Berisha: U bëj thirrje teleturizmave, mos u bëni bashkëfajtorë me regjimin, stop mbështetjes së korrupsionit

30 MARS 2024-FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka uruar besimtarët katolikë për Pashkët. Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, Berisha tha se, të urojmë që Pashkën tjetër ta presim të lirë.

Gjatë fjalës në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij, deklaroi se 20 shkurti ishte prova e përgjithshme. Sipas tij, qytetarët presin sulmin përfundimtar mbi regjimin.

Lideri i opozitës Sali Berisha i ka drejtuar një thirrje qytetarëve që të ngrihen në një betejë për votën e lirë. ‘U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, që e shohin se si po varfërohen, se si skamja po thellohet çdo ditë’, tha Berisha.

Në fund të fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike u ka bërë thirrje televizioneve që përçojnë përditë propagandën e Edi Ramës, që të mos bëhen bashkëfajtor me regjimin dhe të mos mbështesin më korrupsionin.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju misionarëve të të vërtetave të mëdha të njeriut, të dinjitetit, lirisë, shpresës dhe besimit.

Përshëndetje të përzemërta oratorëve të parlamentit të lirisë.

Me fjalën e tyre ndriçojnë mendjet e shqiptarëve.

Me fjalën e tyre tejshkojnë perden e zezë të propagandës së regjimit.

Në emër tuaj, të PD, uroj sot besimtarët katolikë shqiptarë kudo që janë, gëzuar Pashkën, këtë ditë të madhe, ditën e ringjalljes së hyjit, Krishtit mbret.

Ditën e përjetësisë, e pavdekësisë.

Ditën e shpresës së madhe dhe frymëzimit të njeriut.

Le të urojmë nga zemra që Pashkën që vjen, ta presim të lirë.

Ta presim shpresëplotë dhe besimplotë tek Zoti, tek vendi, tek e ardhmja!

Miqtë e mi!

Çdo ditë regjimi njofton lajme, të cilat faktojnë armiqësinë e tij ndaj qytetarëve.

Çdo ditë, Edi Rama, ky pushtetar prej 25 vitesh në pushtet, që ka përqendruar gjithçka në duart e tij, vendos të dëshpërojë, të poshtërojë, të injorojë, të varfërojë, të vjedhë shqiptarët gjithnjë e më shumë.

Çdo ditë, oratorët nga kjo platformë denoncojnë njëri pas tjetrit këto akte, të cilat në një vend tjetër do kishin rrëzuar çdo muaj një qeveri.

E them këtë për të theksuar se urgjente, sa jetike, sa vendimtare është sot mosbindja jonë civile ndaj këtij regjimi, i cili nuk ndalet me asgjë përveçse me forcën e mosbindjes civile.

Edi Rama nga zyrat e tij përcakton tani çdo ditë tenderat që fiton klientela e tij dhe që ai merr përqindjen.

Firmos kullat, në të cilat ai siç thonë rëndom, merr 30-përqindëshin.

Shpërndan bonot e investitorëve strategjike, ku përsëri vetë është në përqindjet më të majme.

Firmos plaçkitjen e 1.4 milionë metër katror tokë publike në Durrës me një vlerë 1.8 miliardë euro.

Çdo ditë Shqipëria bëhet një vend i ndaluar për shqiptarët. Pasuritë e saj, pasuri të ndaluara për shqiptarët, pasuri të mallkuara për shqiptarët, pronë e hajdutëve qeveritarë.

Çdo ditë që kalon është vonesë e madhe në betejën tonë pa kthim për mosbindje civile.

20 shkurti ishte prova e përgjithshme, qytetarët presin, sulmin, sulmin, sulmin përfundimtar mbi regjimin që sundon në aleancë me krimin, me vjedhjen, drogën.

Vetëm mosbindja civile e pandalshme, e pandërprerë, është zotimi ynë, është betimi ynë, është rruga e vetme për të triumfuar kauzën tonë të drejtë.

Ndaj dhe sot, u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, të gjithë atyre që besojnë se vota e lira është zemra e lirisë dhe dinjitet njerëzor pa liri nuk ka, të ngrihemi në betejë për votën e lirë.

U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, që e shohin se si po varfërohen, se si skamja po thellohet çdo ditë.

Se si qindra e mijëra pensionistë qajnë me lot të ftohta mjerimin e tyre, skamjen e tyre.

Të ngrihemi, t’i japim fund këtij regjimi.

I bëj thirrje çdo shqiptari, që e ndjen veten shqiptar, të ngrihemi se kurrë në histori, Shqipëria nuk ka qenë para kësaj alternative të jesh apo të mos jesh, si sot që ka humbur në 8 vite, një të tretën e popullit të vet.

Të ngrihemi, të mos pranojmë që Shqipëria të tretet, të shuhet para syve tanë.

Historia kurrë nuk do të na e falë ne këtë!

Të mos harrojmë se sot ne jemi përgjegjës jo vetëm për veten tonë, por jemi përgjegjës për të gjitha brezat që kur banorët e këtij vendi e ndjejnë veten shqiptar gjer sot.

Jemi përgjegjës edhe për brezat që vijnë.

Po heshtëm sot, ata të ardhme në këtë vend nuk kanë.

Ndaj të ngrihemi se pushtues më të egër nuk kemi pasur ndonjëherë në troje.

Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, pensionistëve shqiptarë, ju që shihni që rrogat tuaja zvogëlohen gjithnjë për shkak të rritjes së çmimeve.

Ju që para 10 vitesh, ishit në krye të pagave në Ballkan dhe sot keni zbritur të fundit, se varfëria do na topisë më shumë, gjer sa të na detyrojë të flasim me veten tonë.

U bëj thirrje intelektualëve shqiptarë, mos harroni kurrë se profesioni, pavarësisht nga pasioni i ligjshëm, nga dashuria e madhe që ushqeni për të, por ai është zanati dhe jo thelbi i intelektualit.

Thelbi i intelektualit është mbrojtja e interesit publik.

Intelektual i vërtetë është ai që ngrihet si vigan në mbrojtje të interesit publik sa herë që ai shkelmohet.

U bëj thirrje vajzave, grave, nënave, motrave, ngriheni ju të gjitha në këtë betejë pa kthim, në mosbindje civile për të shpëtuar qenien tonë kombëtare.

E vërteta është se në histori ju keni qenë shpëtimtarët e kombit dhe se këtë gjëmë të madhe që largon në 8 vite, 1.1 milionë shqiptarë, e vuani ju, më me dhimbje, më me brenga, më me mall se të gjithë të tjerët.

Ndaj dhe sot o kurrë, të ngrihemi dhe t’i japim duart këtij armiku të egër, të pashpirt dhe antishqiptar.

I bëj thirrje çdo të riu, të ngrihet në lartësinë e përgjegjësisë së tij. Përgjegjësia e tij nuk është vetëm vetja. Përgjegjësia e tij është e ardhmja e Shqipërisë sepse ai vetë është e ardhmja.

Nëse ai nuk ka të ardhme këtu, Shqipëria vdes.

Ndaj dhe sot të ngrihemi, të ngrihemi!

U bëj thirrje të gjithë atyre që janë profesione të lira, shërbëtorë të mirë të shoqërisë, ngrihuni me guxim sepse PD ka faktuar se cila është. Ngrihuni të përmbysim këtë regjim, në mënyrë që t’i rikthejmë votën e lirë shqiptarëve.

Të përmbysim këtë regjim në mënyrë që të dy dhe trefishojmë rrogat e shqiptarëve.

Të përmbysim këtë regjim që të presim me gërshërët e ligjit, duart hajdute të pushtetit, që shtrihen mbi pasuritë e shqiptarëve.

Të presim me gërshërët e ligjit, lidhjet e pushtetit me krimin.

U bëj thirrje pensionistëve, që keni kaq shumë kontribute dhe sot trajtoheni me asgjë, ngrihuni për vete dhe për nipërit tuaj, ngrihuni për veten dhe vendin tuaj.

U bëj thirrje medieve të heqin dorë nga kjo propagandë e shpifur se nuk ka akte më të rënda se t’i shërbesh këtij regjimi duke mashtruar qytetarët.

Miqtë e mi, i bëj thirrje çdo qytetari të Tiranës të mendojë pak, kur në 400 vite ekzistencë, Tirana ka qenë pa teatër kombëtar, pa muzeum kombëtar, pa galeri artesh, pa teatër për fëmijët dhe tani së fundmi nis beteja edhe kundër operas.

Çfarë ndodh kështu?

Tirana i vetmi kryeqytet i botës, ku turisti nuk mund të vizitojë muzeun e kombit, nuk mund të vizitojë galerinë e arteve, nuk mund të vizitojë bibliotekën kombëtare, nuk mund të vizitojë teatrin kombëtar se është i rrafshuar, nuk mund të vizitojë teatrin për fëmijë.

Çfarë gjymtimi më të madh mund t’i bëhet këtij qyteti se sa kjo?

Le t’i pyesim pak teleturizmat që çdo natë, një të tretën e lajmeve ia kushtojnë statuseve të Edi Ramës për turizmin, na thoni zotërinj, një turist që vjen në Tiranë, a gjen të hapur galerinë e arteve, a e gjen të hapur muzeun kombëtar, a e gjen të hapur teatrin kombëtar, a e gjen të hapur bibliotekën kombëtare, teatrin e fëmijëve?

Mos u bëni bashkëfajtorë me regjimin, të gjitha këto i mbylli korrupsioni, krimi, droga.

Stop me mbështetjen e korrupsionit të qeverisë, stop me mashtrimet e qeverisë, stop me mbështetjen e këtij regjimi kriminal.

Duke përfunduar, edhe njëherë lavdi Krishtit, gëzuar Pashkët, të gjithë së bashku, sa më shpejt, një orë e më parë mosbindje civile gjer në fitore.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale