Berisha-të rinjve: Ju keni rol vendimtar në fitoren e zgjedhjeve të 11 majit! Nëse ju bëheni imazhi i kësaj fushate, kundërshtari shkatërrohet

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TRAJTIMIN DY-DITOR PËR FRPD ME EKSPERTËT E ‘LEADERSHIP INSTITUTE’

EKSTRAKT

Ka vijuar dita e dytë e trajnimit dy-ditor për Forumin Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë që zhvillohet në bashkëpunim me ekspertët më të njohur të fushatave zgjedhore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe: Ron Nehring, Peter Smallëood dhe John Fluharty, të cilët janë pjesë e ‘Leadership Institute. Në trajnim ishte i pranishëm edhe kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ku gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e lidershipit dhe bashkëpunimit për të arritur suksesin, veçanërisht në kuadër të trajnimit të të rinjve për t’u bërë liderë të ardhshëm.

Berisha tha se, një lider nuk duhet të ketë frikë, pasi frika është armiku më i keq për njeriun.

Kryedemokrati, Sali Berisha shtoi se bashkëpunimi është thelbësor për realizimin e vizioneve dhe projekteve dhe se një lider mund ta arrijë këtë vetëm duke krijuar dhe udhëhequr një ekip. Ai rekomandoi që një lider të fokusohet tek talente dhe aftësitë e anëtarëve të ekipit, duke injoruar dobësitë e tyre, për të arritur performanca të jashtëzakonshme dhe rezultate që duken të pamundshme.

Në fjalën e tij, Berisha theksoi se një kauzë e drejtë nuk duhet të braktiset kurrë, pavarësisht nga vështirësitë që mund të paraqiten.

Berisha solli si shembull PD-në gjatë tre viteve të fundit, ku shumë gjëra që dukeshin të pamundura u bënë të mundura, dhe thekson se tani ka një tjetër “të pamundur” përpara, që është fitorja kundër narkoshtetit dhe fitorja e zgjedhjeve. Ai e konsideroi të jashtëzakonshme forcën morale të partisë në këtë betejë.

Kryetari i PD, Sali Berisha iu drejtua të rinjve dhe theksoi rolin e tyre vendimtar në fitoren e zgjedhjeve të 11 majit. Ai shpjegoi se, ndryshe nga dikur, nuk kanë përballë një diktaturë komuniste, por një narkodiktaturë, dhe se kjo betejë nuk është thjesht për një zgjedhje, por një mision që duhet realizuar.

Berisha beson fort se energjia, përkushtimi dhe imazhi i të rinjve janë thelbësore për suksesin e fushatës. Ai thekson se, nëse të rinjtë bëhen imazhi i kësaj fushate, kundërshtarët do të “shkatërrohen”. Berisha beson se, duke dominuar skenën dhe duke sjellë energji të rinjve, kundërshtarët nuk mund të krahasohen me ta.

Kreu i PD, Sali Berisha u bëri thirrje të rinjve të vazhdojnë betejën me besim të plotë në fitoren që i pret, duke iu referuar mësimeve dhe eksperiencave që ata kanë përfituar.

FJALA E PLOTË

Kënaqësi e madhe për ne që zhvillojmë këtë takim në praninë tuaj, por është gjithashtu edhe një ogur i bardhë për koalicionin tonë, për këta të rinj që marrin trajnim si liderë të ardhshëm, kjo e tëra në prag të një beteje elektorale të cilën ne do ta fitojmë.

Trajnimi i të rinjve tanë nga Instituti i Lidershipit, një institut me reputacion botëror në këtë fushë, e konsideroj një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm për formimin e tyre, për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në këtë betejë të vështirë, por të mundshme për t’u fituar.

Meqenëse sot çështja është për lidershipin, unë do ju shpreh ju disa mendime të mia.

Një lider nuk duhet të ketë frikë. Nuk ka pushtues më të keq për njeriun se sa frika. Kurrë nuk duhet ta harroni këtë.

Ndaj dhe thirrja e Papa Gjon Palit II, drejtuar njerëzve në vitet e fundit të diktaturave komuniste në Europë, ‘mos u frikësoni’, ajo ishte për të gjithë qytetarët, por një lider nuk duhet t’i dorëzohet frikës asnjëherë.

Duhet të tregojë forcë dhe determinizëm, në asnjë mënyrë arrogancë.

Bashkëpunimi është rruga e vetme që ju të realizoni vizionet dhe projektet tuaja.

Në këtë bashkëpunim ka një sekret, ekipi. Puna në ekip.

Një lider sot mund të realizojë vizionin e tij vetëm me krijimin e një ekipi.

Kur shkojmë tek ekipi, kurrë mos përfillni, mos u merrni me dobësitë e anëtarëve të tij. Merruni vetem me talentet, me dhuntitë, me aftësitë e anëtarëve të tij.

Në qoftë se ju i injoroni të parat dhe merrni të dytat, ju arrini të shumëfishoni performancën dhe arrini, ju garantoj, gjëra të jashtëzakonshme.

Ato të cilat duken të pamundshme, ato të cilat duken utopira, në qoftë se ju punoni me një ekip, tek i cili bazoheni në cilësitë më të arrira të gjithsecilit, ato së bashku bëjnë mrekullira.

Ato së bashku bëjnë shumë më tepër nga ç’mund të mendohet.

Ndaj dhe e domosdoshme është që një lider të ketë ekip, dhe me ekipin të funksionojë pra në këtë mënyrë.

E kotë t’u them unë ju, kurrë nuk duhet të dorëzoheni në qoftë se kauza juaj është e drejtë.

Një kauzë e drejtë duhet të mbrohet pa asnjë hezitim, pavarësisht nga pozicionet në të cilat mund të gjendesh.

Mark Tuejn ka një fjalë të urtë, të vërtetën thotë, mbrojeni pa menduar.

Ç’nënkupton kjo? Pra, në betejën për kauzën që mbroni, për të vërtetën, nuk duhet të tërhiqeni nga asgjë, nga asnjë kalkulim.

Beteja fitohet.

Shiko ku ishim ne, merrni shembullin e PD këto tre vite. Sa gjëra dukeshin të pamundura dhe janë bërë plotësisht të mundura. Është kështu?

Tani kemi të pamundurën tjetër përpara në pamje, që është plotësisht e mundur. Është beteja me narkoshtetin dhe fitorja e zgjedhjeve.

E jashtëzakonshme është forca jonë morale në këtë betejë.

Atëherë, duhet ta nisim sa më parë dhe duhet t’u them për ta mbyllur këtë fjalë, këtyre të rinjve të pranishëm, se historinë e kanë përcaktuar në shumë raste pakicat cilësore.

Pakicë cilësore ishin studentët e viteve ’90. Ata ishin ditën e parë, ditën e dytë, gjithsej 600-700 vetë. I rrahën në mënyrë barbare, pas tre orësh ishin të gatshëm për betejë, pas tre orësh ishin të gatshëm të zbrisnin në sheshbetejë.

Persistuan dhe u bënë engjëjt e demokracisë.

Sot, ne nuk kemi një diktaturë komuniste përpara, kemi një narkodiktaturë përpara.

Çfarë do të thotë se nuk kemi një zgjedhje përpara, por kemi një mision përpara. Kemi një mision për të përmbushur. Dhe ky mision është fitorja e zgjedhjeve të 11 majit.

Kjo fitore, e them me bindjen time më të thellë se rol vendimtar keni ju.

Energjia juaj, përkushtimi juaj, por edhe imazhi juaj, janë të një rëndësie themelore për këtë fitore.

Në qoftë se ju bëheni imazhi i kësaj fushate, kundërshtari shkatërrohet.

Po të dilni ju në skenë dhe ta dominoni imazhin, ata nuk ka njeri dëshirë t’i shohë, le të lustrohen të bëjnë ç’të duan, nuk kanë krahasim me ju.

Energjia juaj është e pashtershme.

Sapo u takova me zotërinjtë e nderuar, çfarë po flisnim, ua kanë thënë edhe ju.

Të regjistrojmë çdo ditë në sa dyer trokitëm, të regjistrojmë çdo ditë sa duar shtrënguam, çfarë mesazhi dhamë.

Pra, e shihni ju se fitorja është në duart tona?

Kështu që ju ftoj të frymëzuar edhe nga këto leksione dhe mësime që morët, ta vazhdojmë këtë betejë me bindje të plotë në fitoren që na pret.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale