FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATËVE NË FIER
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar sot para mijërave banorëve të Fierit, kandidatët për deputetë të PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati u shpreh se, programi i Partisë Demokratike, është i qartë dhe në 100 ditët e para do të zhdukë varfërinë ekstreme me anë të minimumit jetik.
‘Ndaj dhe ne shpallim solemnisht se në Shqipëri në 100 ditët e para do ketë zero varfëri ekstreme. Mjerimin do e përjashtojmë nga Shqipëria. Miqtë e mi, nuk ka dhe nuk do ketë pensionist me cilindo lloj pensioni, të pjesshëm, të plotë, etj, që do marrë më pak se 200 euro në muaj. Nuk ka dhe nuk do ketë të papunë, me ndihmë ekonomike, studentë me bursë, jetimë në familje që do marrë më pak se 200 euro’, theksoi Berisha.
Gjatë fjalës së tij në Fier, kryedemokrati Sali Berisha ka sulmuar Belinda Ballukun. Ai e cilësoi atë si, rojen e Edi Ramës, ndërsa e akuzoi se vetëm për të larë makinën harxhon 10 mijë euro në muaj. ‘Kam një lutje për nënat, gratë dhe motrat e Mallakastrës. Mendoni një moment këtë Lubinë që vjen e sillet këtu sikur të ishte badigardi i Edi Ramës për të mashtruar për t’u marrë ju votat, a e dini ju të nderuar zonja dhe zonjushe, se ajo për lavash të makinës së vet harxhon, me dokumente 10 mijë euro çdo muaj. Nuk kisha dëgjuar kurrë që të shpenzohen vetëm për lavash mujor 10 mijë euro për BMË-në e saj’, deklaroi kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Duke prezantuar programin e bujqësisë për ‘Shqipërinë Madhështore’, lideri i opozitës Sali Berisha u ka premtuar fermerëve të Fierit se, subvencionet për ta do të shkojnë mbi 200 milionë euro. ‘Sot ju merrni 32 milionë euro subvencione, do merrni mbi 200 milionë euro subvencion për çdo fidan, për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë bagëti. Ju garantoj se Ballkani i Hapur do përfundojë në kosh të plehrave javën e parë të qeverisë tonë.
Dhe se ju, o njerëz punëtorë, do keni një klimë tjetër suksesi. Qeveria, për ju që punësoni 500 mijë shqiptarë, për ju që jepni 20 përqind të prodhimit, do rikthejë paratë tek ju’, nënvizoi krydemokrati, Sali Berisha.
Në fjalën e tij në Fier, lideri i demokratëve Sali Berisha është ndalur edhe tek investitorët strategjikë të Edi Ramës, të cilët i paralajmëroi që të mos prekin asnjë metër katrorë tokë të shqiptarëve. ‘Isha në Korçë, më thoshte tjetri, tek llixhat e Përmetit kemi dhjetëra hektarë, por po na i grabisin. Na e ka dhënë Edi Rama. Edi Rama bashkë me ta do të shkojë atje ku duhet. Prona e tjetrit nuk preket’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nga Fieri ka kërkuar impenjim nga të gjithë në ditët që kanë mbetur deri në zgjedhjet e 11 majit. ‘Le të betohemi ne, të shndërrohemi në misionarë, të takojmë çdo njeri që njohim, çdo komshi, çdo qytetar dhe të injorojmë batutat e tij bajate.
Por të merremi me këtë program, t’ua shpjegojmë qytetarëve këtë program se ky program është një mundësi për çdo të ri, për çdo punëtor, për çdo fermer, për çdo rrogëtar, për çdo mësues që do ketë rrogën minimale 1500 euro, për çdo mjek dhe infermier që do ketë rrogë të dyfishuar, për çdo naftëtar që do ketë të garantuar statusin e naftëtarit’, tha lideri i demokratëve gjatë fjalës së tij në Fier.

FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Fierit, Lushnjes, Mallakastrës, Patosit, Roskovecit.
Të dashur myzeqare dhe myzeqarë, mallakastriote dhe mallakastriotë, kosovare dhe kosovarë, labe dhe lebër, mirënjohje të pakufishme, nderimin më të madh për mesazhin tuaj që përcillni në qarkun e Fierit dhe mbarë Shqipërisë, mesazhin e fitores, mesazhin e triumfit, mesazhin e ndarjes së Shqipërisë dhe shqiptarëve nga një e keqe e madhe dhe e pamerituar që ata përjetuan këto 12 vite.
I dashur zoti Gazment Bardhi, udhëheqës politik i qarkut të Fierit.
Kryetarë të degëve të PD të këtij qarku, përfaqësues të shkëlqyer të qytetarëve të Fierit, Lushnjes, Mallakastrës, Patosit, Roskovecit në parlamentin e ardhshëm, krenaria e qytetarëve të këtij qarku, krenaria e shqiptarëve kudo që janë.
Një përshëndetje të përzemërt kam për të gjithë bijtë dhe bijat e Fierit, Lushnjes, Mallakastrës, Patosit dhe Roskovecit kudo që ndodhen sonte, në Shqipëri dhe diasporë.
Të dashur miq, sot në mbarë vendin, entuziazmi, energjia, optimizmi i popullit opozitar tek fitorja ka bërë që era e demokracisë të fryjë në të katër anët e këtij vendi të bekuar.
Unë jam sot para jush për të paraqitur së bashku me përfaqësuesit tuaj të ardhshëm projektin tonë për Fierin madhështor, Lushnjen madhështore, Mallakastrën madhështore, Patosin madhështor, Roskovecin madhështor.
Unë vij tek ju si përfaqësues i koalicionit më të madh opozitar të krijuar që nga vitet ’90 gjer sot.
Por vij gjithashtu me projektin më të mirë, me projektin që krijon mundësi të re për çdo shqiptare dhe shqiptar, për çdo të ri dhe të re, për çdo burrë dhe grua, për çdo fermer dhe punëtor, për çdo biznesmen, për mbarë qytetarët shqiptarë.
Projekti ynë nis jetën e tij me mbrojtjen e vlerave themelore të individit, të familjes, të shoqërisë.
Ne besojmë se dinjiteti i njeriut, se dinjiteti njerëzor është vlera e të gjitha vlerave, për të cilën jemi të gatshëm të bëjmë çdo sakrificë, të paguajmë çdo çmim në mënyrë që çdo shqiptar të trajtohet me dinjitet, me dinjitet, me dinjitet.
Këto 12 vite, ata që e etiketuan veten si rilindas, ata zhytën në mjerim, në skamje të skajshme, ata detyruan të qajnë me lot të ftohtë mjerimi qindra e mijëra burra dhe gra, të moshuar, që sot paguhen me një pension më të pakët se sa paguan gjermani një qen shtëpie apo një mace shtëpie.
Jo, kurrë më kjo nuk pranohet.
Ndaj dhe ne shpallim solemnisht se në Shqipëri në 100 ditët e para do ketë zero varfëri ekstreme. Mjerimin do e përjashtojmë nga Shqipëria.
Miqtë e mi, nuk ka dhe nuk do ketë pensionist me cilindo lloj pensioni, të pjesshëm, të plotë, etj, që do marrë më pak se 200 euro në muaj.
Nuk ka dhe nuk do ketë të papunë, me ndihmë ekonomike, studentë me bursë, jetimë në familje që do marrë më pak se 200 euro.
Nuk do ketë më shqiptar që do numërojë kafshatën.
Nuk do ketë më shqiptar që nuk do mund të blejë ilaçet e tyre.
Jo dhe jo.
Lista e republikës italiane për ilaçet e rimbursueshme do jetë lista juaj, lista e Shqipërisë.
E thashë dhe e them se ne do e fillojmë nga dinjiteti njerëzor.
Por nuk e lëndon asgjë më shumë dinjitetin se sa skamja që të detyron të numërosh kafshatën.
Nuk e lëndon asgjë më shumë shpirtin e njeriut dhe dinjitetin se sa sofra që nuk të lejon të ushqesh fëmijët e tu.
Ndaj dhe kjo merr fund.
Dhe jo vetëm kaq.
Rrogat minimale do të jenë brenda 3 muajve 500 euro.
Asnjë rrogë më pak.
Ushqimet rrogëulëtit, pensionistët, do t’i marrin 20 përqind më lirë se të tjerët. E gjithë TVSH-ja e blerjeve të tyre do u rikthehet dhe në një vit arrin 450 euro, arrin rreth dy-tre pensione, arrin rreth një rrogë minimale.
Pra miq, me këtë projekt ne u krijojmë një mundësi atyre që shkrinë jetën e tyre në ndërtimin e kësaj Shqipërie e kemi sot, të jetojnë me dinjitet.
Të mos presin ilaçet e tyre nga njerëzit e tyre jashtë, por t’i marrin këtu pa lekë, dhe t’i marrin të njëjtën cilësi.

Ku do i marrim ne këto para?
Ju lutem më ndiqni vetëm një moment se unë e di që çdo bashkëbisedues mund t’u pyesë ju, po ku do i gjejnë këta demokratët këto para?
Këto para janë të gjithë taksat tuaja që ju paguani në çdo gotë uji që pini, në çdo kafshatë që hani.
Prandaj dhe ne nuk bëjmë gjë tjetër, vetëm do u kthejmë paratë ju me përparësi absolute.
Është ditë e zezë, është ditë turpi, është ditë pashpirtësie turpi dita kur Edi Rama solli në parlamentin shqiptar buxhetin 8 miliardë euro dhe ndau për 760 mijë nëna dhe baballarë, gjyshe dhe gjyshër të këtij vendi, gjithsej 16 milionë euro, në një kohë kur vetë harxhon me avionin taksi 21 milionë euro me 140 udhëtime.
Miq, në vitin 2013, ne kishim pensionin mesatar 143 mijë lekë.
Sot është 172 mijë lekë. Por çka ndodhur?
Ka ndodhur që çmimet janë dy dhe trefishuar.
Ka ndodhur që buka, e cila ishte 400 lekë, sot është 900 dhe 1000 lekë.
Ka ndodhur që qumështi të dyfishohet.
Ka ndodhur që mishi të dyfishohet.
Zarzavatet të tre dhe katërfishohen.
Kjo do të thotë që pensionisti sot, për të përballur këto çmime, duhet të kishte një pension 393 mijë lekë.
Shkojmë prapë tek ai vit. Në vitin 2013, pensionisti malazez merrte 138 mijë lekë pension. Sot merr 450 mijë lekë pension.
Sigurisht, rriten çmimet, rriten pensionet, rriten rrogat dhe nuk lihen në mjerim siç i la Edi Rama.
Jo dhe jo. Merr fund 100 ditët e para tonat.
Pra, ku do i gjejmë ne paratë? Paratë janë tuajat, janë taksat tuaja. Ne, para së gjithash do ua kthejmë ato ju.
Ne i kemi paratë se nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë që të zhduken 130 milionë euro për djegësin e Tiranës, të mos ketë tullë as nishan.
Dhe kjo Lubi Balluku që keni këtu, kjo paguhej me taksat tuaja njësinë e mbikëqyrjes së punimeve të djegësit.
Por Lubia, 5 vite, 6 vite, nuk bëri asnjë raport për asnjë situacion, për asnjë zhvillim, për djegësin e Tiranës. Ja, ajo që u vjen me xhingla e mingla.
Nuk e bëri se paratë i merrte Rama. Ajo e dinte se paratë që jepeshin shkonin në kontot bankare të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Nuk do ndodhë kurrë që kryeministri të udhëtojë me avion në dispozicion privat. Jo, do të udhëtojë si ju. Dhe nuk është vetëm kryeministri i Shqipërisë që do udhëtojë si ju, por ka edhe kryeministra të tjerë të vendeve shumë më të pasura se Shqipëria që udhëtojnë me avionë të linjave tregtare.
Nuk do hapë kryeministri i Shqipërisë shishe 33 mijë euro në dreka dhe darka. Absolutisht nuk e hap as perandori i Japonisë, as presidenti i SHBA, as kancelari i Gjermanisë.
Jo, nuk hap njeri me paratë e taksapaguesve shishen 33 mijë euro. Edhe po ta dhuroi njeri, nuk e pranon. Kodi moral dhe ligjet e çdo vendi detyrojnë zyrtarin të refuzojë një dhuratë të tillë.
Kam një lutje për nënat, gratë dhe motrat e Mallakastrës. Mendoni një moment këtë Lubinë që vjen e sillet këtu sikur të ishte badigardi i Edi Ramës për të mashtruar për t’u marrë ju votat, a e dini ju të nderuar zonja dhe zonjushe, se ajo për lavash të makinës së vet harxhon, me dokumente 10 mijë euro çdo muaj.
Nuk kisha dëgjuar kurrë që të shpenzohen vetëm për lavash mujor 10 mijë euro për BMË-në e saj.
Por kjo tregon se për këta njerëz, për këtë grup, ju nuk ekzistoni.
Pensionisti nuk ekziston.
Qytetari nuk ekziston.
I riu është për t’u flakur nga Shqipëria sepse voton kundër tyre.
Miqtë e mi, unë jam këtu për të garantuar fermerët e mrekullueshëm të Myzeqesë dhe të gjithë qarkut se mbështetja e qeverisë së ardhshme për ju do të pesëfishohet.
Domethënë sot ju merrni 32 milionë euro subvencione, do merrni mbi 200 milionë euro subvencion për çdo fidan, për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë bagëti.
Ju garantoj se Ballkani i Hapur do përfundojë në kosh të plehrave javën e parë të qeverisë tonë.
Dhe se ju, o njerëz punëtorë, do keni një klimë tjetër suksesi.
Qeveria, për ju që punësoni 500 mijë shqiptarë, për ju që jepni 20 përqind të prodhimit, do rikthejë paratë tek ju.
Kredi të buta me 80 përqind të interesit të mbuluar nga qeveria, është zotimi ynë.
70 milionë euro do shpenzohen çdo vit për ujitje, për kullim, për mbrojtjen e tokës.
Prodhimet tuaja do kenë mbrojtje sezonale.
Made in Albania është krenaria jonë, prodhimet tuaja do jenë krenaria jonë.
Shërbimet e ekstensionit do jenë falas, do mbulohen nga qeveria.
Dhe unë u jap fjalën ju këtu sot se qeveria jo vetëm do mbrojë, por do bëjë gjithçka për krijimin e tregjeve në rajon, në Europë dhe në botë për prodhimet shqiptare.
Çdo fermer, le të pyesë sot Sali Berishën, të pyesë Gazment Bardhin, po pse ne e bëjmë këtë?
Ne nuk bëjmë asgjë tjetër vetëm se u kthejmë paratë ju, paratë që u marrim fermerëve.
Nuk bëjmë asgjë tjetër vetëm u vendosim ju o njerëz të punës dhe djersës në një start të njëjtë me fermerët e Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë.
Nafta do të ketë subvencionim identik me atë të këtyre vendeve.
Dhe naftë nuk do shitet më me çmim plus/minus 10 përqind nga dallimi në çmimi në Maqedoni dhe Kosovë.
Edi Rama merr për çdo litër naftë nga xhepat tuaj 1.1 euro. Ngarkesa fiskale mbi naftën do jetë e njëjtë me Kosovën dhe Maqedoninë.
Pra, ne do jemi të drejtë me ju dhe do bëjmë gjithçka për suksesin e fermave tuaja, për komplekset agrobujqësore.
Paralajmëroj të ashtuquajturit investitorë strategjikë, mos prekni asnjë metër katror pronë të qytetarëve shqiptarë se në mënyrë absolute do konfiskohet dhe do ndëshkoheni për korrupsion.
Kudo që shkoj, ankesa për grabitjen e tokës.
Isha në Korçë, më thoshte tjetri, tek llixhat e Përmetit kemi dhjetëra hektarë, por po na i grabisin.
Na e ka dhënë Edi Rama.
Edi Rama bashkë me ta do të shkojë atje ku duhet. Prona e tjetrit nuk preket.
Të dashur miq, Made in Albania do jenë prodhimet e uzinave, fabrikave dhe bizneseve të Fierit.
Unë garantoj biznesmenët se revolucioni ynë fiskal, taksa e sheshtë, përgjysmimi i barrës fiskale, ulja në 15 përqind e TVSH-së, ulja e çmimit të energjisë nga 18 lekë në 6 lekë për biznesin, janë zotimet tona.
Biznesmenët e vegjël, u premtoj sot se këta bashkiakë hajdutë do e kenë kufirin tek thana.
Se nuk do mund të vendosin kurrë taksa më të larta se 1 përqind të xhiros dhe se tavani për TVSH-në, për tatimin mbi të ardhurat, nga 100 dhe 140 mijë euro, do të kalojnë të dyja në 180 mijë euro.
Suksesi juaj është qëllimi ynë.
Miq, pasuritë e kësaj treve do të jenë para së gjithash pasuri të banorëve të saj.
A e imagjinoni ju, treva që nxjerr 1 mln naftë në vit dhe ka të gjitha pasuritë, boshatiset çdo ditë nga bijtë e saj. Merr fund.
Politika jonë do jetë, beteja jonë do jetë, zotimi ynë do jetë, çdo i ri, ëndrrën e tij në Shqipëri. shkollim, punësim, çati dhe strehim, financim për biznesin.

Të dashura zonja, zonjushe, nëna, motra, gjyshe të Fierit dhe mbarë Shqipërisë, ju e shihni se si Edi Rama, një mizogen i damkosur, mendon se po shfrytëzon takimet me ju për të fshehur së pari të gjitha dështimet e tij dhe u thotë në këto takime se fajin e ka këneta.
Se vodhi ai 130 milionë euro, fajin e ka këneta.
Se i mori Beketi 120 milionë euro, fajin e ka këneta.
Se pastron Lubia 10 mijë euro makinën në muaj, përsëri fajin e ka këneta.
Se të sëmurët vdesin në spitale, përsëri u thotë fajin e ka këneta.
Ky njeri që nuk ka ndjenjat më minimale njerëzore, ky njeri që kur erdhi puna për 760 mijë burra dhe gra, pensionistë, dhe i thamë urdhëro të votojmë minimumin jetik, ajo tha do ishte një humnerë.
Ky njeri që deklaroi se vdekja e të sëmurëve në Spitalin Onkologjik ishte një krim kundër njerëzimit, nuk mori asnjë masë dhe sot pas tre muajsh, gjendja e tyre është shumë më e keqe.
Ky njeri që shpërndan zëdhënësit të thonë se këtu nuk vdes njeri për bukë, për vete zhgërryhet me ministrat e tij në një luks si asnjë qeveri tjetër.
Ndaj dhe është në vullnetin tuaj, është në mençurinë tuaj, është në vendimin tuaj historik, me 11 Maj t’i jepni këtij njeriu që bën klounin dhe kloun që nuk është, që përpiqet të mashtrojë nga salla në sallë, ndëshkimin që meriton.
Edi Rama, i them unë këtu se asnjë grua, asnjë vajzë, asnjë nënë, asnjë motër, asnjë gjyshe, nuk mashtron ti me ato dokrra bajate.
Përfytyroni pak sikur të ishin burrat një muaj se çfarë mbetet.
I ka plasur çdo cipë, mjafton që të mashtrojë sadopak.
Të dashur miq, kanë mbetur më pak se tre javë.
Këto javët, orët, ditët e jetës sonë, të misionit tonë.
Le të betohemi ne, të shndërrohemi në misionarë, të takojmë çdo njeri që njohim, çdo komshi, çdo qytetar dhe të injorojmë batutat e tij bajate.
Por të merremi me këtë program, t’ua shpjegojmë qytetarëve këtë program se ky program është një mundësi për çdo të ri, për çdo punëtor, për çdo fermer, për çdo rrogëtar, për çdo mësues që do ketë rrogën minimale 1500 euro, për çdo mjek dhe infermier që do ketë rrogë të dyfishuar, për çdo naftëtar që do ketë të garantuar statusin e naftëtarit.
Për të gjithë ata pra që besojnë se Shqipëria është një tokë e bekuar, se Shqipëria ka pasuri përrallore që duhet t’i gëzojnë qytetarët e saj.
Edhe njëherë mirënjohje të pakufishme.
Rrofshi ju, rroftë Fieri, rroftë Shqipëria.
Të gjithë jeni njisha.
Të votojmë njishin.
Fitore, fitore, fitore!