REPLIKË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj mazhorancës gjatë replikës së tij në Kuvend, duke e ndarë atë që e cilësoi si e keqe banale dhe e keqe radikale. Sipas Berishës, qeveria dhe kryeministri Edi Rama përfaqësojnë të keqen radikale, ndërsa deputetët që i mbrojnë ata janë e keqja banale.
Berisha akuzoi qeverinë për vjedhje sistematike të qytetarëve dhe e cilësoi mazhorancën si hajdutë të pashoq, ndërsa deputetët që bllokojnë heqjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku i quajti shërbëtorë pa dinjitet të korrupsionit. Ai deklaroi se mbrojtja politike e Ballukut dhe Ramës është e pajustifikueshme përballë qytetarëve dhe familjeve të tyre.
Në përfundim, Berisha paralajmëroi se Rama do t’i marrë me vete ata që sot e mbrojnë, duke theksuar se përgjegjësia politike dhe morale nuk do të shmanget.
REPLIKA E PLOTË
Të dashur qytetarë dhe qytetare, unë fola për të keqen banale për këta që janë këtu, kurse ai që është mbrapa me suitën e tij, ata janë e keqja radikale.
Dhe e keqja radikale është ligësia më e madhe njerëzore.
Sepse ata, pra, po, po, se ka të keqe banale dhe të keqe radikale, e dini ju këtë, në doktrinë.
Këta të keqes radikale janë njerëzit më të pashpirt që majmen çdo ditë duke vjedhur të varfrit, duke vjedhur qytetarët, duke vjedhur shqiptarët.
Këta të gjithë këtu janë e keqja radikale.
Këta janë hajdutë të pashoq.
Por ju që i mbroni këta dhe nuk ua tregoni vendin, ju jeni e keqja banale.
Ndaj dhe nuk ka kuptim, se unë mund të flisja këtu për Eskobarin e Ballkanit dhe Europës, për Ramaduron, për çfarë nuk mund të flisja, për drogën dhe narkoshtetin.
Por e keqja, ajo që bëni ju këtij vendi është e tmerrshme, nuk ka të ndalur.
Po si mor bëheni ushtarë, shërbëtorë të Lubi Ballukut?
Po çfarë dinjiteti keni ju që bëni këtë akt?
Po si mor bllokoni ju imunitetin?
Çfarë u thoni ju qytetarëve, familjarëve tuaj, që ne do mbrojmë vjedhësen, hajduten Lubi Balluku dhe Edi Ramën?
Po cili nga familjarët tuaj, njerëzit tuaj, miqtë tuaj, shokët tuaj do miratonte këtë akt?
Po ajo është kapur tani?
Ju mbroni Ramën, por Rama do u marrë me vete ju.
U garantoj!
Kaq!


