Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: ‘Albanian File’ është dosja më kriminale në Evropë, Rama e trajtoi vendin si pronë personale, zonat më të bukura të Shqipërisë iu shitën drogës. Të besosh se SPAK-u do penalizojë Ramën është sikur po sheh veshin pa pasqyrë

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Edi Rama se e trajton territorin e Shqipërisë si pronë personale, duke ua vënë në dispozicion karteleve të drogës. Duke folur për dosjen  ‘Albanian File’, ai deklaroi se 523 projekte janë miratuar pa respektuar kushtet ligjore të pronësisë, mjedisit dhe urbanistikës. Ai kërkoi gjithashtu hetime nga agjencitë ndërkombëtare, duke shprehur skepticizëm për hetimin e SPAK-ut.

Në konferencën e sotme me gazetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha e cilësoi ‘Albanian File’ si ‘një nga dosjet më kriminale në tërë historinë e Evropës’, duke pretenduar se zonat më të bukura turistike të vendit janë vënë në dispozicion të interesave të lidhura me drogën.  ‘Albanian File’ është dosja që dëshmon se zonat më të bukura turistike panoramike piktoreske, peizazhet më magjike të vendit në bregdet, në kodrat, malet, luginat, majat e këtij vendi i janë shitur drogës, drogës dhe vetëm drogës’, deklaroi ai.

Sipas liderit të opozitës Sali Berisha, dosja përmbledh 523 projekte, të cilat, sipas tij, nuk plotësojnë asnjë nga kushtet ligjore në aspektin e pronësisë, mjedisit dhe urbanistikës. Ai u ndal veçanërisht te ndërtimi i hotelit në Kanionin e Gjipesë, duke pretenduar se për këtë projekt janë marrë 221 mijë metra katrorë tokë publike. Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama për përfshirje në përzgjedhjen e studiove dhe ndarjen e fondeve për projektet, duke pretenduar se për to janë shpenzuar mesatarisht nga 1.5 deri në 2 miliardë euro.

Duke komentuar njoftimin e SPAK-ut për hapjen e hetimeve mbi dosjen, kryetari i PD-së Sali Berisha u shpreh skeptik për mundësinë e ndëshkimit të kryeministrit. ‘Të mendosh se SPAK-u apo të besosh se SPAK-u do të penalizojë Edi Ramën është njëlloj sikur të mendosh se veshin tënd mund ta shohësh pa pasqyrë’, tha ai. Gjatë konferencës, ai kërkoi nga agjencitë ndërkombëtare që merren me luftën kundër drogës të ndërmarrin hetime më të thelluara, duke e cilësuar dosjen si një mundësi për të zbardhur, sipas tij, lidhjet mes politikës dhe karteleve të drogës. Ai dënoi edhe ndalimin dhe shoqërimin e gazetarit holandez që kishte denoncuar dosjen.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha foli për rikthimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke deklaruar se PD nuk do të bëjë kompromis për çështjen e listave të hapura. Ai lëshoi akuza ndaj bashkëkryetarit socialist Damian Gjiknuri se ka përcaktuar në mënyrë të njëanshme axhendën e komisionit, duke përfshirë edhe çështje të reformës territoriale. ‘Ne në mënyrë kategorike nuk pranojmë asnjë lloj liste tjetër përveçse listë të hapur për këshilltarët. Nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë asnjë lloj sistemi tjetër përveçse listë të hapur për zgjedhjet parlamentare’, deklaroi kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

‘Albanian File’ është një nga dosjet më kriminale në tërë historinë e Evropës.

‘Albanian File’ është dosja që dëshmon se zonat më të bukura turistike panoramike piktoreske, peizazhet më magjike të vendit në bregdet, në kodrat, malet, luginat, majat e këtij vendi i janë shitur drogës, drogës dhe vetëm drogës.

Kurrë ndonjëherë një kryeministër nuk ka guxuar të trajtojë territorin e vendit të tij si pronën personale të veten, duke shkelur Kushtetutën, ligjet e pronësisë dhe urbanistikën e vendit.

‘Albanian File’ është dosja që mund të quhet ndryshe Shqipëria në kthetrat e karteleve të drogës.

‘Albanian File’ apo ‘Libri i Kuq’ ose ‘Dosja Shqiptare’ mund të ketë titull tjetër Padrinoja Miliarder.

‘Albanian File’ mund të ketë titull tjetër ‘Shqipëria në Kthetrat e Karteleve dhe Mafies më të Rrezikshme të Evropës dhe Botës’.

Apo mund të quhet ‘Kushtetuta Urbanistike e Parë e Narkoshtetit të Parë dhe të Vetëm në Evropë’.

‘Albanian File’ ose ‘Libri i Kuq i Padrinos’, i cili është denoncuar muaj më parë së pari nga gazetarë guximtarë dhe më pas është denoncuar nga PD në këtë sallë, në parlament dhe kudo, përmbledh edhe njëherë për rikujtesë 523 projekte, për të cilat nuk ekziston as edhe një kusht i vetëm ligjor i respektuar, qoftë në rrafshin e pronësisë, qoftë në rrafshin e mjedisit, qoftë në rrafshin urbanistik dhe në asnjë rrafsh tjetër.

Aty nxin me të gjithë shëmtinë e tij ndërtimi i hotelit ‘Edi Rama’ në Kanionin e Gjipesë, kanion që në shekuj ka qenë pronë publike.

Që nuk ka pasur kurrë asnjë pronar, por që peshkaqeni Olsi Rama duke përdorur Edi Ramën, i cili nuk e mori kurrë me dokumente kadastrale arkivore, jo.

Nuk dispononte asnjë dokument kadastral. As të perandorisë, të mbretërisë, as të diktaturës se i përkiste Aneta Kolekës, të ndjerë.

Gjithçka filloi pasi u bë kryeministër Padrinoja.

U vërsulën si peshkaqenët nga deti bashkë me pinjollët e Spiro Kolekës dhe kanë marrë 221 mijë metër katrorë tokë në njërin nga 20 kanionet e regjistruara si ndër më të bukurit e të gjitha brigjeve të botës.

Me datën 8 nëntor, SPAK-u njoftoi se ka hapur çështje hetimore, ka filluar hetimin për dosjen ‘Albanian File’.

Pashë qëndrime të ndryshme.

Pati të ngazëllyer nga ky njoftim. Pati të tjerë skeptikë dhe realistë në vlerësime.

Të mendosh se SPAK-u apo të besosh se SPAK-u do të penalizojë Edi Ramën është njëlloj sikur të mendosh se veshi tënd mund ta shohësh pa pasqyrë.

Por ajo çka bëj thirrje sot, agjencive ndërkomëbtare, agjencive të vendeve partnere, të cilat merren me përkushtim në luftën kundër drogës, në Evropë dhe në botë, të ndërmarrin hetime më serioze për këtë dokument, i cili është de facto monumenti më i zi i drogës në Evropë dhe në botë.

Në asnjë vend tjetër të planetit, as në ato që kultivojnë opiumin, as në ato që kultivojnë kokainën, nuk gjendet kurrë një Kushtetutë urbanistike, monument i zi si kjo dosje ku gjithçka të jetë dorëzuar në duart e karteleve dhe trafikantëve.

523 projekte në 60 studio, ndër të cilat edhe çfarë t’u thuash, edhe njerëz që ekzaltohen për shkak të xhepit dhe i thonë Ramës që ti nuk duhet të bësh zgjedhje se vetëm kështu ne gjejmë parajsën tonë.

Janë harxhuar për ato projekte nga 1.5 mesatarisht në 2 miliardë euro, ku pa asnjë diskutim përzgjedhësi i studios së çdo projekti është vetë Padrino, çka do të thotë se vetë Padrino ndan paratë, ndan shumat, ndan favoret.

Është famoze një studio belge që bëri Sheshin Skënderbej, por para sheshit ajo ka bërë sarajet e Surrelit pa asnjë faturë, por e shpërblyer më vonë.

Pra, edhe njëherë dënoj me forcën më të madhe të gjithë këtë veprimtari mafioze kriminale të Edi Ramës.

Dënoj me forcën më të madhe arrestimin, ndalimin dhe shoqërimin që i bëri dje gazetarit holandez që me kurajë denoncoi i parë ose ndër të parët këtë dosje.

U bëjmë thirrje agjencive partnere ndërkombëtare të ndërmarrin çdo hetim sepse është një shans i madh për të zbërthyer në çdo qelizë narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, narkoshtetin e Edi Ramës.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Marsi Korreshi, SYR TV: Zoti Berisha, pas disa muajsh është rikthyer Komisioni për Reformën Zgjedhore në Kuvend. Cilat do të jenë propozimet që Partia Demokratike nuk i negocion dhe a druheni që reforma zgjedhore mund të ketë fatin e territoriales, pra për t’u miratuar në mënyrë të njëanshme nga socialistët?

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen.

E vërteta është se Damian Gjiknuri në kundërshtim me ligjin, vendimin e parlamentit për komisionin e reformës zgjedhore, për ta hedhur në erë këtë komision, ka përcaktuar në mënyrë të njëanshme axhendën çka nuk ka ndodhur kurrë.

Pikërisht për të hedhur në erë komisionin, sepse vendimmarrja në këtë komision është me veto, secila palë, të dy bashkëkryetarët.  Dhe vegla e Edi Ramës, që quhet Damian Gjiknuri, pa miratimin e bashkëkryetarit tjetër kërkon të përcaktojë axhendën e mbledhjes, të cilën pala jonë nuk ia pranon sepse ka vendosur në axhendë çështje të reformës territoriale.

Edhe në këtë kuadër, ata refuzojnë që listat për këshilltarët e bashkive të jenë të hapura, e cila është një kërkesë e të gjitha partive politike opozitare.

Dhe ne, në mënyrë kategorike, nuk pranojmë asnjë lloj liste tjetër përveçse listë të hapur për këshilltarët.

Nuk pranojmë dhe nuk do pranojmë asnjë lloj sistemi tjetër përveçse listë të hapur për zgjedhjet parlamentare. Listë plotësisht të hapur për zgjedhjet parlamentare.

Për këtë ne jemi shumë, shumë transparent dhe të qartë. Nuk pranojmë!

Përfaqësuesit tanë kanë studiuar propozimet e forcave politike opozitare dhe konstatojnë se të gjitha ato bashkohen në një pikë, lista plotësisht të hapura.

Partia Demokratike do të qëndrojë me opozitën dhe opozitarët dhe nuk do të bëjë në këtë drejtim asnjë kompromis me partinë e krimit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale