KONFERENCA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë që të bashkohen në protestën e së shtunës, në orën 12:00, në mbështetje të revoltës studentore dhe gjimnazistëve.
Në konferencën për mediat ditën e sotme, Berisha e cilësoi revoltën studentore si përballjen më të fortë të rinisë shqiptare me atë që ai e quajti narkoregjimi i Edi Ramës, duke vlerësuar guximin e të rinjve dhe duke akuzuar policinë për akte barbare ndaj protestuesve.
“Revolta studentore dhe e gjimnazistëve të Tiranës është shndërruar në shpresën e madhe të mbarë shqiptarëve. E shtuna është dita që fton çdo shqiptar të rreshtohet përkrah tyre”, deklaroi Berisha, duke bërë thirrje për bashkimin e të gjitha forcave politike dhe qytetarëve kundër qeverisë.
Duke komentuar letrën e Erion Veliajt nga burgu, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ushtron presion dhe kërcënime ndaj kryebashkiakut të Tiranës për çështjen e drejtimit të Bashkisë. Sipas tij, kërcënimet me 100 vite burg dhe kërkesa për dorëzimin e çelësave të Bashkisë dëshmojnë degradimin moral të kryeministrit.
I pyetur për reformën territoriale dhe mundësinë e dërgimit të saj në Gjykatën Kushtetuese, Berisha tha se PD do ta ndjekë çështjen përmes të gjitha modaliteteve ligjore. Ai kritikoi gjithashtu Presidentin Bajram Begaj për dekretimin e ligjit, duke e cilësuar atë si “noterin e Padrinos”.
Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme vendore, kreu i PD-së bëri të ditur se emrat e drejtuesve politikë dhe kandidatëve për bashkitë do të bëhen publikë sa më shpejt, ndërsa mënyra e përzgjedhjes së tyre do të vendoset nga forumet e partisë.
Berisha u ndal edhe te mundësia e një kandidature të përbashkët opozitare për Bashkinë e Tiranës, duke kërkuar krijimin e një koalicioni të gjerë në të gjithë vendin.
“PD dhe partitë opozitare kanë përgjegjësinë që në këtë betejë të bashkohen në zgjedhjet vendore me kandidatë të përbashkët, në një koalicion të gjerë në gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe Tiranën”, u shpreh ai.
I pyetur nëse opozita ka një emër konkret për Bashkinë e Tiranës, Berisha tha se opozita ka kandidatë me vlera të larta qytetare, por theksoi se prioritet mbetet bashkimi i forcave politike në një front të përbashkët.
“Vetëm një front i bashkuar mund të arrijë atë ndryshim që me padurim e presin shqiptarët”, përfundoi Berisha.

FJALA E PLOTË
Mirëdita!
Jam sot, para jush për të bërë thirrje demokrateve dhe demokratëve, qytetarëve të mbarë Shqipërisë, ditën e shtunë në ora 12.00, në protestën më të fuqishme që ka njohur vendi, në mbështetje të revoltës studentore.
Revolta studentore përbën, në fakt, përballjen më të ashpër dhe më të suksesshme të rinisë shqiptare me narkoshtetin, narkoregjimin, padrinon, Edi Rama.
Rrugët dhe sheshet e Tiranës janë dëshmitarë të akteve të trimërisë dhe guximit më të madh që kanë parë ndonjëherë, por edhe të barbarive të qendrimeve shtazarake, të narkobanditëve të Edi Ramës, të cilët mbrojnë një kufomë politike në grahmat e fundit.
Revolta studentore dhe e gjimnazistëve të Tiranës, është shndërruar në shpresën e madhe të mbarë shqiptarëve.
Ndaj dhe, e shtuna, është dita që fton çdo shqiptar të rreshtohet përkrah tyre. Përkrah bijve dhe bijave të qytetarëve të këtij vendi, përkrah trimave, guximtarëve, që po bëjnë atë të cilën duhet ta bëjë çdo qytetar. Studentët, gjimnazistat, kanë fituar një simpati të jashtëzakonshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ju e dini, këto muajt e fundit, Shqipëria ka qenë shumë shpesh në kryetitujt e mediave të botës, por raportimet e revoltës studentore i kalojnë përkrah mbështetja, simpatia dhe paraqitja të gjitha zhvillimet e tjera në Europë dhe në botë. Ndaj dhe edhe një herë ftoj demokratët dhe demokratet të shtunën, në një lloj si e shtuna që kaloi, në të cilën mbështetën fuqishëm, të bashkohemi.
Ftoj çdo qytetar, askush nuk fton më shumë, asgjë nuk grish më shumë, shqiptarët e të gjitha bindjeve të bashkohen kundër kësaj të keqeje të përbashkët, të madhe, që e ka emrin Edi Rama. Ju e dëgjuat, një gjeneratë e tërë e ka të vështirë të kuptojë se çfarë do të thotë Edi Rama kthehet në genin e etërve të tij mizor, sepse ata nuk kanë përjetuar, kanë qenë fatlumë, nuk kanë përjetuar një ditë të vetme apo kanë qenë fëmijë të hershëm gjatë diktaturës komuniste.
Por e vërteta është se ky bastard i bllokmenëve të kuq, po shpalos çdo ditë psikologjinë e tyre çnjerëzore, po shpalos çdo ditë urrejtjen për kundërshtarin politik dhe urrejtjen për qytetarët e thjeshtë. Bashkimi i të gjitha forcave, përpjekjeve, kundër kësaj të keqeje, është rruga më e sigurtë e largimit sa më shpejt të saj.
Mbrëmë, qytetarët të gjitha mediat, u njohën me letrën e të burgosurit Erion Veliaj, ku informonte se Padrinoja, në fakt Koleka i ringjallur apo Kristaq Xhelati i ringjallur, kërcënonin të burgosurin me 100 vite burg në rast se ai nuk do t’i dorëzonte çelësat e Bashkisë, bashkëhajdutit të Edi Ramës, Arbër Hajdari. I cili duhet ta pranojë, se është një nga mëkatarët më të mëdhenj, se në shpërndarjen e atyre ndihmave, tre lugë i merr për vete, një lugë ia lë të tjerëve. Dhe ky tani duhet ai t’i dorëzojë këtij, që ky s’është fare punonjës bashkie. Ky është një grosist që ndan toka, prona, pasuri me Edi Ramën direkt, publike. Ndaj dhe të gjitha këto akte dëshmojnë degradimin total moral të Edi Ramës. Janë thirrje për të gjithë qytetarët.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE
Anesti Barjamemaj, A2CNN: Z. Berisha, kam dy pyetje. Pyetja e parë: Presidenti ka dekretuar reformën territoriale apo ligjin e miratuar nga shumica socialiste dhe PSD për ndarjen e re administrative me shkurtimin e 15 bashkive. Ju keni premtuar se do ta dorëzoni në Gjykatën Kushtetuese një padi për të kundërshtuar këtë reformë. A do të shkoni seri në fund? A po përgatitet padia për në Kushtetuese?
Sali Berisha: Së pari, ju lutem jeni korrektë me qytetarët. Në ç’kuptim? Duhen përdorur fjalët ashtu siç janë.
Sot Presidenti nuk ekziston, ekziston noteri i Padrinos.
Dhe qytetarët po e kuptojnë çdo ditë e më shumë se Haram Begaj është thjesht noteri i Padrinos.
Ka një rëndësi të jashtëzakonshme që fjala të thotë të vërtetën, kuptimin që ka.
Dhe në qoftë se ai sot quhet noteri, nuk është faji i qytetarëve që e quajnë noter, është akti i shëmtuar i tij që e degradoi në atë shkallë institucionin më të lartë të vendit, Presidencën e Republikës.
Po, ne do ta ndjekim me të gjitha modalitetet ligjore.
Natyrisht, siç e shihni, Padrino ka sot pushtet dhe më shumë se ç’kishte diktatori i fundit në vitin 1990.
Dhe kjo është në vitin 2020, se po të vijmë në vitin 2026 nuk është 90, por është të paktën 96 përqind.
Çfarë do të thotë?
Do të thotë se institucionet e tjera janë thjesht leva, instrumentet e tij.
Anesti Barjamemaj, A2CNN: Shpeshherë nga ajo foltore keni pohuar që po përgatiteni për zgjedhjet lokale, do të keni shumë shpejt kandidatët, por edhe drejtuesit e rinj të qarqeve. Kur do të jenë emrat e drejtuesve dhe kur do jenë emrat e kandidatëve dhe a do të shkohet përmes procesit të primareve për të zgjedhur kandidatët për bashkitë.
Sali Berisha: Emrat e drejtuesve dhe kandidatëve do të jenë në një kohë sa më shpejt të mundur.
Lidhur me procedurën, ka mendime të ndryshme, dhe ajo do vendoset nga forumet e partisë.
Nuk mund të them tani.
Statuti ka përcaktimet e veta, por mendime ka të ndryshme, ç’është e vërteta.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Z.Berisha, duke iu rikthyer çështjes së Erion Veliajt, përtej kërcënimeve dhe shantazheve, a po mendoni se Edi Rama po krijon terren për të mbajtur me çdo kusht Bashkinë e Tiranës dhe si do i përgjigjet opozita?
Sali Berisha: Nuk ka dyshim se ai me ndërhyrjen e fundit, me transferimin e tij në kundërshtim me të gjitha procedurat, ai është i gatshëm të ndërmarrë çdo akt ndaj tij nga frika se do humbasë Bashkinë e Tiranës.
Në qoftë se analizojmë këtë situatë, PD dhe partitë opozitare mendoj se kanë përgjegjësinë në betejën kundër kësaj të keqe të madhe të bashkohen në këto zgjedhje vendore me kandidatë të përbashkët në një koalicion të gjerë në gjithë Shqipërinë, përfshi edhe Tiranën.
Ju mund të më pyesni prapë, a bën Edi Rama zgjedhje?
Jo, Edi Rama nuk bën zgjedhje dhe cilido që beson se Edi Rama bën zgjedhje, mashtron veten e tij, por bashkimi i të gjitha forcave opozitare në qëndrimet qoftë zgjedhore, qoftë protestat, qoftë në çdo aspekt, është rruga e vetme për t’u përballur me narkodiktatorët apo diktatorët autoritare.
Kështu që ky është qëndrimi ynë.
Ne jemi të hapur.
Ne do bëjmë gjithçka për të bashkëpunuar me të gjithë pa përjashtim, me të gjitha forcat politike, me të gjitha shoqatat, me të gjithë faktorët që janë të vendosur, ose e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe të këtij vendi, për largimin e tij, qoftë në fushën elektorale, qoftë në fushën e protestave, qoftë në çdo fushë tjetër.
Olta Blaceri, VIZION PLUS: Z. Berisha, kush mund të jetë kandidati që bashkon të gjithë opozitën për të garuar për Bashkinë e Tiranës. A keni ju një emër, a keni ju një kandidat?
Sali Berisha: Ju siguroj se opozita ka kandidatë me vlera të larta qytetare, ka kandidatë shumë të mirë dhe e rëndësishme është që forcat politike opozitare të bashkohen në një front të përbashkët jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Vetëm një front i bashkuar mund të arrijë atë ndryshim që me padurim e presin shqiptarët.


