Berisha thirrje qytetarëve: Të mobilizohemi në protestën më të fuqishme kombëtare, ditën e diskutimit të Reformës Territoriale në parlament

BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi këtë të shtunë komunikimin e përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale, ku në fokus të diskutimit ishte aksioni opozitar dhe çështjet më të debatueshme të aktualitetit politik.

Në nisje të bashkëbisedimit, Berisha foli për qëndrimin e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, ku tha se kishte ngritur shqetësime për situatën politike në Shqipëri, qeverisjen dhe zhvillimet në rajon. Ai u shpreh se një pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte përqendruar te akuzat që ai i adreson qeverisë Rama, si dhe te çështjet që lidhen me Kosovën dhe proceset gjyqësore në Hagë.

Në sesionin pyetje-përgjigje me qytetarët, Berisha u pyet fillimisht për aksionin opozitar dhe nëse ka ardhur momenti për një përshkallëzim të tij, në kushtet kur opozitës po i bllokohen instrumentet e kontrollit parlamentar. Berisha u shpreh dakord me shqetësimin dhe tha se mohimi i të drejtave të deputetëve të opozitës është kthyer në praktikë të zakonshme.

Një nga pyetjet kryesore lidhej me reformën territoriale. I pyetur se si do të veprojë PD nëse reforma territoriale dhe ajo zgjedhore miratohen pa konsensusin e opozitës, Berisha dha një përgjigje të prerë: “Protestë, protestë dhe vetëm protestë”. Ai theksoi se zgjedhjet janë të kapura dhe akuzoi mazhorancën se po ndërmerr ndryshime ligjore që, sipas tij, ndikojnë në hetimin e krimeve zgjedhore.

Një qytetare e pyeti Berishën për kullën që pritet të ndërtohet në zonën e Tajvanit. Kryedemokrati deklaroi se është kundër projektit dhe tha se PD po mbledh firma për një peticion dhe referendum lokal. Ai shtoi se opozita do të mbështesë protestat kundër ndërtimit.

Në vijim, Berisha u pyet për deklaratën e tij në Strasburg se mbi 90% e mediave kontrollohen nga qeveria ose interesa të lidhura me të. Ai tha se kjo shifër nuk është e PD-së, por buron nga raporte ndërkombëtare dhe vëzhgime mbi zgjedhjet në Shqipëri. Berisha theksoi gjithashtu se analizat e opozitës në disa media kombëtare tregojnë një përqendrim të lartë të lajmeve dhe debateve te aktiviteti i qeverisë.

Një tjetër qytetar e pyeti për alternativën ekonomike të PD-së. Berisha prezantoi disa prej masave që do të ndërmerren në rast qeverisjeje, duke përmendur dyfishimin e pagave dhe pensioneve në mandatin e parë, vendosjen e minimumit jetik në 200 euro, rimbursimin e plotë të ilaçeve për pensionistët dhe heqjen e taksave për mallrat bazë. Ai përmendi gjithashtu uljen e taksave për biznesin, pesëfishimin e mbështetjes për fermerët, kredi pa interes për familjet e reja dhe masa për rikthimin e emigrantëve.

Pyetjet e qytetarëve u ndalën edhe te pastrimi i parave dhe sektori i ndërtimit. Berisha e lidhi zhvillimin e lartë të ndërtimit me pastrimin e parave me origjinë kriminale dhe akuzoi qeverinë se ka krijuar kushtet për këtë fenomen. Ai përmendi gjithashtu problemet e ekonomisë, zhvlerësimin e monedhave dhe rënien e prodhimit industrial e bujqësor.

Një tjetër pyetje lidhej me reformën territoriale dhe vendimin për shkrirjen e disa bashkive. I pyetur pse Bashkia Vau i Dejës nuk preket nga reforma, Berisha deklaroi se kriteri kryesor është ai elektoral. “Ka vetëm një kriter, kriteri elektoral që i intereson Edi Ramës”, u shpreh ai.

Gjatë bashkëbisedimit, kryetari i PD, Sali Berisha u pyet edhe për procesin e “Ripërtëritjes” së PD-së. Ai tha se synohet një hapje më e madhe ndaj të rinjve, grave dhe vajzave, modernizimi i strukturave dhe digjitalizimi i partisë.

Pyetjet u ndalën gjithashtu te SPAK-u dhe hetimet ndaj zyrtarëve të qeverisë. Berisha kërkoi që përgjegjësia të shkojë deri te kryeministri Rama dhe deklaroi se ndryshimi politik nuk mund të vijë vetëm nga institucionet e drejtësisë, por kërkon edhe mobilizimin e qytetarëve.

Kreu i PD-së ngriti gjithashtu akuza për përgjime dhe survejim të opozitës dhe zyrtarëve nga struktura të inteligjencës. Ai tha se këto çështje duhet të hetohen dhe se të dhënat do të bëhen publike.

Në një tjetër pyetje, Berisha u pyet nëse përgjegjësia për akuzat ndaj ministrave duhet të jetë individuale apo politike. Ai akuzoi kryeministrin se është i përfshirë drejtpërdrejt në një sërë çështjesh të denoncuara nga opozita. “Rama nuk zgjedh vetëm ministrat, po vjedh bashkë me ta”, deklaroi Berisha.

Lideri demokrat, Sali Berisha u pyet edhe për publikimin e videove me përmbajtje intime të disa personazheve publike dhe nëse ato mund të përdoren për të zhvendosur vëmendjen nga çështje të tjera politike. Ai kërkoi hetim për mënyrën se si janë siguruar këto materiale dhe tha se publikime të tilla shërbejnë për të larguar vëmendjen nga akuzat ndaj qeverisë.

Në fjalën përmbyllëse, Berisha iu rikthye reformës territoriale, ku Berisha bëri thirrje për mobilizim dhe paralajmëroi një protestë kombëtare në ditën kur reforma do të diskutohet në Kuvend.

“Ju ftoj të mobilizohemi, të angazhohemi në protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur vendi, ditën e diskutimit në parlament të reformës territoriale”, deklaroi Berisha.

FJALA HYRËSE

Kjo ishte një javë në të cilën unë kam qenë kryesisht jashtë vendit, në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës.

Qëndrimin në këtë asamble unë e përdora për të paraqitur realitetin shqiptar dhe mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë kudo që janë, për të mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe rajonit në këtë asamble.

Përqendrimi im kryesor ishte denoncimi i narkoshtetit të Edi Ramës dhe superskandaleve të tij të pafundme.

Denoncimi i nderimeve ushtarake që iu bënë në funeral Ratko Mlladiç nga padroni i Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç, në një dhunim flagrant të 8300 djemve dhe burrave të pafajshëm që u ekzekutuan në Srebrenicë nga ky kasap i Bosnjes.

Në tërësi këto ishin çështjet.

Natyrisht u ndala edhe tek dënimet e ish-udhëheqjes së UÇK në Hagë, ku shpreha kërkesën time për një shqyrtim më transparent në apel të dosjeve të tyre dhe pa dyshim tek asimetria e plotë e kësaj gjykate në ndëshkimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në Kosovë.

SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME QYTETARËT

Flogert Merzira: Z. Berisha, ju keni thënë se bojkoti i parlamentit nuk është zgjidhje. Por kur opozitës i refuzohen apo i bllokohen instrumentet kryesorë të kontrollit parlamentar, deri ku duhet të shkojë aksioni politik i opozitës?

A mendoni se ka ardhur momenti për një përshkallëzim të fortë dhe të pandërprerë të aksionit opozitar brenda dhe jashtë parlamentit?

Sali Berisha: Jam plotësisht dakord me ju. Mohimi i të drejtave kushtetuese, shkelmimi i të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës në parlament është bërë ligj dhe rregull.

Ndaj dhe, shoqëruar kjo me morinë e skandaleve, jam i mendimit se opozita duhet të rishqyrtojë të gjitha qëndrimet e saj.

Afërdita Findo: Doktor, cili është mendimi juaj për kullën që do të ngrihet tek Tajvani? Nuk ju kam dëgjuar që të reagoni.

Sali Berisha: Afërdita, të falënderoj për pyetjen.

Së pari, dua t’u garantoj se unë kam qenë, jam dhe do të jem kundër çdo kulle. Por në rast se rikthehesh në periudhën 2005-2013, ju do gjeni se Sali Berisha nuk ka dhënë leje për asnjë kullë dhe ju do gjeni se në ato tetë vite në Tiranë dhe në Shqipëri, nuk është ndërtuar asnjë kullë e vetme.

Pra, një njeri që nuk lejoi, nuk miratoi ndërtimin e asnjë kulle, do të thotë se ka një qëndrim të qartë kundra tyre.

Jam në mënyrë kategorike kundër ndërtimit të kullës në parkun e vetëm që ka mbetur tek Tajvani dhe shkatërrimit të tij.

Partia Demokratike po mbledh firmat për një peticion dhe referendum lokal kundër ndërtimit, sikundër ju garantoj se do të mbështesim fuqishëm çdo protestë kundër ndërtimit të saj.

Por edhe një herë, për ne kullat janë monumente të shëmtuara të drogës dhe korrupsionit.

Ndaj Afërdita, dije edhe një herë se unë jam kundër tyre dhe kam qenë kundër tyre dhe nuk kam dhënë asnjë leje ndërtimi.

Dhe në planin e përgjithshëm rregullues të Tiranës, të miratuar në atë kohë nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, nuk ka pasur asnjë ndërtesë mbi tetëkatëshe, në asnjë zonë.

Muharrem Kurti: Përshëndetje doktor Berisha, në fjalën tuaj në Strasburg ju deklaruat se mbi 90% e mediave kontrollohen nga qeveria dhe interesa të lidhura me të.

Çfarë provash konkrete u keni paraqitur institucioneve evropiane për këto pretendime?

Sali Berisha: Faleminderit Muharrem, pyetje e rëndësishme. Raportet ndërkombëtare, kjo shifër nuk është e imja. Nuk është e Partisë Demokratike. Kjo shifër është e disa raporteve ndërkombëtare nga persona që kanë vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri. Dhe kjo është e vërteta.

Edi Rama ka përdorur një tregues tjetër të turpshëm. Ka përdorur përmendjen e emrit, dhe duke qenë se mediat e kontrolluara prej tij porositen të sulmojnë nga mëngjesi deri në darkë non-stop dhe të lakojnë me qindra mijëra herë emrin e Sali Berishës dhe Partisë Demokratike, ky i paraqet para audiencës shqiptare, ndërkombëtare si dëshmi se mediat mbështesin opozitën.

Por ne llogaritëm më pas, dhe i kam paraqitur publikisht të gjitha emisionet në katër mediat kombëtare, dalin se mbi 70% të lajmeve, të komenteve, të studiove janë të gjitha për qeverinë.

Avokat Ndre Molla: Përshëndetje doktor Berisha. Nëse reformën territoriale e miratojnë pa konsensusin e opozitës, nëse reformën zgjedhore e miratojnë pa konsensusin e opozitës, cila do të jetë strategjia e Partisë Demokratike për t’iu përgjigjur praktikisht kapjes së zgjedhjeve?

Sali Berisha: Protestë, protestë dhe vetëm protestë. Një përshëndetje të përzemërt Ndre për ty.

Faktikisht, zgjedhjet janë të kapura, tërësisht. Ndryshimet e reja ligjore që ka sjellë Edi Rama në Kodin e Procedurës Penale janë ndër të tjera amnisti për të gjitha krimet zgjedhore.

Pra, Edi Rama kapjen e zgjedhjeve dhe shndërrimin e tyre në farsë, e ka të një rëndësie jetike, vendimtare për fatin e tij. Por, ne do ftojmë shqiptarët t’i japin fatin që meriton.

Ky do jetë qëndrimi ynë.

Adela Bejshaj: Z. Berisha, SPAK ka kontrolluar banesën e Ron Yeffet dhe ka kryer kontrolle në Ministrinë e Mbrojtjes pas përgjimeve të publikuara në Syri TV. A keni sinjalizuar ju përmes deputetëve NATO-n për këtë skandal të rëndë, pasi po flasim për trafik ndërkombëtar armësh?

Sali Berisha: Ne kemi përgatitur çdo material dhe kemi informuar, dhe vazhdojmë të informojmë non-stop aleatët dhe miqtë tanë.

E vërteta është që, Roni Yeffet, në bashkëpunim me Engjëll Agaçin dhe Belinda Ballukun, në bashkëpunim me Vlora Hysenin, ka kontrolluar gjithçka në këtë vend.

Aktiviteti më kriminal i këtij njeriu, përveç kontrabandës që është një aktivitet kriminal, qëndron në faktin tjetër se Edi Rama i ka dhënë kësaj kompanie 40 milionë euro. Kompanisë së Roni Yeffet, Ardi Veliut dhe zonjës Puca. Ata kanë blerë makina, të cilat i ka blerë po qeveria shqiptare. Imagjinoni, i japin paratë, blejnë makinat, makinat e blera ia shesin Edi Ramës. Ndajnë paratë me Edi Ramën pra, nuk ka skemë më korruptive sesa kjo.

Petrit Hamiti: Z. Berisha, drejtori i Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve tha se ka pastrim masiv parash në ndërtim, se ky është i vetmi sektor i zhvilluar. Pra, konfirmoi akuzat tuaja. A duhet të thirret në SPAK Ervin Koçi, se kjo deklaratë vjen në ditët kur Edi Rama prezanton kulla të reja në Shqipëri?

Sali Berisha: Drejtori ka thënë një të vërtetë e cila ndodh në Shqipëri prej disa vitesh.

E vërteta është se sot treguesi i ndërtimit në Shqipëri është tre herë më i lartë sesa në Bashkimin Evropian. Dhe kjo vetëm e vetëm se në ndërtim, kartelet më të fuqishme të drogës në Europë lajnë tonelatat e narko-eurove dhe narko-dollarëve të tyre.

Kjo ka pasur një çmim të tmerrshëm për shqiptarët. Me qindra dhe mijëra ndërmarrje eksporti, që shisnin dhe me euro apo me dollarë, kanë falimentuar për shkak të zhvlerësimit dramatik prej 32 dhe 35% respektivisht të euros dhe dollarit.

Prodhimi industrial ka rënë sipas Eurostat me 15.3%. Prodhimi bujqësor është në kolaps të plotë.

Qindra mijëra vende pune u shkatërruan dhe shqiptarët u detyruan të largohen nga vendi. Pra, është paraja e drogës ajo që po rrënon ekonominë e vendit.

Edison Leti: Z. Berisha, Edi Rama propozon shkrirjen e 15 bashkive, mes tyre edhe Klosin, por nuk prek bashkinë e Vaut të Dejës. A mendoni se Vau i Dejës përjashtohet nga i njëjti standard sepse drejtohet nga Partia Socialdemokrate e Tom Doshit dhe votat e tre deputetëve të PSD-së i duhen mazhorancës për reformën territoriale?

Pra a kemi përpara një reformë të mbështetur në kritere territoriale dhe interesin e qytetarëve apo një hartë ku bashkitë ruhen ose shkrihen sipas pazareve dhe nevojave për kartonë në parlament?

Sali Berisha: Ka vetëm një kriter, kriteri elektoral që i intereson Edi Ramës. Qytetarët kudo janë të shumëzuar me zero. Interesat e tyre janë të shumëzuara me zero.

Fabio Hunda: Përshëndetje Doktor, ju keni nisur foltoren e ripërtëritjes dhe po flisni për një PD të ripërtërirë. Çfarë do të jetë konkretisht ndryshe në PD-në që ju po ndërtoni, krahasuar me opozitën e viteve të fundit?

Sali Berisha: Së pari, kjo shënon një hapje të fuqishme drejt të rinjve dhe drejt vajzave dhe grave.

Së dyti, kjo shënon një zhdërvjelltësi të plotë në komunikim, nga kryetari i partisë tek anëtari i seksionit.

Së treti, kjo shënon modernizimin dhe digjitalizimin e Partisë Demokratike. Funksionalizimin e saj në të gjitha hallkat.

Por kjo, para së gjithash ka synim, një vizion për ripërtëritjen e Shqipërisë. Shqipëria është në sallë emergjente. Ajo ka nevojë emergjente t’u japësh përgjigje një sërë problemesh në të cilat, me të cilat përballen qytetarët çdo ditë.

Dhe problemi më kryesor që përballen qytetarët sot është varfëria. Është skamja. Është papunësia. Është nga vjedhja e tmerrshme që u bëhet atyre.

Në këtë kuadër, Partia Demokratike ka një program emergjence, me të cilin do të dyfishojë rrogat dhe pensionet.

Do të vendosë minimumin jetik 200 euro.

Do të heqë taksat mbi të gjitha mallrat bazë për qytetarët.

Do përballojë çdo shpenzim për fëmijën e parë, dhe fëmijën e dytë dhe fëmijën e tretë.

Do të angazhohet në një politikë ripopullimi, me një kuadër ligjor dhe stimul konkret për të gjithë ata që rikthehen në Shqipëri.

Do të ulë taksat për bizneset në mënyrë që ata të mund të dyfishojnë kapacitetet dhe investimet e tyre.

Do garantojë garën e ndershme dhe të lirë për çdo biznes.

Zero tolerancë ndaj drogës, krimit dhe krijimin e Agjencisë Kombëtare të Konfiskimit të të gjitha pasurive të paligjshme të politikanëve, oligarkëve dhe të cilitdo, kudo që janë në territorin e Shqipërisë apo jashtë saj. Shndërrimin e tyre në të mira për qytetarin shqiptar.

Pashk Gjoka: Përshëndetje Doktor. Nëse prokuroria dhe gjykata speciale nuk munden ta hetojnë dhe arrestojnë Ramën, Veliajn, Olsin dhe bashkëshorten, Lindën, pse nuk i hetojnë dhe ndalojnë? Rama kërkon të shtyjë ditët dhe të arrijë të vjedhë zgjedhjet lokale. A duhet të veprojë më shpejt opozita?

Sali Berisha: Opozita dhe populli opozitar duhet të bëjë gjithçka ta çojnë Ramën në bankën e akuzës. Është shumë e drejtë kjo që thoni ju Pashk!

Do të ishte e gabuar në qoftë se mendohet se narkodiktatorin dhe shtetin e tij do mund ta çmontojnë një grusht prokurorësh.

Duhet qytetarët ta çmontojnë atë dhe ne do bëjmë gjithçka që kjo të ndodhë.

Nikola Niko: Në Strasburg e cilësuat Shqipërinë si narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Europë. A prisni që ky qëndrim të prodhojë një reagim konkret nga Këshilli i Europës dhe institucionet evropiane?

Sali Berisha: Pyetje e drejtë. Do insistoj që të prodhojë.

Një gjë është e sigurt, që bashkëbiseduesit e mi e kanë të qartë si drita e diellit se Shqipëria është një narko-shtet dhe se faktet, dokumentet që unë kam paraqitur janë të pakundërshtueshme, dhe se qytetarët shqiptarë kanë nevojë shumë për mbështetjen e tyre, ndihmën e tyre, për të çmontuar narko-shtetin.

Agron Bakalli: A e shihni Partinë Socialiste si më superiore dhe Partinë Demokratike si më inferiore në këtë 15 vitet e fundit?

Sali Berisha: Më vjen keq, kurrë. Partia Socialiste është parti e krimit të ndërthurur z. Bakalli. Dhe krimi s’mund të konsiderohet kurrë superior!

Ju mund të më thoni mua se po lëndoni socialistët e thjeshtë. Nuk e kam fjalën për socialistët e thjeshtë. Por elita e Partisë Socialiste është kryekëput një elitë kriminale dhe më thuaj ti mua një prej tyre të të jap fakte dhe dokumente për të.

Ata deputetë që janë aty dhe që heshtin ndaj gjithçkaje që bën kreu i tyre, ata nuk mbrojnë Edi Ramën. Ata mbrojnë pasuritë e tyre të krimit. Ata mbrojnë lidhjet e tyre me bandat dhe krimin.  Ndaj dhe nuk mund të bëhet asnjë lloj krahasimi i nderuar zotëri, midis Partisë Demokratike dhe një organizate kriminale. Organizatë të vërtetë kriminale, të kryesuar nga Edi Rama.

Ju mund të më thoni, zgjedhjet? Është fatkeqësi në qoftë se e mendoni. Pse? Një narko-shtet nuk bën zgjedhje. Një narko-shtet zhvillon farsa, por të paktën këtë arritëm. Arritëm ta damkosim para komunitetit ndërkombëtar.

Pra, është e kundërta, unë shoh një opozitë që qëndron në kushtet më të vështira dhe kjo përbën epërsi të pakontestueshme morale.

Shoh një opozitë që u përpoqën ta zhdukin, por që qëndroi e pamposhtur.

Shoh një opozitë, e cila ka qëndruar ndaj të gjitha krimeve dhe i ka paralajmëruar ato kohë pas kohe dhe në mënyrë të përsëritur para shqiptarëve.

Z. Bakalli, sot nuk del asnjë problem i vetëm që ne si opozitë të mos ia kemi paraqitur publikut, të mos i kemi denoncuar.  Çfarë dua të them me këtë? Ne qëndruam si opozitë e vërtetë, siç na takonte dhe i shërbyem interesit publik në një kohë kur të tjerët qëndruan si organizatë kriminale. Tërësisht. Qëndruan si parti e bazuar në miliardat e drogës, të kontrabandës, të vjedhjes së taksave tuaja, të vjedhjes së pronave publike.

Jo, nuk ka gjë më të zezë se kjo forcë politike. Epërsia është e padiskutueshme e Partisë Demokratike në rrafshin moral.

Erenik Peka: Z. Berisha, a keni dyshime të arsyeshme se struktura e SHISH e drejtuar nga Vlora Hyseni, ka aplikuar metoda përgjimi ndaj eksponentëve të Partisë Demokratike? A do të kërkoni komision hetimor parlamentar?

Sali Berisha: Struktura e SHISH drejtohej nga Ergys Agasi, gjë të cilën unë e kam denoncuar vite më parë.

Në fakt dëgjova një natë një debat televiziv dhe një nga gazetarët i tha kolegut të vet: “po ne i dinim këto gjëra”.

Në fakt, ato ishin të ditura dhe ne i kishim denoncuar ato me dhjetëra herë.

Kështu që shërbimi informativ i drejtuar nga Ergys Agasi, jo vetëm që ka regjistruar, survejuar, opozitën dhe kundërshtarët e tij, por ka të dhëna të plota që ka përgjuar zyrtarë, ministra, deputetë të partisë në pushtet, partisë së krimit në pushtet. Dhe po kaq të plota që ka përgjuar të gjitha ambasadat dhe shërbimet e huaja në Shqipëri.

Duke shkelmuar në këtë mënyrë Konventën e Vjenës, shkelmuar traktatet ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë. Dhe këto do të dalin.

I kemi denoncuar në kohë, i denoncojmë prapë sot, sepse të përgjosh shërbimet diplomatike në Shqipëri, lëvizjet e të huajve në një vend aleat të NATO-s, e bën vetëm për qëllime armiqësore ndaj këtyre vendeve, duke kërcënuar sigurinë e tyre, duke kërcënuar sigurinë e personave të përgjuar.

Por koha do t’i provojë këto dhe jo vonë.

Dajona Ruka: Përballë këtyre problemeve ekonomike, çfarë alternative konkrete do t’ju ofrojë PD-ja shqiptarëve? Ulje taksash, rritje pagash, ulje çmimesh, apo një model tjetër ekonomik?

Sali Berisha: Një ndërhyrje emergjente, zonja Ruka, për të lehtësuar dhimbjet e skamjes dhe të varfërisë, sipas statistikave të mbi 40% të shqiptarëve.

Kjo ndërhyrje do të konsistojë në dyfishimin e rrogave dhe pensioneve që në mandatin e parë.

Në vendosjen që në vitin e parë të minimumit jetik 200 euro.

Në rimbursimin e plotë dhe total të të gjitha ilaçeve për pensionistët.

Në heqjen e taksave për të gjitha mallrat bazë ushqimore dhe të tjera për shqiptarët.

Në anulimin e menjëhershëm të Ballkanit të Hapur që shkatërroi prodhimin bujqësor shqiptar.

Në uljen e taksave për biznesin dhe garantimin e një konkurrence të lirë.

Rikthimin e garës në prokurimet publike.

Pesëfishimin e mbështetjes për fermerët shqiptarë.

Nafta për qytetarët nuk do mund të shitet kurrë më shumë sesa në Maqedoni dhe Kosovë.

Pra, ne kemi një seri masash emergjente për të lehtësuar gjendjen ekonomike, vuajtjen ekonomike të qytetarëve.

Krahas kësaj, politika e ripopullimit do të garantojë angazhimin tonë me çdo çmim në këtë politikë. Sot një fëmijë kushton 66% të rrogës, nuk do kushtojë asnjë qindarkë në politikën e ripopullimit.

Sot qiraja kushton sa një rrogë mesatare. Shteti do angazhohet në ndërtime të fuqishme sociale me qëllimin e vetëm për të ulur çmimet në nivele të pranueshme. Të rinjtë, familjet e reja do kenë kredi me zero interes, pa interes, për strehën e tyre familjare.

Pra, një paketë masash emergjente do të zbatohen për t’i dhënë një përgjigje emergjente kësaj situate.

Do të rimbursohen të gjitha ilaçet për pensionistët, do rimbursohen 100% ato.

Fatura që paguajnë sot shqiptarët, që është 60% e faturës së kujdesit shëndetësor e paguajnë nga xhepi, do të ulet në nivelet europiane.

Këto do ishin disa nga hapat që do të ndërmarrim me urgjencë.

Artur Elezi: Si ka mundësi që SPAK shkon dhe mbledh telefonat e të gjithë ushtarëve dhe jo shefit të tyre, Edi Rama?

Sali Berisha: Pyetja është shumë e drejtë.

Unë po kthehem nga Strasburgu, dhe në takimet që zhvillova atje, garantova bashkëbiseduesit e mi se paketa ligjore e ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale është paketa me të cilën Edi Rama kërkon të mbrojë veten, familjen, vëllanë, ministrat e tij, pra organizatën e tij kriminale.

Sepse, ua bëra të qartë bashkëbiseduesve të mi, në dosjen Balluku 60% e dosjes është për Edi Ramën. Nga 6000 mesazhe në dosje, 4000 janë për Edi Ramën dhe të Edi Ramës.

Në dosjen e Ermal Beqirit janë urdhrat e Edi Ramës për regjistrimin e misioneve diplomatike në Shqipëri dhe të huajve të tjerë që kanë lëvizur në territor, regjistrimin e opozitës dhe regjistrimin e kundërshtarëve të tjerë politikë brenda partisë së tij.

Se në dosjen e Vlora Hysenit janë porositë më kriminale të Edi Ramës për të dhënë, për të transportuar, transferuar, sekretet më të mëdha të shtetit në duart e karteleve të drogës dhe armiqve të NATO-s dhe të Shqipërisë.

Se në dosjen e Lubi Ballukut, thashë, 60% e të gjithë dokumenteve janë për Edi Ramën.

Në dosjen e Erionit të Fikut, Ardi Veliut, janë të gjitha urdhra dhe ndarje parash të kontrabandës dhe parash të buxhetit me Edi Ramën.

Ndaj dhe ua shpjegova shumë qartë që SPAK nuk vepron ndaj Edi Ramës sepse ai e ka në kontroll atë.

Besmir Lleshi: A keni informacion nëse Rama, Vlora Hyseni dhe Gys Agasi janë takuar të tre së bashku tek vila e kuqe?

Sali Berisha: Takimet me Ergys Agasin dhe Vlora Hysenin i kanë bërë në vilën e Ergys Agasit, në të cilën Edi Rama, sipas dëshmitarëve, ka qenë arkitekti i interierit të saj, i brendësisë së saj. Aq sa, ka njerëz që kanë dyshime shumë të mëdha që ajo vilë është e Ramës dhe jo e Ergysit. Këtë unë nuk mund ta them.

Pra kam pasur dokumente, nuk i kam publikuar. Dua ta them këtu. Qytetarë digjtalë më kanë dërguar mua fotografinë e Vlora Hysenit duke hyrë në banesën e Ergys Agasit, në vilën e tij. Nuk e kam publikuar sepse nuk e dija a është e martuar a e pamartuar, dhe e kam një rregull që nuk hyj në këto sherre.

Por e vërteta është se, e kam dëgjuar që thotë s’jam takuar, ajo është takuar dhe fotografia më është dërguar nga qytetarët dixhitalë. Ky është realiteti.

Sikundër, pra unë po flas për vilën, nuk po flas për zyrën, që zyra e tij ka qenë ajo që po del dhe po flasin njerëzit.

Ata kanë qenë të pandarë. Ergys Agasi në telefonat e tij, kërcënonte me vrasje. U thoshte, domethënë kërcet plumbi, ty të merret koka. Kurse kjo ia fikte radarët Ergys Agasit, e kuptoni ju vetë tani se çfarë kriminele e ligë është kjo, që Edi Rama thotë, kanë thënë aleatët, po kjo është një tradhtare e keqe e aleatëve, e shqiptarëve në radhë të parë, e flamurit të vet në radhë të parë. E misionit dhe detyrës. Kjo është nga analet e turpit botëror.

Shefe e shërbimit që duhet të dëshmonte integritetin më të lartë në detyrë. Po i zgjedhur nga një llum mbi llumin, sigurisht u zgjodh për të bërë ato që ka bërë.

Eda Grimci: Doktor, kur dyshimet për korrupsion prekin kaq shumë ministra dhe shtrihen nga AKSH-i tek Agasi, tek Balluku dhe tek Hyseni, a mund të flasim ende për përgjegjësi vetëm individuale apo duhet kërkuar llogari për mënyrën si është drejtuar shteti. Si do ta çojmë ne si PD betejën deri tek përgjegjësia politike e Ramës pa e lënë të mbyllet me largimin e disa emrave. Rama ministrat i zgjedh vetë, por përgjegjësinë politike për skandalet e qeverisë së tij nuk ua shkarkon dot të tjerëve, vetëm atyre që kanë rënë në rrjetën e SPAK.

Sali Berisha: Rama nuk zgjedh vetëm ministrat, po vjedh bashkë me ta. Nuk ekziston një vjedhje ministrash, ku të mos jetë Edi Rama aksioneri kryesor.

Le t’i pyesim shqiptarët, çfarë e shtynte Edi Ramën të dilte me një pincë të thyer dhe gërshërë të ndryshkura nëpër studio, kur bëheshin koncesionet në shëndetësi?

Si mundet kryeministri të dalë në studio e të mashtrojë në mënyrën më të turpshme, në një kohë kur çdo vit bëheshin në Shqipëri mijëra e mijëra ndërhyrje kirurgjikale. Në një kohë kur e vërteta është që në setet kirurgjikale kishte edhe të praruara, të fëmijëve, servise për fëmijë të praruara, ashtu siç duheshin.

Dhe ky për xhepat e tij, për moralin e tij, mashtronte shqiptarët, u thoshte: shihni këtë pincë me një krah, ja me këtë operonin, shihni gërshërën e ndryshkur. Sepse vidhte. Sepse rriste çmimin e sterilizimeve 83 herë.

A ju kujtohet ju kur e patë në televizor me një zonjë magjike, e cila na prodhonte makina ushtarake të cilësisë më të lartë në Bulqizë. Në Bulqizë!

Industrialistja e madhe Puca në Bulqizë!

Dhe Rama nëpër televizione: ja ç’kemi, zbulim i madh. Një hajdute me çizme, me Roni Yeffet dhe Edi Ramën.

Kjo zonjë me Ardi Veliun dhe Roni Yeffet, merr nga Edi Rama 38 milionë euro. Blen makina ku i blen, dhe ia shet po Edi Ramës. Dhe këto para që u dhanë për të blerë makinat, ndahen midis Edi Ramës, Roni Yeffet, etj.

Marrim dosjen Balluku. Po kush e çoi Ramën në Ankara, më thoni mua pak, të dashur qytetarë? E çoi Belinda, apo Rama mori Lubinë në Ankara? Para se të shkojnë anuluan tenderin e tunelit të Llogarasë që ishte i fituar me 130 milionë euro nga kompania sllovene. Se këtë nuk e thonë mediat, nuk e citojnë mediat kompaninë sllovene.

Anuloi tenderin dhe shkoi atje gjeti kumbarën turk me 190 milionë. Erdhi këtu, famozin Gjoka, i cili ishte paraqitur vetë në tender për 140 milionë. Dhe tenderin e fiton turku me 190 milionë, e ndërton tunelin Gjoka për 140 milionë dhe 50 milionë në xhepat e kujt? Të Lubisë? Jo, të Ramës në radhë të parë, pastaj të Lubisë.

Pra, në të gjitha dosjet që ne shohim, Rama është protagonisti i parë.

Bajram Palushi: Z. Berisha, vetëm një ditë pasi Rama tha se Shqipëria ka nevojë për arkitektë të huaj, sepse vendi nuk ka ende kapacitetet dhe dijet për projektimin e kullave, ‘The Guardian’ publikon dëshminë e arkitektit që projekton kuzhina, dhe jo kulla, i cili thotë se u kontaktua nga një prej bashkëpunëtorëve të Ramës dhe iu kërkua të projektonte dy kulla me 45.000 metra katror. Si ndalet Rama nga kjo masakër që po i bën vendit?

Sali Berisha: Vetëm revolta e përgjithshme popullore e ndal këtë kriminel nga kjo masakër që po bën.

Të falenderoj për shembullin dhe falenderoj dhe gazetarin e ‘Guardian’ për hetimin që ka bërë.

Por unë po ju rikujtoj juve muratorin. Ju kujtohet ju, kur për analizat ai bëri një zgjidhje dhe tha kam gjetur njeriun unë. Çfarë ishte ai? Ai ishte një murator shqiptar në një qytet italian që kishte një skuadër të vogël ndërtimi. Ky ishte biznesmeni që ishte marrë me sterilizimet apo me analizat.

Është identike me zonjën Puca, e cila na prodhonte makina ushtarake në Bulqizë. E kuptoni ju apo jo? Prodhonte dhe të standardeve më të larta.

Në këtë mënyrë Rama hapte rrugë për vjedhje të reja.

Po kështu, ai e ka projektin të asaj kulle, po kërkon tani të gjejë një prestanome.

Donika Ndoj: Doktor, në kulmin e skandaleve për korrupsion të qeverisë, dhe kur priten materiale edhe më komprometuese që pritet të dalin sipas asaj që ka deklaruar ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj, shqiptarëve iu serviren video me përmbajtje erotike të disa artistëve. Kush fshihet pas publikimit të tyre në dijeninë tuaj, dhe a po hidhen në treg për të mbuluar ndonjë aferë më të madhe ku mund të jetë drejtpërdrejt i përfshirë vetë kryeministri?

Sali Berisha: Absolutisht ato i servir në treg Edi Rama për të zhurmuar skandalet e tmerrshme të tradhtisë më banale, më të turpshme, të shefes së shërbimit, një bashkëpunëtore e shpifur e organizatave më kriminale, karteleve më të fuqishme të drogës, me Ergys Agasin.

Ato bëhen për të zhurmuar amoralitetin e kësaj qeverie në të gjitha aspektet.

Ato bëhen për të zhurmuar lidhjet e Edi Ramës me kartelet e drogës, vjedhjen e qindra e qindra milionë eurove nga ai, skandalet e vëllait të tij, të ministrave të tij.

Nuk kanë asnjë qëllim tjetër!

Për të mos thënë tjetrën, po kjo do hetim. Thuhet që ai prej kohësh është marrë. Thashë kërkon hetim, me hakerimin dhe gjetjen e këtyre lloj videove, se mund t’i duheshin një ditë.

Unë bëj thirrje të bëhet një hetim i fortë edhe për këtë mundësi, se hakerat kryesorë në Shqipëri, janë hakerat e Edi Ramës.

Emanuel Mani: Doktor thonë se robi plaket kur do vetë. Ju, kur dëshironi të plakeni?

Sali Berisha: Emanuel, sekreti i rinisë së përjetshme është puna. Unë këtë sekret e kam përdorur në mënyrën më efiçente dhe e përdor. Kështu që vazhdoj me bindjen se vitet janë numra, thjesht numra. Faleminderit shumë.

FJALA PËRMBYLLËSE

Të dashur miq, mirupafshim javën e ardhshme dhe njëherë ndjesë për vonesën.

U ftoj të mobilizohemi, të angazhohemi në protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur vendi, ditën e diskutimit në parlament të reformës territoriale.

Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale