë që shpif, trillon nga mëngjesi gjer në darkë dhe manipulon kundër opozitës së fuqishme shqiptare.
Por ne vazhdojmë të palëkundur këtë betejë.
Vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore në kilometrin tonë të fundit gjer në triumfin e plotë tonë.
Edhe njëherë, për ata që abuzojnë me kilometrin e fundit, u them prapë në qoftë se e bëni nga padija, kjo është normale.
Por në qoftë se e bëni nga keqdashja, kilometri i fundit për PD do të thotë se kjo parti kaloi beteja të cilat ngrihen në kufijtë e legjendës.
Në kilometrat e mëparshëm, në përpjekjen për asgjësimin e saj, dështuan ata që donin ta asgjësonin.
Në kilometrat e mëparshëm, në përpjekjen për ta shndërruar në fasadë opozitë apo për ta unifikuar me qeverinë, dështuan ata që tentuan këtë gjë.
Në kilometrat e mëparshëm, ata që vazhduan përpjekjet për asgjësim duke i marrë flamurin dhe logon dhe vulën, të cilët arritën përkohësisht ta përçajnë, përsëri dështuan sepse ajo është e bashkuar.
Në kilometrat e mëparshme kjo opozitë bëri gjithçka për t’i faktuar botës se Shqipëria është narkoshtet dhe se zgjedhjet në Shqipëri janë një farsë elektorale.
Sot janë 7 rezoluta ndërkombëtare që pohojnë plotësisht deklarimet tona.
Në kilometrat e mëparshme, përpjekjet e mëdha të mafies ndërkombëtare dhe të qeverisë kriminale për të izoluar PD u hodhën mënjanë.
Sot jemi forca politike më e mbështetur se kurrë më parë nga të gjitha forcat politike të qendrës së djathtë në rajon, në Europë dhe në botë.
Ndaj dhe të vazhdojmë me vendosmëri të palëkundur në misionin tonë historik të përmbysjes së diktaturës së dytë në Shqipëri, diktaturës së narkosit Edi Rama.

PYETJE PERGJIGJE ME QYTETARET:
Lavdrim Nela: Sot janë 11 persona në burg dhe 15 të tjerë nën hetim. A po ja arrin qëllimin protesta dhe çdo të bëjë PD për të mbrojtur njerëzit e saj nga manipulimet e Lamallarit.
Sali Berisha: Kam dijeni të plotë, gjer në ora 3-4 të mëngjesit, deputetët dhe avoketërit tanë kanë në komisariatet e policisë dhe janë marrë me secilin rast dhe po i ndjekin.
Ne ndjekim të gjithë guximtarët tanë të arrestuar nga policia pa asnjë fakt dhe krejtësisht për qëllime politike.
Mendoj se protesta jonë është jetike dhe vendimtare. I dashur mik, imagjino pak nëse ne opozitë kryesore e vendit do rrinim duke vrapuar nga një studio televizive në tjetër kundër qeverisë. Sigurisht kjo është një aspekt po të garantoj që kjo nuk mund të jetë aspekti kryesor i veprimtari së opozitës.
Veprimi është aspekti kryesor i kësaj opozite në një kohë kur Edi Rama i mbylli publikisht dyert drejtësisë. Atëherë çfarë duhet të bëjmë.
Çdo njeri që i shtron pyetjen vetes dhe thotë, çfarë duhet të bëj unë në këto rrethana? Duhet të hesht, firmos triumfin e të keqes së Edi Ramës. Duhet të protestoj, firmos mospajtimin me këtë të keqe, qëndron në lartësinë e ndërgjegjes njerëzore që nuk pranon një gjë të tillë, idealeve tua, por dhe të guximit për t’ju kundërvënë këtij regjimi.
Ndaj dhe besoj se protestat, protestat janë dëshmia më e fuqishme, më e rëndësishme e ekzistencës së një opozite të pavarur që nuk pajtohet, por janë gjithashtu një mision që synon që synon largimin e Edi Ramës nga pushteti.
Na thoni pak, ata të cilët shtrojnë këtë pyetje, të pyesin veten, çfarë duhet bërë tjetër përveç protestës?
Në parlament ju e shihni, e kanë mbyllur parlamentin. Ju e dini që pasi ka bllokuar hetimet e SPAK-ut, nuk lejon asnjë komision hetimor në parlament Edi Rama. Atëherë, do pajtohemi, do ndjekim ne? Ajo është detyrë e gazetarëve të ndershëm, të cilët e bëjnë, të cilët çdo natë një pjesë e tyre në studio përballen me matjen më të rrezikshme, matjen e fjalës së lirë me guxim.
Por ne të tjerët, ne duhet të përballemi në rrugë, në sheshe, në protesta dhe nuk duhet kurrë të lodhemi, nuk duhet kurrë të tërhiqemi dhe të dekurajohemi nga mafia që mbron nga mëngjesi gjerë në darkë qeverinë.
Nuk duhet të biem viktimë e kësaj mafie. Do të jap vetëm një shembull se çfarë, çfarë është e aftë të bëjë kjo. Dy ditë më parë në Tiranë u dogj një pallat, i famozit Armando Lilo, benjaminit numër një të Edi Ramës dhe Erion Velisë.
Dhe tek pallati, fasada e pallatit digjej sikur të ishte kashtë dhe jo betoni, zjarrfikësit nuk futeshin dot. Sepse kjo ishte planimetria e firmosur nga Edi Rama aty. Çfarë ndodhi? Çfarë ndodhi të hënën?
Të dashur miq.
Studio televizive të kontrolluara nga Edi Rama hapen emisionet televizive me djegien e pallatit, por jo për përgjegjësinë e atij që ndërtoi me fasadë kashte, për përgjegjësinë e atyre që me firmën e tyre zhduken çdo hapësirë për zjarrfikëset. Jo. Për ata, po për opozitën në mënyrën më të vështirësuar të turpshme, se opozita thanë, nuk reagoi. Në një kohë kur ne kishim jo reaguar, po kishim mbireaguar të paktën me 10 deklarata nga selia, nga rrjetet sociale, nga salla e parlamentit.
Dhe tani duhej që të fshihej, të maskohej fakti që pallati u dogj se ishte fasadë kashte. Të maskohej fakti se pallati u dogj sepse zjarrfikësit nuk penetronin. Dhe duhet të dilte opozita se gjoja po bashkëpunon me Fatmir Xhafën, se ai është vëllai, është familjar i Fatmir Xhafës. Askush se ka sulmuar Fatmir Xhafën gjerë sot, sa Sali Berisha.
Dhe e vërteta është që dikur dhe unë e kam quajtur Armando Lilon të afërt të Fatmir Xhafës, po ai nuk ishte dhe unë nuk mund të them kurrë me vetëdije një gjë që nuk është. Po ku e kishin hallin ata?
Ata donin të fajësonin opozitën për të mbrojtur Lubinë, për të nxjerrë një aleancë opozitë-Fatmir Xhafa që të dilte Lubia fitimtare dhe edhe dje kush ishte prapa Skënder Ballukut? Famëkeqi, krimineli Oltion Bistri.
Muharrem Kurti: Doktor Berisha ju përshëndes. Mbrëmë në protestë na mbyten me gaz si gjithmonë edhe më keq. Pyetja ime është a do të ndryshojmë strategji psh, të vendosim një çadër të madhe në shesh e të ngujohemi deri në rrëzimin e regjimit famëzi të Edvin Ramës.
Sali Berisha: Çdo variant do studiohet. Por një gjë i dashur Muharrem, ne nga protesta s’heqim dorë kurrë dhe nuk ndalemi. Ne do bëjmë gjithçka për t’u bashkuar me forcat e tjera politike opozitare dhe unë prapë sot u bëj thirrje atyre.
Është koha të të veprojmë së bashku, kundër një armiku, kundër një armiku të egër të qenies shqiptare. I bëj thirrje shoqërisë civile, që ka mbetur jashtë kontrollit të Edi Ramës, të bashkohet me ne. Shikoni çfarë qëndrimi mizor mbajtën ndaj Aulon Kalasë, një nga veprimtarët më aktivë të shoqërisë civile, i cili në qindra protesta kurrë nuk ka protestuar me dhunë.
Ka protestuar paqësisht dhe me dinjitet, dhe u hakmorën dje në mënyrë më të verbër vetëm për t’ju tremb ju, anëtarë të shoqatave të pakontrolluara prej tyre. Por le të bashkohemi ne. Ju bëj thirrje intelektualëve, dilni nga konformizmi juaj, se shkatërrimtar. Duhet t’i dilni zot vendit tuaj, i cili po shkatërrohet.
Në universitete sot ju, ju them unë, nuk keni lirinë akademike as sa atë liri që kemi patur ne në diktaturën neo-staliniste. Dhe këtë jua them me fakte, me fakte dhe vetëm me fakte. Ju bëj thirrje studentëve. Paguani sot në vendin më të varfër, me prindërit me rrogat më të ulëta, tarifat më të larta në Evropë, përveç Britanisë së Madhe dhe Mbretërisë së Holandës.
Paguani tarifa tre-katër herë më të larta se austriakët, gjermanët dhe përfaqësues dhe dhe studentët në vendet e tjera. Mos pranoni këtë shfrytëzim që ju bëhet, këtë përçmim që ju bëhet, këtë kufizim që ju bëhet ju.
Sot po u mblidhnin si hiena firmat për kontrata, si në asnjë vend tjetër të Evropës, çka ju trajtojnë jo si qenie të lira, por ju detyrojnë të firmosni kontrata se do shërbeni kaq vite, aq vite, përndryshe, u gjobisin me gjoba. Kjo nuk u ndodh në ndonjë vend të Evropës, përveç në narkoshtetin e Edi Ramës.
Pensionistët, ju bëj thirrje të bashkoheni. Të mos pranojmë këtë poshtërim dhe këtë nënçmim që u bën Edi Rama. 8 euro, 2 kile domate bonusi i pensioneve për në vit. A ka gjë më qesharake se kjo?
Më thoni. Fermerëve, të dashur fermerë dhe fermere, fermat tuaja falimentojnë sepse Edi Rama ka vendosur sistemin fiskal që i falimenton ato. Sepse fermeri në Kosovë, në qoftë se qeveria njoftoi se në Tiranë ka, ka, ka përcaktuar 52 milionë euro për fermerët, që më shumë se gjysmën i vjedhin zyrtarët, në Kosovë janë 200 milionë euro të përcaktuara nga qeveria për fermerët. Dhe numri i fermerëve në Shqipëri është më i madh se në Kosovë.
Atëherë, në qoftë se ju doni që fermat tuaja të prosperojnë, çfarë bëri qeveria ndaj jush tani? U hoqi dhe ju hoqi dhe naftën pa akcizë.
Pra, në fakt, ju s’mbillni dot më tokën tuaj, sepse po e mbollët, nuk nxirrni me, me, me mjete, me mekanizma, nuk nxirrni dot shpenzimet e mbjelljes. Është koha të ngrihemi të gjithë, të vazhdojmë këtë betejë kundër kësaj të keqeje. Ne jemi të vendosur në rrugën tonë, në kryengritjen paqësore.
Nikoll Ndreca: Thirrja ime është protesta pa fjalime te bashkuar dhe te ngujuar para parlamentit në ditë e netë me deputetët, me popullin të bllokohet hyrja në parlament mos të lejohet zhvillime seancash veç në favorin e krimit, të bllokohet hyrja.
Sali Berisha: Nikoll të falënderoj shumë për sugjerimin dhe kjo është një nga format më të shkëlqyera që ti sugjeron.
U siguroj se në këtë betejë ne do konsiderojmë të gjitha format e protestave.
Ndryshimi: Duhet të ndërrojmë skemë, duhet të bllokojmë jetën ekonomike, duhet grevë me mjekë, farmacistë, arsimtarë, noterë, avokatë. Tek kategoria e shtresës së mesme, aty duhet luftuar që t’i bëjmë bashkë që të godasim sistemin. Nëse nuk e bën këtë, tregon se nuk e ke seriozisht angazhimin.
Sali Berisha: Ajo që thoni ju është e domosdoshme. Ajo është e domosdoshme.
Po nëse nuk e bën këtë, nuk e ke seriozisht, kjo pastaj është relative.
Frika, i nderuar zotëri, është përcaktuese sot.
Farmacisti nuk del në protestë sepse të nesërmen nuk e hap dot farmacinë. Noterit i hiqet licenca, etj, etj.
Pra, sot është koha të bëni një analizë. U bë një protestë e shoqërisë civile, e thirrur nga gazetarë të nderuar, pa interesa partiake.
U bë për një nga çështjet më të mprehta që prek xhepat e çdo shqiptari. U bë për çmimin e naftës kundër taksës për litrin e naftës që është më e larta në botë.
Kush doli i dashur mik? 10 qytetarë.
Jo se ata nuk kanë problem naftën, por problem kanë frikën qytetarët.
Ndaj dhe ne u bëjmë thirrje.
Por kjo nuk do të thotë se ne nuk do punojmë shumë në atë drejtim.
Megjithatë, midis alternativës të heshtjes si ata apo të ngritjes në këmbë fuqishëm kundër regjimit, kjo e dyta është jetike, vendimtare për opozitën dhe vendin.
Albanian Americans: Përshëndetje Doktor. Balla ka reaguar para pak minutash në lidhje me vendimin e gjykatës administrative për shfuqizimin e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës. Ai e quajti lajthitje të gjykatës dhe deklaroi se ajo ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit. Si e gjykoni këtë reagim?
Sali Berisha: Do më lejoni edhe njëherë të rikujtoj se pas Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, Taulant Balla është krimineli më i rrezikshëm që futet në atë parlament.
Taulant Balla përfaqëson njeriun që ka porositur vrasje dhe që është akuzuar se ka porositur vrasje dhe që është regjistruar në telefona si porositës vrasjesh.
Dhe këto regjistrime janë shkatërruar me një procesverbal me vendim të një gjykatësi dhe prokurori dhe ai procesverbal është bërë publik.
Taulant Balla është regjistruar në telefonata me Mario Çelën, në të cilat bën pazarin ku Çela i ka vendosur kusht Ballës arrestimin e bandës rivale të Çelajve në Elbasan, që Çelajt t’i garantojnë votat që do Taualant Balla.
Kushti është plotësuar. Faktikisht banda rivale është arrestuar dhe Taulant Balla ka marrë qindra mijëra vota.
Taulant Balla është i regjistruar se ka marrë porosi nga Çelajt që të marrë prokurorin Vath Staka dhe të shkojë në Shkodër për të liruar dy terroristë që kanë vendosur tritol nën shalën e biçikletës së Lulzim Kullës, dhe që tritoli ra në tokë dhe nuk i shpërtheu nën shalë atij.
E vërteta është që terroristët u liruan.
Mund të rendis edhe një seri veprash të tjera të rënda penale.
Taulant Balla është krejtësisht protagonist kryesor në dosjen Toyota Yaris.
Fytyra e drejtësisë shqiptare është Taulant Balla.
A mund të presësh qëndrim tjetër nga ky kriminel me damkë përveç atij që deklaron?
Jo, nuk mund të presësh.
Mimoza Rexhvelaj: Doktor ju thatë kryengritje paqësore, por tingëllon si kundërshti në vetevete, pas mbrëmjes së djeshme ky togfjalësh nuk ka më kuptim për ne qe u helmuam me gaz.
Sali Berisha: Mimoza, ne jemi Parti Demokratike. Ne kurrë nuk kemi synuar dhe nuk synojmë pushtet me dhunë. Ndaj dhe ne vazhdojmë kryengritjen paqësore deri në realizimin e qëllimit tonë.
Unë e kuptoj, isha dhe jam dëshmitar i të gjitha akteve ç’njerëzore, shtazore që kryen ndaj protestuesve paqësor. Por ne nuk tërhiqemi nga strategjia jonë dhe nuk duhet të tërhiqemi.
Ne duhet të vazhdojmë këtë betejë për një mijë e një arsye.
Do të vazhdojmë këtë betejë për farsën elektorale të Edi Ramës, për aferën Rama-Balluku, për aferën e AKSHI-t, për Portin e Durrësit dhe dhjetëra afera të tjera.
Një popull që nuk proteston, që hesht ndaj padrejtësive dhe krimeve të tilla, tregon një shkallë ekstreme nënshtrimi. Por ne do të provojmë të kundërtën.
Silvana Dangëllia: A do bënin denoncim për ata policë me uniformë dhe civilë që kanë përdorur shumë gaz lotsjellës ndaj protestuesve? Pyetja e dytë, mbrëmë por jo vetëm zoti Blushi, zoti Haxhinasto, zonja Xhixho, u larguan nga protesta pas fjalimit tuaj në kohën kur hidhet ujë dhe gaz lotsjellës. Ju duket e drejtë që ata në vend që të jenë në krah të protestuesve dhe kolegëve deputetë, ata largohen?
Sali Berisha: Mbrëmë, siç theksova, janë përdorur mjete të ndaluara me ligj kundër protestuesve.
Para së gjithash është përdorur spraj i ariut apo verbuesi i ariut, i cili në disa rrethana ka pasoja vdekjeprurëse.
I cili, i përdorur tek njerëzit, mund të shkaktojë ndalim të zemrës për shkak të dhimbjeve të fuqishme që krijon.
Kurse tek të sëmurët me bronshit azmatikë mund të krijojë të njëjtën pasojë me bllokim të respiracionit.
Mund të shkaktojë dëme të parikthyeshme në sy.
Dhe mbrëmë ajo është përdorur masivisht.
Përveç kësaj, nga tarracat janë hedhur drejt protestuesve shishe molotov dhe janë të dokumentuara.
Policë kriminelë kanë hedhur kapsolla tek këmbët e protestuesve dhe janë plagosur protestuesit nga kapsollat e tyre.
Janë hedhur bomba shurdhuese që kanë plagosur qytetarë.
Janë vërsulur me egërsi dhe me qëllim ndaj deputetëve, të cilët absolutisht veçse ishin garantë të kryengritjes paqësore.
Për të gjitha këto, dosjet do të shkojnë në prokurori.
Sigurisht që prokuroria nuk pritet të bëjë ndonjë veprim, por dosjet e formuluara do të shkojnë me besimin se drejtësia vonon, por nuk harron.
Për sa i përket deputetëve, mendoj se ata duhet të qëndrojnë gjer në fund. Nuk mund të them se kush ka ikur, por deputetët duhet të qëndrojnë gjer në fund.
Dhe ju e patë se dje në mënyrë selektive të plagosur, të dëmtuar ishin një grup i gjerë deputetësh dhe drejtuesish, ndaj të cilëve u hodhën direkt spraji i ariut, u goditën me shkop dhe me mjete të tjera.
Nesti Spaho: Sipas një raportimi në media, kryetari i bashkisë Gjirokastër dhe 18 punonjës të bashkisë meshkuj dhe femra, rezultojnë me sëmundjen AIDS. Si e komentoni këtë situatë.
Sali Berisha: Nesti, ky është një lajm mediash që kërkon verifikim.
Por nëse kjo është e vërtetë, ai që përhap sëmundje, ai është një kriminel që ndëshkohet nga ligji në Shqipëri dhe në çdo vend të botës.
Nuk mund të them edhe njëherë sa qëndron ky lajm mediatik.
Genc Koreja: Doktor, nuk e di a jeni në dijeni, por para pak ditësh mes maleve të Marjanit në Maliq, humbi jetën Alban Beleri. Udhëtonte çdo ditë 45 km me makinë nga Maliqi, dhe 4 orë në këmbë vetëm për 2-3 nxënës në atë fshat. Edhe pse kishte bërë kërkesë për transferim, kërkesa e tij nuk u mor asnjëherë parasysh. Jo vetëm kaq, por nuk kemi dëgjuar asnjë mesazh ngushëllimi nga ana e Ministrisë së Arsimit. Si mund të sillet një qeveri kështu me mësuesit.
Sali Berisha: Albani është një ‘Dëshmor i Atdheut’. Një mësues hero i vërtetë, një misionar i pavdekshëm i arsimit shqiptar.
Ai është viktimë e diferencimit politik të kësaj qeveri banditësh, të kësaj organizate kriminale, ai ishte njeri shembullor, një njeri i nderuar dhe unë i shpreh familjes dhe komunitetit, ngushëllimet më të ndjera.
Ndërsa për qeverinë thashë dhe njëherë është një organizatë kriminale. Mos prit nga kjo qeveri të vlerësojë të tjerët përveç se kriminelëve.
Erzen Rexha: A do ketë ndryshim strategjie në protestën e radhës sepse besoj se kushtet janë prekur për një ndryshim strategjie sepse kjo lloj strategjie po më bind që njerëzit janë lodhur dhe po zvogëlohen?
Sali Berisha: Strategjia edhe mund të ndryshojë, por protestat do të vazhdojnë si rruga e vetme për t’u dëshmuar shqiptarëve se ne nuk pajtohemi kurrë as nuk trembemi, as nuk frikësohemi, as nuk mposhtemi dhe nuk pranojmë kurrë qëndrimin e kësaj organizate kriminale ndaj shqiptarëve.
Kris Raz: Doktor Berisha, me intensifikimin e egër që policia po e fortifikon ndaj protestuesve, a mendoni se ka ardhur koha se duhet bërë e njëjta gjë nga pala e dëmtuar?
Sali Berisha: Ne kemi shpallur kryengritjen paqësore si motivin tonë.
Ne jemi kundër dhunës dhe jemi të bindur se kjo është rruga më e sigurt drejt realizimit të qëllimit tonë.
Kërkon durim, por kërkon persistencë dhe është rruga më e sigurt.
Marjela Gjata: Rasti i fundit i goditjes së një grupi kriminal që trafikonte kokainë, tregoi se ata kishin investuar në biznes dhe kishin marrë 70 mln euro tendera nga qeveria, madje edhe për shkolla. Pra një grup që trafikon kokainë, ndërton shkolla dhe çerdhe. A po përdoren paratë e buxhetit për të pastruar paratë e drogës dhe a po financohen ngarkesa kokaine me paratë e buxhetit.
Sali Berisha: Kartelet dhe qeveria këtu janë një. Zyra e kryeministrit është zyra e karteleve, aty priten dhe përcillen bosët e karteleve më të mëdha të Europës dhe botës, Sinalos së Meksikës dhe grupeve të tjera, karteleve të tjera të Amerikës Latine. Kjo është shumë e vërtetë, qëe thoni ju.
Por ju e dini që Edi Rama kishte një koordinator për kartelet e drogës dhe e ka përsëri Ergys Agasin për të cilin thuhet se, më shumë rri në Surrel se sa në Xhafëzotaj.
Por natyrisht beteja jonë nuk është pa fruta.
Mendoni pak ku ishim kohë më parë, kur në mënyrë të verbër nga lobime korruptive, Edi Rama blinte deklarata njëra pas tjetrës që e lavdëronin.
Gradualisht Edi Rama do të shndërrohet në turp për tu takuar me të dhe jam i sigurtë se shqiptarët do të realizojnë, përmbushin misionin e tyre.
Tonin Ndreu: A mendoni se ka ardhur koha që deputetët opozitarë të vendosin 50 karrige tek kryeministria duke u ulur dhe pritur qytetarët?
Sali Berisha: Mendoj se deputetët opozitarë po bëjnë të pamundurën për të përmbushur rolin e tyre si në parlament, ashtu edhe në protesta, ashtu edhe në bazë.
Të gjitha format e protestave janë të mundshme, por duhet të ndjekim ato që kanë efekt më shumë.
Agron Prendi: Ne për protestë paqësore dhe narkopolicia agresive ndaj protestuesve paqësorë. Deri kur zoti Berisha me këtë qëndrim pasi dihet se kriminelët me uniformë e kanë origjinën komuniste?
Sali Berisha: Përballja më eficente që u dhemb më shumë atyre është përballja jonë paqësore.
U garantoj për këtë.
Do durim dhe persistencë se qëndrimi ynë paqësor është forcë.
Forcë e madhe. I tmerron.
Tmerron Edi Ramën.
Ndaj dhe le të persistojmë ne gjer në fitore.
Enxhi Gashi: Zoti Berisha, u bë samiti i katërt i diasporës në 12 vite, në një kohë që vetëm në tre vite, Rama ka bërë tetë samite të Open Balkans me Aleksandër Vuçiç ku ka pasur marrëveshje konkrete ekonomike që kanë dëmtuar shqiptarët. Si e komentoni?
Sali Berisha: Komenti im për kuvendin e diasporës është bërë ditën që ai u mblodh. Edi Rama në historinë e këtij kombi, në vlerësimin tim, pas Enver Hoxhës është armiku më i rrezikshëm i të gjitha kohërave.
Edi Rama është faktuar si Pashiqi, siç ka thënë Michael Martens, si kryeministri më i mirë i serbëve pas Pashiqit për shërbimet që i ka bërë kombit serb në dëm të kombit shqiptar.
Nuk mund të imagjinohet një dëm më i madh për një komb se sa në 10 vitesh të largosh nga trojet e veta 45 përqind të këtij kombi si Edi Rama.
Nuk mund të bësh qëndrime më armiqësore ndaj një kombi se sa të vësh sanksione ndaj qeverisë së Kosovës, të padisësh në gjykatë kryeministrat e Kosovës në një rast unik në botë, se sa të bësh pazare me Vuçiçin me territorin e Kosovës.
Pra, në këtë aspekt, Edi Rama meriton atë që meritojnë tradhtarët më të mëdhenj të kombit shqiptar nga diaspora dhe çdo shqiptar tjetër.
Enver Hyka: Duket që Edi Rama është hakmarrës, vetëm Elisa Spiropali e kuptoi vonë. Ja shiko si i doli kundër kur i çoi tatimet tek dera. Po kur na çonte tatimet në dyert tona si presion për votat, Elisa i thoshte Skënderbe.
Sali Berisha: Gjithçka në partinë e krimit bazohet në krim. Marrëdhënie krimi janë marrëdhëniet e tyre.
Elisa, ç’është e vërteta, u shpall armike për dy arsye madhore.
Së pari, nuk mbrojti, duhet të jemi të sinqertë, nuk mbrojti vjedhjet e Edi Ramës me Lubi Ballukun.
E bëri se vlerësonte se është e pambrojtshme apo pse e bëri, nuk mund të them, por ajo nuk i mbrojti.
Së dyti ajo firmosi Bordin e Paqes, të cilin nuk e firmosi dot.
Dhe në këtë mënyrë, të ardhme aty ajo nuk mund të kishte më.
Cilat janë arsyet më të thella, po këto janë probleme të brendshme të tyre.
Endi Tafa: Doktor, Edi Rama ka miratuar leje për kulla 16 katëshe në Potam të Himarës. Këtë që po i bën ky bregut të jugut nuk e ka bërë asnjë pushtues në histori.
Sali Berisha: Edi Rama diktohet nga kartelet e drogës, është skllavi i tyre dhe zbaton vetëm urdhërat e tyre.
Shqipërinë si territor, Shqipërinë si ndërtim, e ka kryekëput në dorë, droga dhe kartelet e saj.
Edi Rama është vetëm rryshfet marrësi i qindra e qindra milionë eurove në këtë veprimtari.
Ana Drishti: Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut sapo ka marrë shtetësinë shqiptare. A mendoni se Edi Rama mund ta përdorë si kryetar për Bashkinë e Tiranës?
Sali Berisha: Mendoj se Eric Adams, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut nuk ka ardhur për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, por siç flitet, ka ardhur për biznese.
I ka me Ramën apo i ka veçmas, koha do e tregojë, por më shumë është biznesi që e ka sjellë zotin Adams në Shqipëri.
Uroj të mos ketë partneritet me Edi Ramën, ndonëse disa afrime me të janë domethënëse.
***
Ju falënderoj shumë për pyetjet, për komentet.
Edhe njëherë një mirënjohje të pakufishme të gjithë atyre që ishin të pranishëm dje në kryengritjen tonë paqësore.
Ftoj të vazhdojmë këtë betejë, të vazhdojmë këtë kryengritje si rruga e vetme më e sigurtë për të shpëtuar Shqipërinë.
Si rruga e vetme më e sigurtë për të hapur dyert e Shqipërisë për integrimin e saj në Bashkimin Europian.
Si rruga e vetme më e sigurtë për të rikthyer në Shqipëri shpresën.
Për të rikthyer në Shqipëri besimin tek Shqipëria, nga shqiptarët.
Për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve, për vendosjen e minimumit jetik, për subvencionimin e fermerëve shqiptarë, njëlloj si fermerët e Kosovës dhe Maqedonisë.
Për shërbime dinjitoze, arsim dhe shëndetësi.
Të vazhdojmë këtë kryengritje për ti thënë se kurrë nuk pajtohemi me vjedhjet që ti bën me Lubi Ballukun, me familjarët e tu tek AKSHI i Surrelit, apo pasuri të tjera publike.
Edhe njëherë një përshëndetje të përzemërt ju, protestuesve, guximtarëve tanë në qelitë e komisariateve dhe mbarë shqiptarëve.
Faleminderit!


