FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË 35 VJETORIN E THEMELIMIT TË DEGËS SË PD KAVAJË
EKSTRAKT
Në 35-vjetorin e themelimit të degës Në Kavajë, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zgjodhi qytetin simbol të rezistencës antikomuniste për ti bërë një ultimatum Edi Ramës që të mos mbrojë hajdutët dhe të mos pengojë drejtësinë që të bëjë punën e saj.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati shpreh se, ky përvjetor është jo vetëm në një akt kujtese historike, por në një thirrje të drejtpërdrejtë për përballje politike me regjimin aktual.
‘Kavaja është simboli i njerëzve të lirë, i njerëzve që besojnë në vlerat më të larta, hyjnore dhe njerëzore, tek liria, Zoti, familja, Shqipëria’, deklaroi Berisha në nisje të fjalës së tij, duke rikthyer në vëmendje rolin themeltar që ky qytet ka luajtur në rrëzimin e diktaturës komuniste dhe në lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri.
Sipas tij, ‘Partia Demokratike aq sa u themelua në qytetin studenti, po aq u themelua në qytetin e Kavajës’, duke e vendosur këtë degë në themel të historisë së demokracisë shqiptare.
Kryetari i PD-së vlerësoi sakrificën e jashtëzakonshme të qytetarëve të Kavajës, të cilët ‘me demonstratat e marsit çliruan qytetin e tyre’, duke e bërë atë ‘qytetin e parë të lirë të Shqipërisë’. Ai nënvizoi se lëvizja antikomuniste në Kavajë ishte ‘lëvizja më e fuqishme antikomuniste në Shqipëri’, një përballje e hapur me regjimin, e paguar edhe me jetën e heroit të parë të demokracisë shqiptare, Josif Buda.
Duke e lidhur historinë me aktualitetin, Berisha theksoi se fryma e rezistencës nuk është shuar dhe se Partia Demokratike vjen në këtë përvjetor ‘po aq e vendosur sa ditën e themelimit të saj, për të përmbysur diktaturën e dytë, të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve’. Në këtë kontekst, ai akuzoi qeverinë e Edi Ramës për farsë elektorale, kapje të institucioneve dhe përpjekje për të bllokuar drejtësinë.
‘Sot është qartësuar se Edi Rama vodhi votën, se Edi Rama s’bëri zgjedhje, por farsë elektorale’, deklaroi Berisha, duke shtuar se pushteti aktual ‘qëndron jo se ka mbështetje, por sepse nuk ngrihemi ne’. Pikërisht nga Kavaja, qyteti i revoltës historike, Kryetari i PD-së shpalli edhe ultimatumin e tij politik: ‘Mos guxo të mbrosh me vota të rrëmbyera hajdutët e qeverisë, mos pengo drejtësinë, largohu nga pushteti’.
FJALA E PLOTE
Të dashur qytetarë dhe qytetare të këtij qyteti të bekuar, kavajas dhe kavajase kudo që jeni sonte, në Kavajë, në Shqipëri dhe në katër anët e dheut.
Mirënjohjen më të pakufijshme, nderimin më të madh, ndaj jush, burra dhe gra, djem dhe vajza, me një shpirt dhe një raport me lirinë ndër më të përkryerit që mund të ketë njeriu i civilizuar, njeriu i qytetëruar.
Kavaja është simboli i njerëzve të lirë, i njerëzve që besojnë në vlerat më të larta, hyjnore dhe njerëzore, tek liria, Zoti, familja, Shqipëria. Ne mblidhemi sot në 35 vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike Kavajë.
Në të vërtetë, Partia Demokratike dega Kavajë formalisht u themelua nga me datën 17 dhjetor 1990 në darkë vonë, duke u gdhirë 18.
Por e vërteta është se ishte Kavaja, ishte sakrifica, burrëria, trimëria e qytetarëve të Kavajës dhe grupeve antikomuniste të saj që u hodhën themelet e pluralizmit, që u bënë inspirim për lëvizjen studentore.
Pra, në këtë kontekst, mund të themi se Partia Demokratike e Shqipërisë aq sa u themelua në qytetin studenti, po aq u themelua në qytetin e Kavajës.
Të dashur miq!
Lëvizja antikomuniste në Kavajë ishte lëvizje antikomuniste më e fuqishme në Shqipëri. Pas qëndrimeve, demonstrimeve antikomuniste të janarit, erdhi kryengritja e fuqishme paqësore e marsit në Kavajë, në të cilën ra për të, për të mbetur i pavdekshëm heroi i parë i demokracisë shqiptare, Josif Buda.
Por ato dy ditë, përballja me regjimin, ngjitet në nivelin e një legjende. Të rinjtë që janë sot në këtë shesh duhet ta dinë se ata burra që hodhën dhe shkelmuan në stadium veprat e gjakësorit, po ata që sulmuan komisariatin e policisë, secili prej tyre mund të pritej nga breshëritë e kallashnikovëve dhe të mitralozave.
Por ata kishin një motiv, ‘ja të vdesim, ja të rrojmë për liri’. Dhe me betejën e tyre ata çliruan Kavajën, qytetin e parë të lirë të Shqipërisë. Me betejën e tyre frymëzuan shqiptarët në Tiranë dhe kudo në të katër anët e vendit. Ndaj dhe një nderim të pakufishëm, një mirënjohje të thellë për të gjithë djemtë, burrat, gratë e Kavajës që me demonstratat e marsit çliruan qytetin e tyre.
Kavaja e lirë, Kavaja demokratike, që në dhjetor të ’90-ës, luajti një rol përcaktues vendimtar për fatin e Partisë Demokratike.
Ishit ju, qytetarët e Kavajës, që u bëtë mburojë dhe tmerr! Mburojë për forcat demokratike në Tiranë dhe tmerr për reaksionin që kishte, që kishte rrëmbyer armët kur u shemb monumenti i Enver Hoxhës dhe donin të ktheheshin në Tiranë me armë. S’guxonin. Nuk guxonin. Vetëm e vetëm se ishte Kavaja. Ishte postblloku i lirisë.
Në këto 35 vite, askush më mirë se ju nuk e mbrojti me votën e vet, me votën e e qytetarëve lirinë. Ndaj unë jam shumë mirënjohës që vij këtu, zoti kryetar i bashkisë dhe kryetar partie.
Për të gjetur qytetarë, i, qytetarë të parë, të votuar, të besuar nga qytetarët e Kavajës. Kam shumë mirënjohje për anëtarët e degës së Partisë Demokratike të këtij qyteti, kontributin e saj.
Miq, në udhëtimin tonë 35 vjeçar, ne ja dolëm. Ja dolëm ta shkëpusim Shqipërinë nga honet e varfërisë në të cilat rrokullisej.
Të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO.
Të lëvizim të lirë.
Të nxjerrim shqiptarët në krye për rroga dhe pensione në rajonin tonë.
Ja dolëm t’i jap, të ndryshojmë, transformojmë infrastrukturën. Pranuam rotacionin si kusht i të gjitha kushteve për të respektuar lirinë e qytetarëve tanë.
Por viti 2013 solli në pushtet një bandë kriminale. Solli në pushtet pasardhësit e atyre të cilët 45 vite shtypën me egërsinë më të madhe qytetarët shqiptarë.
Përpjekje të jashtëzakonshme u bënë të fshijnë nga harta e Shqipërisë pluralizmin. Përpjekje të jashtëzakonshme u bënë të shuajnë Partinë Demokratike si parti sovrane, të shpirtit dhe zemrave tuaja.
Përpjekje të jashtëzakonshme u bënë të shndërrojnë Partinë Demokratike në një parti fasadë të Partisë së Krimit. Të gjitha dështuan.
Sot Partia Demokratike vjen në këtë 35 vjetor, ju garantoj unë, po aq e vendosur sa ditën e themelimit të saj, për të përmbysur diktaturën e dytë, të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Sot Partia Demokratike ja doli. Ja doli me mbështetjen tuaj, me mbështetjen e demokratëve, jo vetëm të qëndrojë e fuqishme, por të mbrojë votën e shqiptarëve. Sot në të katër anët e vendit, në të katër anët e botës, është qartësuar se Edi Rama vodhi votën, se Edi Rama s’bëri zgjedhje, por farsë elektorale.
Miqtë e mi, Edi Rama, pasardhësi i xhelatit që vari poetin disident, bën gjithçka të shtypë dhe të shuajë pluralizmin. Ka bllokuar çdo hapësirë në parlament.
Ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij. Pasi shtroi zgjedhjet në farsë, përdor të gjitha mjetet kundër opozitës dhe qendrestarëve opozitarë.
Pasi vodhi shqiptarët dhe i largoi ata nga Shqipëria më shumë se në çdo kohë tjetër, nga vitet 1300, vitet e kolerës së zezë gjerë sot, kurrë kombi ynë nuk është pakësuar në 10 vite siç ka ndodhur këto vite.
Kurrë shqiptarët nuk janë vjedhur nga qeveritarët siç janë vjedhur këto 10 vite. Dhe tani ka vendosur të bllokojë drejtësinë.
Kam zgjedhur Kavajën, t’i jap ultimatum.
Mos guxo të mbrosh me vota të rrëmbyera hajdutët e qeverisë, sepse ne që në vitet ’90 u ngritëm me një motiv të shenjtë për të mbrojtur lirinë, përsëri jemi në këmbë, përsëri jemi të gatshëm me motivin ja të vdesim, ja të rrojmë për liri.
Ndaj dhe nga Kavaja i them këtij njeriu, mos pengo drejtësinë, largohu nga pushteti.
Largohu nga pushteti sepse je sjellë ndaj shqiptarëve si armiku më i egër në tërë historinë e tyre. Asnjë pushtim, asnjë diktaturë, asnjë regjim nuk ka përzënë në 10 vite 1 milion e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën ‘Shengen’.
Asnjë regjim, asnjë pushtim nuk ka çuar shqiptarët 100 vite mbrapa në shtesën e popullatës siç bëre ti këto 10 vite.
Asnjë regjim, asnjë pushtim, nuk ka ngritur në piedestal krimin dhe drogën siç ke bërë ti.
Qytetarë dhe qytetarë të Kavajës, historia u thërret përsëri.
Historia u thërret ju, thërret të gjithë shqiptarët që i thonë lirisë, liri. Të ngrihemi për të përmbysur diktaturën e dytë.
Diktaturën e cila po shkatërron me shpejtësi Shqipërinë dhe shqiptarët. Ju garantoj ju se Edi Rama qëndron në pushtet, jo se është i zoti, jo se ka mbështetje. Qëndron në pushtet se nuk ngrihemi ne.
Por ne do ngrihemi. Ne, qytetarët e lirë, që i besojmë lirisë, s’pranojmë kurrë një regjim si ky. Vetëm, vetëm një emër që e keni dëgjuar vetë këto dy vitet e fundit.
Ergys Agasi, i larguar. I larguar apo në Shkozet, hajde merre vesh tani.
Por në një transaksion ka 50 milionë euro të vjedhura qytetarëve. Vetëm në një transaksion jashtë shtetit. Vjedhjet e tyre janë të pafundme. Do u japim atë që meritojnë.
Ndaj, shfrytëzoj këtë rast të ftoj qytetarët e Kavajës, që kanë qenë në krye të lëvizjes për përmbysjen e diktaturës komuniste.
Rikujtoj dhe kurrë s’kam për ta harruar, 20 shkurtin e vitit ’91. Djemtë, burrat, gratë e Kavajës kishin një shqetësim të madh; Se mos diktatura, se mos diktatori ua bllokonte rrugën dhe s’do vinin dot. Janë nisur gjithë natën dhe kanë gdhirë, kanë gdhirë në Tiranë.
Dhe kanë qenë të gjithë në ballë të përmbysjes së shtatores së Hitlerit shqiptar. Ndaj, duke ju uruar gëzuar këtë festë, duke u përulur me nderimin më të madh para veprës së themeluesve të Partisë Demokratike, para veprës së grupeve antikomuniste, para qytetarëve dhe qytetareve të Kavajës, ftoj qytetarët e Kavajës dhe të mbarë Shqipërisë të nisim betejën tonë pa kthim, deri në fitoren tonë, fitoren e Partisë Demokratike, fitoren e Shqipërisë.
Faleminderit, gëzuar.


