Berisha: Thirrja ime është, ditën e hënë, në ora 18:00, të gjithë marshim në Tiranë për qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe një Shqipëri pa burgje dhe persekutime politike

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediat është shprehur se ftoj qytetarët nga të katër anët e vendit, por edhe vende të tjera, të bashkohemi në Tiranë në marshimin tonë për qeveri teknike, zgjedhje të lira, një Shqipëri pa burgje dhe persekutime politike.

Berisha tha për gazetarët se protesta është konceptuar si lëvizje në të cilën qytetarët me protestën e tyre i tregojnë regjimit se janë zotër të këtij vendi.

Në konferencën për mediat, kryedemokrati është shprehur se besoj se sot nuk ka shqiptar të ndershëm, shqiptar që është për respektimin e votës së lirë, që beson se Edi Rama lejon zgjedhje të lira. Berisha theksoi se jemi të bindur se Edi Rama nuk e do këtë gjë, por ju garantoj se ne nuk do heqim kurrë dorë prej saj.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita dhe përshëndetjet më të përzemërta për ju gazetarët e pranishëm në selinë e PD, qytetaret dhe qytetarët shqiptarë që ndjekin këtë konferencë shtypi me ju.

Së pari, dua të përsëris edhe njëherë thirrjen time dhe të PD për çdo demokrate e demokrat, për çdo opozitare e opozitar të vërtetë, për çdo qytetare dhe qytetar shqiptar, që beson tek vota e lirë, që beson se vullneti i tij duhet të respektohet, që beson tek Kushtetuta dhe shteti ligjor, që beson se Edi Rama në të gjithë qenien e tij është një armik i egër i votës së lirë.

Është një armik i egër i shtetit ligjor dhe demokracisë.

Se ai ka instaluar në Shqipëri autokracinë elektorale, në të cilën me industrinë e blerjes së votës, me shtetin e tij elektoral, me makinerinë gjigante të frikësimit të zgjedhësve, kontrollon njëlloj si në diktaturat ideologjike, vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Thirrja ime është, ditën e hënë, në ora 18:00, të gjithë marshim në Tiranë për të drejtat tona më themelore.

Për një qeveri teknike dhe zgjedhje të drejta.

Kundër dhunës ndaj opozitës dhe arrestimeve politike.

Kundër vjedhjeve të pashembullta në historinë e këtij vendi nga personalisht Edi Rama dhe klani i tij kriminal.

Kundër narkoshtetit që ka shndërruar Shqipërinë në protektorat të mafies më të keqe të Europës.

Kjo protestë është protestë që buron nga idealet dhe ndërgjegjja e çdo qytetari shqiptar.

Por edhe e çdo patrioti që e don kombin shqiptar dhe që e don Shqipërinë.

Çdo shqiptari patriot që nuk mund të pajtohet kurrë me qëndrimet prej argati të Beeogradit të Edi Ramës ndaj Kosovës.

Përpjekjet e tij për shpërbërjen e Republikës së Kosovës dhe ndarjes së saj.

Përpjekjet e tij për vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon, një projekt i mirëfilltë ruso-serb.

Izolimin që ai i bëri Kosovës.

Dhe së fundmi, thikën e tmerrshme që kërkoi t’i fusë vlerës më supreme që ka kombi shqiptar, vlerës së tolerancës fetare dhe bashkëpunimit ndërfetar, duke krijuar shtetin e parë islamik në Europë, njoftim që bëri në OKB, ku u paraqit si Ajetollah Ramullahu dhe mahniti audiencën me atë që dëgjuan, por që në fakt kishte vetëm qëllimet më të liga, më djallëzore të vetat dhe të Beogradit ndaj shqiptarëve, qëllimet mafioze të një banke dhe pasaportave diplomatike për klanet e drogës dhe krimit shqiptar dhe ndërkombëtar.

Qytetarë dhe qytetare, dita e hënë, ora 18 është radha jonë, është radha e guximit tonë, është radha e idealeve tona.

Është radha e fitores sonë.

Ndaj dhe ju ftoj nga të katër anët e vendit, por edhe vende të tjera, të bashkohemi në Tiranë në marshimin tonë për qeveri teknike, zgjedhje të lira, një Shqipëri pa burgje dhe persekutime politike.

PYETJE PERGJIGJET:

Osman Stafa, News24: Protestat e PD ndërvite kanë qenë nga më të ndryshmet, por në momentin që janë organizuar në Tiranë, janë organizuar tek kryeministria, për të mbushur bulevardin. Kjo mund të jetë ndër të para protestat ku ju u kërkoni qytetarëve nga e gjithë Shqipëri të mos bashkohen para kryeministrisë, por të bllokojnë Tiranën. Çfarë ka ndryshe kjo protestë?

Sali Berisha: Skenarin e saktë të kësaj proteste do ta merrni vesh ditën e hënë në ora 18:00. Po, në tërësi është konceptuar si një protestë në të cilën qytetarët me protestën e tyre i tregojnë regjimit se janë zotër të këtij vendi.

Osman Stafa, News24:  Ju prej kohësh keni bërë thirrje për qeverinë teknike e cila ka marrë si përgjigje nga eksponentë të PS, një jo. Sa e vendosur është PD dhe a mendoni se do të arrini të detyroni Ramën të ju japë qeverinë teknike pa Ramën, kryeministër.

Sali Berisha: Më së pari, kur shpall një kauzë, duhet të jesh i sigurt, i ndershëm, i qartë se ajo është një kauzë e drejtë. Dhe unë besoj se sot nuk ka shqiptar të ndershëm, shqiptar që është për respektimin e votës së lirë, që beson se Edi Rama lejon zgjedhje të lira. Se mohon se Edi Rama ka krijuar një industri gjigante të blerjes së votës, një makineri gjigante të frikësimit me patronazhistët terroristë elektoralë, me banditët, vrasësit, trafikantët dhe mekanizma të tjerë të frikësimit të qytetarëve. Pra, kjo është një kauzë e drejtë për të cilën ia vlen të luftosh dhe të sakrifikosh me të gjithë forcën për realizimin e saj. Ne jemi të bindur se Edi Rama nuk e don këtë gjë, por ju garantoj se ne nuk do heqim kurrë dorë prej saj. Kjo është e vërteta. Pra, marrë pak më veças, ne e kemi këtë mision kryesor. Është e drejtë, është shumë e drejtë që populli opozitar të presë nga opozita mbrojtjen e votës, por një opozitë demokratike nuk merr përsipër kurrë mbrojtjen me armë. Një opozitë demokratike merr përsipër mbrojtjen me metoda demokratike dhe ne garantojmë se pa qeveri teknike, vota e qytetarëve ka vdekur para se të hyjë në kuti. Ndaj dhe si një përpjekje të madhe qytetare dhe opozitare për mbrojtjen e votës së shqiptarëve, të shkojmë në qeveri teknike siç shkon Greqia në çdo zgjedhje dhe disa vende të tjera, të cilat i kanë harruar problemet elektorale, duhet të shkojë edhe Shqipëria në këtë drejtim në interesin më të mirë të paqes, stabilitetit në Shqipëri dhe zhvillimit të saj.

Osman Stafa, News24: Ditën e hënë në orën 18:00 do të ketë fjalime?

Sali Berisha: Ditën e hënë në ora 18:00, fjalën e ka qytetari. Qytetarët janë politikanët, janë zotërit e Tiranës.

Isa Myzyraj, OraNews: Teoria e politikës dhe shtetit është se dhuna, është monopol i shtetit. Ditën e hënë do të respektohet kjo teori nga PD, opozita dhe qytetarët?

Sali Berisha: Isa, mos u fut në doktrinat e shtetit se ka shtete terroriste, ka shtete demokratike, ka narkoshtete dhe janë shtete të ndryshme, Ajo që qytetarët do bëjnë ditën e hënë, do të tregojnë guximin, do shprehin revoltën e tyre me të gjitha mjetet e mosbindjes civile.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju lajmëroni qytetarët dhe mbështetësit që ditën e hënë në orën 18:00 të jenë në Tiranë dhe të nisin mosbindjen civile nga kryeministria në rrugë të vendit. Me anë të kësaj thirrje, ju i bëni një paralajëmërim edhe policisë që ka nisur të marrë masa. Keni një mesazh për policinë?

Sali Berisha: Mjerë ai që provokon qytetarët dhe zemërimin e tyre. Ky është mesazhi im për çdo provokator, narkokomisar, narkopolic apo narkozyrtar. Besoj se kjo ishte përgjigja për ta.

Ardit Hoxha, EuroNews: Togfjalëshinë që përdorët ju sot, se protestën do e kenë në dorë qytetarët e kemi dëgjuar edhe më parë, disa ditë para 21 janarit 2011. A mos duhet të përgatitemi në datën 7 tetor për të njëjtat skena që pamë në 21 janar 2011?

Sali Berisha: Ardit, 21 janari u ndërtua mbi një mashtrim, falsifikim dhe etje gjakësore për pushtet të Edi Ramës dhe bandës së tij. 7 tetori është dita për të hapur dyert për shqiptarët për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra, siç e sheh, 7 tetori është thirrur pasi është bërë e qartë për çdo shqiptar se Edi Rama grabit mandatet dhe nuk respekton vullnetin e qytetarëve por e kontrollon atë. Pasi është bërë e qartë për çdo qytetar se ky armik i votës së lirë ka vendosur në arrest dhe ndjekje penale tre drejtuesit e partive kryesore opozitare, i bindur se nuk fiton zgjedhjet. Pasi është bërë e qartë se ai ka rikthyer, si bastard i xhelatit Kristaq Rama, burgosjet politike në Shqipëri. Pra, paralelizma, e para shkon drejt të shkuarës, kjo e dyta shkon drejt të ardhmes së Shqipërisë.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Ju thoni se protesta e të hënës, fjala do të jetë e qytetarëve. Kush është sukses për PD, pjesëmarrja, mesazhet apo ajo çfarë mund të ndodhë pas proteste.

Sali Berisha: 7 tetori do të jetë dita e kthesës së madhe. Do të jetë radha jonë, radha e qytetarëve. Beteja jonë nuk ndalet gjer në krijimin e qeverisë teknike. Pra, qëllimet tona janë qëllimet më demokratike në kuptimin që kërkojmë të hapim rrugën për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, të cilin Edi Rama e ka shndërruar në një farsë të vërtetë. Kërkojmë që Shqipëria të mos jetë më një narkoshtet, por një shtet ligjor, në të cilin ligjet, Kushtetuta dhe të drejtat e opozitës respektohen. Pra, ne kërkojmë gjëra themelore që i mungojnë sot shoqërisë dhe popullit shqiptar.

Isa Myzyraj, OraNews: Në mesazhet drejtuar qytetarëve për protestën e 7 tetorit një nga pikat është edhe situata me SPAK. A do të protestohet para SPAK?

Sali Berisha: Për momentin, Skrapi i partisë është shndërruar në instrumentin më të shëmtuar të narkoshtetit shqiptar, të diktaturës të Edi Ramës të bazuar në lidhjet me krimin, drogën dhe korrupsionin. Është shndërruar në një organ të urryer për shqiptarët, që amniston krimet monstruoze elektorale, duke u bërë mburojë e shndërrimit të procesit zgjedhor në farsë elektorale nga Edi Rama. Ka amnistuar aferat më madhore korruptive të shekullit, që mbajnë firmën e Edi Ramës. Ka amnistuar plaçkitjen dhe grabitjen më të madhe të shqiptarëve nga Edi Rama dhe enturazhi i tij, vëllai i tij, familja e tij, ministrat e tij. Ka një përshtypje dhe një realitet në rastin e Skapit. Ka një përshtypje se arrestoi ministrat e Edi Ramës dhe po lufton korrupsionin. Unë, të dashur gazetarë e gazetare, të dashur qytetarë dhe qytetare, ju ftoj të hidhni me neveri poshtë propagandën dhe trillimet e saj mbi veprimtarinë e Skapit. Në ç’kuptim? Së pari, Skapi nuk ka arrestuar dhe nuk ka dënuar asnjë njeri, cilido qoftë dhe çfarëdo krimi të ketë kryer, të cilin e ka marrë në mbrojtje Edi Rama. Ju vetë e dini se si u përzunë me dru punonjësit e BKH kur guxuan të shkojnë në kryeministri për të kërkuar disa dokumente.  Por Skapi ka amnistuar klane droge dhe shtëpitë më të rrezikshme të mafies shqiptare duke i informuar për mandat-arrestet që të largohen nga Shqipëria. Ka arkivuar në mënyrën më kriminale krimin monstruoz elektoral. Por tani, kthehem tek faktet. Unë u ftoj ju të nderuar gazetarë të lexoni raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit të viteve 2009-2012 dhe raportet e Skapit të partisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme të viteve 2022-2023 për të krahasuar veprimtaritë e tyre në luftën kundër korrupsionit. Çfarë do gjeni? Do gjeni se ajo që quhej task-forcë kundër korrupsionit në vitin 2008-2009, në ato dy vite janë dënuar nga gjykata për korrupsion 630 punonjës të administratës, ndër ta edhe kryetarë të autoriteteve kontraktuese. Kurse në vitet 2022-2023, Skrapi i partisë ka dënuar gjithsej për korrupsion dhe krim të organizuar 190 kriminelë. Pra, ka dënuar tre herë më pak. Pra, vlerësimi i kësaj organizate kriminale që fle mbi dosjet e krimit, që bën pazare dhe vjel ryshfete vrasësve, trafikantëve për t’u modifikuar dosjet, për t’u zhdukur provat, bilanci zyrtar është i pakrahasueshëm, dramatik me atë që duhej të ishte. Edhe njëherë, për ju që jeni aty dhe qytetarët që na ndjekin, sqaroj dy momente. Së pari në vitet 2005 pasi erdhëm në pushtet gjer në vitin 2013, ministrat e kanë pasur të ndalur me ligj, jo vetëm që nuk kanë qenë kryetarë të autoriteteve kontraktuese, por të ndaluar me ligj që të merren me prokurimet publike, kjo sepse në ligjet e vendit, ata merren me politikat e ministrisë. Pikërisht këtu qëndron fakti se në mijëra dosje të kontrolluara, nuk kanë gjetur një ministër dhe nuk do gjejnë, që të ketë shkelur një rregull në prokurimet publike. E dyta, ne jemi njerëz me memorie të shkurtër, por në vitin 2010, në një akt që rezonoi në mbarë botën, Shqipëria mori për shkak të aplikimit për herë të parë në botë të sistemit dixhital të prokurimeve, çmimin e dytë të OKB për transparencën. Sepse ai aplikim, ai program ishte një surprizë botërore dhe BB e certifikoi atë si program për përdorim të gjerë. Pra gjykata në atë kohë dënoi tre herë më shumë se afërmendshi që u bë kryetar me tre apartamente banimi me rrogën e tij dhe të tjerë që flenë mbi dosjet e krimit dhe majmen si shushunja duke vjedhur vrasësit dhe trafikantët për pasurimin e tyre. Sigurisht që gënjeshtra, mashtrimi dhe trillimi përhapen më shumë. Aktualisht dogma se Skrapi është një histori suksesi, nuk është se nuk mbështet, por po i del  çdo ditë e më shumë kallaji.

Dy javë më parë, një NGO, e cila bën analizën vjetore të reformës në drejtësi sorosiane, tregoi qartë se cilat janë rezultatet e Skrapit të Edi Ramës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tregoi qartë se kjo organizatë kriminale nuk guxonte të prekte dosjet që mbanin firmën e Edi Ramës.

Osman Stafa, News24: Si e shpjegoni ju që Komisionin Xhafaj deri tani e ka refuzuar SPAK dhe Gjykata Kushtetuese. Ju thoni që institucionet e drejtësisë janë kapur nga Rama, si ka mundësi që këto institucione e refuzojnë një komision që është ngritur dhe dhënë shumë rëndësi nga kryeministri Rama.

Sali Berisha: Nuk them unë se Skapi është i kapur. Që Skapi është i kapur nga Edi Rama, fakton një seri dosjesh me firmën e Edi Ramës, djegësi i Tiranës, 130 milionë euro që nuk ekziston as nam as nishan, dhe që ka firmën e paligjshme të Edi Ramës për 8 përqind bonus për një kompani që nuk ekzistonte. Nuk ka asnjë qëndrim ndaj Ilir Beqës dhe Edi Ramës për sterilizimin rreth 80 milionë euro që rriti çmimin e sterilizimit të paketës kirurgjikale 83 herë. Nuk ka asnjë qëndrim për ndrikull Nushin, bashkëshorten e kushëririt të Edi Ramës, të cilës ata që nuk marrin dot ilaçet për sëmundjet më të rrezikshme, i paguajnë për analiza që nuk janë bërë kurrë për mbi gjysmë milioni shqiptarë. Nuk hapi çështje për Amant Josifin, që ka vjedhur 2 miliardë euro qytetarëve perëndimorë nën ombrellën e Edi Ramës. Nuk jam unë, por këto janë të vërteta që kanë nisur të kundërmojnë edhe në kancelaritë e mëdha perëndimore. Por e vërteta nuk ka shpejtësinë e gënjeshtrës. Për sa u përket këtyre, këto janë një përpjekje për të treguar, janë një luftë klanesh, me të cilat duan të provojnë se janë të pavarur nga Edi Rama. Por unë nuk marr për bazë këto. Marr për bazë veprimet e tyre antikushtetuese, veprimet e tyre antiligjore me të cilat ato kanë damkosur përfundimisht sistemin e drejtësisë!

Osman Stafa, News24: Të hënën një sms kërcënuese u bë publike nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, se ka ardhur në telefonin e tij. Çfarë mendoni ju dhe a keni indicie se kush është pas këtij mesazhi, për të cilin Bardhi ka bërë kërkesë për hetim edhe në SPAK?

Sali Berisha: Askush tjetër përveç fabrikës së trillimeve, fabrikes qeveritare të trillimeve, falsifikimeve, e cila fillon me Skrapin e partisë dhe përfundon me Engjëll Agaçin, një zinxhir i tërë, Taulant Balla me shokë. Konkretisht duhet një hetim jashtë cdo dyshimi se është makineria e falsifikimit, e trillimit dhe e shpifjeve që punon gjithë ditën nën kupolën qeveritare. Ai ishte një akt i shëmtuar, por që në pamje të parë dukej se ishte një trillim banal, mjeran. Tani, si t’ia bëjmë, meqenëse dalin emrat e Taulant Ballës në dhjetëra e dhjetëra telefonata për afera kriminale nga më të rrezikshmet. Dalin emrat për implikimet e tij në vrasje. Dalin emrat e tij për nxitje, imagjino ti kur i del Nuredin Dumani, Taos si dëshmitar se nuk është ai që ka kërkuar t’i fusin revoltën në kashtë te Manahasa për t’i arrestuar. Del Edi Rama me tre telefonata të koduar, një prej tyre të denoncuar publikisht. Del Edi Rama në sallat e gjyqeve të bandave në Belgjikë. Dalin gjykatës, prokurorë, etj, etj. Pra, çfarë mund të thuash? Kurse meqenëse zoti Bardhi, jo vetëm Bardhi i disponon këto, ata i ka kapë tmerri, ndaj dhe donin të nxirrnin se qenka financuar me 100 mijë euro nga Vis Martini. Dhe u pa shumë qartë se ai ishte një fabrikim që mund të kishte filluar nga Skapi i partisë gjer në zyrat e Edi Ramës. Unë nuk kam besim që do zbardhet, por rëndësi ka që doli se ai nuk ka financuar kurrë Gazment Bardhin. E vërteta është se në qoftë se ka një gjë, të cilën drejtësia duhet ta sqarojë, zhdukjen e Vis Martinit të shoqëruar në takimin e fundit me policinë e shtetit. Të sqarojë nëse ka një lidhje kjo apo jo me zotimin e Edi Ramës se ta dimë targën dhe do e kesh personale. Ky është moment kyç që duhet hetuar, mendoj unë!

Osman Stafa, News24: Ditën e hënë do e ndiqni protestën nga shtëpia jua, meqenëse jeni në arrest shtëpie. Në varësi edhe si të shkojë protesta, ka ndonjë mundësi që z. Berisha ti bashkohet protestuesve.

Sali Berisha: Shpirti im, zemra ime, mendja ime është me çdo protestues në Tiranë dhe kudo në Shqipëri. Të flasësh tani, të krahasosh fiziken me idealen, me shpirtëroren, me zemrën, bie në një banalitet, vulgaritet. Kështu që unë do të jem i pranishëm edhe njëherë në krah të çdo protestuesi…

Ju falënderoj shumë për interesin që treguat dhe njëherë ftesa ime për të gjithë qytetarët shqiptarë që besojnë se duhet të votojnë si zotër të vullnetit të tyre të lirë, që besojnë se një vend me burgosje politike është një diktaturë, kësaj here jo ideologjike, por drogë, krimi dhe vjedhje.

Se proceset politike ndaj lidervë politik dhe qytetarëve nuk janë çështje të drejtësisë së tyre me drejtësinë e diktaturës, por janë çështje të tyre me diktatorin dhe të mbarë shoqërisë me diktatorin dhe instrumentave të tij.

Është radha jonë, është radha jonë, ne do të fitojmë!

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale