FJALA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar i’u është drejtuar diasporës dhe emigrantëve. ‘Ju jeni autorët e kapitullit të parë të demokracisë në Shqipëri’, tha Berisha gjatë fjalës së tij.
Duke folur në tubimin qytetar, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se fjala shpopullim që është kaq kryefjala e ditëve të sotme, nuk ishte dëgjuar asnjëherë gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.
Lideri i opozitës, Sali Berisha duke folur në tubimin qytetar, është shprehur se Edi Rama harxhon 2 mln euro për një takim me emigrantët. ‘Nuk mund ta lejojmë Ramën të shkojë në ekskursion me patronazhistët dhe të thotë takova emigrantët’, theksoi Berisha në fjalën e tij.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u ka bërë thirrje emigrantëve që të refuzojnë Edi Ramën. ‘Një thirrje zemër për çdo emigrant shqiptar. Refuzoni Edi Ramën! Refuzojeni për dinjitetin tuaj së pari’, theksoi kryedemokrati, Sali Berisha.
Në fjalën e tij në tubimin qytetar, kryedemokrati Sali Berisha i’u drejtua emigrantëve duke ju thënë se, Edi Rama vjen si autokrat në takimet me ta. ‘Edi Rama vjen te ju si autokrati i një vendi me liderin e opozitës të arrestuar pa fakte, pa prova dhe pa akuzë’, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje emigrantëve që ta përzejnë Edi Ramën. ‘Ashtu siç Edi Rama ju përzuri nga Shqipëria, përzejeni ju tani nga takimet hipokrite 2 milionëshe me patronazhistët e tij’, deklaroi lideri i opozitës Sali Berisha në tubimin qytetar.
FJALA E PLOTE
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të zjarrta, ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve, misionarëve të vërtetë të dinjitetit njerëzor, zëdhënësve të të vërtetave të një kauze të drejtë.
Përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platformës të fjalës së lirë, që çdo natë shpërndajnë të vërtetat e mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët në të katër anët e dheut.
Të dashur miq!
Sonte unë dua t’u drejtohem në emër tuaj, në emër të PD, emigrantëve dhe anëtarëve të diasporës shqiptare kudo që janë.
Si fillim dua të heq mënjanë një keqkuptim si ish-president, ish-kryeministër, më duhet të them se emërtimi juaj emigrantë apo diasporë është një zvogëlim i asaj çka ju përfaqësoni në të vërtetë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
Sepse rëndësia jetike që ju keni për kombin, roli që keni pasur në historinë e Shqipërisë tejkalon atë të çdo diaspore tjetër në botë.
Prandaj doja që në fillim të bëja këtë sqarim.
Ju përfaqësuesit e emigracionit dhe diasporës ishin zëri i vetëm i kombit shqiptar 45 vite pa zë në botë.
Ju u bëtë zëdhënësit e lirisë të një kombi të shtypur dhe kontribuat me të gjithë mundësitë tuaja që diktatura të shembej.
Por, historia e demokracisë shqiptare është gjithashtu një epope heronjsh dhe guximtarësh që u larguan në emigracion.
Shpesh flitet për guxim epik të studentëve të dhjetorit, dhe u garantoj se ai guxim epik ishte.
Por nuk flitet aq sa duhet se ky guxim u inspirua nga rebelimi juaj epik, nga kryengritja juaj epike kur thyet Murin e Berlinit në Tiranë dhe vërshuat në oborret e ambasadave të vendeve të lira.
Ju nuk jeni thjesht emigrantë ju që u larguat në ambasada.
Ju ishit autorë të kapitullit të parë të demokracisë në Shqipëri.
Ju ishit fitili që eksplodoi revolucionin antikomunist shqiptar. Rrezikuat asokohe 99 përqind jetën tuaj për 1 përqind shans lirie.
Dhe atë 1 përqindësh e shndërruat në ëndrrën epokale të Shqipërisë për liri, dinjitet dhe demokraci.
Të dashur shqiptarë dhe shqiptare, në diasporë, emigracion dhe kudo që jeni.
Flitet shpesh për rëndësinë e ndihmave, remitancave tuaja.
Por nuk flitet aq sa duhet se këto remitanca janë vuajtje, gjaku, djersa, mundi dhe sakrificat tuaja.
Sepse kjo ishte kosto që paguat kur morët përsipër largimin masiv nga dheu ynë në vitin 1991.
Prandaj kur flitet për remitancat, ato nuk janë vetëm ndihma për të afërmit tuaja, ato janë një kontribut dashurie që i paguani Shqipërisë, sepse ndonëse keni ikur, keni ndërtuar jetët tuaja larg saj, ëndrra juaj vazhdon për një Shqipëri demokratike, për Shqipërinë, të bukurën e dheut.
Ëndrra vazhdon për një Shqipëri të integruar në BE.
Ëndrra vazhdon për Shqipërinë që së bashku vizionuam 33 vite më parë.
Një ëndërr kjo, që për hir të së vërtetës, në qeverinë e Partisë Demokratike, për të parën herë, u bë e prekshme.
Propaganda e Edi Ramës, thotë se largim masiv të shqiptarëve ka patur edhe gjatë qeverisë së Partisë Demokratike.
Por e vërteta është se ato vite, statistikat tregojnë një popullsi gjithmonë në rritje, ndonëse atë kohë njerëzit lëviznin lirshëm dhe vizat u liberalizuan.
E vërteta është se në ato vite, shumë shqiptarë që ikën me eksode, po ktheheshin.
Shqipëria ato vite ishte e populluar, e re në moshë, besimplotë, energjike, e etur për fitore. Ndërsa sot Shqipëria me Edi Ramën në krye është e boshatisur, e plakur, e topitur dhe e dorëzuar.
Qytetare dhe qytetarë shqiptarë, në diasporë, emigracion dhe kudo që jeni, mos harroni se fjala shpopullim, kryefjala e ditëve të sotme, nuk ishte dëgjuar ndonjëherë në qeverinë e Partisë Demokratike.
Por pas vitit 2013, njësoj sikur nga varri të ishte ngritur fantazma e Enver Hoxhës, një valë tjetër eksodi nisi për shqiptarët. Vala më e madhe në gjithë historinë e kombit shqiptar.
Në 10-vjeçarin e Rilindjes, si një sëmundje e egër që rishfaqet, u përballëm sërish me pamjet e gomoneve dhe refugjatëve.
U përballëm me numrin më të lartë të të rinjve që largohen, pas Sirisë.
U përballëm me shpopullimin apokaliptik të 35% të popullsisë në 10 vite.
Të gjitha këto, në një kohë që Edi Rama me tallje dhe përbuzje, thotë se Shqipëria është në ditët e saj më të mira.
Ajo që ndodhi këtë 10 vjeçar miqtë e mi, nuk ishte emigrim. Ishte shpopullim!
Ishte zbim i butë nga Shqipëria.
Shpopullim i kalkuluar duke ndjekur protokollet e Çubrilloviçit për spastrimin etnik të shqiptarëve.
Dhe po kështu, ishit ju, emigrantët, që mbajtët mbi kurriz edhe kësaj here, barrën e rëndë të politikave shpopulluese të armikut më të egër të kombit shqiptar në histori, Edi Kristaq Rama.
Ishit ju që u ndatë për së gjalli nga njerëzit tuaj të dashur.
Ishit ju që rrezikuat prapë jetën në gomone, kur Edi Rama digjte 21 milionë euro për fluturime me avion taksi.
Kur Edi Rama stoliste oborrin e zyrave të tij me instilacione 4 milionë euro sikur të ishte kryesheiku i Arabisë.
Ishit ju që u dëbuat nga shtëpitë tuaja, në kohën kur Rama me njerëzit e tij ndërtuan vila e hotele luksi me paratë tuaja të grabitura.
Dhe çfarë ndodh sot?
Me pafytyrësinë më të madhe, Edi Rama me hordhinë e patronazhistëve të tij kërkon të vijë të ju për takim.
Edi Rama kërkon t’ju takojë, pasi ju ka zbuar nga Shqipërisë dhe kërkon t’ju prishë qetësinë. T’ju trazojë stabilitetin e krijuar me sakrifica të panumërueshme.
Edi Rama me patronazhistët e tij kërkon t’ju fusë edhe ju në propagandën e tij.
Edi Rama thotë se po bën takim me emigrantët. Por e vërteta, që e panë me sy dhe e dëgjuan me veshë të gjithë shqiptarët ishte se ai po bën ekskursion me patronazhistët e tij të pangopur.
Nuk mund ta lejojmë kurrë këtë tallje. Nuk mund ta lejojmë Edi Ramën të shkojë në ekskursion me patronazhistët dhe të thotë takova emigrantët.
Një ekskursion, që po të llogaritet kostot e transportit të tyre me autobuzat, me tragete, me vetura personale, me avionë.
Po të llogarisësh kostot e cirkut me këngëtarë dhe artistë, salla e stërsalla.
Po të llogarisësh kostot e dietave e kësaj lukunie të pangopur, fatura që paguajnë taksapaguesit shkon 2 milionë euro për çdo takim.
2 milionë euro për mashtrim miq nga Edi Rama me fanatikët e tij dhjamur.
Po për çfarë po vjen te ju?
A mos po vjen të anunçojë votën e diasporës? Jo, jo, ai ka frikë të tmerrshme nga vota juaj.
Votën tuaj do e garantojë vetëm PD, vetëm opozita shqiptare.
Mos po a po vjen Edi Rama te ju që minimalisht t’ju kërkojë falje, se ju shkërmoqi ëndrrën tuaj shqiptare, u detyroi të hipni në gomone dhe të merrni rrugët e dheut? Jo përkundrazi. Në vend të fjalës ndjesë, ai po vjen me fjalën krenari!
Krenar se u përzura nga Shqipëria. O turp, nuk mund të kesh emër tjetër përveçse Edi Rama.
Po pse vjen Edi Rama?
Cila është pra arsyeja e këtyre ekskursioneve 2-milionëshe të Edi Ramës me patronazhistët grabitqarë?
Arsyeja është se kërkon të përvetësojë arritjet tuaja të jashtëzakonshme. Ai po vjen që të marrë meritat e punës që keni bërë me shpatullat, me shpirtin, me gjenin tuaj. Keni ngadhënjyer kudo që keni shkuar.
Mbi kurrizin tuaj, ai kërkon të ringjallë imazhin e tij të kalbur. Sepse shqiptarët në Shqipëri e kanë braktisur. Dhe tani kërkon të thotë se të paktën më do emigracioni dhe diaspora!
Por Edi Rama e ke të kotë!
Sikur gjithë flamujt kuq e zi në botë të marrësh me vete, nuk e mbulon dot antishqiptarizmin tënd. Nuk mbulon dot me asgjë pashpirtësinë e tij, armiqësinë e tij ndaj Shqipërisë, Kosovës, kombit shqiptar.
Emigrante dhe emigrantë, shqiptare dhe shqiptarë në diasporë, ju për kombin jeni heronjtë e tij. Çdo komb në botë mund të ekzistojë pa diasporën e tyre, por kombi shqiptar dhe Shqipëria nuk ekziston dot pa emigracionin dhe diasporën e saj.
Ndaj dhe thirrja e shqiptarëve sot në të katër anët e Shqipërisë, në të katër anët e dheut, mos e lejoni këtë hipokrizi 2 milionëshe euro të Edi Ramës, arkitektit famëzi të shpopullimit të Shqipërisë.
Mos lejoni të përdoreni si spot publicitar për regjimin e kalbur të narkoshtetit të Edi Ramës.
Dhe ç’është e vërteta, nuk po e lejoni. Sepse takimi në Greqi vërtetoi se Rama u braktis masivisht nga ju.
Por nuk mjafton ta braktisni. E vërteta duhet të dalë në shesh. Edi Rama duhet refuzuar!
Ky është një apel, një thirrje zemre për çdo emigrant shqiptar. Refuzoni Edi Ramën! Refuzojeni për dinjitetin tuaj së pari. Ai nuk vjen të takohet me ju! Ai nuk po vjen për ju!
E patë vetë në takimin në Greqi. Me zë dhe figurë. Se si mburreshin narkokryetarët dhe drejtorët e Edi Ramës. Se kemi
sjellë 2000 veta, 3000 veta, 6000 veta nga Shqipëria. Kemi zbrazur gjithë Fierin. Turp. Turp i zi. Të vij Edi Rama te ju për vizitë, është njëlloj si Enver Hoxha të ngrihej nga varri dhe të vizitonte kampet e internimit dhe burgjet e diktaturës.
Ky është një apel për çdo emigrant shqiptar. Refuzojeni Edi Ramën. Refuzojeni për demokracinë e Shqipërisë.
Edi Rama vjen te ju si shkatërruesi i pluralizmit, që është fëmija jonë i përbashkët. Trashëgimia më e çmuar që brezi ynë i la kombit.
Edi Rama vjen te ju si shtrigu që shndërroi votën në krim dhe krimin në votë në këtë vend.
Edi Rama vjen te ju, si autokrati i një vendi me liderin e opozitës të arrestuar pa fakte, pa prova dhe pa akuzë. Vetëm e vetëm se ka tmerr rikthimin e opozitës në pushtet.
Ky është një apel për çdo emigrant shqiptar. Refuzojeni Edi Ramën. Refuzojeni për hir të kombit shqiptar!
Sepse Edi Rama vjen te ju si kreu i narkoshtetit.
Edi Rama vjen te ju, si kreu i drejtësisë që lëshon në mëngjes 50 urdhër-arreste. Ne drekë arreston vetëm 5 prej tyre dhe 45 të tjerëve u thtoë mbathjani për turizëm për disa muaj në dhera të tjera që të mos u hyjë ferra në këmbë.
Edi Rama vjen te ju, si koka e grabitjes më të madhe në historinë e Shqipërisë. Me inceneratorë. Me drejtorë që vjedhin me modelin 100%.
Edi Rama vjen te ju si përçmuesi më i madh i shqiptarëve, qoftë ata të Shqipërisë apo Kosovës.
Edi Rama vjen te ju, si armiku më i egër i qenies shqiptare në dekadat e fundit.
Në këto kushte, ju nuk mund ta lini kurrë këtë tur turpi ta zhvillojë Edi Rama.
Nuk mund të vij Edi Rama të takojë administratën e tij dhe të thotë takova emigrantët, që përfaqësoni për kombin mallin e pashuar, dhimbjen e madhe, zërin e tij.
Shumë nga ju më shkruajnë e më thonë se ju vjen keq për Shqipërinë si është katandisur. Më thoni se ndiheni keq që jeni larguar dhe nuk keni mundësi për të bërë diçka.
Por të dashur shqiptarë në emigracion, ky tur turpi është mundësia juaj. Ktheheni këtë tur mashtrimi, në turin e së vërtetës.
Çjerrini maskën Edi Ramës. Organizohuni datat që do vijë tek ju.
Mblidhuni bashkë, jo për ta takuar, por për ta refuzuar.
Refuzojeni! Refuzojeni!
Ashtu siç ju përzuri ai ju nga Shqipëria, përzejeni ju tani nga takimet hipokrite 2 milionëshe me patronazhistët e tij.
Të sigurt të jeni, që pas refuzimit tuaj, pjesën tjetër të punës do e bëjnë shqiptarët në Shqipëri, kur ai të kthehet.
Nuk do mund të vijë herë tjetër!
Prandaj kushtrimi o sot o kurrë, për misionin e shenjtë, të shpëtimit të Shqipërisë, sot po fryn nga ju, emigracion dhe diaspora shqiptare.
Është koha të bëni sërish histori.
Të jepni kontributin tuaj, për demokracinë, dinjitetin dhe fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Rrofshi ju. Rroftë çdo shqiptar që ka bërë sakrificën më të madhe, atë të mërgimit.
Rroftë Shqipëria!
Fitore, fitore, fitore!