FJALA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka theksuar se ditën e sotme me publikimin e të dhënave të censusit, u faktua ajo që PD ka paralajmëruar, manipulimin e tmerrshëm të shifrave të regjistrimit të popullsisë nga Edi Rama. ‘Sot u faktua ajo që kishim paralajmëruar, se Edi Rama po manipulonte në mënyrë të tmerrshme shifrat e regjistrimit të popullsisë’, u shpreh Berisha në fjalën e tij gjatë tubimit qytetar te ‘Rruga e Shpresës’.
Kryedemokrati Sali Berisha ka kundërshtuar shifrat e publikuara nga INSTAT mbi censusin e popullsisë në Shqipëri, duke publikuar shifrat. ‘Vetëm nga viti 2014 gjer në vitin 2022, nga vendi janë larguar përafërsisht 40 përqind e shqiptarëve’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, premtoi se në vitin e parë që demokratët do vijnë në pushtet do të ribëhet censusi dhe Edi Rama do mbajë përgjegjësi për këtë manipulim të shifrave. ‘Vitin e parë të PD në pushtet do ribëhet censusi! Edi Rama do të dënohet për manipulimin e shifrave të këtij gjenocidi’, theksoi Berisha në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.
Lideri i opozitës ka denoncuar me dokumentat e TIMS se si Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama, ka udhëtuar më shumë se sa deklaroi sot pasi doli nga SPAK, me makinën e trafikantëve të laboratorit të kokainës në Xibrakë. ‘Olsi dhe Edvin, ju mund të mbyllni dosje me Altin Zagarin dhe Alfred Trafikantin, por dosjet tuaja nuk mbyllen kurrë’, paralajmëroi Berisha gjatë tubimit qytetar poshtë banesës së tij.
Kryedemokrati Sali Berisha është ndalur te protesta kombëtare e cila do të mbahet në 11 korrik në orën 20:00. ‘11 korriku është dita e triumfit të shqiptarëve. Verdiktin do e japin qytetarët shqiptarë për Edi Ramën’, theksoi Berisha para mbështetësve të tij në ‘Rrugën e Shpresës’.
FJALA E PLOTE:
Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të pamposhtur të dinjitetit, shpresës, besimit dhe fitores së shqiptarëve.
Një mirënjohje të pakufishme ndaj jush dhe nderimin më të madh.
Mirënjohje të pakufishme oratorëve të kësaj platforme të të vërtetave të mëdha të shqiptarëve.
Miqtë e mi, sot po lexoja një shkrim të një puthadori të Edi Ramës, i cili shkruante: u trondita shumë dhe më erdhi keq që nuk e kisha ditur më parë letrën e të ndjerës, mësueses Ina Kasimati.
Në një kohë kur ajo letër është lexuar në këtë platformë dhe ka tronditur mbarë vendin.
Por jo veshëmbyllurit e Edi Ramës, të paguarit e tij.
Jo lakejtë e tij, të cilët mashtrojnë shqiptarët.
Të cilët aplikojnë censurën më të paskrupullt ndaj qytetarëve të vendit në mbështetje të një regjim genocidal ndaj kombit.
Të dashur miq, ashtu siç kishim paralajmëruar në mënyrën më të përsëritur manipulimin e tmerrshëm që Edi Rama dhe zyrtarë të papërgjegjshëm të tij po u bënin shifrave të regjistrimit të përgjithshëm të popullatës, ajo u faktua sot në mënyrën më të shëmtuar dhe më të plotë.
Pas publikimit të shifrave, një publicist i njohur shqiptar shtroi pyetjen: mirë, po unë kur do mësoj të vërtetën se sa shqiptarë ka në Shqipëri? Të presim nga hakerat iranianë, thotë, se mos e nxjerrin atë të dhënë.
Gjer këtu ka arritur puna me këtë njeri që nuk ka asnjë kod moral ndaj vendit dhe kombit të tij.
Miqtë e mi, edhe njëherë do të ndalem sepse përveç natyrisht fatkeqësive familjare, gjeneratave që jetojnë në këtë kohë u takon të mësojnë lajmin më të hidhur që gjeneratat paraardhëse nuk e kanë mësuar në shekuj dhe mijëvjeçarë.
U takoi atyre, na takoi ne të përjetojmë shpopullimin e tmerrshëm më masiv të shqiptarëve nga Shqipëria, nga Edi Rama, armiku më i egër i qenies, identitetit, ekzistencës së kombit shqiptar.
Të dashur miq, edhe njëherë do rikujtoj për çdo shqiptar, shifrat që jep institucioni evropian i statistikave për shqiptarët që janë larguar nga vitit 2014 gjer në vitin 2022, pra në një hark kohor 8-vjeçar nga Shqipëria.
EUROSTAT ka gjetur se në hapësirën e Shengenit janë larguar nga Shqipëria, shtetas shqiptar, 981.565 qytetarë, nga të cilët sipas EUROSTAT, 191.670 kanë kërkuar azil politik.
311.650 qëndrojnë si ilegalë në hapësirën e Shengenit, kurse 478.245 kanë fituar dokumente të rregullta.
Por këto shifra nuk përfshijnë emigracionin e shqiptarëve në Britaninë e Madhe, vend në të cilin vetëm në vitin 2022 kanë emigruar 46.000 qytetarë.
Dhe së bashku këto bëjnë 1.121.565 shtetas shqiptarë, 36.3 përqind të popullsisë.
Por përsëri këtu nuk janë përfshirë 42.650 qytatarë shqiptarë që sipas statistikave të SHBA janë larguar me Kartën Jeshile për në këtë vend, duke e rritur kështu në 37.8 përqind e popullsisë nga Shqipëria. Në 8 vite.
Por këtu përsëri nuk përfshihen mijëra qytetarë shqiptarë që emigruan nga SHBA nga kufiri i Meksikës. Nuk përfshihen të tjerë që emigruan në Kanada, Norvegji, Australi, vendet e Gjirit Persik.
Pra miq, largimi i shqiptarëve, boshatisja e shqiptarëve nga viti 2014-2022 arrin përafërsisht në 40 përqind të shqiptarëve në Shqipëri.
Kjo shifër përputhet me shifrën që jep Ministria e Arsimit, e cila thotë se nga viti 2013 gjer në vitin 2023, numri i maturantëve u ul gjithsej në 28 mijë maturantë, apo 34 përqind më pak se sa 10 vite më parë.
Miqtë e mi, kjo është drama demografike e tmerrshme e shqiptarëve që nuk e kanë njohur në këto përmasa kurrë në ekzistencën e tyre.
Edi Rama zgjodhi t’i japë përgjigje, të lajë duart duke falsifikuar muaj të tërë, duke transfuzuar në të dhënat e regjistrimit, regjistrua të gjendjes civile e vetëm e vetëm për dy arsye.
Së pari, ai e di se me veprimet e tij, me dhunën e tij, me arrestimin e 38 mijë shqiptarëve për padi civile, për drita e ujë në vit, me rrënimin e dhjetëra mijëra banesave dhe bizneseve, me mohimin e drejtësisë, me mohimin e kafshatës së gojës për fëmijët shqiptare, ka krijuar kushte të llogaritura për largimin e shqiptarëve nga Shqipëria.
Ka kryer në përputhje me konventën e OKB për gjenocidin, gjenocid mbi popullin e tij.
Edi Rama e ka të qartë si drita e diellit se do të dënohet me gjenocid përjetë për këtë krim makabër.
Dhe i them sonte këtij armiku të egër të qenies shqiptare, këtij Çubrilloviçi shqipfolës, se gjenocidi nuk parashkruhet kurrë dhe se të garantoj se vitin e parë të PD në pushtet do ribëhet censusi, regjistrimi i përgjithshëm i popullatës.
Do dënohesh ti dhe të gjithë ata që futën duart e zeza për të manipuluar shifrat e gjenocidit, për të mbuluar krimin tënd të pashembullt, të pakrahasueshëm me asnjë pushtues, asnjë diktator tjetër në histori.
Miqtë e mi, Edi Rama manipuloi për 9 muaj rresht të dhënat që dëshmonin në mënyrë absolute se në Shqipëri kishte më pak qytetarë se zgjedhës në vitin 2021.
Pra, se kishte mbushur kutitë me fletë votimi false.
Se kishte manipuluar të gjithë procesin e votimit.
Edi Rama, për të gjitha këto, ky popull do të rezervojë ty ndëshkimin më të rreptë që meriton.
Të dashur miq, përgëzoj sonte të gjithë ata protestues që dhe njëherë në mosbindje civile kërkuan largimin e Erion Veliajt.
Dhe e garantoj Erion Veliajn se forcë në botë që të mbron nga ndëshkimi qytetar nuk ka dhe nuk do ketë.
Harroje, se vrimë miu nuk do gjesh, ti as Dumani që të mbron ty. Ky kriminel që të amniston ty. Që shet dosje, që shet mandate arresti.
Dita po vjen, po afrohet për të dhënë hesape një nga një.
Por të dashur miq, unë jam sonte këtu me dokumente për faktuar krimin e shëmtuar, mashtrimin publik të trafikantit Olsi Rama, i cili po hetohet nga sivllau i Mehmet Grecës, që quhet Alfred Greca dhe që tani është prokuror që ka dosjen e Olsi Ramës.
Dëgjoni miq, Olsi Rama doli nga Skrapi i partisë, duke mashtruar shqiptarët në një akt të shëmtuar se ai ka përdorur vetëm një herë makinën e famshme të kokainës dhe se ka shkuar vetëm njëherë me të në Selanik.
Dhe fill mbrapa, doli Edi Rama, sulmoi kryetarin e grupit parlamentar Gaz Bardhi me gjuhën e një ordineri siç është.
Tani unë do flas me dokumente.
Këtu unë kam dokumentet e TIMS-it, të cilët faktojnë sa herë Olsi Rama me makinën e famshme të kokainës ka kaluar kufirin. Kanë ditën, datën dhe orën e kalimit.
Këtu meqenëse narkotrafikanti, eksponent kryesor i grupit shqiptaro-kolumbian të Xibrakës, tha se vetëm njëherë ka ndodhur.
Tani po i them: Olsi, çfarë të kujton data 13.7.2014. A mund të na thuash pak? Ora 18.06 minuta.
Olsi trafikanti, na thuaj pak, çfarë të kujton data 6.6.2014, ora 13.30?
A mund të na thuash pak se çfarë të kujton kjo datë dhe në cilën pikë kufitare ke dalë me këtë makinë me targë AA653DM?
Olsi, çfarë të kujton data 8.8.2014?
Olsi dhe Edvin, ju mund të mbyllni dosje me Altin Zagarin dhe Alfred Trafikantin, por dosjet tuaja nuk mbyllen kurrë.
Trafikantë të shpifur që ndërtuan narkoshtetin.
Olsi, çfarë të kujton data 11.7.2014, ora 15.45? Do të them, kur kalove kufirin?
Tani, në qoftë se në këto dy dalje, përdore pasaportën shqiptare dhe dole me emrin Olsi Rama,
në daljen tjetër, ke dalë si Olsi Kristaq Rama, shtetas amerikan me pasaportë amerikane.
E do edhe orën? Ora është 21.40 minuta.
Ja pra, miqtë e mi se si erdhi nga Bostoni si bos droge dhe instaloi me Genti Xhixhën, Ermal Hoxhën, Gentian Gjonin fabrikën më të madhe të kokainës në rajon.
Dhe tani del aty bashkë me vëllain e tij kryetrafikant, bëjnë viktimën.
Kanë gjetur prokurorë mercenarë, që fshehin dosjet, fshehin dokumentat.
Verdiktin do e japin qytetarët shqiptarë për Edi Ramën, për Olsi Ramën, për sojin e tyre kriminal, për Skrapin e partisë.
Rrofshi ju!
11 korriku është dita e shqiptarëve.
Është dita e guximit shqiptar.
Është dita e epikës shqiptare.
Është dita e triumfit të shqiptarëve.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!
Fitore!