FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME DREJTUESIT E DEPARTAMENTEVE NË PD
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha i ka bërë thirrje intelektualëve që të reagojnë pasi Shqipëria përballet sot në kuptimin më literal të fjalës me një sistem kleptokratik ndofta të paparë ndonjëherë në ndonjë vend.
Berisha përshëndeti takimin me drejtuesit e departamenteve të Partisë Demokratike dhe iu drejtua inteklektualëv që të thonë fjalën e tyre, pasi shqiptarët sot janë objekt i një agresioni mafioz dhe mediatik të paimagjinueshëm.
Kryedemokrati, Sali Berisha ka folur për sulmet qeveritare që kanë përfshirë Partinë Demokratike dhe qëllimin nga 2021 e deri më sot për një Shqipëri pa opozitë.
Në mbledhjen me drejtuesit e departamenteve, kryetari i PD, theksoi ‘se u synua që të zhdukej opozita, u synua që Sali Berisha të arkivohej me një akuzë pa asnjë bazë, por nuk ja dolën, ne korrëm fitore’.
Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë mbledhjes me departamentet në PD, ku është folur për hartimin e një program të detajuar, tha se gjithçka duhet të ketë në epiqendër qytetarin.
Berisha u shpreh se, ky program duhet të hartohet me përgjigjet më të mira, ku shteti ligjor dhe të drejtat e qytetarëve janë dhe do të mbeten shtylla më kryesore e programit të PD.
Berisha tha se, beteja e PD sot është për krijimin e një qeverie teknike si një kusht themelor i krijimit të mundësisë së rotacionit të pushtetit në Shqipëri me votën e lirë.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të gjithëve ju, mirëmbrëma Oerd.
Së pari, dua të përshëndes përzemërsisht të pranishmit, drejtuesit e departamenteve në PD, por edhe të gjithë anëtarët e këtyre departamenteve kudo që janë, në Tiranë, rrethe, jashtë vendit, apo kudo.
Shpreh kënaqësinë që ju drejtohem ju sot, në një moment, dhe për një çështje themelore, jo vetëm të PD-së, por edhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve që është programi i qeverisjes së ardhshme të PD-së.
Para se të ndalem në problemet e programit që janë dhe objekti kryesor i kësaj mbledhje, unë kam një thirrje për secilin prej jush, për çdo anëtar të departamenteve, por edhe për çdo intelektual, mbështetës qoftë dhe jo të PD, të mbajë parasysh një fakt se thelbi ynë si intelektual është mbrojtja e interesit publik.
Në këtë kontekst gjykoj se kurrë më shumë, Shqipëria nuk ka pasur nevojë më të madhe, për zërin tuaj se sa në këto kohëra, kur ajo përballet aktualisht me plagën më të rëndë që mund të jetë regjistruar në kohëra, largimin prej saj në 10 vite të 1/3 së popullatës.
Shqipëria përballet sot në kuptimin më literal të fjalës me një sistem kleptokratik ndofta të paparë ndonjëherë në ndonjë vend. Ju jeni dëshmitarë se si faktohet çdo ditë se institucione të këtij shteti janë shtuar në organizata private në funksion të individëve dhe grupeve të caktuara kriminale me pushtet.
Nuk ka rast më klasik, se bashkia e kryeqytetit me drejtorët e saj të vjedhë 100%, të përvetësojë 100% fondet e prokurimeve publike. Nuk kam dëgjuar në asnjë lloj republike përveç se në narkoshtetin e Edi Ramës.
Por si intelektual e kemi më të qartë se të gjithë të tjerët padyshim, se çfarë rëndësie jetike ka për kombin integrimi i Shqipërisë në BE, dhe kur shohim muret e tmerrshme të ngritura që bllokojnë këtë rrugë, nuk ka mision më të madh për ne, se sa të çelim përsëri rrugën drejt integrimit të Shqipërisë, që duhet të mbetet gjithnjë yll polar i të gjitha reformave dhe politikës tonë.
Thirrja ime është për ju, intelektuale dhe intelekturalë, të cilët me peshën e fjalës dhe mendimit, keni ndikimin tuaj të padiskutueshëm dhe të merituar në mjediset ku punoni, por edhe në shoqëri në tërësi.
Shqiptarët sot janë objekt i një agresioni mafioz, mediatik të paimagjinueshëm. Do të ju jap vetëm një shembull për forcën e narkoshtetit në Shqipëri. Një shembull që takohet në çdo skaj, moment në këtë vend, për të cilin nuk flitet.
Të dashur miq!
Shikoni për një moment si e ka rrëzuar droga në Shqipëri, monedhën më të fuqishme të kontinentit, euron, si e ka shndërruar Euron në narkoeuro. Shumë nga ju jeni ekonomistë, jeni të fushës së financave dhe kuptohet se çfarë dhimbjesh, mundimesh krijon kjo tek qytetari i thjeshtë shqiptar.
Sot të gjitha pushtetet janë të përqendruara në duart e një njeriu. Sot rotacioni politik de fakto është i bllokuar. Mekanizmat që ka krijuar narkoshtetit e ka shndërruar rotacionin në një horizont që largohet. Por ka dhe një realitet tjetër i cili duhet të bëjë optimist çdo shqiptar.
Në këtë betejë të egër, nga 2021 e deri më sot për një Shqipëri pa opozitë, apo për një opozitë në këmbët e Edi Ramës, nuk u përdorën vetëm të gjithë potencialet e qeverisë mafioze, por edhe mafia ndërkombëtare, në këtë betejë e vërteta është që ne numërojmë sot një seri fitoresh të cilat nuk janë fitorja e luftës, jo. Ne jemi në mes të luftër, por ama u synua të mos ishim, u synua të ishim në kontroll të plotë të Edi Ramës.
U synua që Sali Berisha të arkivohej me një akuzë pa asnjë bazë, por vetëm për të zhdukur një zë, që luftonte me të gjithë mundësitë e tij korrupsionin dhe krimin në këtë vend.
Mirëpo të gjitha këto dështuan. Korrëm një fitore.
U bë gjithçka që ta copëzojnë PD. Dështuan, korrëm një fitore tjetër.
U bë gjithçka që të mos kishte parlament pluralist. De fakto me të drejtat që ju mohuan opozitës, parlamenti nuk ishte më pluralist, por luftuam, bëmë betejë, e fituam. Ato të drejta sot janë dhe do t’i mbrojmë.
Ndodhemi në një betejë të re. Nuk ka qytetar në këtë planet, që i thotë vetes njeri i qytetëruar që të mund të pranojë që një grusht hajdutësh të zhveshur nga çdo moral, të privatizojnë bashkinë e kryeqytetit, ta shndërrojnë atë në një organizatë private kriminale.
Ndaj dhe ne jemi të kyçur në këtë betejë, do ta fitojmë. Ne do të fitojmë dhe luftën, sepse kauza jonë është e drejtë.
Këtu ftoj intelektualët që të përdorin të gjithë potencialin e tyre për të mbrojtur kauzat e drejta, në mënyrë që të shpëtojmë Shqipërinë dhe shqiptarët nga jo shfarosje e butë që nuk e kanë njohur kurrë të tillë në histori.
Natyrisht, qëllimi kryesor i kësaj mbledhje është programi i ardhshëm i PD-së, i cili duhet tu japë përgjigjen më të mirë krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi, plagëve të mëdha që ka krijuar neodiktatura e bazuar në aleancën me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Ky program duhet të hartohej me përgjigjet më të mira. Natyrisht ju besoj e keni të qartë. Shteti ligjor dhe të drejtat e qytetarëve janë dhe do të mbeten shtylla më kryesore e programit të PD.
Në këtë kontekst, adresimi i problemeve të mëdha të cilat de fakto kanë zhdukur pothuajse shtetin ligjor.
Unë ju rikujtoj se në një klasifikim serioz ndërkombëtar, narkoshteti i Edi Ramës, renditet katër shkallë më poshtë se sa shteti monist i Vietnamit komunist, në raport me treguesit e zbatimit të ligjit dhe shtetit ligjor.
Ligji, të drejtat, zbatimi kanë nevojë për një rishqyrtim. Është e domosdoshme që në këtë fushë, si kudo në çdo fushë tjetër, të vështrojmë cilat janë themelet që duhet të prekim, cilat janë reformat themelore që duhet të ndërmarrim dhe cilat janë amendimet, përshtatjet e nevojshme në mënyrë që në kohën më të shpejtë dhe më të parë, të rikthejmë funksionimin e shtetit ligjor dhe të të drejtave themelore të qytetarëve.
Ne kemi disa parime, që i kemi thelemore në funksion të të cilave vërtitet e gjithë veprimtaria jonë. Porosia ime është kjo: gjithçka në epiqendër qytetarin. Qytetari po ikën masivisht nga ky vend, nga dy faktorë, varfëria dhe dëshpërimi, dëshpërimi dhe varfëria.
Ne biem dakord, se vështirë të gjesh vend tjetër me pasuri përrallore, të gjithanshme si ky vend, por që grabiten e plaçkiten dhe janë shndërruar në mallkim për qytetarët shqiptarë.
Do të duhet që ne t’i jepim përgjigje të shpejtë kësaj situate të qytetarit shqiptar, kësaj rrokullisje të madhe, që ai pësoi pa luftë, pa shkaqe madhore. Në 8 vite, nga më i paguari që ishte në Ballkan të zbresë gjithnjë poshtë e më poshtë.
Kur them qytetari, kam këtu parasysh të gjithë problematikat e tij dhe në çdo sektor të kërkoja nga ju që të përparësojmë kërkesat e tyre.
Ne jemi parti që besojmë tek liria e individit si gjenerator kryesor i prosperitetit, mirëqenies dhe në këtë kontekst ne vazhdojmë të besojmë tek taksat e ulëta, qeveria e vogël, konkurrencë e ndershme.
Ne do të ju japim përgjigje serioze me programin tonë, efekteve shkatërrimtare të narkoshtetit mbi mjedisin në Shqipëri, mbi sistemin arsimor, mbi sistemin shëndetësor, mbi klasën e mesme.
Ju keni një shans historik, të hartoni programin jo vetëm të shpëtimit të Shqipërisë, por programin e avancimit të saj në nivelet e një vendi të zhvilluar.
Në rrafshin praktik, ajo që kërkohet është para së gjithash letra e politikave, e departamenteve sipas fushave, ‘policy paper’. Një dokument konçiz, jo më shumë se 3-4 faqe. Duhet të jetë sintezë e programit që ju do të hartoni.
Por ky dokument duhet të paraqesë gjithashtu, sipas rëndësisë renditjen e çështjeve dhe qëndrimeve që do të mbahen.
Keni parasysh jemi në një situatë emergjence.
Në qoftë se jashtë kësaj situate do të kërkoja nga ju që të përpiloni, hartoni, programin afatshkurtër, do të thotë 100 ditëshin e qeverisjes, afat mesëm, vitin e parë të qeverisjes dhe afatgjatë 4-vjeçarin e saj, tani më duhet të ju shtoj edhe një komponent shumë të rëndësishëm; atë të qeverisë teknike.
Sepse beteja jonë sot është për krijimin e një qeverie teknike si kusht themelor i krijimit të mundësisë së rotacionit të pushtetit në Shqipëri me votën e lirë. Por qeveria teknike është një qeveri që qeveris, dhe për sa kohë sa ajo mbetet, sigurisht që objektivi i saj kryesor do të jetë përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por prap jeta shoqërore dhe ekonomike e vendit nuk pushon.
Duhet të përcaktohen edhe masat që do të merren. Mundësisht për të ndaluar sa më shpejt që të jetë e mundur këtë degradim të madh të situatës dhe për të bërë një kalim të butë, në 100 ditëshin apo në periudhën e qeverisjes së ardhshme të PD-së.
Pra detyra është komplekse, por besimi është i madh te ju. Keni të gjitha aftësitë, kapacitetet, mundësitë për t’u dhënë përgjigjen më të mirë problemeve të mëdha me të cilat në mënyrën më të padrejtë përballet sot Shqipëria dhe shqiptarët.
Ju uroj shumë suksese. Dhe njëherë ju falënderoj shumë për përkushtimin tuaj të madh, rolian që keni luajtur dhe luani dhe pres me padurim të vazhdojmë sëbashku për t’ju dhënë shqiptarëve programin më të mirë që ata kanë patur ndonjëherë.
Faleminderit shumë!