Berisha: U bëj thirrje sindikatave, intelektualëve, studentëve, të bashkohemi në protestën e të martës, të mos harrojmë se beteja për kryeqytetin është beteja për triumfin vendimtar

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, ka bërë thirrje për protestën e ditës së martë. Berisha tha se, nuk ka betejë më jetike dhe më të dinjitetshme se beteja për çlirimin e kryeqytetit.

Gjatë fjalës në tubimin qytetar, lideri i opozitës Sali Berisha u ka bërë thirrje sindikatave që të bashkohen me protestuesit ditën e martë për të çliruar Tiranën.  

Kryedemokrati Sali Berisha, në fjalën e mbajtur gjatë tubimit qytetar, u ka bërë thirrje studentëve të mjekësisë që ti bashkohen opozitës në protestën e ditës së martë tek bashkia e Tiranës.

Gjatë fjalës për qytetarët në tubimin e përnatshëm në rrugën e Shpresës, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka komentuar dhe kërcënimet e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja ndaj deputetit Agron Shehaj, të cilit iu drejtua se ‘do ti presë veshët’.

FJALA E PLOTE:

Të dashur qytetarë dhe qytetare, qëndrestarë dhe qëndrestare, misionarë të vërtetë të dinjitetit dhe lirisë.

Një përshëndetje të përzemërt dhe mirënjohje të pakufishme ndaj jush.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve që me fjalën e tyre këtu në parlamentin e lirisë përcjellin mesazhet e të vërtetës, guximit dhe shpresës në të katër anët e shqiptarëve.

Që me fjalën e tyre çajnë vellon e zezë të censurës së narkoshtetit dhe u thonë shqiptarëve të vërtetat thelbësore, jetike të tyre.

Të dashur miq!

Kjo betejë është një betejë e shenjtë aq sa ç’është liria dhe dinjiteti për njeriun.

Aq sa është liria e dinjiteti për një shoqëri dhe për një komb.

Të martën ne kemi ditën tjetër, ditën e madhe, në të cilën mosbindja civile e qytetarëve të Tiranës do të shembë monumentin më të shëmtuar të vjedhjes së qytetarëve nga kreu i hajdutëve të Tiranës, që ka uzurpuar shtëpinë e parë të kryeqytetit.

Miqtë e mi!

Nuk ka betejë më jetike për dinjitetin e një kombi se sa beteja për çlirimin e kryeqytetit.

Se sa beteja për shembjen e monumentit të shëmtuar të korrupsionit dhe krimit në sheshin Skënderbej.

Se sa beteja për përzënien e një kryevjedhësi, i cili i zhveshur nga çdo normë morali njerëzor, i pangopur në vjedhjet e tij ndaj qytetarëve, vendosi modelin 100 përqind të vjedhjes së fondeve të qytetarëve të Tiranës.

Në këtë model, Erion hajduti zhduku 130 milionë euro të djegësit të Tiranës si në asnjë vend tjetër të Europës dhe të botës.

Paratë shqiptarët i paguan. Ky hajdut u mori atyre taksa tre herë më të larta se përpara.

I detyroi të paguajnë 29 euro për ton, tarifën e djegies për tarifë depozitimi.

Ky hajdut për kompaninë e tij, detyroi dheun e çdo themeli që hapet, inerte, zhavorret, të depozitohen në minierën e tij, në Sharrë me tarifa të cilat shkojnë rreth 50 milionë, 60 milionë euro në kontot e tij.

Ky hajdut, ky njeri që nuk ka asgjë njerëzore në qenien e tij, krijoi kompaninë e tij me drejtorët hajna dhe shndërroi paratë e taksapaguesve në hotele luksoze me 5 yje. Në pallate me qindra e qindra apartamente.

Ky i pashpirt u shndërrua në një tërmet të vërtetë për qytetin. Prishi me ndërmarrjet e tij dhjetëra e dhjetëra pallate.

Grabiti dhjetëra e dhjetëra milionë euro po me këto ndërmarrje, gjoja për ndërtimin e tyre.

Ndërkohë që ndërtoi me gjoba me kompanitë e ndërtimit.

Erion Veliaj, çdo minutë që qëndron në bashki poshtëron shtetin, poshtëron zyrtarin, poshtëron qytetin, poshtëron kombin.

E marta po vjen.

Të martën u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës të bashkohemi.

Nuk është betejë vetëm kundër një hajduti, jo, jo. Është beteja kundër një regjimi.

Është betejë kundër një narkoregjimi që po shkatërron qenien shqiptare.

Iu bëj thirrje të gjithë intelektualëve, specialistëve të profesioneve të lira, bashkohuni me guximtarët.

Bashkohuni me guximtarët të martën t’i japim përgjigjen që meriton këtij regjimi kriminal.

Të pastrojmë bashkinë nga hajdutët. Të shënojmë kthesën e madhe, të ecim drejt qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, shpëtimit të shqiptarëve.

U bëj thirrje sindikatave, sindikalistëve, të bashkohemi, të mos harrojmë se beteja për kryeqytetin është beteja për triumfin vendimtar.

Diktaturat, narkoregjimet kanë rënë atëherë kur ka rënë kryeqyteti.

Cilido që e ndjen veten të lënduar nga padrejtësitë, viktimë nga vjedhja, nga arbitrariteti.

Cilido që përballet në mënyrën më të pamerituar ndëshkuese me skamje dhe pamundësi, të bashkohet me ne.

Të bashkojë zemërimin me zemërimin tonë.

Të bashkojë forcën me forcën tonë.

E marta është dita e fitores.

U bëj thirrje studentëve, bashkohuni me qytetarët.

Dje ndodhi përsëri tradhtia e dytë e madhe ndaj tyre.

Si hiena në fshehtësi kaluan ligjin përsëri kundër studentëve të mjekësisë.

Studente dhe studentë, ngrihuni në lartësinë e guximit.

Ngrihuni kundër atyre që shkelmojnë mbi ju, mbi dinjitetin tuaj.

Bashkohuni me ne në këtë protestë, të ecim së bashku drejt fitores.

Thirrja ime është për çdo pensionist që rropatet në mospasje të madhe.

Që rropatet i topitur për ushqimin e përditshëm dhe mjekimin, të bashkohet me ne edhe si hakmarrje ndaj këtyre hajnave, që mbi gjakun tonë, mbi djersën tuaj, ndërtojnë pasuritë e tyre përrallore.

U bëj thirrje qindra të sëmurëve, cilido që mundet, të bashkohet në këtë protestë, të dërgojë familjarët në këtë protestë.

Sepse ky regjim me mungesë ilaçesh ka marrë mijëra e mijëra jetë njerëzish.

Fatin e mësueses Kasimati, të mjekuar 8 muaj pa ilaçin që i duhej, e kanë me qindra e qindra të sëmurë të tjerë në Shqipëri.

Kovidi mori në Shqipëri jetë njerëzish më shumë se kudo në Europë dhe në botë.

Sëmundjet e tjera bëjnë kërdinë nga pamundësia për të marrë ilaçet apo nga shndërrimi i Shqipërisë në depozitë të ilaçeve të skaduara dhe pa vlerë.

Të ngrihemi, durimi ka tejkaluar çdo kufi.

Është koha e guximit.

Është koha e zemërimit.

Është koha e betejës.

Është koha e fitores.

Demokrate dhe demokratë!

Misioni juaj për përmbysjen e diktaturës së dytë është fati, është shansi më i madh historik që mund t’i jepet njeriut.

Dhe kjo kërkon të marrim në dorë fatin tonë.

T’i dalim zot fatit tonë.

T’i dalim zot Shqipërisë.

T’i dalim zot shqiptarëve.

Miqtë e mi, zemërimi ynë duhet të jetë i pakufishëm.

Sot në parlament me nder ministri, nxori briskun dhe i tha deputetit se të pres veshin.

A ka gangster si ky në Europë?

A gjenden gangsterë si këta në botë?

Çfarë presim?

Presim të na i presin veshët?

Jo kurrë, në sulm, në sulm, në sulm!

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale