Berisha: Trilogjia e Ndriçim Kullës tregon se diktaturat si të Edi Ramës mund të shfarosin kombin. Lëvizja e Gjeneratës Z është një mrekulli, jeni ngritur fuqishëm ndaj një diktature autoritare

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PROMOVIMIN E LIBRIT TË NDRIÇIM KULLËS

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur sot gjatë promovimit të trilogjisë së autorit Ndriçim Kulla, e cilësoi veprën si një kontribut historik për të kuptuar realitetin politik të Shqipërisë dhe për të zbërthyer, sipas tij, natyrën e regjimit të Edi Ramës.

Berisha vlerësoi Ndriçim Kullën si një nga intelektualët më të shquar të vendit, ndërsa theksoi se trilogjia përbën një apel për shqiptarët përballë rrezikut që, sipas tij, paraqet sistemi aktual. ‘Trilogjia e Ndriçim Kullës është një apel për shqiptarët. Mos u dëshmoni si shqiptarët e fillimshekullit të 21-të, sepse diktaturat e llojit të Edi Ramës mund të shfarosin plotësisht këtë komb’, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së u ndal te fenomeni i shpopullimit, duke akuzuar kryeministrin për politika që kanë sjellë pasoja të rënda demografike për vendin. ‘Diktatori i ka bërë vendit atë që nuk ia ka bërë asnjë pushtim tjetër, një shkretim demografik më të madh se çdo pushtues në kohëra, përveç murtajës së zezë të vitit 1300’, tha ai.

Duke folur për librin, Berisha vlerësoi veçanërisht analizën që autori i bën, sipas tij, profilit psikologjik të Edi Ramës. ‘Edi Rama është një nga psikologjitë më perverse të species Homo Sapiens. Është bërë fëmijë me kompleksin e Edipit. Kompleksi i Edipit ka urrejtje të pakufishme për ata që nuk mund të urrehen kurrë’, u shpreh Berisha.  Sipas tij, Rama ka ‘korruptuar në mënyrë totale gjuhën shqipe’, duke i zhveshur fjalët nga kuptimi i tyre i vërtetë dhe duke përdorur propagandën si instrument pushteti.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha foli edhe për protestat që ka nisur prej një muaji në Shqipëri nga Gjenerata Z, të cilat i cilësoi si zhvillimin më shpresëdhënës në vend. ‘Kjo lëvizje është mrekullia më e madhe e Shqipërisë dhe shqiptarëve në kohëra. Janë të rinjtë e një gjenerate që nuk ka njohur kurrë diktaturë autoritare dhe që po ngrihet në mënyrën më të fuqishme kundër saj’, tha ai.

FJALA E PLOTE

I nderuar zoti Ndriçim Kulla, të nderuar të pranishëm, deputetë, miq të autorit.

Sot, ne mblidhemi për promovimin e një kryevepre të vërtetë letrare, artistike, politike të realitetit të sotëm shqiptar si pjesë e një trilogjie, në të cilën Ndriçim Kulla, njëri nga intelektualët më të shquar të kombit, studiuesit më serioz i kushton sistemit aktual politik, por lë dhe një trashëgimi të një rëndësie të jashtëzakonshme për brezat që vijnë.

Ndriçim Kulla është intelektuali, është shkrimtari, është studiuesi i përkushtimit të jashtëzakonshëm të çështjeve të qytetarit shqiptar dhe të vendit.

Të dashur miq, ne jemi në opozitë prej 13 vitesh, por u garantoj se njëri nga problemet më madhore tonat individuale, kolektive, partiake si të doni ta quajmë, ka qenë vështirësia jonë për të njohur realitetin në të cilin jetonim.

Dhe kjo në fakt, duhet të jem i sinqertë, nuk është se nuk na lëndon sepse për një audiencë politike, për një konstituencë politike, kjo nuk duhej të ishte.

Një gjeneratë që jetoi diktaturën totalitare, diktaturën autokratike edhe mund ta nuhasë, mund ta ndjejë.

Gjenerata që nuk jetoi diktaturën totalitare, realisht nuk e ka të lehtë.

Mirëpo ka një problem këtu. Ka një problem shumë, shumë themelor.

Historiani i mirënjohur i diktaturave, Samuel Huntington, i cili ka ardhur edhe në Shqipëri për të studiuar diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, në librin e tij, diktaturën më të keqe nuk e quan diktaturën komuniste, nuk e quan diktaturën naziste, nuk e quan diktaturën teokratike, diktatura më e keq mbi tokë është diktatura e bandave, diktatura e drogës, diktatura e krimit.

Ajo, thotë Huntington, është diktatura më e keqe e të gjitha llojeve të diktaturave sepse ajo nuk ndjek asnjë rregull, asnjë ligj.

Ato të tjerat kanë disa rregulla të këqija, po i shkele, e pëson. Kurse këtu jo.

Dhe ne jemi sot në këtë diktaturë në të cilën diktatori që i ka bërë vendit atë që nuk ia ka bërë asnjë pushtim tjetër, një shkretim demografik më të madh se çdo pushtues në kohëra përveç murtajës së zezë të vitit 1300, para syve tanë, para nesh.

Dhe ia ka bërë me politikat e tij të qëllimshme.

Nuk ka dëm më të madh që mund t’i bësh këtij kombi, shqiptarëve me politikat më të arrira mund t’u duhet gjysmë shekulli për të kapur demografinë që kishin.

Por, trilogjia e Ndriçim Kullës është një apel për shqiptarët, mos u dëshmoni si shqiptarët e fillimshekullit të 21, sepse diktaturat e llojit të Edi Ramës mund të shfarosin plotësisht këtë komb.

Autori, thashë kjo është një trilogji, ka një meritë të jashtëzakonshme.

Në një kohë kur tjerët nuk e kishin për mbarë të flisnin për narkoshtet, nuk e kishin për mbarë të thelloheshin, ky botonte veprën ‘Narkodiktatura’.

Po kthehemi nga Vjena dhe kam kënaqësinë që miq të mi, të cilëve ua kisha dhënë atë vepër, më falënderuan, e kishin lexuar.

Natyrisht dy pjesët e para të trilogjisë nuk do ishin të plotë pa të tretën, pa zbërthimin psikologjik të autorit të kësaj drame të tmerrshme kombëtare.

Njeriu është psikologjia, duhet ta kemi shumë të qartë.

Njeriu është psikologjia e tij.

Edi Rama është një nga psikologjitë më perverse të species Homo Sapiens. Absolutisht!

Është bërë fëmijë me kompleksin e Edipit, një kompleks shpërfytyrues për karakterin dhe kjo është universalisht e njohur.

Kompleksi i Edipit ka urrejtje të pakufishme për ata që nuk mund të urrehen kurrë.

Dhe atë urrejtje që ky trashëgoi, e ruajti, e sejvoi për ta demonstruar ndaj shqiptarëve.

Shpesh e përmendin, edhe unë ndonjëherë, jo bipolar, jo të tillë, jo të atillë. Ata mjekohen, por problemi është se ky njeri që i bëri gjëmën më shumë se kushdo tjetër, më shumë se çdo diktator tjetër, ky njeri që ndaloi kohën, ky njeri shëtit nëpër Evropë.

Ky njeri ka korruptuar në mënyrë totale gjuhën shqipe.

Ky nuk ka nevojë të ndalojë të mohojë të drejtën e fjalës. Autori e analizon shumë bukur.

Ky nuk ndalon fjalën, po ky e zhvesh fjalën nga çdo kuptim i vërtetë dhe i jep kuptim tjetër.

Ky pra, në doktrinën e Hannah Arendt, ka si instrument kryesor të keqen banale dhe njëlloj si me drogën, vë në narkozë një shoqëri të tërë në një mënyrë ose në një tjetër.

Pra, ky shëtit, ky pritet, diktatori tjetër rrinte i izoluar brenda katër mureve, jo, ky del.

Megjithatë këto libra janë një kontribut historik për zbërthimin e tij, për njohjen e tij.

Ndriçim Kulla ka bërë një psikanalizë të jashtëzakonshme të të gjitha etapave të sundimit të Edi Ramës, në të cilat ai në fund të fundit mashtroi një popull, mashtroi botën, korruptoi gjuhën shqipe, por shndërroi korrupsionin transnacional në një instrument të fuqishëm.

Dhe jo vetëm transnacional, por edhe kombëtar po e po.

Ndaj dhe dy fjalë për gjeneratën Z.

Kjo lëvizje të dashur miq, në shumë aspekte është mrekullia më e madhe e Shqipërisë dhe shqiptarëve në kohëra.

Pse e them këtë?

Aty janë rryma të ndryshme, por ata që janë energjia, ata që janë guximi, ata që janë shpirti i pamposhtur, ata janë të rinjtë e asaj gjenerate që nuk ka njohur kurrë diktaturë autoritare.

Dhe është kjo gjeneratë që ngrihet në mënyrën më të fuqishme ndaj një diktaturë autoritare.

Në qoftë se një pjesë e gjerë e shoqërisë ul kokën, në qoftë se dhjetëra mijëra intelektualë zgjedhin indiferencën, këta të rinj kanë zgjedhur përballjen me të keqen më të madhe që shqiptarët mund të kenë pasur në histori, me Edi Ramën.

Kam bindjen se ky libër është gjithashtu një manual i shkëlqyer për ta dhe frymëzim për ta dhe brezat që vijnë.

Ndaj dhe i dashur mik, kjo trilogji do të mbetet në historinë e letrave një kryevepër e vërtetë.

Ernest Heminguej e thotë diku në një kongres, shkrimtari duhet të luftojë me pendë dhe me pushkë, ai e kishte fjalën në atë kohë për luftën e Spanjës.

Por shkrimtari lufton me pendë. Dhe aq sa mund të luftojë një shkrimtar me pendë, Ndriçim Kulla pendën e tij e ka bërë një pendë të artë dhe u lë sot shqiptarëve një trashëgimi shumë të madhe për të sotmen dhe brezat që vijnë.

Një përkushtim i jashtëzakonshëm, një përgjegjësi e lartë intelektuale e pashembullt.

Ndaj dhe njëherë mirënjohjen më të pakufishme i dashur miq për kryeveprën, trilogjinë që i jep publikut shqiptar, dhe jo vetëm shqiptar, por edhe atij ndërkombëtar.

Shqipëria është rast unik në Evropë, ua them unë ju.

Ka të tjera diktatura autoritare siç është Bjellorusia apo Gjeorgjia. Po aty nuk është droga, aty është rusi dhe duhet që mbahen nga rusët.

Ndaj edhe njëherë shumë faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale