Berisha: U dekonspirua aksioni i SPAK, ikën 11 të kërkuar. Gjiknuri deri në vesh i implikuar me impiantin e energjisë në inceneratorin e Elbasanit

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme denoncoi dekonspirimin e aksionit të djeshëm të SPAK. ‘Bosët e drogës dhe krimit, paratë i kanë në kontejner të groposur, për të shpëtuar kokën, nuk njohin kufi. Por dekonspirimi i aksionit jashtëzakonisht të rëndësishëm, është një akt, një megakrim i vërtetë. E bën shumë dëshpëruese përpjekjen e atyre, të cilët përpiqen të çlirojnë shqiptarët nga kthetrat e krimit’, tha Berisha.

Gjatë konferencës kryetari i PD-së, Sali Berisha, u ndal edhe tek arrestimet e një dite më parë, duke theksuar se Oltion Bistri, ish-zyrtar i lartë policor me lidhje me Edi Ramën, është një trafikant i njohur. ‘Olti Bistri njihet në botën e krimit me pseudonimin Çami. Ish-shefi i komisariatit në Pogradec, dhe më pas në Forcat Operacionale, dhe i kërkuar në Maqedoni për trafik të lëndëve narkotike në Maqedoni. I kërkohen shenjat e gishtave dhe është i akuzuar për trafik droge’, theksoi në deklaratën e tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Në konferencën me gazetarët, kryetari i PD, Sali Berisha, foli edhe për rolin e Damian Gjiknurit në impiantin e energjisë të ndërtuar në inceneratorin e Elbasanit. Berisha bëri publik edhe dokumentin me firmë të Gjiknurit.

“Është një mashtrim fund e krye. Ç’është e vërtetë, që të jemi realistë, për impiantin e energjisë me 2.3 megavat, duhej të vendoste Këshilli i Ministrave, sepse me kapacitetet mbi 2 megavat, autorizimin duhej ta jepte Këshilli i Ministrave. Dhe vendimin e ka marrë vetë Gjiknuri. Unë do u dërgoj vendimin’, tha kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës për mediat.

FJALA E PLOTË:

Jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe dështimin e operacionit antikrim të ndërmarrë dje dhe pardje, në të cilin, nga 15 mandate arresti, janë ekzekutuar gjithsej 4. 11 të tjera janë shitur. Janë shitur me shumë marramendëse, me shuma që shkojnë, siç flitet edhe 3 dhe 5 milionë euro.

Bosët e drogës dhe krimit, paratë i kanë në kontejner të groposur, për të shpëtuar kokën, nuk njohin kufi.

Por dekonspirimi i aksionit jashtëzakonisht të rëndësishëm, është një akt, një megakrim i vërtetë. E bën shumë dëshpëruese përpjekjen e atyre, të cilët përpiqen të çlirojnë shqiptarët nga kthetrat e krimit.

Të dekonspirosh në një operacion, mbi 72 përqind të mandat arresteve, je 7 herë kriminel më keq se ata që i informon, pavarësisht nga krimi që mund të kenë kryer.

Ky operacion, për të cilin duhet të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj Europolit, në veçanti organeve ligjzbatuese të Belgjikës dhe Francës, për dosjet dhe materialet që kanë sjellë nga deshifrimet e bisedave, videove dhe çdo gjë tjetër që është kapur në telefonat SKY, Eç dhe EncroChat.

Duhet të falënderoj gjithashtu çdo zyrtar shqiptar, që përsëri ka kurajën, integritetin për të zbatuar ligjin kundër kriminelëve në pushtet dhe atyre të lidhur me pushtetin.

Të gjitha fijet e dështimit të këtij operacioni të çojnë te Edi Rama dhe Taulant Balla.

Ju konstatuat se dje gjithë ditën, kishte dy njoftime, njëri se u arrestuan 6, në një kohë kur kishte vetëm katër emra.

Nuk dilnin me 4, se do kuptohej se dështimi ishte total.

Së dyti, të tjerët ia kanë mbathur me kohë, sipas TIMS, dhe mjerisht keqpërdorin gazetarët në mënyrën më të pandershme, i dezinformonin.

Se ikën para apo prapa, ata të gjithë ishin në Shqipëri. Njësoj siç u informua kryedezertori Arben Ahmetaj, u njoftuan edhe këta.

Këtu jemi në një praktikë të zakonshme të këtij pushteti krimi për të njoftuar kriminelët që të largohen.

Mediat kanë publikuar dje transkript të komunikimit të Taulant Ballës me Bajrët. Jo për këtë rast, por për rastin e lojërave të fatit, ku thonë se Taulanti është në rregull për licencimin, ligjin apo ça kanë, por duhet të gjejmë ndonjë deputet demokrat që të ecim përpara.

Vetë Taulanti, pasi garanton largimin e 9 kriminelëve me mandat arresti, u shpreh dje duke u kujtuar shqiptarëve atë përrallën që thotë, më jep kandarin, por mos kujto se do masim paratë.

Edhe ky, bravo i qoftë policisë, por mos kujtoni se i njoftova unë.

Po çfarë bravo ka këtu, kur 11 kriminelë ikën? Kur quhet një operacion i dështuar. Nga 15, 11 ja mbathën. Ky është sukses spektakolar i krimit.

Ndaj dhe unë e denoncoj ënoj këtë akt si një krim shumë të rëndë shtetëror. Asgjë nuk mund të mbrojë këta bashkëpunëtorë të krimit me aktin që kanë kryer. Dekonspirimi është akt shtetëror, i shtetit të krimit. Nuk e kanë bërë as belgët, as francezët, as holandezët. Përkundrazi ata po japin një kontribut të jashtëzakonshëm dhe duhet ta dini se dosja e atentatit ndaj prokurorit është kryekëput, meritë e tyre.

Tani le t’u kthehemi pak dy eksponentëve kryesorë të krimit të arrestuar dje.

Oltion Bistri, drejtor i Forcës Operacionale, drejtorisë më nevralgjike antikrim të policisë.

Ky është posti që kishte deri para një jave, Olti Bistri.

Më falni tani po ju lexoj materiale për këtë kriminel, të cilin Edi Rama e lartësonte deri në këtë nivel.

Olti Bistri njihet në botën e krimit me pseudonimin Çami. Ish-shefi i komisariatit në Pogradec, dhe më pas në Forcat Operacionale, dhe i kërkuar në Maqedoni për trafik të lëndëve narkotike në Maqedoni. I kërkohen shenjat e gishtave dhe është i akuzuar për trafik droge. Jahti luksoz i kapur në Greqi është i Olti Bistrit dhe çantat e hashashit janë me mbishkrimin ‘C’ Çami. Ka lidhje me të gjitha strukturat e trafikimit të lëndëve narkotike, mjetet e komunikimit që përdor janë telefonat e dekriptuar, fatmirësisht telefonat e deshifruar.

Pas arrestimit të gjeneral Lisit, panik i madh te Don Agaçi dhe vetë kreu i Meduzës.

Lexoni denoncimin e vitit 2022:

“Doktor përshëndetje. Arrestimi i fundit në Itali i mikut të Agaçit i ka futur frikën të gjatit nga Antimafia Italiane dhe ‘Guardia di Finanza’. Të kapur gafil nga lekët që kanë vjedhë te inceneratorët, për të mbrojtur veten, ministrat dhe lali plehun e bashkisë, i gjati po bën lëvizje të shumta në strukturat e policisë.

Pritet që në drejtim të Forcave Operacionale të vendoset Olti Bistri, një ushtar i Saimir Tahirit në bizneset me drogën, që do dekonspirojë operacionet kundër këtyre mafiozëve të Ramës.

E kanë pajisur këto dite me certifikatë sigurie, me lobim të fortë të Tom Doshit, Belinda Ballukut, Tan Leprit, Aranit Arapit, që tani dini ju se është këshilltar i ministrit të familjes Çuçi dhe që ka qenë baloz i zi i drogës në jugun e Shqipërisë gjatë Tahirit, të cilin për hirë së vërtetës, si Fatmir Xhafaj edhe Sandër Lleshi e përzunë dhe iku me trafikantët. Dhe ky e mori, e mori Çuçi i familjes dhe e kishte një ndër këshilltarët kryesorë, sepse edhe ky ha histori droge që në rininë e tij të hershme. Gradën e ka marrë.

Pritet që do shtrëngohen radhët brenda policisë, dhe Rama do të kalojë një ligj që do vendosë në spiunim të gjithë familjet e policëve që t’i mbajë në kontroll mos e arrestojnë”.

“Përshëndetje Doktor. Në Tiranën në zonën numër 2, se ka qenë komisar ky në zonën 2 për ca kohë, kërcet bixhozi në katër anët. Natyrisht gjobat i merr Bistri”.

“Narkopolicia, pronë e Ardi Veliut. Se ky është një nga zarët kryesorë edhe të Ardi Veliut. Ky është përdorur për fotografime. Ky i ka nxjerrë Veliut atë videon të asaj nënës që lozte në një film dhe Veliu e paraqiti në parlament si të tillë dhe si të atillë, në një kohë kur e punësuan për t’ia mbyllur gojën. Akuza të rënda për korrupsion në nivelet më të larta të narkopolicisë,  narkodrejtori Veliu e emëroi në kundërshtim me ligjin besnikun e tij në trafiqe në krye të policisë së së Durrësit. Është historiku i Bistrit. Narko drejtorët e qarqeve mbahen në detyrë në kundërshtim me ligjin. Ish shefi i komisariatit numër 2 në Tiranë, Oltion Bistri mblidhte gjobat në zonën e ish-Bllokut në Tiranë dhe ishte lidhje me Shullazin është katapultuar në kundështim me ligjin për gradat në krye të policisë së Durrësit, sepse aksidentalisht policia e Durrësit po kapte sasi të madhe kokaine dhe Arditi i duhej një njeri besuar”.

“Ky Oltion Bistri merrte 10 mijë euro për çdo person në kërkim, ndryshe e merrte në arrest. Rasti i dy shtetasve nga Fieri, mbase i kujton diçka kur ta lexojë. Gjatë pandemisë dhe fushatës, ky dhe Ermal Kapllani i Lal Djegësit, i certifikuar se është marrë me drogë, kanë bërë 500 mijë euro duke favorizuar ndërtimet pa leje dhe lejuar lokalet. Ky Olti Bistri që ka marrë gradat çdo 6 muaj, paguan për shtëpinë që Ardi Veliaj që ka blerë te Kodra e Diellit, por që për çudi nuk i doli gjatë vetingut. Dhe e fundit, si shpjegohet që gjysma e drejtorëve të katapultuar rishtas si drejtor qarqesh me certefikatë nuk janë pajisur me certefikatë sigurie nga DISK. Ju garantoj me jetë për këto që u them”.

Këto ishin disa të dhëna që janë bërë publike herë pas here, denoncime të qytetarëve digjitalë, jo të përgjimeve, por që faktonin se Olti Bistri ishte një baloz krimi në polici dhe mbahej me lidhje shumë të forta me Ardi Veliun, Erjon Veliajn dhe së fundi, se si ja gjeti telat dhe u miqësua shumë edhe me Belinda Ballukun, fitoi besimin e saj dhe Belinda gjatë muajve të fundit të Çuçit, ishte Belinda që bënte ligjin në polici, me emërime dhe transformime.

Eksponenti tjetër i krimit që u arrestua dje, nëse do të kishte një emër të dytë, do mund të quhej në mënyrë absolute vetëm Edi Rama.

Dhe për habinë tuaj, ky është Pëllumb Gjoka.

I njohur botërisht si mik i Edi Ramës, si investitori strategjik i Edi Ramës, si njeriu, i cili kishte vrarë në vitin 1998 dhe plagosur një tjetër, si njeriu i cili kishte grabitur 390 mijë metër katrorë tokë në rërën e Velipojës, dhe si njeri i cili kishte marrë lejen nga Edi Rama për të ndërtuar ‘Silver City’-n e tij, por si njeriu që ishte arrestuar në Itali, kishte kryer krime monstruoze në Itali. Bandit, sipas medieve të njohura italiane.

Po ju lexoj një status të datës 23 gusht të vitit 2019.

“Pershendete Z.Berisha

Lidhur me denoncinin qe beri Kryetari i Partise Demokratike Z.Basha per narkortrafikantin shtetasin Pellum Gjoka ne restorantin e te cilit kryeministri shtron dreka dhe darka per miqesine qe ka me te, doja te shtoja se ky perveçse trafikant kryesor eshte dhe vrases.

Shtetasi Pellumb Gjoka ka kryer nje vrasje dhe nje plagosje ne vitin 1998 ne Velipoje

Personi i vrare quhet Gjon

Ky shtetas pervec se narkotrafikant esht dhe vrases i cili nuk ka ber as dhe nje dite burg

Dosja e tij esht mbyllur nga gjykatesi i lidhur me krimin dhe bandat Dritan Hallunaj nje njeri qe ka kaluar vetingun pa i hyre ferra ne kembe.

Ju lutem Z.Berisha ta denonconi kete te pashembullt qe ky Gjygjtar Dritan Hallunaj i ka mbyllur Pellumb Gjokes dosjen per vrasje dhe plagosje

Pellumb Gjoka ska bere asnje dite burg edhe mund ta verifikoni.

Gjithashtu thuhet se Pllumb Gjoka ka paguar 1 milion euro per vetingun e Dritan Hallunajt

Perveç ketyre Dritan Hallunaj eshte gjykatesi qe ka liruar ne sallen e gjyqit Arben Frrokun vrasesin e kamisarit te policise Lame dhe per kete e ka denoncuar edhe partia demokratike

Ky rast z.Berisha do vertetonte qe KPK eshte asgje tjeter vetem nje mjet qe Edi Rama te kape drejtesine duke lene ne sistem vetem njerzit e vet te lidhur me bandat dhe qe i sherbejne atyre

Z.Basha denoncoi qartazi se si Edi Rama esht nje frekuentues i rregullt i lokaleve te Pellumb Gjokes dhe se si Pellumb Gjoka mbledh vota per te dhe i sherben

Ndaj edhe gjyjgtari Dritan Hallunaj e kaloi vetingun pasi pagoi Per kete 1 milion euro vrasesi dhe trafikanti Pellumb Gjoka”

ps: Te dashur miq, ketu me poshte keni nje status timin te dt 1 gusht te vitit 2018 mbi vetingun e gjykatesit qe liron dhe mbylle dosjet e vraseseve, Dritan Halluni. sb

Ky eshte Hallun Veting apo Krim veting!

Krye krye kreu Edvin Kristaq Rama pastron famozin Gjykates Hallunin!

Gjykatesin qe me urdher te Rames liroi ne sallen e gjyqit Arben Frrokun, ekzekutorin e provuar me pamje filmike, deshmitar okular dhe prova laboratorike te Komisarit Lame!

Ky vendim kriminal i Edvin Kristaq Rames per gjykates Hallunin deshmon edhe nje here se vetingu eshte thjeshte nje hanxhar ne duart e tij!

Ky vendim te dashur miq tregon se cilat do te jene monstrat e drejtesise se ardhme te reformes orëelliane, qe do vendosin per te drejtat tuaja.

Pra ata do te jene byrazere te vraseve, hajduteve, plaçkiteseve, perdhunuesve te qytetareve nen urdherat e Edvin Kristaq Rames!

Ku është bixhozi është OIsi Rama. Mos e harroni kurrë. Ju e dini që Edi Rama po i shpallte një motel, për qëllime që ju e merrni vesh vetë, si hotel diku në një rrugicë këtu, si hotel me 5 yje të Pëllumb Gjokës, vetëm e vetëm që ti jepte kazinonë, asgjë tjetër.

Pra këto denoncimet.

Kjo është banda e Bajrëve, ua kemi paraqitur këtu, terrorin e saj ditën e zgjedhjeve në Shkodër, ja ku e keni, autokolona e tyre. 3 janë të blinduara, të tjera janë shoqëruese. I kemi denoncuar. Këtu është makina që qëndronte tek qendra e votimit e Pëllumb Gjokës, si dëshmi për tu thënë njerëzve, guxoni të votoni kandidatin e ‘Bashkë fitojmë’. Ne i kemi dokumentar këto, i kemi njohur publikun shqiptar e ndërkombëtar me to.

Pra, mendova që të ndalemi jo për arsye tjetër, por vetëm për shkak të lidhjeve të tyre të tmerrshme, me Edi Ramën dhe qeveritarët e tjerë. Këta kanë arritur në këtë shkallë që të shkelmojnë çdo ligj dhe vendim gjykate dhe gjithçka tjetër, sepse këta paguajnë Edi Ramën, sidomos Pëllumb Gjoka.

Flitet se Neritan Nallbati i cili është krahu i ’Hakmarrjes për drejtësi’ i ka paguar për pozicionin e tij, 7 mln euro Çuçit të familjes. Njeriu në territorin e të cilit u instalua uzina më e madhe e kokainës në Ballkan, në Xibrakë, ku ishte direkt i implikuar Olsi Rama, njeriu që përcolli me makinën e tij Gentian Xhixhën dhe unë kam këtu, të gjitha udhëtimet që ka bërë me makinën e drogës Olsi Rama, ky në vend që të nxirret jashtë policie dhe të penalizohej, u vu drejtor i Policisë Durrës dhe tani është drejtori më i rëndësishëm i Policisë në Shqipëri.

PYETJE PËRGJIGJET ME GAZETARËT

Pyetje: Në denoncimin tuaj janë dekonspiruar 11 urdhër arreste. Nga informacionet që ju keni, janë persona me rekorde kriminale, apo edhe ish-funksionarë të shtetit.

Sali Berisha: 11 them, sepse policia nëpërmjet zërave të saj tha se janë lëshuar 15 mandate. Dje gjithë ditën thanë se, janë arrestuar vetëm 4. Tani prokuroria ti bëjë publike edhe ata të 6 sepse prokuroria dje vetëm ka heshtur dhe ka bërë publike vetëm 4 emra. Qytetarët nuk marrin informacion në prokurori, por tek mediat, e të gjitha emrat kanë pasur 4 emra, Bistrin, Bilalin, Gjokën dhe një tjetër. Se gjersa heshtën një ditë dhe folën një ditë pasi deklarova unë, kjo përbën problem. Ata më mirë të ndjekin kur unë denoncoj krimin dhe jo vetëm këto, edhe këto. Ja urdhëro rrinë gati. Unë absolutisht do të denoncoj çdo bashkëpunim me krimin cilido qoftë dhe kjo vetëm sa më motivon më shumë. Dje e lanë me 4 persona dhe qytetarëve u thonin 6. Ti shohim njëherë kush janë ata dhe më pas të bëjmë komentin. Nxirrni emrat u them zotërinjve që të besojmë. Po i kanë arrestuar mirë më vjen. Qëndroj fuqishëm në çdo akt të zbatimit të ligjit, asnjë ekuivok nuk kam unë. Por kur ndodhin kështu, duken manipulime.

Pyetje: Gjatë kësaj jave nga denoncimet nga selia blu, keni denoncuar Gjiknurin  për impiantin e energjisë në inceneratorin e Elbasanit. Gjiknuri sot deklaroi se ka patur një rol periferit, ndërsa përsa i takon pasurisë, ai tha se ka një pasuri të justifikueshme. Ndërsa që është braktisur nga Rama pas asamblesë, ai tha se nuk është braktisur. Si i përgjigjeni ju?

Sali Berisha: Është një mashtrim fund e krye. Florjana do të ju dërgojë ju në telefonat tuaj, vendimin e firmosur vetëm nga Damian Gjiknuri. Meqë më pyete, për impiantin e energjisë me 2.3 megavat duhet të vendoste Këshilli i Ministrave sipas legjislacionit në fuqi. Mbi kapacitetin 2 megavat, autorizimin do ta jepte Këshilli i Ministrave. Ky ishte 2.3 megavat dhe vendimin e ka marrë Gjiknuri dhe unë do të ju dërgoj ju vendimin e ministrisë së tij. Gjiknuri është gjer në vesh, sepse është tmerr, koncesion 25 vjeçar. Sipas vendimit të Gjiknurit dhe Edi Ramës, shteti shqiptar është i detyruar ti blejë koncensionarit për 25 vite rresht prodhimin e energjisë. Në një kohë kur kjo ndërtohej 100% me paratë e qeverisë. Dhe koncensionari-Gjiknuri është i detyruar tu japë taksapaguesve 2% të energjisë. Cili është ligji? Ligji është ky: Kur koncensionari ndërton privat një Hec, ai është i detyruar nga 1 deri në 5 %, nuk shkon më shumë duhet të paguajë ‘fijën’ koncensionare. Këta kanë bërë të kundërtën. Këta shtetit i marrin 98% sepse është sipërmarrje Gjiknuri-Rama dhe askujt tjetër dhe vetë i japin 2% taksapaguesve. Është për 25 vite. Impianti i mbetjeve pas 7 vitesh i kalon bashkisë së Elbasanit. TEC-i jo, sepse i mbetet Albtekut të Ramës dhe Gjiknurit, për 25 vite me radhë. Ai është një njeri i papërgjegjshëm. Për Deripaskën, licencat dhe ato e ka thënë ai, kam zbatuar urdhërat e Ramës. Përsëri një zyrtar i çdo niveli qoftë, bëhet përgjegjës para ligjit nëse zbaton një urdhër të paligjshëm. Prandaj thuaj, Damian je i pashpresë, mbathja apo jo është puna jote.

Pyetje: Si e cilësoni Sali Berisha procesin e nesërm zgjedhor, ku sipas Jemin Gjanës 25 mijë anëtarë të PD do të votojnë dhe me shumë gjasë do të zgjedhin Bashën dhe 50 mijë prej tyre i janë bashkuar Sali Berishës këtyre viteve.

Sali Berisha: Unë kam besim të plotë te demokratët. Te idealet e tyre demokratike. Se nuk do i lejojnë kurrë vetes, nuk do pranojnë të bëhen pjesë e një skenari të Edi Ramës dhe Taulant Ballës. Të turpshëm, me të cilin nuk kanë qëllim tjetër, vetëm të krijojnë një patericë të tyre, njëlloj siç bëri Ramiz Alia në vitin 1991, që shpalli Frontin apo Organizatën e Gruas si organizata elektorale. Unë kam bindjen që demokratët do qëndrojnë në lartësinë e tyre. Jam i bindur se demokratët nuk do i lejojnë vetes të implikohen apo të mbështesin një skenar që me të vërtetë përbën skenarin më të turpshëm në historinë 32-vjeçare të pluralizmit politik.

Pyetje: Demokratët që ju drejtoni u mblodhën vjet dhe zgjodhën një Këshill Kombëtar. Anëtarë të këtij këshilli shkuan dje në një tjetër këshill, në një mbledhje të drejtuar nga Gazment Bardhi. E para cili është Këshilli Kombëtar i PD dhe e dyta a ishte kjo një shkelje e parimeve të kuvendit të 30 prillit.

Sali Berisha: Këshilli Kombëtar i PD është ai që përcakton statuti i PD-së. Kjo është përgjigja ime. Por, deputeti Gazment Bardhi është deputet i PD është edhe ai si deputet, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD.

Pyetje: Flitet se mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Nëse ky informacion rezulton i vërtetë a është opozita e gatshme të futet?

Sali Berisha: Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por pas largimit të Edi Ramës nga pushteti. Zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri. Krim, krim dhe vetëm krim. Të jeni të sigurtë ju se në ato 100 mijë faqe që ka zbarkuar dhe që do të vijnë, është autopsia e një kalbësie kriminale që nuk ekziston kund në Europë. Kam një të dhënë këtu. Ajo qendër që transkripton këto ka një territor prej 20 vendesh që kontrollin. Për fatin tonë më të keq, gjuha shqipe del e dyta, pas anglishtes. Gjuha shqipe është e dyta e përdorur. Vetëm në kryeministri ndizen gjithë ato llampa të kuqe, se i kanë me GPS.

Pyetje: Opozita a mund ti përgjigjet zgjedhjeve të parakoshme?

Sali Berisha: Pa Edi Ramën opozita është fitimtare. Edi Rama është armik i egër, duhet të ikë.

Pyetje: Jemi pak ditë para se të nisë gushti, që konsiderohet muaj pushimesh. Kur do ti bëni publike hotelin që keni thënë të Damian Gjiknurit, dhe kur do të flisni për atë që keni thënë pak javë më parë për një ish-zyrtar të lartë të PD, që dyshohet se është i implikuar në çështjen e inceneratorëve.

Sali Berisha: Tani, lidhur me këtë të dytën. Kjo është një aferë nga më të rëndat korruptive e Edi Ramës, që është afera e Porto Romanos. Mirëpo këtu do ta kisha paraqitur si rregull, por këtu  ngjarjet vrasin ngjarjet. Nuk lënë, sepse unë do ta kisha  paraqitur këtë rast. Uroj që prokuroria në dosjen Ahmetaj citon Gjiknurin, por mesa di unë nuk ndalet tek impianti i energjisë, çka Gjiknuri është absolut 1-shi. Janë pastaj vendimet e qeverisë, sepse po ti shohësh këto vendime, financimi garantohet edhe për impiantin e prodhimit të energjisë, i ka të dyja këto. Gjiknuri dhe Gjiknurët përpiqen tani të thonë se i dha edhe licencën. Licenca është tjetër, kontrata është tjetër. ERE jep licencën në përputhje me kontratën. Nuk ka asnjë funksion tjetër vetëm të autorizojë sipas vendimit të qeverisë. ERE është një ent rregullator, por ERE jep thjeshtë licencën për prodhimin e energjisë. Damian Gjiknuri apo kushdo tjetër të mendojnë të mashtrojnë shqiptarët se i lamë duart se është ERE që e  ka dhënë licencën. Je ti që e ke bërë vendimin e qeverisë dhe qeveri e ke shkruar, prodhim energjie. Je ti që ke dhënë vendimin e ministrisë.

Pyetje: Momentin që ju nisët procesin e foltores, shumë demokratë iu bashkuan, për të rikthyer PD në shina, siç ju e keni deklaruar. Por në fakt demokratët sot e kësaj dite janë të përçarë dhe këtë e vërtetuan zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit ku një pjesë votoi kandidat tuaj dhe të tjerët PD e Bashës. Edhe në 14 maj, shumica votuan kandidatët tuaj dhe një pjesë e demokratëve votuan logon. A jeni koshient se janë vetëm dy persona që po e dëmtojnë PD, Lulzim Basha dhe Sali Berisha, për të mos luaj demokratët në 2025 dhe për ti lënë ata përsëri në opozitë. A jeni ju dy persona që sot PD po e dëmtoni dhe po i lini demokratët për 16 vite në opozitë.

Sali Berisha: Ti po krahason të pakrahasueshmet. Për çdo shqiptar, Lulzim Basha është peng absolut i Edi Ramës. Lulzim Basha nuk është i kapur me dosje spiunazhi, por është i kapur me dosje krimi. Dosja e krimit e Lulzim Bashës nuk është shpikje e Sali Berishës, por është realitet në prokurori. Dosje e cila është ngritur me akuzën për larje parash kundër Lulzim Bashës, për 720 mijë euro dhe shkon nga 6 deri në 12 vite burg. Dosje e cila në ligjin e asaj kohe duhej të trajtohej detyrimisht nga Gjykata e Lartë. Çfarë ndodhi? Edi Rama me një prokuror e bllokoi dërgimin e dosjes në Gjykatën e Lartë, por prokurori tjetër nuk ka firmosë. Kështu që dosja është jo e mbyllur dhe kur të dojë Edi Rama atë dosje e çon në Gjykatë të Lartë dhe për këtë dosje, Lulzim Basha dënohet automatikisht 6-12 vite burg. Së dyti, Lulzim Basha është në hetim ndërkombëtar me dosjen ‘ Toyota Yaris’. Është marrë disa herë në pyetje nga prokuroria e Belgjikës. Ju garantoj se ai hetim vazhdon për Lulzim Bashën dhe Taulant Ballën, sado që këta kanë zhvilluar një gjyq dhe Basha ka dalë shpifës për atë që i ka thënë, por Balla ka kryer ca veprime të tjera që nuk i di vetëm Sali Berisha, i dinë edhe ata që duhet ti dinë. Ka kryer disa hetime të tjera, që për hir të hetimit nuk po i bëj publike. Ata që po merren me seriozitet të madh me dosjen, i dinë. Pra janë këto të dy rrethana. Cila është alternativa e demokratëve,  një opozitë patericë e Edi Ramës çfarë premton. Kurse çfarë ofroi Sali Berisha. Një opozitarizëm të vërtetë dhe në kushtet më të jashtëzakoshme, që bëjnë krenar çdo njeri që mbështeti Sali Berishën. Pra nuk kanë asnjë vështirësi demokratët. Sali Berisha arriti të nxjerrë nga kthetrat e mafias Rama-Brava, opozitën. Kaq bëra, do bëhet edhe më shumë, por kjo është e vërteta. Demokratët janë shumë të kthjelltë si kristali. Ai nuk ka asnjë interes për zbardhjen e dosjeve që ka në shpinë. Po ato, është puna e tij jo e imja.

Fundjave të mbarë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale