Berisha: U ftoj që me 22 dhjetor të tregojmë para shqiptarëve dhe botës zemërimin tonë të thellë!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi në rrjetet sociale ditën e sotme, akuzoi qeverinë Rama për korrupsion masiv dhe pasurim të paligjshëm. Ai u ndal te akuzat ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, ku tha se disponon qindra apartamente, jahte dhe pasuri të tjera të përfituara përmes ryshfetit dhe tenderëve korruptivë.

Berisha deklaroi se korrupsioni në Shqipëri ka arritur nivele të krahasueshme me diktaturat afrikane të së shkuarës dhe se Rama dhe Balluku veprojnë si një tandem i pandarë. Kryedemokrati tha se, pasuria e Ramës është shumëfish më e madhe, duke e cilësuar atë si miliarder, me pasuri të fshehura jashtë vendit dhe përfitime nga ndërtimet shumëkatëshe.

Berisha akuzoi mazhorancën se ka bllokuar heqjen e imunitetit të Ballukut për të mbrojtur aferat korruptive dhe tha se projektet e mëdha ndërtimore, përfshirë portin e Durrësit, janë në funksion të pasurimit të kryeministrit dhe grupeve kriminale.

Kryetari i PD, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të ngrihen kundër organizatës kriminale në pushtet, duke e cilësuar këtë javë si një moment kthese në ndërgjegjen publike.

Gjatë sesionit pyetje-përgjigje me qytetarët në rrjetet sociale, Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se rruga ligjore për çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku është mbyllur, pasi institucionet e drejtësisë janë kapur nga kryeministri Edi Rama. Berisha theksoi se e vetmja zgjidhje kushtetuese dhe morale mbetet revolta qytetare dhe largimi i qeverisë aktuale.

Ai akuzoi Ramën se po pengon drejtësinë, po mbron Ballukun nga hetimet dhe po përdor institucionet për të shtypur opozitën, duke e cilësuar situatën në vend si diktaturë. Berisha paralajmëroi protesta të qëndrueshme, duke e cilësuar protestën e 22 dhjetorit si fillimin e “revoltës popullore” për rrëzimin e qeverisë.

Lideri opozitar tha se, zgjedhjet e 11 majit ishin farsë elektorale, të manipuluara përmes blerjes së votës, përdorimit të bandave kriminale dhe shpërndarjes së parave publike. Ai deklaroi se opozita ka të drejtë të përdorë çdo mjet demokratik për largimin e Ramës nga pushteti.

Berisha u shpreh kritik ndaj SPAK, duke thënë se ndonëse mbështet çdo institucion që zbaton ligjin, arrestimi i liderëve opozitarë në vit elektoral përbën goditje ndaj pluralizmit dhe demokracisë. Ai theksoi se korrupsioni qeveritar ka arritur nivele ekstreme, ndërsa pasuritë e vjedhura duhet t’u kthehen qytetarëve deri në qindarkën e fundit.

Kryetari i PD, Sali Berisha u bëri thirrje të gjitha forcave opozitare dhe qytetarëve të bashkohen kundër organizatës kriminale në pushtet, duke deklaruar se PD dhe opozita janë të vendosura të vazhdojnë betejën deri në largimin e Edi Ramës.

FJALA E PLOTË

Mirëdita dhe një përshëndetje të përzemërt të gjithë ju demokrateve dhe demokratëve, qytetareve dhe qytetarëve që ndiqni këtë bisedë të përjavshme në rrjetet e mia sociale.

Mendoj se kjo javë është karakterizuar nga zhvillime dhe zbulime, të cilat ndoshta kanë tejkaluar shumë imagjinatën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

Këtë javë, nga dosja e Lubi Ballukut, qytetarët shqiptarë mësuan se ministrja dhe zëvendëskryeministrja, që ndër të tjera kishte qenë nga babysitter në një punonjëse në bashkinë e Tiranës, është pronare e 300 apartamenteve, e dy jahteve dhe shumave përrallore, akoma të pagjetura në kontot e saj.

Një ministër shqiptar, apo zëvendëskryeministër, që siguron 300 apartamente me ryshfet dhe korrupsion, që blen dy jahte dhe kushedi sa çfarë pasurish të tjera, dëshmon se korrupsioni në Shqipëri, korrupsioni i Edi Ramës dhe enturazhit të tij, është i përmasave të diktaturave afrikane të 30 viteve më parë.

Ky korrupsion të rikujton diktatorët Bokasa, Mobutu, Gadafi, të cilët kishin plaçkitur miliarda qytetarëve të tyre, dhe në tërësi i kishin vendosur në bankat e Zvicrës apo vendeve të tjera.

Që një ministre, në një hark kohor të shkurtër, të bëhet me 300 apartamente, të gjitha duke i blerë me paratë tuaja, duke u dhënë tendera kundrejt apartamenteve kompanive makute, pra një pasurim të tillë marramendës mund të gjendet vetëm në diktaturat e dikurshme afrikane.

Por kjo tregon gjithashtu se tandemi apo dyshja Rama-Balluku janë një dhe të pandarë, dhe në qoftë se Balluku është pronare apo disponon 300 apartamente dhe dy jahte, u garantoj se në vlerë, Edi Rama minimumi disponon vlerën e 1500-2000 apartamenteve.

Disa herë kam deklaruar se Edi Rama është miliarder dhe unë e dija kur bëja këtë deklaratë se e kishit të vështirë ta besonit, por unë e kam bërë këtë deklaratë të bazuar në dokumente, fakte.

Çdo shqiptar mban mend se në vitin 2014, në një raport sekret të OSBE, u deklarua se Edi Rama ka në bankat offshore 200 milionë euro.

Edi Rama nuk e përgënjeshtroi kurrë dhe nuk paditi kurrë autorin e raportit.

Nuk padiste dot një organizatë se ajo do i nxirrte çdo qindarkë.

Por një moment.

Edi Rama, pra, u bë kryeministër me 200 milionë euro në kontot bankare offshore.

Si u bë?

U bë absolutisht vetëm nëpërmjet kateve të ndërtimit.

Në çdo pallat, Edi Rama gjobiste me 1 apo 2 kate në varësi nga lartësia e pallatit, dhe nuk pranonte apartamentin, por pranonte vetëm shumën me çmimin e shitjes të apartamentit.

Dhe kjo është e faktuar.

Janë biznesmenë guximtarë që ia kanë thënë në sy, janë të tjerë që e kanë deklaruar prore.

Pikërisht me pallatet, me katet e pallateve, Edi Rama u bë kryeministër me 200 milionë euro të fshehura.

Por nga viti 2014 gjer sot, në 10-12 vite, Edi Rama, mos harroni se këto kanë qenë vitet e ndërtimit të pallateve më të shumta, më të larta në tërë historinë tonë.

Këtu Edi Rama nuk është ndaluar me një kat apo dy, por këtu ai ka inkasuar shumat e të paktën 4-5 kateve. Minimumi.

Por tani menaxher i 67 miliardë euro, që është totali i buxheteve 12-vjeçare, Edi Rama me lukuninë e tij, sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka shpërdorur dhe përvetësuar minimumi 90 përqind të tyre.

Kjo javë pra është java e zbulimit të madh.

E zbulimit të korrupsionit të përmasave të diktaturave afrikane të dikurshme.

Është java në të cilën Edi Rama hoqi çdo maskë para shqiptarëve dhe u vendos i tëri në mbrojtje të vjedhjeve të zbuluara me dokumente të Lubi Ballukut.

Të mbrojtjes të 300 apartamenteve të blerë me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Të mbrojtjes së jahteve të blera me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Dhe ai, urdhëroi në mënyrë më kriminale dje deputetët e tij të mos lejonin heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut për faktin e vetëm se në qoftë se Lubia ka 300 apartamente, Edi Rama ka minimumi 1500.

Se në qoftë se Lubia ka 2 jahte, Rama ka minimumi 5, nëse i janë dashtë.

Se në qoftë se Lubia ka 2 vila, Rama është pronar në resorte të tëra turistike.

Çfarë kam parë unë në portin e Durrësit, dhe pikërisht në atë kohë kam deklaruar se Edi Rama do me kusht të bëhet miliarder si Alabari, dhe në portin e Durrësit ku ndërtohet 12 mijë apartamente, 12 hotele me 5 dhe 6 yje, me pishina dhe të gjitha lukset e tjera, ka për pronar të parë absolutisht Edi Ramën, klanet e drogës dhe pastaj Al Alabarin.

Pra, java ishte java e zbulimeve më të mëdha të zeza për Edi Ramën dhe qeverinë shqiptare.

Java shënon një kthesë të madhe në ndërgjegjen e çdo shqiptari, e cila i bën të mundur atij të motivohet për të larguar këta tam-tamë makutë, këta Gedafër, Bokasa e Mobutu.

Bastardë që kanë përdorur pushtetin e tyre për të përvetësuar taksat, pasuritë, pronat e qytetarëve shqiptarë çdo

Ndaj dhe duhet të them me bindje se këto abuzime, që asnjë shqiptar ose shumë pak shqiptarë mund t’i imagjinonin, janë një thirrje e fuqishme në ndërgjegjen e çdo qytetari të ngrihemi.

Të ngrihemi, të themi fjalën tonë, t’u rezervojmë këtij grupi, kësaj organizate kriminale, fundin e turpshëm që meritojnë sa më parë.

Faleminderit!

PYETJE-PËRGJIGJE

Pano Trenova: Doktor, juridikisht çfarë ndodh nëse Rama nuk e dorëzon Ballukun, kemi dëgjuar shumë skenare, por cila është rruga ligjore?

Berisha: Rama rrugën ligjore e mbylli. E mbylli sepse në këtë vend, si fjalë e fundit është Gjykata Kushtetuese të cilën ai, po të përdor një term figurativ, e ekzekutoi të parën dhe e asgjësoi me korrupsion të paimgjinueshëm.

Kështu që zgjidhja e vetme ligjore dhe kushtetuese është qytetari shqiptar me revoltën dhe zemërimin e tij. Ai tani ka të drejtë në ligj, kushtetutë e moral, të marrë çdo hap, të përdorë çdo mjet për largimin e kësaj bande nga pushteti, pasi kjo bandë është faktuar se nuk ka asnjë legjitimitet.

Dua të ju them qytetarëve, siç dëgjuan për AKSHI-n, kopshtin privat të Edi Ramës, që është një dosje edhe më e zezë se sa tuneli i Llogarasë dhe dosjet që janë paraqitur gjer sot për Lubi Ballukun, por ndër të tjera, tek AKSHI është një ndër mekanizmat kriminal më kryesorë të grabitjes së votës.

Aty është gatuar dhe fermentuar i tërë procesi i manipulimit dhe plaçkitjes së votave të shqiptarëve.

Andri: Çfarë pritet nga protesta e së hënës?

Berisha: Nga protesta e të hënës, qytetarët shprehin revoltën e tyre dhe japin ultimatum Edi Ramës.

Edi Rama duhet të largohet!

Dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve që Shqipëria të rigjejë paqen që meriton.

Ilir Basho: Doktor, te protesta e Adriatik Lapajt, ka pasur sërish përplasje me policinë. Nuk mendoni se ka ardhur koha të mbështesim çdo lëvizje kundër Ramës?

Berisha: Unë e kam mbështetur publikisht jo njëherë, por disa herë dhe e kam përgëzuar Lapajn për protestën e tij. Natyrisht ai përfaqëson një parti politike dhe protestën e bazon tek partia e tij.

PD siç e patë ju, filloi protestën e saj të fuqishme, ka filluar protestën e saj javore para kryeministrisë me qëllim dhe e dyta në parlament.

Me datën 22 PD dhe elektorati, mbështetësit, aleatët e saj janë në shesh.

Për ta ditur Lapaj është ftuar të ishte i pranishëm në protestën tonë, madje edhe mund të fliste, por ai ka programuar protestën për partinë e tij.

Jani Hysa: Doktor, ju shpreheni se Balluku ka 300 apartamente, ju si mendoni pse nuk janë sekuestruar ende?

Berisha: Ky është një proces shumë i vështirë, proces në vazhdim, në të cilin Lubi Balluku po mbrohet nga Edi Rama në mënyrë që të prishë çdo lloj dokumentacioni, por nuk ka dyshim se ato do sekuestrohen dhe do u kthehen qytetasve.

Besnik Kalaj: Doktor, si e analizoni jehonën e mediave më të mëdha botërore këto 2 ditët e fundit, kur e nënvizojnë se Edi Ramën si dikë që pengon drejtësinë për zv.kryeministren nën hetim për 10 akuza. A është izoluar ushtari i Sinaloas nga ndërkombëtarët, i cili në fakt ka mbi 13 muaj që nuk ka bërë asnjë takim zyrtar të rëndësishëm, përveçse në Lindjen e Mesme?

Berisha: Natyrisht, jehona jashtëzakonisht e fuqishme e aktit të deputetëve të PD në parlament, në mediat më të mëdha në botë, siç është FoxNeës, CNN, Al Jazera, dhe media të tjera, është njëkohësisht një mbështetje e fuqishme për forcat demokratike, është dëshmi e faktit se këto media dhe komuniteti ndërkombëtar, atë që po priste ishte pikërisht zëri i opozitës, protesta kundër vjedhjes dhe korrupsionit.

Ndërsa përsa i përket Ramaduros, unë mund të ju them ju se, PD i parapriu kësaj jehone. Janë 7 rezoluta ndërkombëtare të të gjitha partive të qendrës së djathtë, dhe ua them se nuk ka qenë e lehtë të bindësh tre organizatat më të mëdha, por dhe të vetmet të të gjitha partive të qendrës së djathtë dhe të djathta, se në Shqipëri zgjedhjet janë farsë, se në Shqipëri shteti është një narkoshtet, se pluralizmi politik shtypet, se korrupsioni nuk ndëshkohet, se drejtësia përdoret si armë kundër opozitës, të gjitha këto nuk kanë qenë të lehta, për shkak të lobimit të stërfuqishëm të Edi Ramës.

Ju e patë, kush ishte lobistja e Edi Ramës në Bruksel. Ishte njeriu që kishte bërë ligjin, ishte Frederica Mogherini e cila duhet të ju them shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se, afera e Bruzhit është as 1/5 e aferës së saj të Tiranës me Edi Ramën.

Por të gjitha këto u tejkaluan me sukses. Të gjitha këto, bota pa se ne kishim të drejtë në zërin tonë, se akuzat tona qëndronin dhe ishin jo vetëm në interes të shqiptarëve, por dhe në interes të rajonit dhe më gjerë.

Shqipëria u shpall se fundmi në Uashington, në rezolutën e IDU-së rrezik për sigurinë Europiane dhe sigurinë e NATO-s.

Ju duhet të dini se, të gjitha të dhënat më sekrete, më të rëndësishme të një vendi që janë njëkohësisht të rëndësishëm për NATO, kanë përfunduar në duart e Ergys Agasit, Suel Çelës, Altin Troplinit, dhe klaneve të drogës nga AKSHI i Edi Ramës.

Adnan Sotiri: Në përgjimet e Ballukut përfshihej dhe Karlo bolino. Keni ndonjë koment doktor?

Berisha: E vërteta, në përgjime përfshihej Karlo Bolino, përfshihej ai BB, duhet ta them këtu, ishte Ben Blushi, ai vepra shkruan, por aty ishte.

Përfshiheshin edhe të tjerë.

Kjo do të thotë mafiozizëm i tmerrshëm i medieve.

Imagjino pak, ky mafioz që e ka filluar jetën si i tillë, vjell vrer, shpif dhe trillon kundër opozitës, ndërkohë që ka marrë tokat e lënë për gjimnaz nga pronarët me 4 vendime të Edi Ramës.

Katër vendime për tokën në mes të Tiranës, për të ndërtuar zyrat e tij.

Karlo Bolino, vetëm në një nga këto regjistrimet, ka qindra milionë me këste që Evis Berberi të shpifte për Sali Berishën, të shpifte për ju, të mashtronte shqiptarët p[ër të vërtetat, të lavdëronte Edi Ramën.

Por Karlo nuk është i vetëm.

Të themi atë që është.

Shuma më të mëdha ka marrë Top Channel.

Aty BB-ja.

Tek tuneli, nuk e quajtën kot Top Tuneli, etj.

Dhe sa portale mbahen me paratë që u vidhen taksapaguesve për të shpëlarë fytyrat e nxira të këtyre hajdutëve ministra.

Pra një rreth vicioz.

Por edhe njëherë do kërkoj mirëkuptimin se forma më e zezë për mua është kjo bie tek të sëmurët me sëmundje të rënda se mbeten pa ilaçe se u vidhen fondet.

Dhe mediat heshtin, dhe në të gjitha mediat është vetëm një gazetar që pranon çdo lloj kërcënimi për t’u bërë zëri i atyre të sëmundjeve.

Uroj që këto dokumente të zgjojnë tek shqiptarët zemërimin e merituar ndaj kësaj mafie.

Endrit Progni: Po shohim si protestojnë fermerët europianë me traktora e zetora, kanë bërë namin në Bruksel para dy ditësh. Nuk foli gjë OSBE, kur dy goma u dogjën tek ne në protesta e folën të gjithë ambasadorët e huaj kundër. Si do të shkojë sipas jush protesta të hënën?

Berisha: Protesta të hënën është fillimi i madh i stinës, e cila ndalet vetëm me largimin e Edi Ramës.

Ne dalim në protestë të hënën për të shënuar fillimin e revoltës popullore për largimin e Edi Ramës.

Kisman Mhilli: Doktor, mos vallë ka ardhur koha që mbështesni SPAK. Dhe a do të ketë bashkëpunim mes PD dhe PS për shkrirjen e SPAK?

Berisha: Tani, të falenderoj për pyetjen.

Kam qenë President, kam qenë Kryeministër dhe kurrë nuk do gjendet njeri, gjykatës, prokuror, hetues, polic që të mund të thotë se nuk pata mbështetjen e Sali Berishës në veprimtarinë time për të zbatuar ligjin.

Unë ua them ju edhe njëherë, për Sali Berishën, feja dhe besimi politik i tij është Kushtetuta dhe ligji.

Dhe i gjithë sekreti im është pikërisht në këtë raport.

Në këtë kontekst, në vitet 2005-2013, aty nga viti 2007, ne ngritëm një task forcë, në të cilën unë zgjodha të majtin Altin Dumani për ta kryesuar.

E zgjodha me qëllim të majtë, në mënyrë që të priste pa asnjë lloj hezitimi drejt administratës cilindo që shkelte ligjin.

Kam pasur një zyrë departamenti antikorrupsion.

Ndoshta 70 përqind e dosjeve që shkonin për ndjekje penale, shkonin nga ky departament.

Por aty kishte një organizim tjetër.

Ky organizim ishte një task force, që do të thotë se ekipi që shqyrtonte dosjet përbëhej nga prokurorë, që i kryesonte Dum,ani, përbëhej nga anëtarë të policisë kriminale, përbëhej nga punonjës të tatimeve, doganave dhe SHISH.

Kjo ishte garanci se dosja nuk mund të mbyllej.

Ndaj dhe cili të dojë, të marrë raportet e DASH të vitit 2009-2010, që tregojnë se të dënuar për korrupsion në atë periudhë, të akuzuar nga kjo task forcë dhe të dënuar nga gjykatat e zakonshme, janë tre herë më shumë se në këtë periudhë.

Janë 620 zyrtarë kundrejt 190 zyrtarëve.

Ju mund të thoni se nuk ka pasur emra.

Jo, është gabim.

Së pari, ministrat me ligj e kanë pasur të ndaluar të merren me tendera, prokurime, koncesione.

Së dyti, nuk imagjinohej të mbroja unë, por edhe ministrat e mi nuk e imagjinonin të jepnin dorëheqjen me akuzën e parë. Kështu ka vepruar Fatmir Mediu, kështu veproi Lulzim Basha,kështu veproi Ilir Meta si zëvendëskryeministër.

Kishte një standard normal të një vendi që po ecte, që funksiononte shteti ligjor dhe morali i Kushtetutës dhe ligjit.

Kurse shihni se ç’ndodh tani.

Vijmë tek Spaku.

Problemi im ka qenë ky.

Së pari, çdo njeri që ka objeksion, i them rikujto pak dosjet 184 dhe 339, a mundet ato dosje të mbylleshin pa dënuar kriminelët elektoralë?

Mbyllja e atyre dosjeve ishte licencë për Edi Ramën që të plaçkisë dhe të bëjë ç’të dojë me zgjedhjet.

Së dyti, asnjë opozitar nuk ka imunitet, njëlloj si qytetarët e tjerë, por kur arreston në vit elektoral liderët e partive kryesore opozitare dhe tjetrin e vë në ndjekje penale, ti dëshmon se zgjedhjet do t’i marrësh me çdo kusht.

A nuk u shndërrua në këtë rast Altin Dumani në levë të Edi Ramës për grabitjen e zgjedhjeve?

Unë u arrestova si person nën hetim pa asnjë akuzë.

Masat ndaj meje u vendosën pa më thirrur kurrë për të bërë ndonjë pyetje.

Ilir Meta u grabit dhe u keqtrajtua në mes të autostradës si person nën hetim, pa asnjë akuzë.

Atëherë të mos harrojmë kurrë se përparësi absolute duhet të ketë demokracia.

Shteti që sot ndoshta dënon më tepër se çdo shtet tjetër me varje dhe vdekje veprat e korrupsionit është Kina.

Por atje dënohen edhe kundërshtarët politikë.

Dhe një prokurori e tillë që bën gjahun e kundërshtarëve politikë dhe përdoret si instrument për të shtypur pluralizmin është një vegël në duart e regjimit.

Përndryshe, absolutisht mbështes çdo akt, çdo prokuror, çdo hetues, çdo polic, çdo gjykatës që zbaton ligjin.

Por duhet të dimë t’i ndajmë dhe nuk duhet të pranojmë kurrë… se këtu është problemi i fatit të Shqipërisë, se në qoftë se pranojmë se për një hir të një ministri të korruptuar të shtypet opozita për të krijuar barazi, ne pranojmë shtypjen e demokracisë dhe vendosjen e regjimeve autoritare.

Kjo nuk mund të bëhet kurrë.

Gjergj Ollneshaj: Doktor, na fton në shesh për të bërtitur dy orë Rama Ik, dhe më pas të ikim ne, apo do të bëjmë një protestë që të tronditen themelet e mafies shqiptare shtetërore. Na ktheni përgjigje?

Berisha: Unë ju mirëkuptoj ju, por edhe ju duhet të më mirëkuptoni mua.

Histori dhe eksperiencë kemi. E vërteta është se, në këtë start ne duhet të ndihemi më të fuqishëm dhe më të motivuar se kurrë, sepse Edi Rama qëndron mbi farsën elektorale. Zgjedhjet e 11 majit nuk i ka fituar kurrë Edi Rama, por i ka fituar opozita.

Zgjedhjet e 11 majit nuk i ka fituar Edi Rama, sepse për ti marrë ato, ai dha 2 miliardë euro gjoba dhe kamata, dy ditë para zgjedhjeve. Dha nga taksat e shqiptarëve 100 euro për çdo pensionist, organizoi bandat në të 4 anët e vendit, për të futur në parlament 28 deputetë.

Bleu dhe korruptoi sistemin e votës në diasporë dhe shënoi rezultate të barabarta me Korenë e Veriut.

Zgjedhjet i ka fituar opozita. Për çdo njeri që do të gjykojë me gjakftohtësi, ato zgjedhje nuk janë fituar kurrë nga Edi Rama.

Pse e them unë këtë tani? Kemi të drejtë të ndërmarrim çdo masë kundër tij për ta nxjerrë nga pushteti.

Ai pushtet qëndron mbi farsën dhe jo votën.

A do shkojmë ne drejt saj. Absolutisht po. Ne jemi në një diktaturë, ne duhet të realizojmë se jemi në një diktaturë.

Isha në Kavajë para 2 ditësh, në Kavajë në 25-26 mars të vitit 1990, grupet antikomuniste të Kavajës, në dy ditë çliruan Kavajën me motivin; ja të vdesim ja të rrojmë për liri, o sot, o kurrë.

Kështu që ne dimë si luftohen diktaturat dhe ne do ti përvishemi diktaturës. Edi Rama të ardhme nuk ka.

Ne japim sinjalin e parë në datën 22 për të vazhduar gjer në largimin e tij, por si njerëz të gjithë ata që janë të betuar në misionin e tyre për të larguar këtë diktaturë, duhet të përgatiten për protesta të qëndrueshme, të gjata.

Siç më tha mua një qytetar, po në Kavajë, doktor, protestat duhet ti bëjmë me batanije në shpinë, sepse duhet të bëjmë gjithçka që kostoja të jetë sa më e pranueshme.

A mund të imagjinosh ti, ju lutem se nuk më vjen mirë që e them, por nëse Shqipëria do të kishte dënimin kapital, Lubi Balluku do të merrte 3 dënime kapitale për këto që vjedhje që ka bërë.

Po Rama që ka të paktën 5 fishin e tyre. Po të paktën doli kjo dhe falë atyre hetimeve këto gjëra u mësuan nga shqiptarët dhe bota.

Flamur Dardani: Doktor, a nuk ka grupi parlamentar burra që të marrin përsipër ngujimin në parlament paralel me protestën e 22 dhjetorit? A mendoni se, ënse ju nuk rrëzoni Ramoviçin, PD shpërbëhet përfundimit, sepse njerëzit do të mendojnë se PD nuk është e aftë që ta rrëzojë këtë mafioz?

Berisha: Ngujimi i grupit parlamentar është një akt absolutisht ndër më të mundshmit, por asgjë nuk përjashtohet.

Besoj së rrëzimin e diktaturës duhet ta bëjë populli shqiptar, por të gjitha mjetet do të përdoren.

Të gjitha rrugët do të ndiqen, nuk duhet të kemi iluzion. Një gjë ju them, ne jemi të betuar, për këtë ta dijë çdo shqiptar. Sot jemi të betuar se, nuk do ti ndahemi gjer në largimin e tij nga pushteti.

Dhe kjo është prova jonë, jam plotësisht dakord me ty, por kjo është prova edhe e shqiptarëve, dhe ne bashkë me shqiptarët do e largojmë këtë nga pushteti.

Juxhin Destani: I nderuar prof. Sali Berisha, çfarë është bërë për të afruar të pakënaqurit që kanë qenë fitues në primare dhe nuk u përfshinë në listat e mbyllura, sepse ne kemi nevojë ëm shumë se kurrë për çdo njeri. Respekte, dhe vazhdo priji shqiptarët se do t’i heqim këta komunsitë!

Berisha: Të gjithë kandidatët që morën pjesë në listat e hapura janë sot në gjirin e PD dhe ndaj tyre PD është dhe do mbetet e hapur.

Ata kanë një të ardhme të padiskutueshme në këtë parti.

Kanë një investim të shkëlqyer.

Kështu që jemi në kontakt me ta, bisedojmë me ta dhe janë të angazhuar.

Ky është qëndrimi i PD.

Petrit Matia: Doktor, a mendoni se duhet të bashkohen të gjitha partitë e opozitës për të rrëzuar Ramaduron. Pra, të ftohen edhe ato parti që janë parlamentare si z.Shehaj, etj..

Berisha: Plotësisht dakord.

Ne kemi ftuar të gjithë partitë.

Ka një problem, opozitë dhe pseudopozitë apo opozitë e opozitës.

Ju e patë ku përfundoi Shabani, në gjirin e Edi Ramës. Pretendonte se është opozitë.

Unë përshëndes zotin Lapaj që proteston aty, jep shembull personal.

Jemi të hapur ndaj partisë së tij, jemi të hapur ndaj partisë së zotit Shehaj, por ambiguiteti i tyre dhe krahasimi që bëjnë midis PD dhe PS, midis Edi Ramës dhe Sali Berishës, dëshmon se janë në një pozicion opozite e opozitës.

Se të krahasosh PD-në apo udhëheqjen e PD me të PS-së, në një farë mënyrë direkt apo indirekt, i bën shërbim asaj partie në një kohë kur ke qenë në këtë parti dhe i njeh shumë mirë gjërat.

Ylli Paja: Kur ka kaq shumë korrupsion në media, pse opozita nuk kërkon një Komision Hetimor Parlamentar?

Berisha: Opozitës nuk i lejojnë Komisionet Hetimore Parlamentare, janë paraqitur një seri kërkesash dhe asnjë nuk është pranuar në mënyrë antikushtetuese.

Gon Belingu: Z.Berisha, para 6-7 vitesh keni folur në një emision se Rama i lëshon të vetët, dhe se kjo do të vazhdojë. Më pas keni folur për Avdylajt, Balilajt në Sarandë, Ndokën e Lezhës, lojërat e fatit, si do të bëheshin monopol kazinotë, dhe ja ku jemi sot. Të gjitha të vërteta dolën…

Berisha: Të faleminderit.

Jam përpjekur t’u them shqiptarëve të vërtetën sepse mendoj se nuk duhet të qëndroj një ditë në politikë në momentin kur nuk mund t’u them atyre të vërtetën, ose kur nuk mund t’u them atyre atë që unë besoj si të vërtetë.

Unë pashë tek porti i Durrësit, Edi Ramën miliarder.

Analizova shumë gjatë atë përvetësim të tmerrshëm të asaj pasurie kombëtare.

Do i kthehem këto ditë.

Do marrin vësh shqiptarët se çfarë ka ndodhur, se çfarë goditje qindravjeçare kanë marrë ata në atë vendim.

Dhe e kuptova se Edi Rama kishte vetëm një qëllim, të bëhej miliarder.

Tani ka gjetur paratë e Franç Çopjës, që i ndan me të.

Franc Çopja është një trafikant që një vit ka administruar të vetat 28 ton kokainë, vlera e të cilës shkon rreth 6 miliardë.

Franc Çopja është i gatshëm, dhe të sigurt të jeni ju, të ndajë me Ramën çdo shumë, mjafton të investojë gjysmën tjetër.

Ndaj Edi Rama ua morti portin shqiptarëve për të ndërtuar bashkë me Alabarin- Alabari 70 milionë gjithsej, dhe për të përvetësuar vetëm truall rreth 3.8 miliardë euro, mbi 1 milion e ca metër katrorë.

Sefedin Hysa: Doktor, nëse vini ju në pushtet, çdo politikan që rezulton që ka vjedhur miliona, duhet t’i kthejë ato, duhet t’ia shpërndajë shqiptarëve të shkretë që po vuajnë për bukë. A jeni dakord me këtë?

Berisha: Jam plotësisht dakord me to.

Duhet t’i kthej gjer në qindarkën e fundit.

Për fatin më të keq, në qoftë se ka një sektor… se këtu njerëzit me të drejtë duartrokasin veprimet që bën prokuroria speciale kundër ministrave, por ama të mos harrojmë se në këtë kohë kur miliardat vidhen apo futen nga droga, janë sekuestruar gjithsej 60 milionë euro.

60 milionë euro janë sa një kafe.

Do merrni vesh dhe do mësoni të dashur qytetarë gjëra që kurrë nuk mund të mendoni se mund të ndodhnin në një shtet.

Por këto janë në zhvillim.

Ne na takon të ndahemi një minutë e më parë.

Ndaj dhe u ftoj që me 22 dhjetor të tregojmë para shqiptarëve dhe botës zemërimin tonë të thellë, revoltën tonë shpirtërore, protestën e fuqishme kundër kësaj organizate kriminale që ka vjedhur Shqipërinë dhe shqiptarët në 12 vite në ato proporcione që ka vjedhur Bokaso, Mobutu apo Gedafi vendet e tyre.

Fejzo Subashi: Z.Berisha, si fillim jemi ok për nismat tuaja si opozitë dhe personale si lider, Zoti ju dhëntë jetë sa të doni, por çfarë garancie i jepni shqiptarëve dhe demokratëve për një lider të ardhshëm të PD dhe Shqipërisë, për një kryeministër për më shumë se sa një mandat?

Berisha: Ajo që jam unë në këtë mision, largimi i këtij regjimi.

Por shqiptarëve dhe çdo njeriu, i them se kurrë nuk kam menduar dhe nuk mund të mendoj të përgatis liderin pasardhës.

Ajo nuk është detyra ime.

Jo, ajo është e qytetarëve.

Sali Berisha ka me borxh t’u shërbejë atyre me ndershmëri, me vendosmëri, me transparencë, gjersa ata t’i besojnë.

Për sa i përket pasardhësit, liderit, shumë mendojnë se ai që ishte, ishte zgjedhja ime, unë u garantoj se jo, ka qenë zgjedhje e tij në garën që u hap për partinë.

Por unë nuk marr përsipër atë që nuk mund ta bëj kurrë.

Do doja ta bëja.

Sigurisht që çdo njeri do donte ta bënte, por unë kam një vetëdije.

Të tjerë mund të mendojnë se e bëjnë, unë jo, nuk mendoj se e bëj.

Ndaj dhe unë e kufizoj veten time të ndërmarr një veprim të tillë.

Po u rrëfej një të fshehtë timen.

Lulzim Basha bëri gjithçka kundër meje, kam thënë çdo gjë për të, por nuk i kam thënë kurrë vetes se gabova me të, sepse nuk e kam zgjedhur.

Dhe nuk do e zgjedh.

Nuk mund të bëj atë që nuk mund të bëj.

FJALA PËRMBYLLËSE

Edhe njëherë u falënderoj për vëmendjen.

U ftoj të bashkohemi të hënën për t’i dëshmuar shqiptarëve dhe botës që nuk pajtohemi kurrë me një regjim alla-Bokaso, alla-Mobutu.

Me një regjim të kësaj organizate kriminale që ka vjedhur në përmasa që tejkalon çdo lloj kufiri.

Që ka varfëruar dhe mjeruar shqiptarët.

Një regjim që qëndron mbi farsën elektorale dhe zgjedhjet e vjedhura.

Kapitulli më i zi është tek AKSHI, tek sipërmarrja e familjes Rama, por ai është hetim në zhvillim.

Ndaj dhe të nisim betejën tonë.

Ne e kemi përmbysur 35 vite më parë një diktaturë, ne do ta përmbysim këtë diktaturë, të gatshëm për të paguar çdo çmim me revoltën tonë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale