FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME DEPARTAMENTIN E ARSIMIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim me Departamentin e Arsimit e ka cilësuar Edi Ramën si njeriun përgjegjës për një ‘regjim autoritar’, për shpopullim dhe për kriza të thella politike, ekonomike dhe mjedisore në vend. Gjatë fjalës së tij Berisha e vuri theksin tek protesta qytetare që po zhvillohet, të cilën Berisha e quajti ‘lëvizje të drejtë dhe masive historike’, duke u bërë thirrje studentëve dhe pedagogëve që të angazhohen në mbështetje të saj.
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi në fjalën e tij se, situata në vend është përshkallëzuar për shkak të, siç tha ai, shkeljeve të rënda të të drejtave të qytetarëve dhe mungesës së transparencës në vendimmarrje. ‘Një protestë kaq e fuqishme, kaq masive, kaq e qëndrueshme, nuk është parë kurrë në historinë e këtij vendi,’ u shpreh ai, duke shtuar se bëhet fjalë për një reagim qytetar ndaj ‘brutalitetit ndaj qytetarëve dhe komunitetit’, theksoi Berisha. Sipas tij, Edi Rama drejton një sistem që ‘shtyp pluralizmin dhe përdor institucionet për kontroll politik’.
Lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se, zgjedhjet e 11 Majit 2025 në Shqipëri janë zhvilluar në kushte të pabarabarta, dhe kanë qenë farsë elektorale, ndërsa akuzoi qeverinë për përdorim të burimeve publike dhe ndikim të organizuar. Ai deklaroi gjithashtu se qeveria është e përfshirë në lidhje me krimin e organizuar në proceset politike, duke përmendur grupe kriminale dhe ndikim në lista deputetësh.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së Sali Berisha e vuri theksin edhe tek çështjet mjedisore, ku akuzoi qeverinë e Edi Ramës për shkatërrim të zonave të mbrojtura dhe pasurive natyrore. ‘Edi Rama ka qenë një Neron i vërtetë për mjedisin,’ deklaroi ai, duke përmendur Parkun e Dajtit, Shëngjergjit, Leskovikun dhe Butrintin, për të cilat tha se janë dëmtuar nga ndërhyrjet dhe interesat e qeverisë. Berisha iu referua edhe ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura dhe administrimin e trashëgimisë kulturore, duke thënë se ato ‘kanë hapur derën e ndërhyrjeve të pakontrolluara’.
Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha u bëri thirrje të drejtpërdrejtë studentëve dhe pedagogëve që të angazhohen në protestë. ‘Roli i studentëve dhe roli juaj në mbështetje të saj është i jashtëzakonshëm,’ tha ai, duke shtuar se çdo përpjekje për t’u bërë presion studentëve duhet kundërshtuar. Berisha paralajmëroi se, sipas tij, ndaj studentëve po ushtrohen presione për shkak të pjesëmarrjes në protesta. ‘Protesta është e vetmja rrugë për të shpëtuar Shqipërinë,’ u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij, duke kërkuar mobilizim të vazhdueshëm qytetar për largimin e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.

FJALA E PLOTE
Edhe një herë një përshëndetje shumë të përzemërt, shpreh kënaqësinë që u takoj.
Kërkova të takohem me ju në një moment shumë kritik, në një moment kur Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e qytetarëve dhe intelektualëve të saj.
Një lëvizje rinore qytetare, për arsye tashmë të njohura, brutalitetit të egër, zvarritjes sikur të ishte një bishë të një qytetari që protestonte në mënyrën më paqësore, rrethimit me tela me gjemba sikur të ishte një kamp përqendrimi të një komuniteti, në shkelje më flagrante të Kushtetutës, ligjeve të vendit, por dhe ligjeve ndërkombëtare që detyrojnë qeveritë të informojnë për çdo gjë dhe të diskutojnë për gjithçka zhvillohet me komunitetin përkatës, dhe Shqipëria është palë në këtë konventë, Konventa e Aarhusit, pra, në mbrojtje të një kolonie të mahnitshme zogjsh dhe të një habitati biodiversiteti të shumë të pasur, bëri që të rinjtë dhe qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë të shpërthejnë në një protestë, e cila në përmasat e saj nuk është parë kurrë në historinë e këtij vendi.
Një protestë kaq e fuqishme, kaq masive, kaq e qëndrueshme. I kalon, u them unë juve, të gjitha protestat e tjera.
Një protestë e drejtë, një protestë, e cila, po të marrim tre elementet e saj: të parin, brutalitetin ndaj qytetarit dhe shkelmimin e të drejtave të tij; brutalitetin ndaj komunitetit dhe rrethimin me tela me gjemba; dhe mungesën e plotë, 100%, të transparencës për një dosje, e cila kishte të bënte me një peizazh të mbrojtur të vendit tonë.
Në këtë kuadër, Partia Demokratike vendosi të respektojë në radhë të parë plotësisht këtë protestë, të cilën nuk e kishte thirrur ajo, por ta mbështesë atë fuqimisht, sepse kauza e saj ishte një kauzë e drejtë.
Ishte një kauzë e drejtë për arsye se veprimet ishin veprime tipike të një regjimi autokratik, të një regjimi pa legjitimitet, regjim që nuk ka dalë nga vota e lirë, dhe është në meritën më të madhe e kësaj partie, e cila arriti, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, të vërtetojë se zgjedhjet, si të 14 majit, zgjedhjet lokale, dhe zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, ishin farsa elektorale.
U zhvilluan, siç përshkruajnë tashmë raportet ndërkombëtare, në kushtet e partisë-shtet. Zgjedhje në kushtet e partisë-shtet janë zgjedhjet e regjimeve totalitare.
Ky nuk është një regjim totalitar, por ky është një regjim që shtyp pluralizmin, përdor institucionet për shtypjen e pluralizmit, dhe ky është dallimi midis diktaturës totalitare dhe diktaturës autoritare.
Për të fituar zgjedhjet, Edi Rama, njëlloj si Zajedi i Tunizisë, arrestoi dy liderët e partive kryesore opozitare, dhe të tretin e vuri në ndjekje penale në vitin elektoral. Mobilizoi miliarda e miliarda fonde publike për të ndikuar.
Vetëm dy ditë para zgjedhjeve ai dha dhuratë për votë, 2 miliardë e 100 milionë euro gjoba dhe kamata.
Ai garantoi një listë prej 28 deputetësh me kartelin Troplini, kartelin Çela dhe kartele të tjera të drogës, organizata kriminale, saqë bëri të konkludojnë përfaqësuesit e Parlamentit Evropian se në Shqipëri rrotacionin nuk e lejon krimi i organizuar.
Por çdo demokrat e demokrate duhet ta dijë, ta rikujtojë se kemi qëndruar me të gjithë potencialin tonë në një kohë kur askush s’ka qëndruar tjetër përveç nesh edhe për çështjet mjedisore.
Në qoftë se kjo protestë ka një mrekulli, ka një mrekulli të vërtetë edhe dimensionin e saj mjedisor. Kur sheh këta të rinj, këta dhjetëra mijëra të rinj që protestojnë për çështje mjedisi, çka do të thotë se në ndërgjegjen e tyre mjedisi, që është jeta në të vërtetë, ka një rol qendror, dhe ky është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për vendin dhe për kombin.
E vërteta është se, në mënyrë absolute, në të gjitha rastet, ne kemi respektuar jo vetëm ligjin kombëtar, por dhe ligjin ndërkombëtar për mjedisin.
Çështja e mjedisit, sikundër të themi të vërtetën, dhe çështja e të drejtave të njeriut, dhe çështja e votës, janë sa kombëtare aq dhe ndërkombëtare.
Edi Rama ka qenë një Neron i vërtetë për mjedisin. Shikoni pak 15-20 kilometra këtu në Parkun e Dajtit se si ia kanë shtruar malin… e kanë shtruar në gurore masive oligarkët e Edi Ramës. Dajti është park kombëtar. Një gur të vetëm nuk mund ta marrësh në përputhje me ligjet e vendit.
Por ligji për Ramën dhe oligarkët e tij nuk ekziston, se nuk mund të nxirrte gurë tjetërkund ai që i duheshin gurët, po duhet të zhvishte shpatin e Dajtit dhe ta shëmtonte atë në mënyrë të tillë.
Shikoni në Parkun e Shëngjergjit. Park kombëtar. Se si e ka bërë me druvarët e tij Taulant Balla. Hero i vërtetë një gazetar. Nuk e harroj që u shkonte mbrapa dhe që druvarët dhe mafia e druve e kërcënonin me jetë. Sepse kishin mbrojtjen dhe aksioner ishte Balla.
Shikoni në Parkun e Leskovikut se si u shndërruan pyje të tëra në qymyr druri.
Por mbi të gjitha u kafshua Parku i Butrintit. Nuk e di nëse e keni vizituar apo jo, por Butrinti është një nga mrekullitë më të mëdha jo vetëm arkeologjike, por arkeologjike dhe natyrore. Ai është një mrekulli e rrallë natyrore, në biodiversitetin e tij, në peizazhin e tij.






Dhe ju them juve, të dashur miq, absolutisht gjatë tetë viteve ndërhyrja e vetme ka qenë zgjerimi i rrugës për shkak të shtimit të fluksit të turistëve. Asnjë ndërhyrje tjetër. Ai ruhej i tërë.
Ajo është një mrekulli e papërsëritshme që duhet të kalojë e tillë nga gjenerata në gjeneratë. Duhet ta trashëgojnë shqiptarët që vijnë.
Erdhi, aktin e parë, ndau parkun natyror nga parku arkeologjik. Vetëm këtë donte Edi Rama.
E kundërshtuam me të gjitha forcat, e kundërshtuam në mënyrën më të fuqishme, kundërshtuam ligjin.
Partia Demokratike organizoi një seri tryezash shëtitëse. Kundërshtuam çdo gjë.
Çfarë doli mbrapa? Dolën ndërtimet e qeveritarëve tek Gjiri i Manastirit dhe një seri ndërhyrjesh të tjera në një park që çdo gjeneratë kishte detyrë kryesore mirëmbajtjen dhe përcjelljen tek gjenerata tjetër.
Dhe, në fakt, këtu probleme serioze u krijuan me modelet e vendosura inekzistente dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, sepse aty u krijua një bord ku shteti, përgjegjësi numër një i mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, pranoi pozicionin e minorancës.
Dhe imagjinoni ju tani, është anëtare e bordit një zonja Margariti, e cila tani mund të jetë emigrante në ndonjë vend tjetër dhe parku është në duart e të tjerëve vetëm e vetëm se Edi Rama donte patjetër të ndante pjesën urbanistike, pra të ndahej qyteti i Butrintit nga pjesa natyrore e parkut.
Kundërshtuam me forcën më të madhe ligjin. E kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kemi organizuar protesta dhe tryeza. Kemi kundërshtuar ligjin për administrimin e pasurive kulturore. Kemi kundërshtuar me forcën më të madhe ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura.
Është mashtrues, pa asnjë turp, se vetëm sa nuk tha që me ato ndryshime e forcuam pozicionin. Lexojini ju ndryshimet që kanë bërë. Me ndryshimet që kanë bërë, i kanë hapur derën e sëpatave, i kanë hapur derën e ndërhyrjes në çdo park. Po!
Me ndryshimet që i bëri ligjit, i kundërshtuam, i çuam në Gjykatën Kushtetuese, por në diktaturë autoritare, kur pushteti është i gjithi në një dorë, merr kudo të njëjtën përgjigje.
Edhe Gjykata Kushtetuese ndahej katër me katër dhe linte në fuqi vendimin e qeverisë.
Kundërshtuam paketën e maleve. Çfarë ishte paketa e maleve? Ishte si t’u krijoje trafikantëve, t’u jepje prona publike e private për të investuar paratë e drogës së tyre.
A mund të imagjinoni ju që të përfitojë nga paketa e maleve investitori në Hamallaj? Është gjithsej 30 metra mbi nivelin e detit. 25-30 metra.
Të përfitojë nga paketa e maleve investitori në Maminas? Është fiks 70 metra mbi nivelin e detit. Këtu na mbinë malet.
Pastaj, sigurisht, pa asnjë lloj kriteri, duke marrë tokën me ligjin e tij të korporatës së investimeve, është një ligj që kthen ligjet e ’46-ës.
Ne i kundërshtuam këto me forcën më të madhe. Pra, bëmë gjithçka për të demaskuar, për të mbrojtur si trashëgiminë kulturore, ashtu dhe mjedisin.
Ne mirëpritëm me shumë kënaqësi kërkesat e protestuesve, si për anulimin e këtyre ligjeve, ashtu dhe për largimin e Edi Ramës.
Ne, faktikisht, ishim në protestën tonë të nëntë. Por u thirr kjo protestë dhe ne zgjodhëm të mbështesim atë dhe u bëmë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve tanë të jenë çdo ditë në protestë.
Tani thirrja ime për ju, për pedagogët e universiteteve, është të mendojnë se si të kontribuojnë në këtë protestë.
Roli i studentëve dhe roli juaj në mbështetje të saj është i jashtëzakonshëm.
Kjo protestë ka zgjedhur rrugën paqësore, strikt paqësore, të përballjes me regjimin. Çka do të thotë që mund të jetë më e zgjatur, por rezultatin do ta ketë.
Nuk ka asnjë lloj mundësie që Edi Rama të shpëtojë nga ky zemërim i përgjithshëm popullor.
Dhe ju duhet të bëni gjithçka që ky zemërim të ketë sukses.
Kjo revoltë, kjo protestë të përfundojë me sukses.
Disa informacione shumë shqetësuese tregojnë se janë bërë presione mbi studentët. Studentët janë në provime. Dhe studentët janë masivisht në protestë, por ka edhe pedagogë që u kanë bërë presion atyre.
Ju, në departamentet tuaja duhet të jeni avokatë të studentëve dhe nuk duhet të pajtoheni me asnjë njeri që u bën presion studentëve.
Aty ka njerëz të të gjitha bindjeve, të jemi realistë… se janë ca opozitë e opozitës që mendon se ajo është në timon, por ajo në fakt është si miza e Diderot që mendonte se tërheq karrocën dhe jo kali.
Protestën e tërheqin qytetarët aty dhe të rinjtë që rrinë gjashtë orë, pesë orë, i lajnë rrugët e Tiranës me energjinë dhe entuziazmin e tyre.
Kështu që është protestë e qytetarëve, është protestë e fibrës qytetare. Dhe nuk ka gjë më të bukur dhe më të çmuar se kjo. Qytetarët vendosin të ngrihen për interesat e tyre dhe të vendit të tyre.
Ata i thonë Edi Ramës: ‘O tradhtar’.
Po në qoftë se ka njeri që ka tradhtuar Shqipërinë dhe shqiptarët sa Edi Rama, nuk ka.
Dhe thonë, pse e quajnë tradhtar. Ai është sjellë me shqiptarët në Kosovë më i zi se Vuçiçi. Ai është njeriu që vuri i pari sanksione ndaj qeverisë së Kosovës, që s’duhet t’i vinte. Dhe këtej i thoshte Evropës që mos i kërkoni Vuçiçit të respektojë sanksionet ndaj Rusisë.
Ky bëhet avokat i Aleksandër Vuçiçit nga samiti në samit, duke u mburrur që nuk i duhet kërkuar këtij të respektojë sanksionet e ‘Big Brother’-it të tij, dhe vetë i vendoste sanksione Kosovës.
Pse? Sepse udhëheqja e Kosovës, me gjithë respektin, i tha që këtu vendimin e marrin qytetarët e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre, dhe jo ti me Vuçiçin edhe me të tjerë.
Ndaj dhe jo tradhtar, por super-tradhtar.
Hynin në pazare… Ç’punë kishte Shqipëria të ndërmjetësonte, të bëhej shkesi për pazaret në kurriz të Kosovës? Kurrën e kurrës.
Kërkonte tërheqjen patjetër të Rusisë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë–Serbi. Dhe kërkonte, bashkë me Vuçiçin, konferencë ndërkombëtare, në një kohë kur ndërkombëtarët pro-shqiptarë e kishin përzënë Rusinë. E kishin përzënë me qëllim Rusinë.
Dhe kishin marrë vetë, kishin caktuar një ndërmjetës të Bashkimit Europian, i cili bashkëpunonte ngushtë me ndërmjetësin e Departamentit të Shtetit për të ndërmjetësuar.
Ky thoshte të bëhet një konferencë ndërkombëtare tani, sepse kështu i thoshte Vuçiçi.
Por tradhtia më e madhe e tij ndaj shqiptarëve është gjenocidi që ai ka bërë me përzënien e 1.1 milion shqiptarëve, sipas të dhënave të Eurostat-it, vetëm në hapësirën e Bashkimit Europian, pa llogaritur qindra mijëra të tjerë në vende të tjera të Europës dhe të botës.
Kështu që është tradhtar i shkallës më të lartë.
Është plaçkitësi më i madh i shqiptarëve.
4 miliardë euro është plaçka e Portit të Durrësit. 4 miliardë euro, absolutisht!
Dhe tani pallatet e Dubait të ‘1001 netëve’ të tij po futen në rërë, po fundosen në rërë.
Çfarë bën ky? Ky gjithçka e bazon te paratë e drogës.
Sot është zbërthyer një grup- duke falënderuar të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve partnere- një grup emrash të panjohur për ne, po kishte administruar 50 ton drogë.
50 ton kokainë, në varësi nga cilësia, janë 6 deri në 7 miliardë euro. 6 deri në 7 miliardë euro.
Dhe ky, që i thoshte Arben Ahmetajt se droga është para dhe nuk ka të keqe… droga në fakt po shpopullon Shqipërinë më shumë se çdo gjë tjetër, sepse droga bëri që qiratë të jenë 2/3 e rrogës në Shqipëri.
A mund të imagjinohet kjo?
770 euro është mesatarja e qirasë në Tiranë.
Droga është kjo! Se ndërtimet bëhen me para droge. Se katet i blejnë po trafikantët.
Shkoi një miku im dhe pa një pallat të madh diku andej, ky shkoi të gjejë punë aty. Edhe i tregon që ky ka këtë karakter pune.
‘Jo’, i tha, ‘e kam zgjidhur unë ashtu’.
Po i tha: ‘Si e ke ndërtuar kaq të madh ti pallatin? E ke shitur gjë?’
‘E kam shitur të tërin’, tha.
‘Si e ke shitur?’
‘Çunat ma kanë blerë’, tha. ‘S’kam nevojë…’. ekzakt kjo që po ju them. Aq sa ma kanë blerë çunat, s’kam nevojë ta shes më.
Kështu është kjo.
Ndaj dhe protesta është e vetmja rrugë.
Ne prej shumë kohësh kemi deklaruar e deklarojmë se protesta është e vetmja rrugë për të shpëtuar Shqipërinë.
Protesta është e vetmja rrugë.
Ndaj dhe ne shpallëm ndër drejtimet themelore të punës tonë protestën.
Kështu që unë ju ftoj secilin prej jush të japë kontributin më të madh të mundshëm.
Është një moment historik që kjo protestë të ketë sukses. Është një moment shpëtimtar për Shqipërinë.
Dhe Partia Demokratike duhet të japë me të gjithë potencialin e saj ndihmesën e merituar.
Ne shkojmë aty si qytetarë. Është protestë qytetare dhe nuk shkojmë me simbolet e partisë sonë, shkojmë me fibrën qytetare.
Ne shkojmë me fibrën qytetare. Duhet të mësojmë.
Flamuri i tyre është flamuri i qytetarëve për largimin e kësaj qeverie, për qeveri teknike, zgjedhje të lira.
Është flamuri në të vërtetë i votës së lirë.
Kështu që është rast i jashtëzakonshëm për çdo qytetar shqiptar, për çdo të ri, t’i japë një dorë, t’i japë një mbështetje, t’i japë një ndihmë vendit të tij.


