FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në tubimin e përnatshëm qytetar në rrugën e Shpresës, tha se, Skapi i partisë dhe gjykatat e vendit, janë bërë një mburojë e tmerrshme e vjedhjeve më të mëdha në histori. Sipas Berishës, për këtë arsye ka ardhur koha për një betejë pa kthim.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, tha se në rast se nuk përmbysim Edi Ramën, kurrë nuk do të votojmë të lirë. ‘Në rast se nuk do sakrifikojmë për votën e lirë, ne nuk e meritojmë atë. Në rast se nuk sakrifikojmë për votën e lirë, ne shkelmojmë mbi dinjitetin tonë’, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje gazetarëve dhe medieve që të kthehen në rolin e tyre historik, atë të denoncimit dhe interesit publik. ‘Mos mbroni hajdutët, mos mbroni kriminelët!’, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka drejtuar një thirrje edhe qytetarëve të Tiranës që të ngrihen të premten dhe të pastrojnë bashkinë nga horri Erion Veliaj: ‘Pa guxim, pa sakrifica nuk ka fitore’.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, iu drejtua qytetarëve për të lëshuar përpara atë që e quajti si zemërimi i ligjshëm për shpëtimin e Tiranës. Në tubimin qytetar, Berisha tha se në çdo vend para një skandali ka dorëheqje.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, misionarëve dhe misionareve të lirisë, dinjitetit njerëzor, shpresës së shqiptarëve.
Të dashur miq.
Çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë dëshmon dhe provon rëndësinë jetike, vendimtare të betejës tuaj pa kthim, të mosbindjes civile për fatin tonë, për fatin e shqiptarëve, për fatin e Shqipërisë.
Vetëm mosbindja civile miq është arma më e fuqishme që dridh narkoshtete dhe narkodiktatura.
Përndryshe të duket se sa më shumë që ne bërtasim, aq më shumë ata vjedhin, aq më shumë ata dhunojnë liritë tonë, aq më shumë ata trashin lidhjet me krimin dhe drogën.
Çdo ditë zbulohen skandale dhe superskandale sikur ne të mos ishim qenie njerëzore, sikur ne të mos ishim shqiptarë.
Ndaj dhe koha ka ardhur për betejë pa kthim.
Koha ka ardhur për betejën dhëmb me dhëmb.
Koha ka ardhur për sakrifica të vërteta për liritë tona.
Të dashur miq!
Çdo ditë dëgjoni se si nga pushtetarët, familjarët e tyre vidhen nga arka e shtetit, nga taksat publike, nga pasuritë publike dhjetëra, qindra milionë euro.
Çdo ditë dëgjoni lajme se si trafikantët shpallen investitorë strategjikë.
Se si lirohen nga gjykata dhe Skapi.
Çdo ditë dëgjoni se si Skapi i partisë dhe gjykatat e tij janë një mburojë e tmerrshme e vjedhjeve më të mëdha në histori të qeveritarëve shqiptarë.
Çdo ditë jeni dëshmitarë se si varrosen nga Dumanët dhe Zamanët e partisë, dosjet e kriminelëve elektoralë.
Çfarë do të thonë këto? Të gjitha këto do të thonë se ne në këtë gjendje, në rast se nuk përmbysim Edi Ramën, kurrë nuk do të votojmë të lirë.
Në rast se nuk do sakrifikojmë për votën e lirë, ne nuk e meritojmë atë.
Në rast se nuk sakrifikojmë për votën e lirë, ne shkelmojmë mbi dinjitetin tonë.
Ju e kuptoni të gjithë se të gjitha këto dhjetëra, qindra milionë, me Edi Ramën shndërrohen në vota të blera.
Ju e dini mirë se këto tonelata drogë shndërrohen në banda vrastare për votën e lirë në zgjedhje.
Ju e dini mirë se këta prokurorë dhe gjykatës janë vrasës të lirisë dhe votës së shqiptarëve me dosjet që mbyllin.
Ne na mbetet vetëm sakrifica, sakrifica, sakrifica për votën e lirë.
Kombet që kanë luftuar për lirinë, kombet që kanë sakrifikuar për liri dhe dinjitet, i kanë gëzuar ato.
Kurse të tjerat janë zhdukur siç po zhdukemi ne këto 10 vite.
Një e treta jonë është tretur nëpër botë.
A ka emergjencë më të madhe?
A ka kushtrim më të madh për të gjithë ata që i thonë vetes shqiptar?
A ka apel më të madh për të gjithë ata që i thonë dinjitetit, dinjitet?
Është koha e fundit, të ngrihemi me të gjithë fuqinë tonë!
Beteja që bëjmë ne, denoncimet që bëjmë ne për vjedhjet 100 përqind në prokurime, për vjedhjen e shekullit në incenerator, për vjedhjen prej 4 miliardë euro në Portin e Durrësit, vjedhjen e sterilizatorëve, të gjitha Edi Rama i hedh në kosh të plehrave!
Miqtë e mi, mos harroni se të enjten që kaloi, Kushtetuta u shndërrua në Xhaçkë, Xhaçka u shndërrua në gjykatë, republika u shndërrua në turpin e dheut.
A mund të durojmë ne një gjendje të tillë?
Parlamenti u shndërrua në mëkatin e krimeve të Olta Xhaçkës.
Të mos gënjejë njeri veten, armiq të të drejtës, të ligjit, të lirive tuaja janë Dumanët, kjo racë e shpifur hajdutësh dhe kriminelësh që tallen me shqiptarët, që vjedhin me qeveritarët, që pasurohen me qeveritarët, që janë bërë mburojë e tyre.
U bëj thirrje medieve: dilni në rolin tuaj historik, në misionin tuaj të mbrojtjes së interesit publik.
Mos mbroni hajdutët, mos mbroni kriminelët!
Të them publikisht këtu, ti gazetar që merr Erion Veliajn, merr në studio edhe ata që e kanë denoncuar që t’u thonë shqiptarëve të vërtetën.
Ti gazetar që liston si biograf i Altin Dumanit, 15 veti të tij, të kesh turp, të skuqesh që fsheh 3 apartamentet e Altin Dumanit.
Të skuqesh, të kesh turp që u fsheh shqiptarëve ato që vetë Dumani i ka deklaruar.
Mos shisni shpirtin në këtë mënyrë.
Mendoni se kombi po shfaroset nga kjo bandë!
Mos tjetërsoni veten në këtë mënyrë. Mos dilni jashtë misionit tuaj publik se janë shqiptarë ata që po ikin.
Se është kombi juaj ky që po shkatërrohet, dhe po shkatërrohet se padroni juaj dhunon votat.
Se Dumanin juaj bëhet mburojë dhe amnisti e tij.
Kurse një popull shkretohet çdo ditë, vidhet dhe varfërohet çdo ditë e më shumë!
Bëjuni shqiptarë, kini guxim dhe jo hyzmeqarë të horrave, kriminelëve, banditëve me pushtet!
Miqtë e mi, sot ka vetëm një shpresë, ajo shpresë jeni ju, ajo shpresë janë qytetarët, ajo shpresë është guximi i tyre, ajo shpresë është zemërimi i tyre, ajo shpresë është sakrifica e tyre.
Pa guxim, pa sakrifica nuk ka fitore.
Ka vetëm poshtërim, nënshtrim, largim nga Shqipëria!
E premtja po vjen, Tirana në këmbë.
U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës, ngrihuni të premten, pastroni bashkinë. E premtja është një ditë jo vetëm për ju, por edhe për ata që nuk jetojnë më, për fëmijët tuaj, për fëmijët e fëmijëve tuaj.
Në qoftë se ne pranojmë në atë zyrë një horr që ka vjedhur 100 përqind me dokumente zyrtare paratë e qytetarëve, ne meritojmë çdo gjë pastaj.
Ne nuk meritojmë liri, ne nuk meritojmë dinjitetin.
Çfarë jemi ne të dashur qytetarë që të na përdhosin, të na poshtërojnë horra si Erion Veliaj?
Në çdo vend të botës jo me kaq, por me një të dhjetën, jep dorëheqjen njeriu.
Po nuk jep dorëheqjen krimineli, por del e shëtit nga një studio në studio tjetër për të bërë avokatinë e hajdutëve të tij dhe të vetes.
Nuk ndodh kund si në Shqipëri, në asnjë vend të botës.
Në çdo vend, para një skandali ka dorëheqje.
Nuk ka Spak dhe amnistira!
Miq, në qoftë se e drejta juaj ka një armik, ai është Skapi i partisë.
Në qoftë se e drejta juaj ka një armik, ajo është gjykata e partisë.
Ndaj dhe e premtja është dita e ditëve, është ora e fitores, është ora e betejës, ora e triumfit qytetar, e ngadhënjimit të kryeqytetit mbi llumin, mbi hajnat e pastrimit të shtëpisë së parë të kryeqytetit të Shqipërisë.
Miq, nuk durohet më.
Durimi ka një kufi.
Le të lëshojmë përpara zemërimin e ligjshëm për shpëtimin e Tiranës.
Zemërimin e ligjshëm për shpëtimin e dinjitetit tonë.
Zemërimin e ligjshëm për shpëtimin e lirive tona.
Zemërimin e ligjshëm për shpëtimin e Shqipërisë.
Qeveri teknike, zgjedhje të lira është zotimi ynë.
Ndaj dhe ftoj qytetarët e Tiranës t’i shndërrojnë këto ditë dhe net që na ndajnë nga e premtja
në ditë përkushtimi serioz, dialogu serioz me çdo qytetar.
Në ditën e vendimeve më të guximshme të jetës sonë.
Fitore, fitore, fitore!