FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME FERMERËT NË CËRRIK
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar një takim me fermerët në zonën e Cërrikut. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se, buxheti i qeverisë Rama për fermerët është qesharak. Sipas tij, nga 52 milionë që është caktuar në buxhet, 20 zhduken rrugës, ndërsa buxheti real për bujqësinë është 30 mln euro. ‘Në shifra është 52 milionë, por atë pjesë e merr burokracia dhe e merr administrata. Fermerëve u ngel për të gjithë veprimtaritë e tyre, u ngelen 32 milionë euro. Nuk ka shifër më qesharake. Absolutisht çdo fermer tjetër jashtë kufijve të këtij vendi, pa zbritur në Greqi se atje është krejt tjetër, por duke marrë Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, kanë të paktën gjashtë herë më shumë subvencione.’, tha Berisha.
Gjatë bashkëbisedimit me fermerët në Cërrik, kryedemokrati Sali Berisha foli edhe për mungesën e subvencionimit të fermerëve nga ana e qeverisë. Sipas tij, fermeri shqiptar është sot më i braktisuri nga shteti i tij. Berisha përmendi edhe Ballkanin e Hapur dhe marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë, që bëjnë të mundur futjen në vendin tonë të prodhimeve me çmime mjaft të ulëta, që godasin fermerin dhe prodhuesin shqiptar. Sot jam këtu për t’ju zotuar se një nga aktet e para, anulimi përfundimtar i çdo akti të Ballkanit të Hapur. Po! Megjithatë nisma është bllokuar, por marrëveshjet vazhdojnë. Nuk janë bllokuar marrëveshjet, të cilat, të cilat dëmtojnë palcërisht prodhimin tonë.’, tha Berisha.
Lideri i opozitës Sali Berisha u ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë kudo që janë që të mblidhen në Tiranë ku qytetarët dhe rinia janë në ditën e 14 të protestës kundër qeverisë së Edi Ramës.’Jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë atyre të rinjve që janë sot në ferma, unë e di se lodheni gjatë ditës, por bëni gjithçka të jeni tek bashkëmoshatarët tuaj në Tiranë. Se ata po firmosin historinë, po shpëtojnë Shqipërinë nga regjimi më i keq që ka patur pas Enver Hoxhës gjer sot.’, theksoi ai. Në fjalën e tij, Berisha theksoi edhe faktin se, në Shqipëri bujqësia dhe blegtoria janë në minimumin e kreditimit nga shteti.
Kryetari i PD-së Sali Berisha në takimin me fermerët në Cërrik, ka vendosur sërish theksin në zhvillimin fshatit dhe zonave rurale. Sipas tij, nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar, nëse fshati është i prapambetur. Berisha u shpreh se, qeverisja e PD do të rikthejë investimet në zonat rurale, që këto të fundit të kthehen si lagje qyteti. ‘Shqipëria nuk mund të quhet kurrë vend i zhvilluar me një fshat të prapambetur. Në qoftë se fshati është i prapambetur, vendi është i prapambetur. Le të ndërtojë sa të dojë rrokaqiej. Zhvillimin e tregon këtu, e tregon fshati, niveli i tij. Ndaj dhe ne zotohemi para jush se do ta kemi përparësi të madhe.’, theksoi Berisha.
Në takimin me fermerët në Cërrik, kryedemokrati Sali Berisha ka bërë thirrje për largimin sa më të shpejtë të Edi Ramës nga qeveria, pasi sipas tij, ai vetëm për shqiptarët nuk mendon. ‘Thirrja ime, në mënyrë që të realizojmë këto programe transformuese, duhet ta përcjellim një minutë e më parë Edi Ramën, i cili për çdo gjë mund të mendojë, por jo për qytetarët shqiptarë.’, tha Berisha. Ai tha gjatë fjalës së tij, se Edi Rama ka ndërtuar një vilë me gjatësi themelesh sa Presidenca e Shqipërisë, dhe me një oborr prej 8300 metrash. Edi Rama ka një vilë me gjatësi themelesh sa Presidenca e Republikës, sa Këshilli i Ministrave. Me oborr 8300 metër katror, më të madh se pallati presidencial. Po absolutisht, të gjitha në emër të tij. Po si u ndërtuan ato? Nga i gjeti këto? Ndërkohë kishte të deklaruara në dokumentet e deklarimit të pasurive 3800 euro dhe 4400 lekë të reja.’, tha kryetari i PD-së Sali Berisha në fjalën e tij.

FJALA E PLOTE
Së pari një përshëndetje shumë të përzemërt dhe falënderim për të gjithë ju që jeni këtu. Përshëndetje për të gjithë fermerët e Cërrikut, Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë.
I dashur Tomorr, drejtues politik i qarkut Elbasanit, i dashur kryetar i Partisë Demokratike Cërrikut, ju përshëndes dhe ju deputeti Himçi, Haxhinasto.
Takimi me fermerët, është takimi me njerëzit që kafshatën, jetesën e ndërtojnë mbi mundin, djersën dhe sakrificën e tyre.
Në këtë drejtim, punëtorët e tokës janë punëtorët themeli. Janë njerëz të sakrificës, të mundit, por edhe të nderit dhe dinjitetit.
Ndaj dhe është gjithnjë kënaqësi takimi me ju. Dhe vij këtu për t’ju garantuar ju se për ne mbështetja e juaj, mbështetja e fermerëve shqiptarë është një nga përparësitë më të mëdha.
Sepse në fushat, në shpatinat, në luginat e këtij vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm prodhimi, të ardhurash jo vetëm për familjet por për kombin në tërësi.
Ju sot për fatin më të keq, më të papranueshëm, jeni fermerët më të diskriminuar në rajon dhe në Europë. Ju jepni 20% të prodhimit të brendshëm dhe merrni 0.19% të tij.
Nuk ka pabarazi dhe padrejtësi më të madhe se kjo. Ta kthejmë në shifra të tjera: fondi buxhetor për bujqësinë realisht është 32 milionë euro.
Në shifra është 52 milionë, por atë pjesë e merr burokracia dhe e merr administrata. Fermerëve u ngel për të gjithë veprimtaritë e tyre, u ngelen 32 milionë euro. Nuk ka shifër më qesharake. Absolutisht çdo fermer tjetër jashtë kufijve të këtij vendi, pa zbritur në Greqi se atje është krejt tjetër, por duke marrë Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, kanë të paktën gjashtë herë më shumë subvencione.
Të paktën gjashtë herë më shumë. Çfarë ndodh kështu? Dhe përveç subvencionit, të gjitha këto vende pa përjashtim, fermerët e marrin naftën me gjysmën e çmimit që e merrni ju.
Ju mund të habiteni, por ka një politikë absolutisht armiqësore ndaj jush.
Tani a mund t’i shtrojmë pyetjen vetes ne këtu? A nuk pati një krizë në çmimin e naftës gjatë luftës, Shtetet e Bashkuara me Iranin? Kudo ndikoi ajo.
Dhe në çdo vend qeveritë ndihmën e parë tek fermerët, absolutisht në çdo vend. Gjermania dyfishoi subvencionin për naftën. Po çdo vend tjetër.
Kurse ky në mënyrë më të pacipë, më cinike, deklaroi do ta heqim thatë. Si mund ta heqësh ti atë? Dhe mashtronte. I thoshte gazetarëve se në Europë tani nuk përdoret më kjo. Në një kohë kur nuk ka vend në Europë, ia thashë në atë kohë, gjej një vend të vetëm që nuk subvencionon naftën e fermerëve.
Jo e subvencionon, por nga kriza në Gjirin Persik pati vende që e dyfishuan subvencionin, kurse ky e hoqi subvencionin.
Për t’jua bërë ju të pamundur, të punoni tokën dhe të ikni. Çfarë do të thotë kjo? Pse mashtron në këtë mënyrë? Pra, Ballkani i Hapur. Çfarë ishte Ballkani i Hapur?
Ishte një akt armiqësor ndaj jush. Sepse hapi dyert në të katër anët për vërshimin e prodhimeve bujqësore të shumadijes të Serbisë, vend i cili subvencionin ndaj fermerëve jo tani, por dhe 40 vite më parë e ka patur 8 herë më të madh se ç’e keni ju sot. 8 herë më të madh. Po!
Ata kanë nga sistemet e vaditjes më moderne në Europë. E ka dhe Kosova atë sistem të
trashëguar, e të tjerë e të tjerë. Dhe tani hapin thotë doganat, të vijë kamioni, se vonohet kamioni. E çfarë ndodhi?
Therje masive e lopëve, e të imtave, qumështi pluhur vërshoi dhe ju mbeten prodhimet, ju mbetet gjithçka tjetër vetëm të vuani. Ndaj dhe ne e konsiderojmë jetike mbështetjen tuaj.
Çfarë investimesh janë bërë në Shqipërinë rurale? Pothuajse zero. Në zonat bujqësore, në fshatra, i ndërpreu. Në një kohë kur ato ishin zonat me nevoja absolute më të mëdha.
Pra, fermeri shqiptar sot është fermer i braktisur, është fermer i dekurajuar, është fermer i dënuar nga prodhimet që vijnë pas hapjes së kufijve në Ballkanin e Hapur.
Sot jam këtu për t’ju zotuar se një nga aktet e para, anulimi përfundimtar i çdo akti të Ballkanit të Hapur. Po!
Dhe megjithëse Bashkimi Europian ju dha ultimatum, e kishin në mendje, në qoftë se u kujtohet, kishin lënë një ritakim thoshte në Durrës, me këtë, me Vuçiçin dhe atë të kryeministrin e tjetër. Ne dolëm, ne organizuam një protestë në bulevard në atë kohë.
Por i erdhi ultimatumi nga Bashkimi Europian që po u mblodhët më, çfarë ishte ajo?
Megjithatë nisma është bllokuar, por marrëveshjet vazhdojnë. Nuk janë bllokuar marrëveshjet, të cilat, të cilat dëmtojnë palcërisht prodhimin tonë.
Tani, mund të flitet për këtë qeveri dhe për këtë njeri ditë të tëra, por t’ju them të vërtetën, koha ka ardhë që çdo shqiptar të kontribuojë për t’i dhënë një shtytje dhe për ta hequr nga ai vend ku është.
Jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë atyre të rinjve që janë sot në ferma, unë e di se lodheni gjatë ditës, por bëni gjithçka të jeni tek bashkëmoshatarët tuaj në Tiranë.
Se ata po firmosin historinë, po shpëtojnë Shqipërinë nga regjimi më i keq që ka patur pas Enver Hoxhës gjer sot.
Unë ju garantoj ju se programi ynë synon një transformim të plotë të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, të pemëtarisë në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, siç theksova, në vitin e parë, do të gjashtëfishojmë buxhetin për fermerët.
Dhe absolutisht nuk do jetë kurrë më i ulët sesa mesatarja e vendeve të rajonit. Jo! Dhe ju garantoj se në ato shifra mundësitë e kësaj toke, mundësitë tuaja për të dy dhe trefishuar prodhimin janë reale. Sigurisht janë reale.
Bujqësia sot dhe blegtoria ka minimumin e minimumit të kreditimit. Në një kohë kur sistemi i kreditit për fermerin është jetik.
Sistemi i vendosur nga të tjerët absolutisht edhe 90 vite para dhe plotësisht i mundshëm për t’u vendosur në Shqipëri.
1% i totalit të kredive të vendit shkon në bujqësi dhe në ferma. Asgjë pra.
Ne marrim përsipër dhe do marrim përsipër të shumëfishojmë kreditin dhe shteti të marrë përsipër një pjesë të interesave, në mënyrë që kreditë tuaja të jenë të buta, të leverdishme.
Pa një sistem kreditimi të mundshëm për ju, është e pamundur të zhvillohet. Do bëjmë gjithçka për përmirësimin e farërave, fidanëve, inputeve bujqësore, për nxitjen e serave dhe intensifikimin e prodhimit në sera.
Një agjenci do ngrihet vetëm për t’u orientuar ju drejt tregut. E domosdoshme kjo agjenci për orientimin e fermerëve tanë në kohë reale për tregun. TVSH-ja do unifikohet, e njëjtë në shitje dhe blerje.
Përfituesi i saj do jeni ju, fermerët. Siç janë në gjithë botën përveçse në Shqipëri. Pra do bëjmë gjithçka për organizimin e këshillës për fermerët. Këshillës falas për fermerët. Do shtrihet në të gjithë vendin sistemi i këshillimit.
Investime të mëdha me përparësi do të bëhen në infrastrukturën e zonës rurale dhe vaditjen.
Dua t’ju rikujtoj se në vitet 2005-2013 mbi 3 miliardë euro janë investuar në Shqipërinë rurale. Mbi 3 miliardë euro. Dhe përsëri duheshin të paktën dhe 2 miliardë për të përfunduar sistemin rrugor të saj.
Fshatrat duhet të kenë të njëjtën infrastrukturë si lagjet e qytetit.
Shqipëria s’do jetë kurrë vend i zhvilluar pa u realizuar standardet e lagjeve të qytetit në infrastrukturë për fshatrat e vendit. Jo që kjo nuk eci, por ju them është përkeqësuar në mënyrë dramatike.
Furnizimi me ujë në qytete. Pa le më, investimet në zonat rurale janë pothuaj inekzistente. Hoqi komunat. Ishte një goditje tmerrësisht e rëndë. Pse? Çfarë raporti kishim ne gjatë qeverisjes sonë me komunat?
Një raport të tillë, kryetarëve të komunave dhe këshillave të komunave u kërkonim të bënin projektet për rrugët, për kanalizimet, për kanalet, kurse fondin e garantonim ne si qeveri. Ju them se ky raport ishte jashtëzakonisht i frytshëm, i dobishëm.
Dhe ky raport bëri të mundur që në vend të ndërtohen 11300 kilometra rrugë nga të cilat 8000 e sa në Shqipërinë rurale. Të ndërtohen rreth 700 sisteme ujësjellësa, kanalizime. Të financohen 45 mijë plantacione të drurëve frutorë dhe mijëra hektarë sera.
Ne përsëri kthehemi.
Thashë dhe një herë, Shqipëria nuk mund të quhet kurrë vend i zhvilluar me një fshat të prapambetur. Në qoftë se fshati është i prapambetur, vendi është i prapambetur.
Le të ndërtojë sa të dojë rrokaqiej. Zhvillimin e tregon këtu, e tregon fshati, niveli i tij. Ndaj dhe ne zotohemi para jush se do ta kemi përparësi të madhe.
Një mafie e rrezikshme ju kërcënon ju.
Mafia e inputeve.
E cila kërcënon prodhimet, jetën, shëndetin jo vetëm tuajin por dhe të konsumatorëve.
Disiplinë rigoroze do përcaktojmë. Por të dashur miq, të gjitha këto mund të bëhen realitet. Dhe ju garantoj se do bëhen pikë për pikë realitet, me kusht që të largojmë atë grup hajdutësh të tillë nuk i ka pasë toka. Jo.
Enver Hoxha, diktatori më mizor, nga paranoja e tij i çonte paratë e qytetarëve në bunkerë e tunele. Bëri dhe një vilë, por nuk e regjistroi në emër të tij.
Jo, atë vilë e regjistroi si shtëpi shteti. Edi Rama ka një vilë me gjatësi themelesh sa Presidenca e Republikës, sa Këshilli i Ministrave. Me oborr 8300 metër katror, më të madh se pallati presidencial.
Po absolutisht, të gjitha në emër të tij. Po si u ndërtuan ato? Nga i gjeti këto? Ndërkohë kishte të deklaruara në dokumentet e deklarimit të pasurive 3800 euro dhe 4400 lekë të reja.
Ky ishte deklarimi. Po shumë thjesht, ai që ndërtoi pallatin paj mori nga 70 milionë, 300 e sa milionë në rrugën Qukës-Qafë Plloç.
Tjetri dhjetëra tendera të tjera. Kështu që në këtë mënyrë, ai mund të ndërtojë jo një saraje, por një fshat saraje. Dhe njerëzit ikin, varfërohen.
Ndaj dhe duhet t’i përshëndesim përzemërsisht këta të rinj dhe qytetarë që janë ngritur, pas një akti dhunë kriminal, zvarritjes në tokë të qytetarit sikur të ishte një bishë e prerë dhe jo një njeri që po protestonte se ia kishin rrethuar fshatin me tela me gjemba.
As në Korenë e Veriut nuk veprojnë në këtë mënyrë.
Të gdhihet fshati në mëngjes gjendet i rrethuar me tela me gjemba. Ku jemi kështu?
Ndaj dhe edhe një herë, thirrja ime, në mënyrë që të realizojmë këto programe transformuese, duhet ta përcjellim një minutë e më parë Edi Ramën, i cili për çdo gjë mund të mendojë, por jo për qytetarët shqiptarë.
Faleminderit!


