Berisha: Të rinjtë dhe të rejat janë në ballë të betejës për qeverinë teknike, për largimin e narkoshtetit dhe që të votojnë të lirë për veten dhe të ardhmen e tyre

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË BANESËN E TIJ

EKSTRAKT

Ka vijuar dita e 57 e protestës së qytetarëve dhe simpatizantëve të PD poshtë banesës së liderit demokrat, Sali Berisha kundër arrestimit të tij politik nga regjimi i Edi Ramës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha është shprehur gjatë fjalës së tij në tubimin e radhës se që nga dhjetori dhe shkurti i vitit 1990 e deri më sot, Rruga e Shpresës ka qenë tribuna më e madhe e të rinjve dhe të rejave shqiptare.

Berisha ka theksuar se gjimnazistë, studentët, intelektualë, punëtorë, të rinj kanë shprehur në parlamentin e Rrugës së Shpresës, mendimet, qëndrimet, pikëpamjet, projektet e tyre për Shqipërinë dhe të ardhmen.

Berisha tha se, se mes të gjitha shtresave, të rinjtë dhe të rejat tanë janë më pro-europianët, janë ata të cilët projektojnë më shumë se të gjithë të tjerët, Shqipërinë në Europë dhe ëndrrën e tyre evropiane si ëndrrën më të bukur për Shqipërinë.

Berisha theksoi se, të rinjtë nuk janë ata kurrë që mund të pranojnë mashtrimin për të vërtetë, apo siç thotë populli, sapunin për djathë.

Berisha tha se, me 20 shkurt ai u zotua para popullit se shtylla kryesore e programit të Partisë Demokratike, pas garantimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, do të jetë investimi tek qytetarët shqiptarë.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha nga dritarja e banesës së tij se, kjo është tribuna e së vërtetës. Berisha tha se, qeveria teknike është detyrimi ynë absolut, para çdo shqiptari dhe para Shqipërisë.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta.

Mirënjohjen më të pakufijshme ju, qendrestareve dhe qendrestarëve, misionarëve të shpresës, lirisë dhe dinjitetit.

Misionarëve të fitores tonë.

Të dashur miq!

Shumë epitete ka marrë kjo rrugë e cila me 20 shkurt u shndërrua në bulevard, pushtoi kryeqytetin, mendjen dhe zemra te shqiptarëve. Por unë sot dua të sjell para jush një tipar të saj të veçantë.

Që nga dhjetori dhe shkurt i vitit 1990 e deri më sot, ‘Rruga e Shpresës’ ka qenë tribuna më e madhe e të rinjve dhe të rejave shqiptare. Gjimnazistë, studentët, intelektualë, punëtorë, të rinj kanë shprehur në parlamentin e rrugës së Shpresës, mendimet, qendrimet, pikëpamjet, projektet e tyre për Shqipërinë dhe të ardhmen.

Ndaj dhe ju garantoj edhe njëherë se ditë të bardha na presin së shpejti.

Ditë të bardha na presin miqtë e mi, sepse uragani i 20 shkurtit 2024, ndonëse eklipsoi atë të 1991, por përsëri që të dy ishin siamezë të ngjashëm në shpirtin e tyre anti-diktatorial. Ishin siamezë të ngjashëm në fytyrën, energjinë, pathosin rinor të tyre.

Me 20 shkurt Tirana pa të reja dhe të rinj sa nuk kishte parë në 30 vite ndonjëherë më parë. Kjo dëshmon se rinia po merr në dorë fatin e saj, po merr në dorë fatin e Shqipërisë.

Të rejat dhe të rinjtë shqiptarë nuk kanë kaluar qoftë dhe një ditë të vetme në diktaturë, por miqtë e mi, kjo nuk do të thotë se ata nuk e njohin, se ata janë të pandjeshëm ndaj diktaturës. Jo dhe jo!

Ata janë bijat dhe bijtë e lirisë, të pluralizmit, të diversitetit. Për ata monizmi, njënashmëria është neveri. Për ata, Shqipëria pa opozitë është natë e zezë dimri pa hënë, e pa pranueshme.

Për të rinjtë dhe të rejat tona, vota e lirë është kushti i të gjitha kushteve, për lirinë dhe dinjitetin e tyre. Me mençurinë, me njohuritë, me ndjesitë, ata e kanë më të qartë se kushdo tjetër se Edi Rama është armiku më i egër i votës së tyre të lirë dhe se me Edi Ramën, zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka.

Ndaj dhe ata janë dhe do të jenë në ballë të betejës për qeverinë teknike, për largimin e narkoshtetit, dhe që ata dhe shqiptarët të votojnë të lirë për vete dhe të ardhmen e tyre.

Miqtë e mi!

Mes të gjitha shtresave, të rinjtë dhe të rejat tanë janë më pro-europianët, janë ata të cilët projektojnë më shumë se të gjithë të tjerët, Shqipërinë në Europë dhe ëndrrën e tyre evropiane si ëndrrën më të bukur për Shqipërinë.

Ata nuk mund të pajtohen kurrë me muret që ngre Edi Rama, me vjedhjen e baballarëve të tyre, me vjedhjen e pasurive kombëtare. Ata nuk mund të pajtohen kurrë që klanet e drogës dhe krimit të votojnë ligje në parlament, të marrin vendime në qeveri. Ata nuk mund të pranojnë kurrë që klanet e drogës dhe krimit të diktojnë si hanxhar votën e lirë të shqiptarëve. Jo dhe jo!

Ndaj dhe me 20 shkurt ata mbushën sheshin, dhe u garantoj ju se janë ata të cilët do t’i japin përgjigjen fatale Edi Ramës dhe narkoshtetit.

Të dashur miq!

Të rinjtë nuk e duan burokracinë, por ata e dinë se shteti ndërtohet me institucione, se rendi bazohet në kushtetutë dhe ligje të drejta dhe demokratike.

Ata nuk mund të pajtohen kurrë në shndërrimin e parlamentit në strofull të krimit të Edi Ramës dhe Lindës së tij, në një institucion që u mohohen të drejtat e përfaqësuesve të 600 mijë shqiptarëve.

Ata nuk mund të pranojnë kurrë që parlamenti të mos lejojë përfaqësuesit e 600 mijë qytetarëve të ushtrojnë kontrollin mbi qeverinë, të ushtrojnë kontrollin mbi vjedhjet e Edi Ramës.

Ata janë të ndjeshëm. Ata nuk pranojnë kurrë të shohin bashkëmoshatarët e tyre që vërsulen, rrezikojnë jetën çdo gjë me gomone në detra dhe oqeane, ndërkohë që kreu i ekzekutivit kryen në 18 muaj, 142 udhëtime më shumë se çdo kryeministër, se çdo president, se çdo emir, se çdo sulltan në planetin tonë.

Ata nuk pajtohen kurrë me këtë drejtim monist.

Janë fëmijët e diversitetit. Diversiteti është psikologjia e tyre, ndaj ju garantoj se 20 shkurti ishte prova gjenerale e tyre.

Së shpejti vjen dita e tyre, dita e fitores!

Miqtë e mi!

Të rinjtë dhe të rejat janë dhe më pro-perëndimorët e shoqërisës, më pro-amerikanët e shoqërisë tonë, por ata nuk mund të pranojnë kurrë për hero të pro-amerikanizmit të tyre një njeri i cili përdor, keqpërdor dhjetëra e dhjetëra milionë euro, për të korruptuar ambasadorë dhe McGonigalër dhe për ti ndërsyer ata si hiena kundër opozitës së vendit të vet, për të realizuar ëndrrën e tij makabre, ata të Shqipërisë pa opozitë.

Të rinjtë nuk janë ata kurrë që mund të pranojnë mashtrimin për të vërtetë, apo siç thotë populli, sapunin për djathë. Nuk mund të pranojnë ata që Sali Berisha qenka i korruptuar, paçka se e gjithë jeta fakton një betejë të palëkundur kundër korrupsionit. Paçka se pas 3 vitesh hetimesh të gjithë anshme, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën që ta dini, kanë gjetur turpin e tyre.

Nuk kanë gjetur një fakt, dokument, provë të paraqesin para jush.

Ata nuk mund të pranojnë kurrë që ky të arrestohet për korrupsion, kurse Edi Rama i kapur  në flagrancë duke korruptuar me 225 mijë euro McGonigalin.

Duke korruptuar me licenca dhjetëra milionë eurosh nafte etj., luftojka korrupsionin. Jo, të rinjtë këto nuk i pranojnë kurrë. Askush nuk mund të ua shesë atyre, mashtrimin për të vërtetë.

Ndaj dhe ata janë sot më të gatshëm se kurrë në këtë betejë pa kthim për fitoren e të vërtetës, fitoren e opozitës.

Por unë këtu para jush dhe në emër tuaj, dua t’u jap fjalën, dua t’i garantoj ata se Shqipëria për të cilën ata luftojnë do të jetë Shqipëria e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe se pushteti i PD, do të jetë pushteti i të rinjve dhe të rejave shqiptare, kudo që janë, në Shqipëri dhe botë.

Sot ata përbëjnë për vendin, kombin, një fuqi të jashtëzakonshme. Një fuqi të vërtetë që se ka pasur kurrë më parë për të ecur me shpejtësi drejt horizonteve më të përparuara.

Miqtë e mi!

Me 20 shkurt unë u zotova para jush se për Partinë Demokratike, shtylla kryesore e programit të saj, pas garantimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, do të jetë investimi tek qytetarët shqiptarë. Me këtë rast, dua të siguroj çdo të ri, të re, se kjo nënkupton mbi të gjitha investimin tek rinia shqiptare.

Pushteti i ardhshëm do të jetë pushteti i tyre. Ky pushtet do të bëjë gjithçka që ata të shkollohen në shkolla cilësore.

Miqtë e mi!

Ne jemi parti me trashëgimi. Në 2005, Shqipëria renditej në nivelet më të ulëta për arsimin në PISA, por kur e dorëzuam, e dorëzuam jo në nivelin që duhej të ishte, por ama e dorëzuam me rritjen më vertikale që mund të kishte. Pra, e dorëzuam në një kohë kur cilësia e arsimit rritej vertikalisht nga viti në vit. Çfarë ndodhi më vonë?

PISA që përfshin 8 vitet e tyre, Shqipëria regjistroi rënien me të madhe në botë, rënien më të tmerrshme do të thoja unë.

Kjo sepse, arsimi u inondua nga patronazhistë, nga rilindasit, fara më e keqe e kombit që nga diktatura e Enver Hoxhës.

Garantoj të rejat dhe të rinjtë, se nuk do të ketë më satër kasapi mbi mesataren e tyre, se tarifat e universiteteve do të ulen, jo një e dy, por 5 herë. Do të ulen 5 herë, fjala ime e nderit dhe se çdo student do të ketë bursën të barabartë me një rrogë për të jetuar normalisht.

Miq, këto janë vetëm disa nga masat që do të ndërmarrim në qoftë se duam që të mbijetojmë si komb. Dhe ne duam të mbijetojmë si komb. Ne jemi komb i lashtë, ne nuk kemi pse zhdukemi pse kërkojnë armiqtë tanë me Edi Ramën të na shfarosin në mënyrë paqësore.

Zonja që foli këtu nga Elbasani tha një gjë të veçantë; kjo është tribuna e së vërtetës. Dhe kjo është e vërtetë.

Askund të vërtetat nuk thuhen si këtu nga ju, dhe unë ju përshëndes për këtë, sepse janë të vërtetat ato të cilat do të na frymëzojnë ne, do të shumëfishojmë fuqitë tona. Janë të vërtetat ato të cilat do të bëjnë të mundur të grisin këtë vello të zezë të propagandës së Edi Ramës.

Të gjitha mediat e tij censurojë parlamentin e fjalës së lirë. Të gjitha mediat e tij deforomojnë mesazhet e parlamentit të shpresës. Detyra jonë është si misionarë t’i përcjellim ato në çdo derë, zemër dhe mendje tek shqiptarët.

Miqtë e mi!

Edhe para disa ditësh theksova dhe sot prap do të them, 20 shkurtin të mos e konsiderojmë si arritje, por si pikënisje për t’u përballur me një armik të egër të votës sonë.

Ne jemi njerëz të të vërtetës. Ne e dimë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, por e dimë se votën nuk e japim kurrë, nuk e dorëzojmë.

Ndaj dhe qeveria teknike është detyrimi ynë absolut, para çdo shqiptari, para Shqipërisë, para të ardhmes sonë, të gatshëm për të gjitha sakrificat që t’u japim shqiptarëve, votën e lirë, dinjitetin që meritojnë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale