FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË SPAK
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë deklaratës para SPAK, lëshoi sërish akuza të forta duke e cilësuar Altin Dumanin, si ‘avokat të narkoshtetit’, ndërsa deklaroi se ‘drejtësia vonon, por nuk harron’. Në deklaratën e tij për mediat, Berisha sulmoi gjithashtu Gjykatën Kushtetuese, Presidentin e Republikës dhe procesin gjyqësor ndaj tij në dosjen ‘Partizani’. Berisha tha se kishte lënë një mesazh simbolik në SPAK, ku shkruante se drejtësia mund të vonojë, por nuk harron, ndërsa e akuzoi Altin Dumanin se është në shërbim të asaj që ai e quajti ‘narkoshtet shqiptar’.
I pyetur nga gazetarët se çfarë kishte parë në korridoret e SPAK-ut, lideri i demokratëve Sali Berisha u shpreh se, kishte gjetur ‘dengje të mëdha narko-eurosh’, ‘thasë e arka plot me para droge’, duke u shprehu se, se institucioni është ‘i pushtuar nga paratë e drogës’. Sipas tij, kjo është arsyeja pse, prej më shumë se një viti, mbahen sekret emrat e disa zyrtarëve të nivelit të lartë që, sipas pretendimeve të tij, kanë udhëtuar drejt Arubës së bashku me biznesmenë.
Kryetari i PD-së Sali Berisha lëshoi kritika të ashpra edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e akuzuar se po vonon në mënyrë të pajustifikuar shqyrtimin e kërkesës së tij për masën e sigurisë. Ai tha se ankimi i tij është depozituar prej rreth 10 muajsh, ndërsa seanca është shtyrë për në tetor, duke pretenduar se afatet ligjore janë tejkaluar disa herë. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka mbështetur vazhdimisht vendime të qeverisë, duke përmendur ligjin për investimet strategjike, çështjen e Parkut të Butrintit dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura.
Në deklaratën e tij, kreu i PD-së Berisha hodhi akuza edhe ndaj Bankës së Shqipërisë, duke pretenduar se institucioni nuk reagon ndaj fenomenit që ai e quan ‘narko-euro’, ndërsa paralajmëroi se, sipas tij, Presidenti i Republikës ‘do të dekorojë gjyqtaren Irena Gjoka me titullin ‘Heroinë e Partisë Socialiste’’.
I pyetur nëse kishte prova për udhëtimet në Aruba të zyrtarëve të qeverisë, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se ekzistojnë të dhëna në dosje ndërkombëtare, por pranoi se nuk disponon vetë dosjen. Ai tha se, nëse do ta kishte në dorë, do t’i bënte publike emrat. Më tej përmendi disa emra për të cilët pretendoi se figurojnë në informacionet që ai disponon, duke këmbëngulur se udhëtimet janë mbajtur të fshehta nga autoritetet shqiptare.
I pyetur nga gazetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha komentoi thirrjen si dëshmitar të ish-presidentit Bamir Topi, duke thënë se nuk e di arsyen e saktë të thirrjes, por supozoi se lidhet me funksionin që Topi ka mbajtur si President i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Ai shtoi se nuk ka nevojë për dëshmitarë që të flasin në favor të tij, pasi, sipas tij, çështja është ndërtuar mbi ‘falsifikime’ dhe nuk ekziston asnjë shkelje ligjore nga ana e tij.
Lideri i demokratëve Sali Berisha u pyet edhe për çështjen e njohur si ‘The Albanian Files’ dhe për deklaratat e mëparshme mbi zyrtarët që, sipas tij, kanë udhëtuar në Aruba. Ai përsëriti se nuk ka në dorë dosjen zyrtare, por vetëm informacione, duke insistuar se do t’i publikonte emrat nëse do të kishte dokumentacionin përkatës.
FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetare dhe qytetarë të pranishëm këtu, dhe të gjithë ju të tjerët që e ndiqni këtë konferencë shtypi periodike, kam kënaqësinë t’u informoj se në dokumentin që lashë, sot kam shkruar:
‘Altin Gjoka Troplini Hajri, armikut primitiv të pluralizmit politik të Shqipërisë dhe avokatit të narkoshtetit shqiptar, drejtësia vonon, por nuk harron’.
Kë gjetët në korridoret e SPAK-ut sot Doktor?
Sali Berisha: Në korridoret e SPAK-ut gjeta dengje të mëdha narko-eurosh.
Kishte një dyndje me thasë saqë mezi kalova korridorin.
Arka dhe thasë, thasë dhe arka plot e përplot me narko-euro.
Me një fjalë, institucioni ishte tërësisht i pushtuar nga paratë e drogës.
Prandaj dhe prej të paktën një viti mbahen sekret emrat e dy apo tre zyrtarëve të nivelit më të lartë që udhëtuan bashkë me biznesmenët me një çarter të veçantë nga Tirana në Aruba.
Aty, çuditërisht gjeta edhe gjykatës kushtetues.
Kush ishte nga ata?
Ishte Gjykata Kushtetuese, e cila zotohej se nuk ia shqyrtojmë çështjen Sali Berishës.
Se ju më keni pyetur këtu mua a e ke dërguar në Gjykatë Kushtetuese masën e paraqitjes çdo dy javë?
Sa kohë që e kam dërguar, thoni ju?
E kam dërguar para 10 muajve.
Ajo gjykatë që është notere e turpshme e akteve kriminale të qeverisë shqiptare, ajo gjykatë që shqyrton brenda një muaji kërkesën e Lubi Ballukut, që shqyrton brenda dy muajve kërkesën e Erion Veliajt, që ka detyrim ligjor që masat e sigurisë t’i shqyrtojë në afat maksimumi tremujor, shtyn shqyrtimin e kërkesës time për në tetor.
Domethënë shtyn me pothuajse 11 muaj, tre herë afati ligjor.
Është kjo gjykatë shërbëtore e qeverisë, me një pjesë të mirë të atyre, nuk them secili prej tyre, një nga shkaqet kryesore që ka nxjerrë ata dhjetëra mijëra djem e vajza në protestë prej 50 e sa ditësh.
Pse?
Sepse grupi parlamentar i PD ka kundërshtuar në parlament dhe ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese ligjin e investimeve strategjike.
Gjykata Kushtetuese, pavarësisht kërkesave të prera të Komisionit Evropian dhe Bashkimit Evropian, e ka lënë në fuqi ligjin.
PD ka dërguar në këtë gjykatë ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ishte fjala konkretisht për parkun absolutisht më të bukur, më të mirë në Evropë, që është parku i Butrintit.
Gjykata Kushtetuese firmosi për shkatërrimin e tij, vendimin e qeverisë.
Gjykata Kushtetuese mbajti në fuqi amendimin e ligjit për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe peizazheve natyrore, të kundërshtuar me forcë nga PD.
Ja, ajo gjykatë.
A mund të imagjinoni ju një grup gjykatësish, paçka se të gjitha këto nuk janë vetëm kërkesa të opozitës.
Të gjitha këto nuk janë vetëm kërkesa të protestës rinore qytetare, por janë kërkesa të prera të institucioneve të BE, të Parlamentit dhe Komisionit Evropian.
Megjithatë ajo vazhdon notere, ish-kryetarja se ku kaloi në një post të rëndësishëm kushtetues.
Shkoi tek Banka e Shqipërisë, e cila hesht si fija e barit për narko-euron.
A e kuptoni ju sa i pushtuar është ky vend?
Pra, këtu thashë ishin dengjet me narko-euro.
Banka e Shqipërisë është e zhytur gjer në çati në narko-euro dhe nuk guxon të shqiptojë njëherë fjalën narko-euro, e cila po shkatërron ekonominë e vendit, po shpunëson mijëra qytetarë.
Ata mijëra qytetarë nuk shohin perspektivë në këtë vend.
Dhe së shpejti, presidenti ka marrë përsipër të dekorojë me heroinë të Partisë Socialiste, gjyqtaren Irena Gjoka me pesë mbiemra.
Të dhëna të tjera nuk kemi.
Kaq janë!
Zoti Berisha, kur ju vendosni në pikëpyetje këta anëtarë të Gjykatës Kushtetuese rreth Arubës, keni materiale që i referoheni SPAK-ut apo jeni duke folur në mënyrë metaforike?
Sali Berisha: Së pari, në mënyrë absolute, në Aruba kanë qenë dy ose tre zyrtarë të lartë të dërguar nga Edi Rama së bashku me biznesmenë, me çarter apo me avion tjetër nga Tirana.
Kjo është e sigurt. Kjo del në dosjen spanjolle, del në dosjen belge, del në dosjen italiane. Këta e mbajnë të fshehtë e sekret në mënyrën më të pafytyrë. Sepse ata që kanë qenë në Aruba, më së paku faktojnë para çdo shqiptari se ky shtet është drogë dhe droga është shtet.
Ata nuk kanë shkuar me vullnetin e tij, ata kanë shkuar të dërguar nga Edi Rama. Kaq mund të them për Arubën.
Për Gjykatën Kushtetuese, unë u garantoj ju se dëshira ime e plotë është të shpreh respektin më të madh, por nuk mund të shpreh respekt kurrë për një gjykatë që ka vendime në shkeljen më flagrante të neneve të Kushtetutës.
Merr pak të lutem lexo nenin mbi ankimet në Gjykatën Kushtetuese. Do mbetet në turpin e tyre që votuan dhe nuk legjitimuan grupin parlamentar, ose 35 deputetë të opozitës, kur paraqiten aty për një çështje, dhe u shprehën se ata nuk përfaqësojnë parlamentin.
Nuk ke për të parë kurrë ndonjëherë në historinë e këtyre gjykimeve, gjykim më tutkun, më të shpifur se atë. Në një kohë kur Kushtetuta thotë se kjo e drejtë u jepet 35 deputetëve.
35 deputetëve pikërisht, jo parlamentit, jo kryetares së parlamentit, dhe administratës, dhe ata politikisht e hodhën poshtë.
Por e lamë mënjanë se kanë vepruar në parimin klasor. Si u duket ju hedhja poshtë e të gjitha padive që ka bërë opozita të ligjeve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore?
A e dini ju që u shkatërrua Parku i Butrintit?
U ndërtuan një seri ngulimesh në Parkun Natyror të Butrintit pas këtij vendimi.
A e dini ju që ligji i zonave të mbrojtura që u amendua, u kundërshtua nga opozita dhe u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese?
A mund të më thoni ju pak a ka turp më të madh se këto?
Në një kohë kur këto janë të gjitha standarde evropiane, Gjykata Kushtetuese është për mbrojtjen e Kushtetutës, për interpretimin e Kushtetutës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Pra, ju më thoni mua pse quhet Kushtetuese duhet të tregoj respekt? Respekt duhet të tregojnë në radhë të parë ata. Se edhe Haram Begaj quhet president. Po keni parë ju një akt të vetëm të të Haramit që shkon dhe bëhet haxhiu atje. Mirë fort, zgjedhje e tij, nuk e kundërshtoj, por do të thotë që duhet të jetë i drejtë. I drejtë, a kupton?
Apo gjoja se ka një dëshmon se ka një besim ose është rikthyer në besimin fetar. Atëherë si mund të sillet me një cinizëm ndaj atyre dhjetëra mijëra të rinjve dhe qytetarëve që protestojnë absolutisht për interesa të çdo shqiptari.
Ai edhe haram e ka pak.
Sot është gjyqi i themelit në dosjen Partizani ku ju jeni i akuzuar nga SPAK. Pritet të dëshmojë ish-presidenti Bamir Topi. Si e parashikoni ju dëshminë e tij dhe përse është thirrur në dijeninë tuaj, Bamir Topi?
Sali Berisha: Saktësisht pse është thirrur Bamir Topi, e dinë ata që e kanë thirrur. Prokurori ose gjykatësi. Në hamendjen time, ai është thirrur sepse ka qenë President i Republikës, në mos gaboj, dhe natyrisht do ta pyesin si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura çfarë dinte ai për sigurinë në atë kohë, dhe për të gjithë atë gjendje. Se çfarë do të thotë, nuk e marr me mend, por të thotë atë që do.
Për zotin Qiriazi ndoshta, meqenëse ka qenë ushtarak i lartë?
Sali Berisha: Nuk besoj… nuk e di, nuk kam dëgjuar që ta kenë thirrur ndonjëherë se Qiriazi ka pasur lidhje me ministrin, me shefin e shtabit të përgjithshëm si rregull, kjo është hierarkia. Por a e kanë thirrur për këtë apo jo, ajo do tregohet nga gjyqi, nuk e di.
Thua do të dëshmojë pro jush Bamir Topi?
Sali Berisha: S’kam nevojë për asnjë njeri në botë të dëshmojë pro meje, sepse është faktuar në mënyrën më përfundimtare që në mënyrë absolute nuk ka asnjë shkelje ligjore. As dhe një shkelje më të vogël ligjore. Ka trillime të paimagjinueshme në atë proces.
A mund të lexoni pak librin ‘35 falsifikimet e Prokurorisë Speciale’ për procesin. Janë 35 falsifikime.
Pra, i tërë procesi është ndërtuar mbi falsifikime, dokumentesh, faktesh e të tjerë. Me një fjalë, ajo është një piramidë mashtrimi e shembur.
Dhe siç e keni parë ju, çdo dëshmitar ka bërë deklaratat në mënyrë të tillë që ka treguar se ka pasur zero ndërhyrje, kanë zbatuar ligjin dhe fakti që në procesin e privatizimit dhe parablerjes kanë firmosur minimumi 60 ose 70 ministra, drejtorë agjencish, punonjësish, asnjë prej tyre, asnjë prej tyre nuk është në ndjekje penale. Asnjë!
Pse nuk është? Sepse kanë zbatuar ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Kjo është. Nuk ka pasur Sali Berisha kurrë vendime nominale.
Ja ku e keni Edi Ramën. Me dy vendime nominale për Olsi Ramën, 38.000 metër katror tokë privati!
Me katër vendime nominale me emër e mbiemër për Karlo Bolinon, tokë edhe të Begejve të lënë për shpirt për komunitetin, për shkollë.
Dhe njëra nga ato që kishte lënë tokën u pendua. Kur e mori Bolino i tha, ‘pse të mos marr unë paratë?’.
Dhe shkoi dhe mori 3 milionë euro kompensimin, kurse këta të tjerët marrin procesin gjyqësor.
Kjo është e vërteta.
Meqë jemi te milionat e eurove, dy pyetje. E para, gjatë firmosjes së procesverbalit nga ana juaj, konstatuat ndonjë fletë nga ‘Albanian Files’, dhe ju tha nëse e kanë regjistruar, dhe e dyta, i kishte marrë Kanye Ëest paratë, 4 milionë euroshin?
Sali Berisha: Këtë e kam thënë me kohë. Kemi të bëjmë me një seksion, me një organizatë të Partisë Socialiste. Mos prisni ju as edhe një hetim përveç atyre që u urdhëron Edi Rama. ‘Albanian Files’, është një nga krimet më të mëdha, por krimi i të gjitha krimeve është krimi i zgjedhjeve dhe amnistia e krimit elektoral, natyrisht dhe fshehja e emrave të tre zyrtarëve që përfaqësuan narko-shtetin në Aruba.
Në dosjen që keni ju, janë emrat? Pse s’i bëni publik?
Sali Berisha: Jo, unë nuk kam dosjen, të jem i sinqertë. Kam të dhëna. Po ta kisha të garantoj që do i publikoja 100%. Unë kam të dhëna për emrat.
Emrin e Damian Gjiknurit e thatë dhe ai u betua që nuk ka qenë…
Sali Berisha: U betua në Kushtetutë dhe jo në Bibël sepse ky është një personazh kompleks. Ky Kushtetutën e ka si një prostitutë politike, Kushtetutën nuk e ka asgjë. E hedh në kosh.
Keni akuzuar Taulant Ballën që ka qenë në Aruba, rezulton që nuk është…
Sali Berisha: Prit një minutë. Jo, Taulantit nuk i kam thënë për Aruban. Taulantit jo. Jo, për Aruban nuk i kam thënë.
Taulanti ka të tjera, po atë nuk ia kam thënë sepse nuk kam të dhëna po ja thoja me kënaqësi.
Pra, lidhur me Aruban figuron emri i Engjëll Agaçit, Ergys Agasit dhe i Damianit, që thotë betohem, betohu në Bibël, nuk pranoi të betohej në Bibël. Ia krijova mundësinë, urdhëro, i thashë, dil këtu, të nxjerrim Biblën dhe betohu. Atë jo, se ka qenë dhe në Athos.
Udhëtimi i tij në Athos, e dini ju atë ishullin e Athos?
Ishulli Athos është ishulli i misticizmit.
Aty është shumë e vështirë të pranohesh. Duhet të kalosh disa filtra purifikimi shpirtëror, po ky, unë e kam parë me sytë e mi në Athos këtë. Dhe andaj nuk pranoi të betohej në Bibël.
Po ju ç’donit në Athos?
Sali Berisha: Unë jo, unë shoh video. Unë shoh video shumë. Nuk kam qenë në Athos. Jo, nuk kam qenë.


