PRONONCIM PËR MEDIA I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA JASHTË PARLAMENTIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në një prononcim për mediat jashtë Parlamentit, deklaroi se Kuvendi aktual ndodhet në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe se buron nga ajo që ai e cilëson si votë e vjedhur.
Sipas Berishës, Parlamenti është shndërruar në një mburojë të vjedhjes së qytetarëve dhe në strehën e fundit të hajdutëve shtetërorë, duke shërbyer si mekanizëm mbrojtës për aferat dhe vjedhjet e qeverisë. Lideri demokrat akuzoi kryeministrin Edi Rama, zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe ministra të tjerë për borxhe miliardëshe të vjedhura ndaj qytetarëve.
Berisha theksoi se vendimi për imunitetet e zyrtarëve të lartë duhet t’i mbetet sovranit dhe se vetëm qytetarët mund të japin përgjigjen për situatën aktuale politike. Ai u bëri thirrje qytetarëve që 20 shkurti të jetë dita e reagimit të tyre, duke e cilësuar Parlamentin si armik të egër të qytetarëve dhe të vetë qenies së tyre.
Gjatë prononcimit për media, Berisha tha se pas dështimit në Gjykatën Kushtetuese, Rama e ka shndërruar Parlamentin në mburojën kryesore të krimeve të qeverisë, ndërsa rivendosja e Kushtetutës dhe e ligjit mund të vijë vetëm përmes reagimit qytetar.
I pyetur lidhur me deklaratën për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të propozuar nga Taulant Balla, Berisha u shpreh se përdorimi i figurave të luftës dhe i drejtuesve politikë të Kosovës si mburojë politike është i papranueshëm. Kryedemokrati shtoi se kjo nismë nuk ishte serioze dhe se u ndërmor vetëm për të shmangur çështjen e mandateve dhe kërkesat e opozitës lidhur me mandatin e Belinda Ballukut.
PRONONCIMI I PLOTË
Siç e shihni, këta kanë tmerr nga fjala ime dhe fjala e opozitës në parlmanet. Këta janë shndërruar në maska të Lubi Ballukut. Këta janë transformuar në një klub avokatie hajdutësh që nuk e ka patur kurrë Shqipëria. Këta janë të tmerruar. Ju e shihni që 10 shkurti ua ka luajtur fiqirin këtyre dhe këta nuk dinë se ku janë dhe çfarë flasin.
E vërteta është që ky parlament është në shkelje të rëndë të Kushtetutës, jo vetëm se vjen nga vota e vjedhur, por edhe sepse është shndërruar në mburojë të vjedhjes së qytetarëve.
Është shndërruar në strofullën e fundit të hajdutëve shtetërore.
Dhe faktikisht po bëhet mburojë për vjedhjet e Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe ministrave të tjera.
I mbetet sovranit, u mbetet qytetarëve të thonë fjalën e tyre për imunitetet e Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe hajdutëve të tjerë, të cilët kanë borxhe miliarda euro të vjedhura ndaj qytetarëve.
Unë sot shfrytëzoj rastin edhe njëherë t’u bëj thirrje qytetarëve, 20 shkurti është dita e tyre, ky parlament është armik i egër i qytetarëve, i qenies së tyre.
Ky parlament është armik i egër i qytetarëve, i qenies së tyre.
Ky përdoret tani, pas dështimit në Gjykatë Kushtetuese, Edi Rama ka shndërruar parlamentin në mburojë kryesore të krimeve të tij të shëmtuara.
Qytetarë dhe qytetare, jeni ju dhe vetëm ju ata që do rivendosni Kushtetutën dhe ligjin në këtë vend.
Pyetje: A do t’i bashkoheni deklaratës për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, propozim i bërë nga Taulant Balla?
Sali Berisha: Përdorimi i ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësve politik të Kosovës, nga një kriminel ordiner si mburojë, është një akt i shëmtuar.
Unë kam shprehur pikëpamjet e mia lidhur me atë proces, por edhe njëherë kjo tregon se, sa të ulët janë këta dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë për të mbrojtur vjedhjet e tyre.
Nëse do të ishte serioze kjo, nuk ngrihej kjo atëherë kur deputetët e opozitës kërkonin mandatin e Lubi Ballukut.
Kjo u ngrit vetëm e vetëm si një mënyrë për të tejkaluar çështjen e mandateve.


