EKSTRAKT
Kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, deklaroi se kjo protestë është thirrje për çdo socialist që dëgjoi se si Rama e kërcënonte Ahmetajn njëlloj si Enver Hoxha armiqtë e tij.
Berisha u ka bërë ftesë atyre që ti bashkohen kësaj proteste. ‘Ndaj i ftoj ata të bashkohen në këtë betejë për dinjitet, në këtë betejë për liri, në këtë betejë për Shqipëri, të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë’, tha kreu i PD-së.
Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi sërish Altin Dumanin se po përpiqet që të mbyllë superkandalin e shekullit, aferën Rama-McGonigal.
Kryetari i demokratëve, Sali Berisha y ka bërë thirrje shqiptarëve t’i bashkohen protestës së ditës së hënë para parlamentit.
‘U bëj thirrje demokratëve kudo që janë, u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen në protestën e fuqishme të ditës së hënë para parlamentit për t’i rikthyer tempullin e demokracisë shqiptarëve të lirë, për t’i rikthyer parlamentin qytetarëve sovranë që kanë votuar, për të mbrojtur aty pluralizmin, për të mbrojtur aty të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve’, tha Berisha gjatë protestës së sotme te ‘Rruga e Shpresës’.
FJALA E PLOTE:
Të dashur demokrate dhe demokratë, qytetare dhe qytetarë, misionarë të pamposhtur të dinjitetit njerëzor, të shpresës, luftëtarë kundër një diktature që po gërryen çdo ditë qenien shqiptare.
Ju përshëndes dhe përulem me nderimin më të madh para jush sepse ju shndërruat këtë rrugë, ju shndërruat protestën tuaj në simbolin më të fuqishëm të qëndresës së njeriut, të qëndresës së shqiptarit atdhetar, të qëndresës së shqiptarit guximtar, të qëndresës së shqiptarit për liri dhe dinjitet.
Me këtë protestë, ju të pamposhtur jeni shndërruar në simbolin më frymëzues për mbarë demokratët shqiptarë.
Ju frymëzoni sot çdo demokrate, çdo demokrat, të bashkohet me ju në betejë, të bashkohet me ju në betejë pa kthim si rruga e vetme e rikthimit të votës së lirë, e rikthimit të pluralizmit në Shqipëri.
Si rruga e vetme për përmbysjen e diktaturës së dytë, të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve.
Miqtë e mi!
Kur ju them rruga e vetme, kam parasysh rruga e fitores, rruga e nderit, rruga e guximit, sepse natyrisht ka edhe rrugë të tjera. Ka edhe indiferencë, me të cilën s’bëhet asgjë tjetër vetëm mbështetet diktatura. Ka edhe lajka ndaj regjimit, ka edhe sulme ndaj jush.
Po këto janë një faqe e zezë në historinë e Shqipërisë. Këto përkundrazi vetëm sa bëjnë të shndrisë gjithnjë e më shumë qëndresa juaj, protesta juaj.
Ndaj dhe sonte përsëri ftoj demokratët kudo që janë të bashkohen me ju në këtë mision të madh, të bashkohen me ju në këtë betejë historike për shpëtimin e Shqipërisë. Të sigurt se fitorja është fati ynë, destinacioni ynë.
Protesta juaj, fjalët tuaja më përfaqësuese se askund tjetër nga kjo tribunë, me dhjetëra e dhjetëra drejtues dhe anëtarë të PD, por edhe qytetarë, mbështetës së saj, intelektualë të shquar, mjekë, artistë, inxhinierë, të rinj, vajza, nëna, motra, kanë ngritur zërin, kanë denoncuar më shumë se nga çdo platformë tjetër në 30 vite.
Kjo protestë është frymëzim për çdo shqiptar që e ndjen veten të tillë, pa parti, të bindjeve të ndryshme, por që beson se Shqipëria është dheu i tij, dheu i dashur i tij. Se Shqipëria është dhe i bekuar dhe jo tokë e mallkuar siç e ka shndërruar Edi Rama.
Ndaj i ftoj ata të bashkohen në këtë betejë për dinjitet, në këtë betejë për liri, në këtë betejë për Shqipëri, të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
Kjo është ora e bashkimit, e bashkimit të shqiptarëve rreth idealeve të tyre patriotike.
Por protesta juaj është frymëzim dhe shpresë për të gjithë ata socialistë, të cilët binden se Rilindja ishte përbindëshi që shkatërroi jo vetëm Shqipërinë, por edhe idealet e tyre, edhe partinë e tyre.
Kjo protestë është shpresë për çdo socialist që beson se partia e tij nuk mund të ketë një zë, një votë, një njeri, Edi Ramën.
Kjo protestë është thirrje, frymëzim për çdo socialist që dëgjoi nga goja e njeriut të dytë më të fuqishëm të partisë së tyre, zëvendëskryeministrit, se si Edi Rama në kryesinë e partisë së tij do t’i përsëriste ekzakt të njëjtën frazë, të njëjtin kërcënim me kokë dhe jetë njëlloj si Enver Hoxha në Byronë Politike, armiqve të tij.
Ndaj dhe socialistë të ndershëm, e keni mision të ngriheni kundër tij.
Se Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një padrino, i cili kur kërcënon zëvendësin e tij, ndihmësin, bashkëpunëtorin e tij kryesor, imagjinoni se çfarë mund të bëjë me ju.
Kjo protestë është simbol shprese dhe frymëzimi për mbarë fermerët shqiptarë.
Të dashur fermere dhe fermerë, Europa sot po zien nga zëri u fuqishëm i fermerëve europianë. Fermerët e Gjermanisë, Francës dhe vendeve të tjera po mbushin me traktorë dhe mjetet e tyre rrugët dhe sheshet e qyteteve evropiane.
Kur shoh ata në protestë dhe mendoj për gjendjen tuaj, ju garantoj se ju sot jeni skllevërit e vërtetë të Europës.
Ju jeni qytetarët, fermerët që jetoni në skllavërinë e këtij regjimi.
Jetoni në një skllavëri shkatërrimtare për ju. Fermat tuaja falimentojnë çdo ditë. Prodhimet tuaja shkatërrohen çdo ditë.
Mjerimi, disfata troket çdo ditë në vatrat tuaja, pavarësisht se ju derdhni djersën lumë për veten dhe familjet tuaja.
Ju rikujtoj se ata fermerë që shihni në Paris, në Berlin, për çdo kokë lopë, marrin 4 euro. Për hektar tokë marrin më së paku 1500 euro. Subvencionohen në çdo gjë.
Por ata janë ngritur sepse çmimet e tregut, inputet që blejnë, shpenzimet që bëjnë ua kanë ulur në maksimum fitimet.
Krahasoni ju veten sot. Ju blini me çmime edhe më të shtrenjta se ata, kurse prodhimet për shkak të mollëve që vijnë nga Serbia apo patateve që vijnë nga Maqedonia, frutave të tjera, ju kalben.
Ndaj dhe bashkohuni në këtë protestë, merrni traktorët, merrni veglat tuaja, sfurqet dhe çdo gjë, merrni lopët, merrni gjithçka keni, dilni në rrugë, dilni në protestë, dilni të fitojmë.
Dilni se po nuk protestuat ju, toka juaj në shkretëtirë do kthehet ose do merret nga klanet e drogës të Edi Ramës.
Dilni në protestë sepse shkatërrimi juaj është shkatërrimi i Shqipërisë.
Të dashur miq!
kjo protestë është frymëzim për çdo të ri shqiptar, që sheh Shqipërinë në një vend ku i mbyllen dyert, që sheh Shqipërinë në një vend ku nuk mund të shkollohet sepse dyert e universiteteve janë të mbyllura për të.
Ose për ata që janë të hapura, detyrohen të paguajnë tarifat ndër më të lartat në Europë, qiratë më të lartat.
Të rinj, sytë e shqiptarëve janë të drejtuar te ju sot, shpresa e tyre jeni ju sot.
Nga kjo tribunë, me dhjetëra e dhjetëra prej jush kanë dhënë mesazhet më të fuqishme, janë bërë zëri juaj.
Bashkohuni në këtë protestë për të shpëtuar Shqipërinë!
Në këtë protestë bëhet një betejë e fuqishme midis idealistëve, njerëzve të ndershëm, me integritet, atdhetarë dhe të keqes së madhe që ka pllakosur Shqipërinë.
Një grup hajdutësh që vjedh dhe vetëm vjedh pasuritë e këtij vendi, i transferon offshore, i transferon në Dubai për parajsat e tyre.
Sot kryeministri i vendit është zyrtari më i damkosur në Europë sepse është kapur në flagrancë nga drejtësia e SHBA se ka korruptuar zyrtarin më të lartë të zbulimit të këtij vendi.
Gjithë njerëzit e ndershëm në SHBA, në Europë dhe kudo, presin përgjigjen tonë.
Askush të mos mendojë se Dumani do të hetojë, përkundrazi Dumani është bashkautor me mbrojtjen që i bën në të gjitha krimet Edi Ramës.
Të dashur miq!
Para dy javësh deklaroi se po heton skandalin McGonigal, e vërteta është se po bën gjithçka të mbyllë superskandalin e shekullit.
Asnjë nga ata që kanë denoncuar publikisht gjobëvënësit Edi Rama-McGonigal-Duçka e Neza e kompani, nuk janë thirrur për t’u pyetur.
Skapi nuk do dëshmitarë kundër Edi Ramës.
Skapi nuk do dëshmitarë kundër Erion Veliajt.
Arben Ahmetaj u deklaroi shqiptarëve se ndërsa merrej me laminatet dhe pllakat në banjon dhe kuzhinën e tij, nuk merrej me zhdukjen e 60 milionë eurove në Dubai, para të paguara nga taksapaguesit për ndërtimin e djegësit të Tiranës.
A ka dëgjuar ndonjë prej jush se çfarë u bë me 30 milionë euro që u faturuan në sipërmarrje të të moshuarve në azil të pleqve? Çfarë u bë me to?
Dumani i partisë merret me pllakat dhe laminatet, por nuk merret me 130 milionë euro të zhdukura për ndërtimin e djegësit të Tiranës, për të cilin nuk ekziston asnjë gjurmë.
Të gjitha këto pra dëshmojnë rëndësinë jetike të protestës suaj.
E hëna është një ditë e madhe, është një ditë e bardhë, është dita juaj para parlamentit shqiptar.
Ndaj dhe unë u bëj thirrje demokratëve kudo që janë, u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen në protestën e fuqishme të ditës së hënë para parlamentit për t’i rikthyer tempullin e demokracisë shqiptarëve të lirë, për t’i rikthyer parlamentin qytetarëve sovranë që kanë votuar, për të mbrojtur aty pluralizmin, për të mbrojtur aty të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Edhe njëherë mirënjohje të pakufishme për qëndresën tuaj, për protestën tuaj.
Rrofshi ju, rroftë opozita, rroftë Shqipëria!